leoni

Hasan Hazir Osmani (12.6.1972 – 11.8.1998)

Hasan Hazir Osmani (12.6.1972 – 11.8.1998)

Dëshmori, Hasan Osmani, u lind më 12 qershor të vitit 1972, në fshatin Nivokaz të komunës së Gjakovës. Mësimet e para i mori në fshatin. Molliq në shkollën fillore “Jahë Salihu”, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Qendrën shkollore, “Hysni Zajmi” Gjakovë, drejtimi Veterinarisë. Pastaj kishte regjistruar studimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Dega e Gjuhës Angleze, ku i kreu tri vite.
Me qëllim për ta ndihmuar arsimin dhe shkollën shqipe, e cila mezi po mbijetonte meqë regjimi serb i kishte larguar nxënësit shqiptarë nga objektet shkollore, Hasani në mungesë të kuadrit arsimor për gjuhë angleze, vullnetarisht punoi si mësimdhënës i kësaj lënde në shkollën fillore, në Berjahë të Rekës së Keqe të Gjakovës. Asokohe mori pjesë aktive në mbledhjen e kontributeve dedikuar arsimit dhe segmenteve të tjera publike në Kosovë. Ishte shumë aktiv në organizimin e protestave dhe demonstratave si dhe të formave të tjera të rezistencës kundër pushtetit okupues Serb në Kosovë në Gjakovë, Prishtinë dhe gjetiu.
Mori pjesë në shumë marshe dhe manifestime protestuese të organizuara kundër dhunës dhe represionit të shfrenuar të policisë serbe me moton “Lirimi i objekteve dhe mospengimi i shkollës shqipe”.
Hasani ishte i përndjekur dhe kërkohej për t’u dërguar në shërbimin ushtarak në armatën jugosllave dhe për shkak të aktiviteteve të tij të shumta.
Pas sulmit të parë mbi familjen e Jasharajve dhe pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me 28 Nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë të Skënderajt, si dhe në shenjë të solidarizimit e për të ndarë dhimbjen dhe krenarinë për ato ngjarje, Hasani ishte përcaktuar për marrjen e përgjegjësive të reja.
Pas sulmit të forcave serbe më 24 mars të 1998, në Gllogjan të Deçanit, Hasani mori kontaktet e para me formacionet e rezistencës së UÇK-së, përmes Bekim Dodës të cilin e kishte shok të gjeneratës, si dhe të vëllait të tij, Faik Dodës.
Në prill të vitit 1998, Reka e Keqe u shpall zonë e lirë ku u formuan strukturat e para të UÇK-së. Në fshatin Smolicë u formua Shtabi lokal i cili mori përgjegjësinë në ngritjen e kapaciteteve të strukturave të mobilizimit dhe koordinimit, për hapjen dhe sigurimin e korridorit për furnizimin me armatim, për pritjen dhe përcjelljen e vullnetarëve nga të katër anët e Kosovës që shkonin përtej kufirit me qëllim armatimi.
Hasan Osmani me shumë bashkëfshatarë të tij e me shumë të rinj të fshatit Nivokaz, më 9 e 10 prill 1998 rrugëtuan drejt Shqipërisë për bartjen e armatimit, por pastaj duke kaluar rrugë të gjatë nëpër fshatrat e Tropojës, në Padeshë bashkë me shumë vullnetarë nga treva të ndryshme kapërcyen kufirin shqiptaro-shqiptar duke rënë në pritë të ushtrisë derbe, në vendin e quajtur Rrasa e Koshares. Kjo ishte përpjekja e parë e këtyre luftëtarëve të lirisë me forcat okupatore serbe, në të cilën përballje pati luftime dhe rezistencë të fortë të çlirimtarëve, megjithëse ranë luftëtarë të fshatrave Sllupë, Hereq dhe Dujakë. Ky moment shënon edhe inkuadrimin e drejtëpërdrejtë të Hasanit në luftën e armatosur. Në atë kohë u bë strukturimi i njësiteve të para të shtabit lokal të fshatit Nivokaz, pastaj caktimi i pikave të rojës dhe angazhimi i kuadrove me përvojë dhe njohuri ushtarake.
Pas ngritjes së strukturave komando drejtuar nga Komandanti, Rrustem Ejupi, Hasani me shumë të rinj të fshatit u përfshi në njësitin e ndërhyrjes së shpejtë. Tani stërvitjet ushtarake bëheshin çdo ditë në poligonin te vendi i quajtur Malet e Necit.
Ky njësit luftarak u bë pjesë e Batalionit të Rekës së Keqe, ku Nivokazi bënte Kompaninë e dytë nën drejtimin e Aziz Hysenit, Refat Sylejmanit, Naim Malokut dhe Rrustem Ejupit. Ishte koha kur kishte filluar dislokimi i forcave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Shqipërinë në gjatësinë prej 22 km, në rrugën rajonale Gjakovë-Junik duke shpallur zonë të sigurisë së veçantë për të bërë të pamundur aktivitetin e njësiteve të UÇK-së.
Si pretekst filloi sulmi i forcave Serbe për të spastruar zonën prej pesë kilometrash të quajtur “zonë kufitare” duke zbrazur fshatrat: Popoc, Ponoshec, Morinë, Brovinë, Molliq dhe Batushë. Kjo ndodhi në mëngjesin e 29 majit të vitit 1998 kur okupatori serb përdori tërë arsenalin e armatimit të lehtë dhe atë të rëndë duke granatuar nga çdo pozicion. Në atë kohë ranë dëshmorët e parë: Halit Asllani nga fshati Brovinë dhe Rexhep Sadiku nga fshati Nivokaz. Hasani ishte pjesë e atyre përballjeve me forcat e armikut dhe kjo ishte një sprovë për luftëarët e lirisë.
Hasani ka marrë pjesë në disa beteja, si në Smolicë, Nec, në ofensivën e parë më 29 korrik 1998 kundër Junikut, në frontin e Kallavajeve në vijën Nivokaz –Dobrosh pastaj ka marrë pjesë në tërheqjen e popullsisë civile në drejtim të Lugut të Carragojës, në drejtim të fshatrave Dujakë, Skivjan, Osek në drejtim të Gjakovës.
Bashkëluftëtarë të tij kanë qenë: Halit Asllani dëshmor, Rexhep Sadiku dëshmor, Shaban Gola dëshmor, Musa Nivokazi, Myhedin Nivokazi, Asllan Llulluni, Bekim Salihu, Sadik Hasani, Haxhi Sadiku, Tahir Rexha e shumë të tjerë. Hasani ka qenë komandant togu i njësitit të ndërhyrjes së shpejtë të njësisë speciale.
Ka rënë në pritë të forcave serbe, në të gdhirë të ditës së 11 gushtit 1998 në kufirin ahqiptaro -shqiptar në vendin e quajtur, “Livadhet e Devës. Në ato luftime janë plagosur Myhedin Nivokazi dhe Asllan Llulluni. Hasani ishte në mesin e 32 pjesëtarëve të UÇK-së që po shkonin përtej kufirit për të marrë armatim dhe municion. Gjatë luftimeve nën breshërinë e dytë të rafalëve të armikut bie dëshmor edhe Hasani që kishte shkuar për të tërhequr të plagosurit, duke rënë mbi trupin e Myhedinit, i cili ishte i plagosur rëndë dhe kishte mbetur pa ndjenja. TBashkëluftëtarët e tjerë kishin arritur të tërhiqeshin nga vija e zjarrit të pritës.
Ushtria serbe kishte marrë trupin e Myhedinit të plagosur dhe trupin e pa jetë të Hasanit dhe i kishin dërguar në spitalin e Gjakovës. Pas lajmit të rënies së Hasanit, nëna e tij dhe dy xhaxhallarët shkojnë për të marrë trupin e tij. por forcat serbe, paraprakisht i kishin detyruar punëtorët e ndërmarrjes “Çabrati”, me përkatësi rome që ta varrosin trupin e tij në varrezat e qytetit, duke shënuar shifrën X-96, në drurin e varrit. Asnjëri nga romët varrmihës nuk e kishte njohur as identifikuar trupin e Hasanit.
Pas çlirimit, është zbuluar trupi i dëshmorit Hasan Osmani dhe me nderime ushtarake e ceremoni familjare është bërë rivarrimi në fshatin e tij të lindjes.
Lapidari është ngritur me kontributin e familjes në varrezat familjare në fshatin Nivokaz. Familja ka marrë “Diplomën e Studentit Martir” të lëshuar nga Universiteti “Hasan Prishtina “ në Prishtinë. (Xh. O.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …