Shkëlzen Gani Berisha (15.4.1984 – 14.8.1998)

Shkëlzen Gani Berisha (15.4.1984 – 14.8.1998)

Dëshmori Shkëlzen Berisha, u lind më 15 prill të vitit 1984, në fshatin Pozhar të Deçanit. Ai ka një të kaluar të lavdishme familjare. Rrjedh nga familja e gjerë e Demë Ali Pozharit, e cila brez pas brezi dha luftëtarë betejash për mbrojtjen e kufijve etnikë të vendit, që nga Nishi e deri në Guri të Shpuem, që nga Shkodra deri në Hot e Grudë. Dekada me radhë qëndruan në mbrojtje të Plavës e Gucisë, përkrah Jakup Ferit me shokë dhe pasardhësve të tyre. Ishin kudo ku e kërkonte nevoja dhe e mira e atdheut. Njëri ndër pinjojtë e parë të kësaj familjeje, Rexhë Kuka ishte vrarë në Kalanë e Nishit duke luftuar në mbrojtje të trojeve shqiptare, më 1877. Në këtë luftë ishte plagosur edhe i biri i Rexhës, Alia, i cili pas disa kohësh kishte vdekur prej plagëve të marra; Sylë Mehmeti njëri ndër trimat më të dalluar të kohës së tij ishte vrarë më 1912, gjatë rrugëtimit me luftëtarët e Kosovës për ta ngritur flamurin kombëtar në Vlorë. Varri i tij gjendet edhe sot e kësaj dite te Vau i Dejës; Ali Mehmeti i Pozharit i cili e kishte rolin e kreut të fisit të Berishës e ka varrin te Xhamia e të Bardhve të Gashit; Rizë Rama (gjyshi i madh i Shkëlzenit), gjatë kohës së republikës së Junikut Neutral, kur sulmojnë forcat e Pren Jakut dhe ato serbe në Krumë, ishte plagosur rëndë, si njëri ndër prijësit e forcave demokratike. Nga plagët e marra kishte vdekur në janar të vitit 1923, në shtëpinë e Brahë Alisë në Shipshan të Malësisë së Gjakovës. Varri i tij gjendet te Xhamia e Shipshanit. Pak përtej vendit ku në vitin 1998 bie dëshmor Shkëlzeni gjendet varri i Ramë Mehmetit, gjyshit tjetër të tij. Kurse Demë Ali Pozhari njëri nga udhëheqësit e luftës për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë, pat vdekur në Stamboll, i përndjekur e i anatemuar nga pushteti i kohës. Tre bijtë e Demës (dy prej tyre fëmijë), Miftari, Brahimi e Afrimi, të vrarë nga OZN-a në vitin 1949 i kanë varret në vendlindje, në Pozhar. Aty prehen edhe eshtrat e të vëllait, kaçakut të njohur Rexhë Ali Pozhari.
Kjo familje pothuajse në të gjitha trojet shqiptare ka varre, e ka një histori të mbushur me dhembje e lavdi. Me gjithë vuajtjet dhe persekutimet e kohës e ka ruajtur traditën, duke iu përgjigjur gjithnjë zërit të atdheut.
Shkëlzeni ishte djali i madh i prindërve Gani e Sebahate Berisha, të cilët i lindën e rritën gjashtë fëmijë, dy djem e katër vajza. Ishte njëri ndër ushtarët më të rinj të UÇK-së. Edhe pse i ri, duke dëgjuar për historikun e të parëve të vet ai lakmonte të burrërohej para kohe, ta ndihmonte UÇK-në dhe t’ia shtonte një pushkë atdheut. Pa i përfillur refuzimet e eprorëve të UÇK-së për shkak të moshës së re, pas shpërthimit të luftës frontale dhe mobilizimit të përgjithshëm në trevën e Deçanit e më gjerë, në prill të vitit 1998, u angazhua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kuadër të Shtabit lokal të UÇK-së në fshatin Pozhar. Menjëherë i kishte filluar stërvitjet me grupin e të rinjve të fshatit Pozhar, por edhe të fshatrave përreth, të cilët i trajnonin eprorët e UÇK-së Bedri Shala (dëshmor), Bekim Birinxhiku e Naser Morina.
Duke e parë vullnetin dhe dëshirën e madhe të Shkëlzenit për të kontribuar në vijat e frontit, Kadri Berisha nga Pozhari, njëri nga luftëtarët e orëve të para, tash dëshmor i kombit, një kohë ishte përkujdesur për të, i cili në muajin gusht të vitit 1998 ishte radhitur në gjerdanin e dëshmorëve të kombit. Edhe Kadriu, në pranverën e vitit 1999, bie heroikisht në krye të detyrës në një betejë me forcat serbe në afërsi të Shishmanit të Bokës bashkë me trembëdhjetë bashkëluftëtarë. Janë këta katërmbëdhjetë dëshmorët emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kanë një datërënie e një varr të përbashkët.
Shkëlzen Berisha ka rënë dëshmor më 14 gusht 1998 në Bjeshkët e Belegut, përkatësisht në afërsi të Qafës së Bogiqes, në trekëndëshin e kufirit shqiptar Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi, së bashku me bashkëluftëtarin Besart Selmon Kadrijaj (1979), nga Rakoci, me banim në lagjen Dardania të Pejës, kur bashkë me një grup bashkëluftëtarësh që po shkonin për furnizim me armatim në Shqipëri, kishin rënë në pritën e forcave militare serbe. Këta dy dëshmorë, më 20 gusht 1998 janë varrosur në Vuthaj, ku ende prehen eshtrat e tyre.
Në vendin e rënies së këtyre dy dëshmorëve të kombit, në vitin 2001 u ngrit pllaka përkujtimore në shenjë kujtimi e nderimi të përjetshëm, si dëshmi e luftës dhe qëndresës, e cila përcjell porosinë se ata që japin jetën e derdhin gjakun për liri nuk vdesin kurrë.
Familja e dëshmorit Shkëlzen Berisha është nderuar me mirënjohje nga Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, nga komandanti i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, nga Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, komuna e Deçanit, etj. Për të janë kënduar këngë, janë thurë poezi e janë shkruar shkrime përkujtimore. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …