leoni

A do të lejohet të dështojë kryengritja kundër diktaturës në Siri ashtu sikur kishte dështuar lufta e Spanjës? I

Po bëhen gati tri vjet qysh kur ka filluar kryengritja e sirianëve liridashës kundër regjimit diktatorial të Bashar al Assadit.

Kryengritja  në Siri kundër regjimi të diktatorit,  Bashar Al Assad, në fillim u përkrah nga shumë shtete, veçmas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat për afër një vit kërcënuan regjimin e kriminelit Assad,  madje edhe me intervenimin e NATO-s. Mirëpo duke u ballafaquar me një  Jo, (një “Njet”),  të fortë të Rusisë, Amerika dhe shtetet perëndimore u tërhoqën përfundimisht nga ideja për intervenim edhe për faktin se myslimanët po luftonin kundër myslimanëve dhe një luftë e tillë, e themi troç,  i leverdis  Evropës së krishterë,  e cila është e njohur për fushatën e gjatë dhe të pandërprerë antisemite dhe për rrezikun që pretendon se i kanoset nga dyndjet e myslimanëve nëpër shtete e Evropës, ku aktualisht jetojnë rreth 40 milionë syresh.

Fillimin e kryengritjes në Siri e kanë përkrahur edhe qarqe të larta politike të Kosovës, edhe pse sot e mohojnë dhe mundohen ta fshehin përkrahjen dhe ta minimizojnë rolin e pjesëmarrësve në këtë luftë. E ka përkrahur gati krejt haptas edhe Bashkësia Islame e Kosovës, edhe Partia e Drejtësisë dhe përgjithësisht shqiptarët islamë, të cilët kanë shfaqur sentiment vëllazëror, por edhe fetar për ta përkrahur kryengritjen në Siri kundër diktatorit Asad, i cili përfaqëson një pakicë fetare alavite, përderisa në këtë vend arab dominon me më shumë se 70 për qind,  shumica fetare, suite, siriane.

Luftën në Siri e ka përkrahur dhe e përkrah edhe Turqia dhe pikërisht për këtë shqiptarët internacionalistë edhe u joshën në drejtësinë e një lufte të tillë. Askush nuk shkon për të vdekur në Siri sa për të vdekur, sa për të mbetur “shehid”,  sikur komentojnë disa nga gazetarët trutharë të Kosovës e më gjerë.  Askush, askujt nuk mund t i ndalojë të luftojë, apo të vdes për qëllimet dhe idealet e veta qofshin ato kombëtare, internacionale, ideologjike apo fetare. Andaj, përpjekja për ta deformuar karakterin çlirimtar të luftëtarëve të lirisë në Siri, janë  përpjekje me prapavijë politike. Këto janë përpjekje të kota,  sepse asnjë shtet në botë  nuk i kontrollon dot të gjithë qytetarët e vet, as kur luftojnë, as kur trafikojnë, as kur ikin nga vendi legalisht, apo ilegalisht.

Me rëndësi është fakti se shteti i Kosovës nuk ka organizuar grupe për të luftuar në Siri, edhe pse në fillim e ka përkrahur fuqimisht këtë luftë, mbase edhe për faktin se në Siri jetojnë disa mijëra sirianë me origjinë shqiptare, të cilët po ashtu në shumicë kishin qenë të rreshtuar në radhët e opozitës luftarake, të këtij vendi ku për më shumë se 50 vjet sundon një diktaturë e egër, e tipit sovjetik.

 

Pavarësisht se Siria ndodhet në agoninë e luftës civile, ndihma nga Amerika dhe nga shtetet e krishtera të Evropës nuk do të ketë edhe nëse forcat e regjimit vrasin qindra mijëra kundërshtarë, qytetarë të Sirisë, që nuk duan të jetojnë nën diktaturë dhe në një shtet ku kryetarin e zgjedh pakica e jo shumica.

Kjo ka ndodhur e po  ndodh,  sepse prapa Sirisë, ka qëndruar dhe qëndron fuqishëm Kremlini zyrtar, meqë Siria është një shtet i madh nga ku interesat ruse shtrihen në tërë botën arabe. Krejtësisht e ngjashme kishte qenë edhe Lufta qytetare në Spanjë, në vitin 1936, kundër regjimit fashist të Françisko Frankos, të cilin e përkrahte fuqishëm Adolf Hitleri dhe Benito Musolini.

Në luftën e Spanjës morën pjesë dhjetëra mijëra vullnetarë nga po thuajse tërë bota, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka marrë pjesë edhe shkrimtari më i madh i kohës, Ernest Heminguej. Mijëra vullnetarë kishin zbarkuar në limanet e Spanjës edhe nga  Rusia, e cila dërgonte jo vetëm vullnetarë por edhe armë e municion. Në Spanjë, kundër regjimit fashist të Frankos kanë luftuar pjesëtarët e më shumë se 100 vendeve të botës dhe nga  të gjitha shtetet e Evropës. Të përkujtojmë me këtë rast se edhe shqiptarët nga Kosova, Ilirida dhe Shqipëria kanë marrë pjesë në këtë luftë çlirimtare të popullit spanjoll dhe kanë rënë në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë 32 dëshmorë, në mesin e afër 200 pjesëmarrësve sa kishte gjithsej.

 

Lufta e sotme civile në Siri, edhe pse nga disa qarqe po lakohet si luftë e “shenjtë” islame, ajo nuk është e tillë, pavarësisht se  grupet e caktuara ekstremiste po pretendojnë ta deformojnë karakterin e vërtetë të një kryengritje kundër tiranisë, kundër një regjimi që vret gra fëmijë, kundër një regjimi që përdor armë kimike mbi popullatën civile, ashtu sikur përdori edhe Sadam Hyseini kundër popullatës fshatare kurde në Halabxha në mars të vitit 1988.

Kryengritja në Siri, në fillim u përkrah ashtu sikur ishin përkrahur të gjitha kryengritjet që kishin ndodhur në disa shtete arabe në katër- pesë vitet e fundit, por kjo kryengritje nuk ka pushuar dhe gjasat janë minimale  për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme, mes asaj që quhet opozitë me Luftëtarët e Lirisë dhe regjimit, që vret e masakron qytetarët e vetë pa dallim,  vetëm sepse kërkojnë më shumë liri e demokraci.

 

Siria ka disa veçanti, disa lidhje gjaku dhe jo vetëm lidhje feje sa u përket shqiptarëve dhe jo rastësisht shqiptarët kanë shkuar të luftojnë atje, sepse në Siri është derdhur gjaku shqiptar, qysh prej më shumë se 400 viteve, pavarësisht se ne nuk e njohim sa duhet këtë histori të dhembshme, ose e injorojmë sikur e kemi injoruar dhe abortuar fare pa e njohur. Shqiptarët janë ata që kanë luftuar për shkëputjen nga Perandoria Osmane të Egjiptit dhe të Sirisë. Të dy këto shtete në kohën  e Mehmet Ali Pashës, dhe birit të tij Ibrahim Pasha, kanë parë dritën e qytetërimit dhe zhvillimit urban, duke u liruar nga zezona e prapambetjes atje ku i kishte katandisur Perandoria Osmane për më shumë se tre qind vjet.

 

Ahmet Qeriqi

Shkurt 2014

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …