MPMS dhe Komuna e Prizrenit ndërtojnë qendër rezidenciale për persona me aftësi të kufizuara

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), në kuadër të politikave të saj për përmirësimin e mirëqenies së të gjitha kategorive të shoqërisë, në veçanti të atyre me aftësi të kufizuara, nënshkroi Marrëveshje Mirëkuptimi për bashkëfinancim për ndërtimin e shtëpisë së komunitetit për persona me aftësi të kufizuara. Këtë projekt, MPMS e ka mbështetur në vlerë prej 150.000 euro ndërsa Komuna e Prizrenit në vlerë prej 50.000 euro. Ministri i MPMS-së, Skender Reçica tha se MPMS në kuadër të Mandatit që ka dhe në bazë të Strategjisë Sektoriale 2018-2022, ka paraparë që të krijojë kushte për personat me aftësi të kufizuara në veçanti. “Duke marrë parasysh nevojat e personave me aftësi të kufizuara në Komunën e Prizrenit, ne sot nënshkruam marrëveshjen e mirëkuptimit për bashkëfinancim për ndërtimin e një qendre rezidenciale për ta. Me ndërtimin e kësaj qendre do të krijohen mundësi për ofrimin e shërbimeve të kujdesit rezidencial 24 orësh në bazë të standardeve të shërbimeve sociale e familjare”, tha ministri Reçica. Kurse, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka falënderoi ministrin për bashkëpunimin në këtë projekt të rëndësishëm që synon përmirësimin e mirëqenies së kategorisë së personave me aftësi të kufizuara duke kërkuar që bashkëpunime të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Në qendrën rezidenciale që do të ndërtohet parashihet që të marrin shërbime rreth 14-15 persona me aftësi të kufizuara, për të cilët do të ofrohen shërbime të strehimit, kujdesit, ushqimit dhe aktivitetet tjera sociale.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …