Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Të flasësh është serm, të heshtës dukat!

Populli ynë shumë shekuj historie i kapërceu me ndalesa shkolle e arsimimi shqip, por me kujtesë e mbamendje të madhe la trashëgim një filozofi më porosi të shumta edukative, filozofi që reflekton kulturë të nivelit të lartë empirie jetësore, të cilës ne sot duhet t’ia kemi zili. T’ia kanë zili madje edhe njerëzit më të arsimuar, të cilët sot janë strukur në ndonjë qoshe të padukshme, si edhe aty këtu ndonjëri ka siguruar disi ndonjë qoshe jo pak të ngrohtë e fitimprurëse! Qoshe të fituar jo nga meritat a vlerat personale që ka, por nga ajo se dikush në një kohë paska luftuar apo qenka flijuar për liri. Mbase ndonjëri i është lëpitur ndokujt me “lepe e peçet” e tija. Kjo rrugë na është e njohur goxha mirë ne, shqiptarëve, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, e më pastaj se ku e si na katandisi jeta shumëkush e di, po ta ketë jetuar atë kohë. Mbase edhe rrahagjokësit e asaj lufte, në të shumtën e rasteve u përpoqën që të fshiheshin pas meritave të luftës për ndërtimin e shtetit të pasluftës.

Sot, kur gati njëzet vjet pas po flitet për një temë të luftës së fundit, kush luftoi e kush jo, nuk është edhe punë e lehtë të flasësh më zë apo të shkruash shqip, pasi mund të të përfshijnë valët e sharjeve të turmës që në kohën e duhur nuk ka bërë, ama nuk ka bërë asgjë për lirinë, sa që përballet edhe me një mallkim të atyre që kanë bërë diçka, por që sot nuk e kanë asnjë ide se çkaduhet bërë në rrethanat e reja të shtetndërtimit. Me një situatë të tillë, s’ka si mos të të shkoj mendja te fjala e urtë e popullit: “Me folë- serm, mos me folë– dukat!” Megjithatë, nganjëherë heshtja është qyqari, të folurit është guxim, është obligim. Mbase kësaj radhe në mes të arit e të argjendit duhet të zgjidhet argjendi. Argjendi edhe ashtu është një shumicë relative në natyrë sesa ari. Pra, të flasësh sot për 19.000 veteranët e paqenë (të verifikuar nga një prokuror), nuk dyshoj se ky numër mund të përfundojë aty, pasi në ndonjë Zonë Operative të luftës ka më se paku një trefishim të numrit të veteranëve në krahasim me numrin e ushtarëve të kohës së luftës. Për në asnjë Zonë Operative nuk janë dhënë numra realë të veteranëve në krahasim me numrin e ushtarëve të kohës së luftës. Prokurori ndoshta nuk ka bërë mirë që është tërhequr, por edhe kaq sa ka bërë duhet mbështetur. Ai punën e vet fisnike dhe obligimin e tij profesional e ka kryer me nder. I lumtë! Ndonëse, nuk mendoj se kjo çështje mund të zgjidhet me dënime drakonike. Zgjidhja e kësaj çështjeje duhet të jetë politike, pasi problemin e ka bërë politika dhe ajo duhet ta merr dënimin e merituar. Ne një situatë të tillë, zyrtarët e lartë të shtetit e veçanërisht përfaqësuesit e zgjedhur të popullit,që kanë fatin të jenë në tempullin e demokracisë, janë në pozitën më të vështirë të mundshme. Ata ose duhet të flasin shqip dhe atë më një gjuhë të rrjedhshme shqipe ose nuk duhet t’ju dëgjohet fare zëri. Për ata nuk vlen as fjala e popullit “me folë- serm, mos me folë – dukat!” Jo, për ta të mos flasësh është më shumë se diamant! Por, po qe se vendosin të flasin, duhet ta bëjnë zgjidhjen e duhur, në mbrojtje të shtetit që po e çojnë drejt falimentimit e assesi në mbrojtje të dembelisë e të mashtrimit bërë“vlera” politike nga drejtuesit e shtetit.

Le ta themi shkurt e shqip:

Nuk ka gjë më banale sesa kur një pjesëtar i UÇK-së, duke tentuar ta mbrojë një vepër të paligjshme, gati njëzet vjet pas lufte, thotë: “Filani a fisteku e ka humbur krejt familjen e fshatin në luftë…”! Luftës Çlirimtare si dhe gjithë brezave luftëtarë padrejtësi më të madhe dhe devalvim më të madh nuk mund t’i bësh se kaq! Pse, mbi 600 shekujt e burgut që mbajtën shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore, 250 vetëm nga viti 1981-1991, mbi 80.000 viktimat e luftës (1944/1945 e deri këto të luftës së fundit 1987/1999 e dëmet e tjera të pallogaritshme, nuk qenkan bërë për shtetin e së drejtës, për shtetin e zhvilluar, për shtetin e dijes e të arsimimit dhe për shtetin e drejtësisë sociale? Apo shtetin e bëmë për debilët e dembelët e privilegjuar të pasluftës? Shtetin e bëjnë trimat, por e ndërtojnë dhe e përparojnë të diturit dhe punëtorët!Jo më kot Adam Smith shekuj më parë thoshte: “Pasuria e kombeve është PUNA”! Maskarenjtë e dembelët e bërë bashkë mund ta hanë vetëm shtetin dhe të ardhmen e kombit! Gardianet e meritueshëm të lirisë e kanë për obligim të bëhen gardianet më të vendosur te ardhmërisë se kombit ose le të kënaqen me ndonjë meritë! Por, mos ta ndalojnë ecjen progresive të kombit, përndryshe edhe meritat e një menta i merr lumi!

Nuk kam asnjë dyshim, Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur, sovran e demokratik është vepër e atyre që kanë luftuar e sakrifikuar gjithçka që kishin (e njeriu e ka vetëm një jetë!), për lirinë e pavarësinë që kemi sot. Por, edhe mbrojtja, edhe zhvillimi dhe përparimi i shtetit duhet të bëhen nga të gjallët që flijuan shumë të afërm për këtë shtet. Ndoshta më se miri është që shtetin tua lëmë që ta bëjnë, ashtu siç deshën breza atdhetarësh, atyre që dinë e duan ta bëjnë e ta mbrojnë atë sa herë që të kërkohet. Se dikush, thotë i urti popull, në vend se t’i ngjet vetullat, t’i nxjerr sytë! Shumëkush, nga të meritueshmit e djeshëm, sot po sillen aspak meritueshëm! Shi për këtë na vjen shumë keq, se kështu u është hapur goja gojëkëqijve që të sulmojnë çdo vlerë edhe pa pardon.

Pra: Nuk mbrohet lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke shpërndarë para për ta blerë pushtetin grabitqar që ta sjellë vota e veteranëve mashtrues! Prandaj, problemin që e kanë krijuar krerët e politikës sonë, nuk mund ta zgjidhë Sistemi i Drejtësisë. Zgjidhja e këtij problemi aspak të vogël mund dhe duhet të bëhet vetëm nga politika e politikanë që e duan shtetin pa hile!

A thua kemi politikë e politikanë të tillë? Kjo, mbase, lë shumë për të dëshiruar! Unë besoj dhe shpresoj në ndryshimin e mundshëm, por me një qasje krejt ndryshe!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …