Ismet Azizi

Ismet Azizi: Si u serbizua Sanxhaku, nga lashtësia deri te Kongresi i Berlinit

Të dhënat historike dhe gjetjet arkeologjike flasin se lugina e lumit Rashka që nga lashtësia ka qenë e banuar nga Ilirët dhe me dendësi shumë më të madhe sesa trevat tjera dhe më tepër sesa është menduar deri vonë. Këtë fakt ndër të tjera e dëshmojnë edhe shumë toponime të ruajtura deri në ditët e sotme, të cilët dëshmojnë për të kaluarën ilire. Emrat, si: Ras (Arsa.), Rashka, Ibar (shqip Ibër),[1]Peshter, Bishevë, Vapa (vendbanim, lumë, liqen I. A), Lim (lumë) etj., janë me prejardhje nga gjuha shqipe: Ibar, (i bardhë – beo, penušav, bistar), Ras (rrasë-ploča), Peshter (peshë, terr-mrak, tersi-suvo) Vapa (zega-umorina), Lim (lumi-reka).[2]

 

Hulumtimet arkeologjike, të cilat janë bërë në Peshter, tregojnë se kjo rrafshnaltë në tërësi ka qenë e banuar që në neolit — në të vërtetë, në fillim të epokës së bronzit. Për këtë dëshmojnë shumë murana, të cilat janë të shpërndara në tërë hapësirën dhe në popull janë të njohura edhe si varre latine dhe greke,[3]fakt që indirekt tregon se në periudhën më të vonshme historike të këtyre trevave ka lëvizur qoftë edhe kalimthi edhe popullsi e karvanë tregtarë e misionarë të tjerë madje edhe mercenarë greko–romakë.

Vetëm në një hapësirë të Peshterit, gjegjësisht në fushën e Koshtanës, janë regjistruar 13 nekropole me murana dhe dy vendbanime.[4]Sipas mendimit të D. Sredojviçit, banorët më të vjetër të Peshterit dhe trevave përreth në përgjithësi kanë qenë të banuara nga fisi ilir – dardanët. Mandej, gjithnjë sipas tij, në këto treva kanë ardhur autariatët, duke ushtruar trysni mbi dardanët, të cilët janë detyruar të zhvendosen në luginën e lumit Rashka.[5]

Është e sigurt se sllavët, duke populluar më vonë luginën e lumit Rashka, janë përballur me popullsinë autoktone ilire, me të cilët me shekuj të tërë kishin zonat nën ndikimin herë të njërës herë tjetrës — shpesh edhe të mundur e të asimiluar,[6]e që është e mundshme që pjesërisht ishte e romanizuar, sikurse një pjesë e kësaj popullate është tërhequr në trevat e tjera pas ekspansionit sllav.[7]

Jovan Cvijić[8]në veprën e tij “Balkanstvo polostrvo”, f. 105, midis të tjerash, shkruan: “Popullsia sllave, duke u shtrirë, i ka asimiluar dhe e ka shtyrë popullsinë autoktone ilire”.[9]Lidhur me këtë K. Jiriček shkruan: “Me rastin e pushtimit sllav të tokave ballkanike, një pjesë e banorëve të vjetër, posaçërisht ilirët dhe blegtorët romakë, u morën vesh shumë shpejt me sundimtarin e ri, por pjesa tjetër pranoi robërinë”.

Ekspansioni i sllavëve, me procesin e asimilimit shkaktoi ndryshimin e përbërjes etnike të trevës së Rashkës (Sanxhakut I. A.).[10]Sllavët e kanë banuar luginën e lumit Rashka nga shekulli i VII, e këndej. Duke marrë parasysh kohën kur ka ndodhur ekspansioni i sllavëve,  gjeografia  e Sanxhakut ka qenë trevë shumë e përshtatshme për banime. Deri në kohën e Stefan Nemanjës banorët e kësaj treve kanë zhvilluar luftëra të pandërprera me fqinjët, posaçërisht me Bizantin, dhe, në fund, vunë themelet e krijimit të shtetit serb Rashka.[11]

Depërtimi i sllavëve në tokat e banuara me popullsi ilire-shqiptare dhe vllahe shkaktoi shkatërrime dhe masakra të mëdha, duke i zhvendosur banorët autoktonë nga tokat e tyre pjellore, të cilët qenë të detyruar të strehohen nëpër shpella dhe male të pakalueshme për të mbijetuar. Sipas Millan Shuflajt, ballkanolog i njohur, historian dhe etnograf i shquar, vendosja e sllavëve në Ballkanin Perëndimor kishte rënë mbi popullsinë albane (iliro-shqiptare I. A.) si një sëpatë që kishte prerë në veri dhe në jug disa nga degët kryesore të trungut të tij dhe e kishte ngushtuar brenda një territori shumë më të vogël. Edhe Konstantin Jiriçek, historian i mirënjohur me prejardhje çeke, duke folur për ilirët, mendonte se ata gjatë periudhës romake, gjysmë të romanizuar ishin të parët e albanëve mesjetarë, që gjatë depërtimeve të popullsisë sllave, siç shkruan ai, ata prej territoreve ku banonin deri atëherë, midis hapësirës së Dalmacisë dhe Danubit, u shtynë më në jug të siujdhesës së Ballkanit.[12]

Pazaret e fuqive të mëdha me Sanxhakun dhe popullin shqiptar

Në Kongresin e Berlinit (1878) ështëbërë fjalë edhe për trevat e Sanxhakut. Habsburgët nuk kundërshtuan shumë që Sanxhaku të mbetet nën Perandorinë Osmane. Ishte me rëndësi që vetëm mos t’i përkiste Serbisë dhe Malit të Zi, sepse në këtë rast do të ishin çrregulluar planet e saj ekspansioniste ndaj Ballkanit. Sipas planeve të Vjenës, Sanxhaku duhet të ishte diga ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, e cila do të pengonte dhe parandalonte bashkimin e tyre. Megjithatë, Sanxhaku i Jeni Pazarit, i cili deri pas Kongresit të Berlini (1878) ishte pjesë e Sanxhakut të Bosnjës, ishte në rrezik të përhershëm nga Serbia. Në lidhje me depërtimin e ushtrisë serbe në Vilajetin Kosovës,[13]në vitin 1878, raportonte zëvendës konsulli britanik në Bosnje, Harry Cooper se serbët vepronin me idenë se çdo tokë që nuk kishte ushtarë otomanë, duhet okupuar.[14]

Se sa kanë qenë të rrezikuar sanxhaklinjtë, të ndodhur mes serbëve dhe malazezëve si hekuri i skuqur midis çekanit e kudhrës, tregon edhe rezistenca e tyre kundër çarmatosjes edhe në kohën otomane. Ata, duke e ndier veten të rrezikuar, edhe në këtë kohë nuk pranuan të çarmatosen, prandaj vendosën që ta vrasin komandantin e ushtrisë së sanxhakut të Jeni Pazarit. Kjo ndikoi në rritjen e frikës dhe shqetësimeve te otomanët dhe të huajt e tjerë në Vilajetin e Kosovës. Hasan Pasha kishte filluar t’i çarmatoste shqiptarët pa kompromis. Popullsia shqiptare dhe ajo boshnjake që jetonte e rrezikuar në kufi me Serbinë dhe Malin e Zi, nuk pranonte të zbatonte urdhrat e pashës për çarmatim. Hasan Pasha ishte sulmuar disa herë nga popullsia, por për vdekje u sulmua  nga një grup njerëzish në Jeni Pazar.[15]

Në anën tjetër, Austro-Hungaria nëpërmjet Sanxhakut donte tëdepërtonte në lindje. Qysh në vitin 1900, në Vjenë ishte planifikuar ndërtimi i hekurudhës, e cila do të lidhte Sarajevën me Selanikun nëpërmjet Sanxhakut. Ndërtimi i kësaj hekurudhe deri në Uvcë nëpër Jeni Pazar e deri në Mitrovicë duhej të fillonte në vitin 1908. Mirëpo ngjarjet e mëvonshme penguan realizimin e këtij projekti.[16]Pazari i Ri, i cili në të kaluarën luajti rol të rëndësishëm dhe deri në shekullin XIX dallohej si një ndër trevat më qarkulluese në Ballkanin qendror, fillon të bjerë në shekullin e kaluar. Për Jeni Pazarin vendimi për ndërtimin e rrugës që lidh Moravën me Vardarin ishte i pavolitshëm. Atëherë rrugët e reja anashkalonin, ndërsa rrugët e vjetra pushuan së funksionuari dhe ai filloi të humbiste rëndësinë e mëparshme.[17]

Pas Kongresit të Berlinit (1878), Sanxhaku i Jeni Pazarit u bë pjesë e Vilajetit të Kosovës, i cili përbëhej nga sanxhaku i Shkupit, Prizrenit, Prishtinës dhe Dibrës. Nga ky moment popullsia e Sanxhakut të Jeni Pazarit intensifikon lidhjet tregtare, kulturore me Kosovën dhe Shqipërinë, proces që ndikoi në përtëritjen e lidhjeve vëllazërore dhe të një përafrimi më të madh mes tyre.

Në Kongresin e Berlinit (1878) Serbia dhe Mali i Zi fituan pavarësinë dhe, krahas kësaj, me ndihmën e Rusisë, arritën të zgjerojnë territoret e tyre në dëm të tjerëve, kryesisht në dëm të shqiptarëve. Princi serb, Milan Obrenoviç, i cili në këtë kohë shpallet mbret, fillon jetësimin e projektit “Naçertanija”[18], duke vrarë dhe dëbuar nga territoret të gjithë popujt jo serbë. Suksesin më të madh dhe me barbari të paparë e arriti duke shfarrosur popullatën shqiptare nga më shumë se 720 fshatra të rrethit të Nishit, Pirotit, Vranjës, Toplicës e Jabllanicës.

Marrëveshja e Berlini nuk u njohu boshnjakëve dhe shqiptarëve asnjë të drejtë dhe as që u debatua për këtë. Austro-Hungaria e fitoi të drejtën e okupimit të Bosnjës, ndërsa për Shqipërinë dhe Kosovën me Sanxhakun luheshin lojëra të errta e të ndyra të Fuqive të Mëdha. Perandoria Osmane, edhe pse u mundua t’i mbajë edhe më tej këto territore, në Luftën e Parë Ballkanike e humbi Kosovën me Sanxhakun dhe Maqedoninë. Shqipëria, ndërkohë, shpalli pavarësinë e munguar.

Literatura:

[1]Ilić. R. në librin e tij Ibri, Vendbanimet e tokave serbe, shkruan se regjini i Ibrit e ka marrë emrin sipas lumit Ibar i cili rrjedh nëpër të. Ky emër, thotë ai, nuk është i ri. Ai daton nga kohërat e vjetra, nga epoka e banorëve të vjetër të Ballkanit dhe gjithsesi është me prejardhje ilire, por mund të jetë edhe  me prejardhje kelte; NASELJA SRPSKIH ZEMALJA (knjiga 3) – SRPSKI ETNOGRAFSKI ZBORNIK (knjiga VI), Beograd 1905. Radomir Ilić – Ibarhttps://www.poreklo.rs/2013/07/17/kompletna-digitalna-zbirka-47-knjiga-n… (qasja gusht 15, 2017)

[2]Mušović, E. Po aty, citon; Fjalor serbokroatisht shqip, 379, 340, 540, 629, 738, 835, 1010.;Novi Pazar i Okolina grup autorësh, Biblioteka:Monografije mesta Jugoslavije, Botues Književne novine Beograd 1969, f. 90.

[3]Mušović, E. (1985).Tutin i Okolina.Beograd: Etnografski Institut Srpska Akademia Nauka i Umentosti.fq.13.

[4]Latica,Z.(1998).“Pešter u bronzanou i gvozdeno doba”, Beograd:“Starinar” Knji. XXXII/ fq. 10.

[5]Mušović, E. (1985). Tutin i Okolina. Etnografski. Beograd: Institut Srpska Akademia Nauka i Umentost. fq.14.

[6]Zukorlić, M. (2016).Drevna Bosna. Novi Pazar : Matica Bošnjačka. fq.74.

[7]Mušović, E. (1979)..Etnički procesi i etnička struktura stanovništva Novog Pazara. Beograd:Etnografski Institut Srpska Akademia Nauka i Umentosti. fq.54.

[8]Cvijiq, J, (1865-1927), gjeografi më i njohur serb, ishte kryetar i Akademisë Mbretërore serbe, profesor dhe rektor i Universitetit të Beogradit, dallohet për qëndrimin e tij antishqiptar. Ne punimet e tij, pa asnjë mbështetje shkencore, të gjithë popujt e ish Jugosllavisë, nga Istra e deri në Maqedoni, i ka quajtur serbë, ndërsa gjuhën e tyre serbe. Punimet e tij janë pseudoshkencore dhe janë në shërbim të propagandës politike serbomadhe.

[9]Mušović. E. (1979). Etnički procesi i etnička struktura stanovništva Novog Pazara, Beograd:Etnografski Institut Srpska Akademia Nauka i Umentosti. fq.54.

[10]Mušović, E. (1979). Etnički procesi i etnička struktura stanovništva Novog Pazara. Beograd: Etnografski Institut Srpska Akademia Nauka i Umentosti. fq.54.

[11]Mušović, E. Po aty. fq. 11.

[12]Rexha,I. (2016). Vendbanimet dhe Popullsia Albane e Kosovës (sipas deftereve Osmane të shek. XV). Prishtinë, Instituti i Historisë “Ali Hadri” .fq.51.

[13]Vilajeti i Kosovës ishte një ndarje  administrative gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, e krijuar në vitin 1868, i njohur fillimisht si Vilajet i Prizrenit që shtrihej në territorin e Kosovës së sotme, Sanxhakut të Dibrës, atë të Shkupit dhe Sanxhakut të Nishit. Në fillim të shekullit XX, në përbërje të Vilajetit të Kosovës, kanë qenë njësitë më të vogla administrative që   quheshin sanxhaqe- rrethet e tilla ishin Sanxhaku i Shkupit, i Prizrenit, i Pejës, i Novi Pazaritdhe i Prishtinës, Shih Bajrami, H.,  Kosova njëzet shekuj të identitetit të saj,“Era”, Prishtinë 2001, f. 51.

[14]Dauti, D. (2012). Çështja shqiptare në diplomacinë britanike 1877-1880.Shkup, Prishtinë, Tiranë:Logos-a, ISBN 987-9989-58-465-7. fq.35.

[15]Dauti, D., Po aty. fq.14.

[16]Mušović. E. Po aty.fq. 273.

[17]Mušović. E. Po aty. fq. 273.

[18]Naçertanja ishte një projekt megaloman ekspasionist serb i hartuar nga Iliaj Garashanin, një ekstremist  dhe ultranacionalist e hegjemonist serb.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …