Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë një bisede në KTV ka thënë se prokurori Blakaj nuk ka të drejtë të flasë për veteranët, “kur vetë ka qenë në Bllacë apo Stankovec”. Ai ka thënë se nuk duhet askush të flasë për numrin e madh të veteranëve nga rajoni i Dukagjinit sepse, sipas tij, në të vërtetë ka pasur shumë luftëtarë atje. Çdo vendbanim ka qenë i furnizuar me armë. Lëvizje, qarkullim, ikje, kthim nga vendi i luftës ka në çdo kohë dhe në çdo luftë. Nuk është mirë të ofendohet pjesëmarrja në luftë e njerëzve të Dukagjinit sepse ka qenë numër i madh. Numri ishte i madh që ishin direkt në luftë apo marrja pjesë në luftë në një kohë të caktuar. Qëndrimi im është i qartë, nuk ia mohoj askujt kontributin për liri. Atë që ia njeh ligji e meritojnë. Mos u ankoni pasi është bërë ligji. Nëse dikush nuk është veteran atëherë duhet të merret ligji me të. Njerëzve prej Bllacës e Stankovecit nuk iu takon të flasin kush ka qenë në luftë në Dukagjin. Qysh po e di ai kush ka qenë në luftë? Unë tregoj se nuk e kam lëshuar kurrë luftën. Në Dukagjin i madh e i vogël, në qindra vendbanime, kanë qenë në luftë, nga njëqind njerëz të armatosur. E kanë fituar të drejtën me ligj. Është dashur të mendohej me kohë se a do t’i dalim zot të drejtës së tyre, por jo të çohet një i tillë të ofendojë kontributin e tyre ka thënë Haradinaj.
Ai më tej ka thënë se Blakaj po gënjen kur thotë se është kërcënuar në lidhje me këtë rast. Sipas tij, Blakaj ka shkuar në Amerikë vetëm për magjistraturë dhe s’ka pasur kurrfarë kërcënimi ndaj tij. “Ku është ai? Ka shkuar në Amerikë në magjistraturë. Është dashur të shkojë në gjykatë e t’ia vë firmën. Rrenë është puna e kërcënimeve sepse po të ishte ashtu, as Azem Syla, as Sylejman Selimi, as Sami Lushtaku, as Daut Haradinaj s’kishin me hi në burg qe dhjetë vjet. Kjo është rrenë. S’ka pas kurrfarë kërcënimi. Kur kanë gjetur vepra kriminale, kanë përfunduar njerëzit në burg. Edhe mua po t’ma jepnin një magjistraturë, shkoj sot në Amerikë. Të gjithë prokurorëve edhe gjyqtarëve e kujt t’i thuash e keni një program master në Amerikë, krejt shkojnë. Kush ka dashur të kryejë punë në Kosovë, ka mundur të kryejë punë. S’ka qenë i kërcënuar që të mos punojë. Kush hyn në paragjykime e budallaki të veta e dëshiron ta mbulojë veten me veprime, le ta bëjë, por s’është ashtu sepse çka bëhet pastaj me prokurorët tjerë, a krejt duhet të ikin a?”, pyet Haradinaj.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se deklarimet për fryrje të listave të veteranëve, por edhe përfituesit e jashtëligjshëm, nuk ia humbin vlerën veteranëve të vërtetë.
“Çdokush po flet çka po do. Nuk është ashtu. Veteranit të vërtetë s’ia humb vlerën askush. As edhe një profiter aty. Ligji le ta çojë në burg. Por të themi se në Dukagjin ka pas shumë, atëherë ku ke qenë ti që po i ofendon këta njerëz? Hajn i pulave! Hajn i pulave është ai që flet kështu! Le të shkojë në të gjitha fshatrat, le t’i pyes sa prej këtyre njerëzve ishin në luftë. Të gjithë kanë qenë! Të gjithë luftuan. Po çohet ky po më tregon teori të veta. Nëse ka pas që kanë mashtruar, çoje në burg. Dikush po i jep të drejtë vetes të kategorizojë 19 mijë veteranë si shifër të tepërt. Nuk flitet kështu. Paraqite listën e çoje në gjykatë. Por kush do ta bëjë këtë, një prokuror që ka ikur a? Nuk pranoj kategorizim. S’pranoj të ofendojë dikush të paktën zonën nga vi unë sepse të gjithë kemi luftuar, i madh e i vogël. Nëse dikujt i mbetet hatri pse nuk ka qenë gjithandej ashtu, le të shërohet nga komplekset, por fshatin tim në Gllogjan nuk ka pasur familje, shtëpi, që ka pasur njerëz të moshës madhore e që s’kanë luftuar. Nëse ka si Gllogjani, 100 vendbanime nga 100 vetë sa po bëjnë”, ka shtuar kryeministri Haradinaj.
Ai ka thënë se do ta quajë hajn këdo që kategorizon numër të caktuar për Dukagjinin. Haradinaj ka pranuar po ashtu se ka pasur takim me Blakajn.
“Nuk po them mos e hetoni lëndën. Por të thotë se është kërcënuar, më së pari ka ikur, këtu tregon se është hajn. Se po të ishte prokuror njëmend, s’do të ikte. Të gjithë kanë futur në burg njerëz të tjerë. Pse ka ikë ky pra? S’ka lidhje kush është emri. Kush ka bërë shkelje ligjore le të japë përgjegjësi para ligjit. Ishim shumë në Dukagjin sepse na ka mbajt. Kemi luftuar dhe e kemi mbajtur atë zonë. Ishim shumë. A keni dëshirë të mos ishim aty? Nuk ka pasur nevojë të ikte. Ka mundur ta kryejë punën këtu. E kam takuar, e ka lyp lëndën e ia kemi dhënë. Ka ardhur në Qeveri dhe ka pas interesim që të marrë lëndën në zyrën e Kryeministrit. Ia kam dhënë qasjen në të gjitha materialet që ta kryejë punën e vet, por ai tipi ka zgjedhur të ikë në Amerikë e po shesim tash moral e po i ofendojmë njerëzit që kanë parë vdekjen me sy. Le ta çojë në gjykatë këdo që ka bërë shkelje, por mos ofendo me ‘janë bërë shumë në Deçan’. Por kemi qenë shumë, kemi luftuar. E mirëpres çdo hetim për këtë temë. Kam dëshirë t’i gjejmë ata që s’kanë qenë e t’i heqim nga lista”, ka thënë ai. (KTV)