Ahmet Qeriqi: Shënimi që nga pikëllimi nuk arrita ta lexoj në varrimin e Agim Lecit

Ahmet Qeriqi: Trefishimi i numrit të veteranëve është bërë për përfitime elektorale nga disa krerë të luftës

Gjatë kohës së luftës në Kosovë, brenda territorit të vendit tonë prej 28 nëntorit të vitit 1997 e deri në qershor të vitit 1999, numri i luftëtarëve të lirisë asnjëherë nuk ka qenë mbi 16.000 duke përfshirë të gjitha zonat dhe logjistikën, por  dhe ata që me një mënyrë apo tjetër kanë qenë të lidhur me luftën dhe i kanë shërbyer asaj. Por është edhe e vërteta tjetër se disa mijëra luftëtarë të lirisë, gjatë luftës kanë qëndruar në rajonet veriore dhe verilindore të Shqipërisë, ku edhe i kanë pasur bazat ushtarake dhe atë të logjistikës. Një pjesë e madhe e tyre janë kyçur në “Frontin e Kosharës” dhe pjesa tjetër në Operacionin “Shigjeta”.

Po ashtu dihet fare mirë madje edhe me emër e mbiemër se sa të mobilizuar kanë qëndruar në Shqipëri  dhe kanë pritur të kryhet lufta. Ata, pas luftës kanë arritur në Kosovë, të rruar e të krehur, me uniforma fjongo të reja, të rrezitur nëpër male e në plazhe, por që nuk e kanë shkrepur as edhe një plumb për çlirimin e vendit. Pavarësisht kësaj, ata që erdhën nga Tirana, ende pa zbritur ne nga malet, ata e “pushtuan” Prishtinën, zunë vendet dhe postet dhe e morën pushtetin, të cilin nuk e lëshuan dhe nuk e lëshojnë dot, sepse thellë në mendjet e tyre  logjikojnë se  për atë punë i ka “krijuar”edhe vetë Zoti.

Me rastin e demobilizimit të UÇK-së, në verë të vitit 1999, dihej fare mirë numri i luftëtarëve, tashmë veteranëve, sepse këtë punë e ndihmoi edhe IOM, madje duke u zotuar se do t’ iu gjente edhe punë të gjithë atyre që mbeten jashtë radhëve të TMK-së. Këto shifra i dinë fort mirë, Komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, i di SHP i UÇK-së, komandantët e zonave, i ka ditur dhe i di, tani kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është pyetur sa e sa herë nga të huajt lidhur me numrin e luftëtarëve të lirisë. E ka ditur dhe e di edhe shefi i SHP të UÇK-së, gjatë luftës dhe komandanti i TMK-së pas luftës, gjeneral Agim Çeku.

Secili komandant i zonave e ka ditur mirë numrin e veteranëve të zonës, të paktën për 90 për qind të tyre. Të gjithë janë gjallë dhe secili e di edhe tani sa ushtarë ka deklaruar në qershor të vitit 1999 e sa e ka rritur numrin, në vitin 2015.

 Sa i përket koncentrimit të luftëtarëve në zona, dihet se ku ka mbijetuar lufta dhe  ku nuk janë shkelur pozicionet. Nuk mendoj se armata vrastare e Milosheviqit ka kursyer ndonjë zonë, apo ka anashkaluar zonën tjetër.

Është një e vërtetë e pamohueshme, të cilin e di çdo kush në Kosovë, Shqipëri por edhe në botë se koncentrimi mi i madh i forcave serbe ka qenë në vijën kufitare-Kosovë Shqipëri, ndërsa brenda Kosovës në rajonin e Drenicës ka qenë  e dislokuar forca më e madhe elitë e armatës serbe në krye me gjeneralin vrastar serb, Lubisha Dikoviq, aktualisht gjeneral i Shtabit të Armatës së Serbisë.

Po  ashtu nuk duhet harruar se më të rrezikuarit drejt për drejt nga armata serbe, ishin luftëtarët e zonave  të Shalës, Llapit e të Neredimës, në muajt e fundit të luftës edhe ata të Karadakut, meqë ishin të rrethuar nga të gjitha anët.

Po kështu nuk duhet harruar se vetmja zonë e cila nuk është shkelur nga forcat serbe në muajt e fundit të luftës ishte zona që mbante nën kontroll Brigada 121, “Ismet Jashari-Kumanova”  e Zonës Operative të Pashtrikut.

Në grykat e maleve prej Zborcit, Pjetërshticës, Krojmirit, Shalës, Baicës së Kolshit, Nekocit dhe Kizharekës, si dhe një pjesë e kompleksit pyjor  të Brinajës, kanë mbijetuar luftën rreth 100.ooo të zhvendosur. Në këtë rajon ka qenë koncentrimi më i madh i popullatës, e cila ka mbijetuar në radhë të parë falë luftës së UÇK-së. Në katër muajt e fundit kjo zonë përveç  Brigadës 121 Ismet Jashari, Brigadës 122, Imer Krasniqi u përforcua edhe me luftëtarët e shumtë të Brigadave, 113, Mujë Krasniqi, dhe 114 Fehmi Lladrovci të Zonës së Drenicës.

Në këtë zonë kanë mbijetuar strukturat komanduese të SHP të UÇK-së, të Brigadës 121, ambulancat ushtarake, dy mediet e luftës, Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress dhe Shtëpia e Qeverisë së Përkohshme, në fshatin e Ri.

Prej mbarimit të luftës e deri në vitin 2013 nuk ishte marrë një vendim serioz për veteranët, ndërsa jo pak prej tyre kishin nxjerrë kartela të invalidit, madje edhe të tillë që nuk kishin qenë fare pjesë e luftës. Disa syresh i kanë marrë pensionet me vite të tëra edhe pas vdekjes së invalidit të shpifur.   Falë presionit të veteranëve me protesta e demonstrata më në fund u arrit që të nxirret ligji për kategoritë e luftës së UÇK-së.

15 vjet pas luftës, Qeveria e Kosovës, me kryeministër, Hashim Thaçin, formoi Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së, veteranit, pjesëtarit të UÇK-së apo të internuarit të UÇK-së në pajtim me Ligjin nr. 04/l-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre i plotësuar dhe ndryshuar me  Ligjin Nr. 04/L-172, si dhe Ligjin Nr. 04/L -261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

 

Më 4 prill të vitit 2014 Kuvendi i Republikës së Kosovës, në bazë të nenit 65 (1)  të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 

Miratoi Ligjin për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Ajo çka ndodhi pastaj rrodhi nga një deklaratë e kryeministrit të asaj kohe. Hashim Thaçi, i cili shpalli publikisht se të drejtë për aplikim në kategoritë e luftës kanë të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët qoftë edhe e një gotë ë ujë e kishin ndihmuar luftën e UÇK-së.

Qeveria kishte shpallur konkurs dhe në atë konkurs konkurruan jo më pak se 60.000 të interesuar të cilët i plotësuan aplikacionet.

 

Duke qenë se disa komandantë të luftës që po merreshin aktivisht me politikë, natyrisht se kishin nevojë për vota dhe me të drejtë kishin llogaritur se 60.000 konkurrues kanë gati po aq familje dhe sipas një matematike të thjeshtë dilnin  jo më pak se 300.000 vota që bliheshin me buxhetin e Qeverisë, me leverdi të dyanshme.

Përpjekjet për ta arsyetuar numrin e trefishuar të  veteranëve janë të kota dhe nuk mund të faktohen, as të argumentohen vetëm me faktin se  në një zonë të caktuar të përfshirë në luftë  ka pasur më shumë luftë dhe më shumë veteranë.

Kartelën e veteranit e kanë marrë në radhë të parë militantët e partive politike, ishin apo nuk ishin pjesëmarrës së luftës. Po kështu i tërë procesi është deformuar nën presionin e disa komandantëve të zonave, të cilët kanë bërë garë kush sa veteranë do të shpallë. Është përfolur edhe fakti se disa nga komandantë edhe kanë përfituar para në mënyrë të paligjshme. Këto raste vështirë se zbulohen meqë të dyja palët dalin të korruptuara si ai që e ka blerë triskën, si tjetri që e ka nënshkruar.

Filluan të rrahin gjoks se janë veteranë të vërtetë, ata që kishin ardhur në Kosovë pas luftës, madje edhe të tillë brenda vendit, të cilët nuk i kishin shkëputur asnjëherë lidhjet me kumbarët e tyre serbë, të tillë nga disa familje që kishin votuar në zgjedhjet e Serbisë, madje edhe të tillë që kishin votuar për Sheshelin. Duket groteske dhe e pabesueshme, por disa fletëvotime të zbuluara nga Shtabi zgjedhor serb i komunave të Lypjanit e të Shtimes pas luftës, argumentojnë këtë pjesëmarrje  me emra e  mbiemra të caktuar dhe me nënshkrime…

Po kështu pati edhe shantazhe nga disa “komandant” lokalë për ta rritur numrin me vullnetarë, me kërcënim për të bashkëpunuar si dëshmitar i mbrojtur i EULEX-it.

Triskën e veteranit e kanë edhe disa “jarana” të serbëve, të njohur dhe të evidentuar në fshatra të caktuara, të njohur me emra e mbiemra, madje edhe të tillë që e vizitojnë Serbinë e pobratimët e tyre atje sa herë të duan, sidomos kur janë në pyetje përfitimet e plaçkitjet. Muaj më parë  u publikua emri e mbiemri i oficerit të MUP-it serb gjatë luftës si veteran i UÇK-së në një fshat të Gjilanit. Edhe Azem Vllasi del të jetë veteran i UÇK-së. Nuk kemi të bëjmë vetëm me raste të caktuara, janë qindra raste të tilla.

Ka mjaft luftëtarë madje edhe ish eprorë të UÇK-së, të cilët ose nuk kanë konkurruar fare, në shenj revolte për manipulimet, ose ndonjë komandant për inat ka injoruar kërkesën e një komandanti të njohur të luftës. Për shkak se Radio-Kosova e Lirë ka kritikuar në vazhdimësi dhe ka evidentuar e publikuar të gjitha shkeljet, në shenj hakmarrje një anëtar i stafit të luftës ( M. H.) është hequr nga lista e veteranit. Deri tani të kota kanë rezultuar përpjekjet për ta shpallur veteran, sepse as e hapin telefonin as i gjen dot në zyre “kryeveteranët”.

Ajo që bie në sy për të keq është futja në lista të disa emrave e mbiemrave, të cilët nuk kanë marrë pjesë fare në luftë, dhe janë kategorizuar si pjesëtarë të Njësive Vartëse të SHP të UÇK-së.

 

Është i turpshëm fakti se janë shpallur veteranë disa nga ata, të cilët  sot, 19 vjet pas luftës nuk janë më të moshuar se 30 vjet.

Janë shpallur veterane edhe gratë e moshuara nënat e komandantëve të caktuar, vetëm me faktin se ato gjatë luftës nuk kanë ikur, por kanë qëndruar në Kosovë.

Janë shpallur veterane, në mënyrë selektive  edhe disa  gratë që kanë gatuar për ushtarët gjatë luftës, edhe pse nuk ka pasur as një grua të vetme në zonat e luftës, e cila ka qenë e aftë fizikisht  që nuk ka gatuar bukë apo nuk ka treguar përkushtim për ushtarët i lirisë po aq sa edhe për familjen.

Nëse është për meritë në këtë drejtim, jo vetëm unë por njohim të gjithë  shumë raste të grave, që pandërprerë  kanë gatuar për ushtarët e të zhvendosurit nëpër male, kanë larë rroba, kanë qepur uniforma dhe kanë bërë punë me respektin e përkushtimin më të madh të mundshëm, që nga fillimi deri në mbarim të luftës dhe nuk kanë aplikuar për veterane. Por kam të dhëna edhe për disa ushtarë që kanë ngrënë bukë nga duart e nënave, grave e bijave tona, ndërsa gratë e tyre i kishin sistemuar  në Shqipëri dhe ato   tashmë janë të shpallura veterane.

Çështje e kategorive të luftës duhet të zgjidhet me ndërhyrje të institucioneve, ose do të degradojë tërë lufta e UÇK-së. Nëse krerët e luftës duan të tregojnë dashuri të vërtetë e  respekt për luftën, duhet të marrin masa institucionale, duke stopuar përkohësisht procesin dhe duke filluar nga e para, jo me shpalljen e një konkursi të ri sikur bëri ish kryeministri, tani kryetar i Kosovës, Hashim Thaçi, por  me fakte e dëshmi shkrimore nga kreu komandues i luftës, prej komandantit, fillimisht të Pikës,  pastaj të Togës, Njësisë, Batalionit, Brigadës dhe  Zonës Operative. Vetëm në këtë mënyrë pastrohen listat dhe “ndahet shapi prej sheqerit”.

Aktualisht, meqë në kreun e Qeverisë dhe të Shtetit  janë postuar ata që e kanë lejuar, e kanë përcjellë  dhe kanë përfituar nga ky proces, nuk pritet të ndërmerret një hap radikal, sepse sapo t’iu ndalet paga lëmoshë, atyre që janë mësuar me përfitime e zhvatje  të tilla, nga buxheti i Shtetit dhe të cilët kanë edhe shumë favore të tjera, ata nuk do të rrinë duarkryq por do të protestojnë madje do ta sulmojnë edhe institucionet sikur i kanë sulmuar sa e sa herë.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …