leoni

Ahmet Qeriqi

A. Q. Çmenduria e radhës: Dekomunistizimi dhe “Aushvici” në Shqipëri (!)

Lufta për pushtet në Shqipëri  po merr trajta të një fiksioni të një fushate të çmendurisë, me qëllim për ta diskredituar Shqipërinë e viteve: 1945-1991, për shkak se ajo kishte vendosur pushtetin e vet të ligjshëm për kohën, si kudo në Ballkan e në vende të tjera të botës, regjimin e Diktaturës së Proletariatit  pas fitores mbi fashizmin dhe bashkëpunëtorët.

Kush janë sot këta që ftojnë për një “kryqëzatë” antikomuniste dhe përse e bëjnë këtë?

Fushata kundër komunizmit, në planin global është fushatë e botës kapitaliste, kundër komunizmit dhe socializmit, ashtu sikur edhe e kundërta. Edhe sot e kësaj dite ka shtete ndër më të fuqishmet e botës, ku mbretërojnë regjimet komuniste dhe socialiste, pavarësisht dëshirave të botës në perëndim.

Po fushata antikomuniste në Shqipëri ka disa specifika. Ajo në radhë të parë përpiqet “t’ ua ndërrojë lëkurën” shqiptarëve duke i demokunistizuar.

Sa është anakronike kjo e dinë fare mirë edhe krerët e kësaj fushate, por në esencë kjo është fushatë kundër Partisë Socialiste në pushtet, dhe ka një qëllim reaksionar, në përpjekje për të diskredituar të gjitha forcat politike të majta, edhe pse ato përbëjnë mbi 70 për qind të elektoratit.

Kudo në Shqipëri, në Kosovë e në trojet tona, shqiptarët e varfër dhe që janë shumica kanë ideal shtetin e së drejtës, drejtësinë e barazinë shoqërore, luftën kundër shfrytëzimit, vlera këto të deklaruara të shoqërisë socialiste, jo vetëm ndër shqiptarë por kudo në botë.  Duke qenë para kësaj situate, ish komunistët e Shqipërisë, në krye me Sali Berishën dhe klanin e tij, po bëjnë përpjekje për të nxjerrë ligjin e ashtuquajtur për “dekomunistizimin” e shoqërisë në Kuvendin e Shqipërisë.

Në krye të kësaj fushate është një komunist tipik i shkollës komuniste, i konvertuar në demokrat, i cili pretendon t’i bind shqiptarët se paska qenë kundërshtar i regjimit të Enverit, edhe pse i ka shërbyer më mirë se askush tjetër, madje i ka shërbyer edhe shëndetit të tij fizik, duke qenë ndër më të besuarit.(!) Dhe ky njeri, i theu bllokadën ekonomike Serbisë kriminale të Milosheviqit. Derisa ai regjim masakronte kroatë, boshnjakë e shqiptarë,  duke përfituar qindra milionë dollarë, ndoqi luftëtarët e UÇK-së, u përpoq të bënte grusht-shtet në Shqipëri,  në shtator të vitit 1998, pikërisht në kohë e ofensivave në shkallë të gjerë të Serbisë kundër UÇK-së në Kosovë.

Demokratët e Berishës e të Bashës, të vetëdijshëm se me votën e popullit kurrë më nuk mund të kthehen në pushtet, të deklaruarit të djathtë të sotëm e puro të majtë të djeshëm, nuk lënë gurë pa lëvizur me qëllim për t’i i qitur hi syve, sidomos brezit të ri që nuk e njeh sa duhet të kaluarën dhe  mund të bjerë pre e një propagande gebelsiane, e cila bëhet gjoja në emër të demokracisë, por me mjete e metoda të njëjta të kohës së komunizmit, që sundonte jo  vetëm në Shqipërinë e kohës po kudo, në dy të tretat e botës.

Kjo përpjekje e mjerë dhe donkishoteske e “demokratëve”, në mesin e tyre edhe bashkëpunëtorë të Serbisë së Rankoviqit e të Milosheviqit, ka për qëllim diskreditimin e shqiptarëve dhe në këtë segment ajo mbanë erë të keqe antishqiptare të Athinës e të Beogradit.

Të pretendohet se kampet e komunizmit të Shqipërinë e regjimit të Enver Hoxhës ishin të tilla si “Aushvici”, ku janë vrarë e zhdukur fizikisht miliona hebrenj, ky është një krahasim jo vetëm i paqëndrueshëm por edhe kundër çdo logjike të shëndoshë të një njeriu normal.

U desh reagimi i ish kongresistit, me origjinë të lashtë shqiptare, Joe DioGuardit, për të treguar se deri ku shkojnë klanet antikomuniste dhe qarqet antishqiptare në demonizimin e poshtërimin e Shqipërisë, veçmas Tepelenës historike të Ali Pashait.

Ja si e përshkruan këtë çmenduri, vetë DioGuardi, gjithsesi antikomunist.

Gatë kohës që unë isha kongresmen i Shteteve të Bashkuara, e vizitova Tiranën bashkë me kolegun tim kongresist, të ndjerin, Tom Lantosh. Gjatë takimit prej dy orësh e gjysmë me Presidentin e atëhershëm të Shqipërisë, Ramiz Alia, ne mësuam për herë të parë mbi një nga aktet më të nderuara dhe më fisnike  të popullit shqiptar për të shpëtuar të gjithë hebrenjtë në Shqipëri dhe ata që erdhën nga Evropa Perëndimore përmes Kosovës në Shqipëri gjatë kohës së errët të holokaustit nazist. Vitet e fundit, së bashku me gruan time Shirley, jam munduar nëpërmjet iniciativave të panumërta të ndaj me publikun amerikan si dhe atë ndërkombëtar një nga tiparet më fisnike të kulturës Shqiptare, Besën, e cila na nderon të gjithëve ne.

Prandaj, unë jam i shokuar dhe thellësisht i shqetësuar mbi përpjekjet e tanishme për të cilësuar qytetin Tuaj  të bukur dhe historik të Tepelenës si një “Aushvic Shqiptar”. Kjo – ashtu siç ju e dini – lidhet me disa plane të çuditshme për të kthyer barrakat ushtarake në qytetin tuaj në një farë lloj Muzeumi dhe Kompleks Memorial si “Kampi i Shfarosjes së Tepelenës”. Siç Ju e dini mirë Kryetar Peçi, Tepelena ka një histori të madhe. Është vendlindja e Ali Pashës, i cili u përpoq të krijonte shtetin e parë Shqiptar pas Skënderbeut. Është vendi të cilin Lord Bajroni e vizitoi dhe e përshkroi me aq bukuri. Është një zonë ku është luftuar me trimëri për lirinë e kombit shqiptar gjatë gjithë historisë. Është në vendin tuaj dhe më saktësisht në fshatin Kodër ku bandat Greke kryen një nga aktet më barbare në historinë e Ballkanit. Prandaj kur qyteti juaj ka kaq shumë histori për t’u ndjerë krenar,  si dhe për ta ndarë atë me publikun dhe ta ruajë atë, si është e mundur që disa njerëz kanë guximin të etiketojnë Tepelenën si “Aushvicin Shqiptar”?

Prandaj unë ju nxis, me autoritetin e Kryetarit te Bashkisë së Tepelenës të tërhiqni mbështetjen për memorialin Kompleks  i cili në mënyrë të falsifikuar përshkruan  “Memorialin e Kampit Shfarosës të Tepelenës”. Dhe, meqenëse Këshilli i qytetit tuaj ka kaluar një “rezolutë” mbi të ashtuquajturin “Memorial i Kampit të Shfarosjes të Tepelenës”, unë Ju nxis që zyrtarisht të anuloni një vendim të tillë dhe, në se do të ishte e nevojshme, të linit popullin e Tepelenës të vendosë nëpërmjet një referendumi lokal nëse një njollë  e tillë e pashlyeshme do të vendosej në qytetin e tyre të bukur dhe historik. 

 

Ky qëndrim burrëror, njerëzor dhe kombëtar i DioGuardit, tregon më së miri se fushata kundër komunizmit në Shqipëri ka degraduar ashtu sikur kanë degraduar mendërisht krerët e kësaj fushate, të cilët në pamundësi për të ta marrë besimin e popullit për të qeverisur, duke mos pasur fakte e argumente përveç sharjeve e fyerje drejtuar kundërshtarëve, pretendojnë të etiketojnë të kaluarën, vetëm pse konsiderojnë se socialistët kanë origjinë nga Partia e Punës, ndërsa këta origjinë nga klasa pacifiste kolaboracioniste, të njohur si bashkëpunëtorë të shqiptarë-vrasësve si Pashiqi, pastaj bashkëpunëtorë të fashizmit, e më vonë edhe të Rankoviqit, Titos e Milosheviqit.

Çmenduria e krahasimit të një Kampi të regjimit të Enver Hoxhës, në Tepelenë, ku janë keqtrajtuar të burgosurit  politikë të kohës, dhe që duhet të ndjejmë për ta, as përafrisht nuk krahasohet me Goli Otokun, Kampin e Idrizovës, të Nishit, Pozharevcit e të dhjetëra kampeve të tilla nëpër ish Jugosllavi, nëpër të cilat nuk kanë kaluar disa qindra shqiptarë sikur në Tepelenë, por në Kampe të tilla janë mbajtur të ngujuar qindra mijëra shqiptarë të Kosovës dhe viseve shqiptare.

Dëshmitari i gjallë i atyre mizorive, veprimtari dhe i burgosuri politik, Rexhep Bunjaku, ka dëshmuar për maltretime mizore që iu kanë bërë atij dhe të burgosurve nëpër Kampet e Jugosllavisë me 150 gramë bukë e ujë në ditë deri sa të burgosurit i kanë sjellë në 30 kg. Në librin e tij: “Kosova, Besa dhe tradhtia” ai me fakte e dëshmi  ka përshkruar mizoritë deri sot të padëgjuara, mizori që e lënë hije Kampin e Tepelenës apo Kampe të tjera në Shqipëri.

Por a krahasohet kjo me Auashvicin?

 Natyrisht për ata që e njohin historinë e faktet nuk e bëjnë një krahasim të tillë.

As Goli Oroku nuk krahasohet dot me Aushvicin apo Mat-hauzenin apo kampe të tjera fashiste e naziste, edhe pse mbi të burgosurit janë ushtruar mizori të padëgjuara, sikur i ka përshkruar, veprimtari dhe i burgosuri politik,  Meriman Braha në librin e tij:  “Goli Otoku”.

Kampe si ai në  Tepelenë ka pasur kudo, jo vetëm në Shqipëri por  në të gjitha shtetet e Ballkanit e më gjerë.

Përse dikush zgjodhi pikërisht Tepelenën, në përpjekje  për ta vënë në murin e turpit e ka shpjeguar më mirë se kushdo, z. Joe DioGuardi.

Tepelena historike e Ali Pashait, të cilin romansieri më i madh i Hungarisë, Joki Mor, në romanin e tij “Luani i Janinës”, botuar në vitin 1854  e krahason me të drejtë me bashkëkohësit e tij si Napoleonin apo  Sulltanin.  Duke u mbështetur në literaturën e kohës ai konstatonte se Perandoria turke kishte dy sulltanë, një në Stamboll e tjetrin në Turqinë evropiane, i cili përballonte Sulltan Mahmudin e Dytë, Napoelonin dhe Carin rus në të njëjtën kohë. Dhe përderisa Termopila e dikurshme shqiptare, Janina, humbi, tani qarqet greke, serbe e ruse duan ta veshin me turp e ta humbin edhe Tepelenën, duke e shpallur  Aushvic të Shqipërisë.

Në përpjekje të tilla, urrejtja e mund arsyen, mizoria e mund logjikën e shëndoshë, babëzia pretendon të ngrihet  mbi  respektin për të kaluarën e larë me gjak gjatë shekujve.

Pretendimet për të ashtuquajturin “dekomunistizim”, janë krejtësisht politike, janë po kështu luftë e klasave, luftë për pushtet, pushtet për ta plaçkitur popullin, me përpjekje për ta bindur atë  se 70 përqindëshi i popullit që zgjodhën socialistët qenkan të mashtruar e të blerë.

Këto nisma tregojnë më së miri se Berisha me të vetët ka humbur “davanë”, ka humbur përgjithmonë dhe nuk kthehet dot në pushtet me shpikje të Aushvicit, me dekomunistizim, as me çirrje e turre, sepse shqiptarët kanë mend në kokë, dinë kë duan e kë nuk e duan.

Nuk e ka fajin, Enver Hoxha,  pse nuk fiton në zgjedhje Partia Demokratike e Lulit dhe e Berishës. Nëse dikush merr të drejtë t’ ia përkujtojë dikujt origjinën politike, atëherë, në emër të demokracisë, duhet të tregohet edhe origjina politike e esattoptanëve, e zogistëve, e Xhafer-devëve e kolaboracionistëve të të gjitha ngjyrave, edhe argatëve, jo pak në numër   të fashizmit e nazizmit.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …