Vjosa Musliu: Librat e historisë së Kosovë heqin mitet kombëtare

  Shteti i ri po bën përpjekjen e parë të denacionalizimit të librave të tij të historisë, duke fshirë fjalimet plot urrejtje dhe duke zbutur nacionalizmin. Një iniciativë e Institutit të Historisë së Kosovës, me objektiva dhe më reale për librat e historisë për fëmijët e shkollave fillore e 8-vjeçare, është përshëndetur si një hap galopant, në një kohë kur në Ballkan shtetet janë akoma të fiksuara pas lavdisë, miteve dhe sensit të superioritetit. Ndërkohë që objektiviteti mbetet një çështje perceptimi dhe librat e rinj janë akoma larg nga zhveshja e sensit të krenarisë kombëtare, mësuesit në Kosovë janë shprehur se kjo nismë është një përmirësim i madh i librave të 30 viteve më parë. Grupi i punës për të përgatitur librat është krijuar nga ekspertë të Institutit të Historisë, Fakultetit të Historisë dhe i shkollave të mesme e fillore. “Këta libra janë shumë më tepër objektivë dhe shumë më të mirë se sa librat e historisë së kohës suaj apo times”, – ka thënë Sabri Veseli, një mësues historie në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë. “Ata janë më të zbutur dhe nuk nxisin urrejtje … Ata nuk kërkojnë ringjallje nacionalizmi dhe nuk nxisin luftë, sepse luftërat kanë çuar vetëm në tragjedi”. Veseli, një recensues i librit, ndihet disi keq për versionet nacionaliste të historisë: “Për sa i përket historisë, ne na thuhej ajo që regjimi donte që ne të na thuhej”. Ndërkohë që serbët më përpara përshkruheshin si “barbarë që vinin prej maleve Karpate e që pushtuan Ilirinë mes shekujve 6 dhe 9, ardhja e sllavëve në Ballkan është trajtuar në një mënyrë tjetër”. 35-vjeçari Frasher Demaj, sekretar i Institutit të Historisë dhe autori kryesor i botimeve të reja të librave shkollor, ka përjashtuar prej tyre terma siç është ai ‘barbar’. “Librat për fëmijët 12-vjeçarë nuk duhet të kenë terma të tillë, – tha ai. – Dhe, ne nuk do të japim përshkrim letrar dhe as poetik të ngjarjeve.” Mitet dhe termat Një teoricien i famshëm për nacionalizmin, Benedict Anderson, thotë se shkrimtarët nacionalistë dhe vlerësimet historike janë zakonisht “të pasaktë e të errëta dhe kanë një kuptim përfundimtar për ardhjen e një revolucioni”. Kjo është sigurisht, edhe për rastin e librave të vjetër të historisë dhe leksioneve. “Hordhitë serbe”, “Ultra-nacionalistët grekë”, dhe “Ambiciet sllave në tokat shqiptare”, ishin termat tipik që përdoreshin. Ndërkohë që përshkrimi i historisë nuk mund të jetë kurrë plotësisht objektiv ose neutral, të qenit gjithmonë të prirë nga interpretimi, hartuesit e librave të rinj të historisë kanë marrë një vendim të qartë që të përjashtojnë fjalimet plot urrejtje dhe diskriminimin. Gjithashtu, ata janë përpjekur ta bëjnë historinë më të kuptueshme për mendjet e të rinjve. “Ne kemi aplikuar idenë e të treguarit të historisë në formën e një rrëfenje, në mënyrë që ajo të jetë më e pranueshme për trurin e moshave rreth 11 vjeç”, – ka thënë Demaj. “Kemi parë modelin amerikan dhe atë të Evropës Perëndimore për ta thjeshtëzuar historinë, – ka shtuar Demaj. – Ne duam të jemi model për Ballkanin”. Nuk ka më heronj?! Çdo shqiptar i Kosovës e ruan ende të fiksuar në mendjen e tij imazhin e “Viganit” Skënderbe. Një film mjaft i njohur shqiptar, në të cilin rolin e luftëtarit të shekullit të 15-të e interpretoi një aktor i gjatë gjeorgjian, ka personifikuar shqiptarin që heroikisht ngadalësoi pushtimet turke në Ballkan. Monedha, ku është i gdhendur Skënderbeu me kalin e tij, gjendet në çdo familje shqiptare. Por, historianët e rinj shqiptarë kanë sugjeruar së fundmi që Skënderbeu mbase nuk ka qenë më i gjatë se 167 cm dhe që imazhi i tij magjepsës është stolisur me qëllime nacionaliste. Të pyetur se çfarë dinë më shumë nga historia që iu kanë mësuar profesorët e tyre, shumica e fëmijëve 12-vjeçarë të shkollës 8-vjeçare “Ismail Qemali” thonë se më mirë njohin luftërat e Skënderbeut kundër pushtimit osman. “Skënderbeut i atribuohet frenimi i ekspansionit të Perandorisë Otomane në Evropën Perëndimore”, – thotë nxënësi 11-vjeçar Lis Sinani. Ndërkohë që në librat e vjetër ishte tendenca për të “stolisur” imazhet e luftëtarëve dhe heronjve, në librin e ri të historisë, Adem Jashari, komandanti i njohur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është portretizuar me terma normalë. “Jashari nuk është portretizuar si supernjeri, por si një nga komandantët kryesorë të UÇK-së. Ai është një simbol i sakrificës, sepse e gjithë familja dhe fëmijët e tij u masakruan”, – shton Demaj. Hiqet Mic Sokoli Përveç Skënderbeut, edhe një tjetër hero kombëtar i njohur për trimërinë e tij është Mic Sokoli. Imazhi i tij, si ai i një luftëtari që i doli përpara topit të ushtrisë armike, është një rast i rrallë që teoricieni Anderson e quan “Nacionalizëm banal”. Termi i mëvonshëm tregon se disa elementë dhe simbole nacionaliste bëhen të gjithëpranishëm në jetën e përditshme, saqë duken se janë normale. Sokoli është hequr nga libri i ri i historisë, sepse ata duan të “çlirohen” nga këta tipe mitesh. “Mic Sokoli është glorifikim tipik për një figurë të veçantë historike dhe këto glorifikime nuk janë të nevojshme”, – thekson Demaj. Theksimi i mëparshëm i vetësakrificës në historinë shqiptare, theksimi i kurajës dhe altruizmit përdorej për të treguar natyrën e dobët dhe të palavdishme të ushtrisë që fshihej pas topit dhe artilerisë. 43-vjeçari Berat Gashi, i diplomuar në histori në Universitetin e Prishtinës, shprehet se miti i Mic Sokolit është bërë prototip për luftëtarët e mëvonshëm që kanë luftuar për çështjen kombëtare. “E parë nga perspektiva e sotme, Mic Sokoli përfaqëson një ekzagjerim të trimërive të një luftëtari dhe është mirë që gjenerata e re të mos mbushet me këto vlera”, – ka thënë Gashi. Serbët Serbët janë fqinj! Librat e rinj ofrojnë më shumë trajtim të historive të kombeve të tjera, ku një kujdes i veçantë i është dhënë asaj kineze, egjiptiane, persiane dhe greke. Profesor Veseli ka thënë se nëse dikush nuk e di historinë e fqinjëve, nuk mund të dijë as të veten. “Historia dhe kultura e popujve të tjerë duhet të studiohet dhe të mësohet. Është thesar”, – shprehet ai. Instituti i Historisë është krenar që ka zgjeruar trajtimin e qytetërimeve të Greqisë së Lashtë, “pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara më Greqinë”. I pyetur nëse fëmijët e shkollave fillore dhe 8-vjeçare do të mësojnë mbi Betejën e Kosovës më 1389, Profesor Veseli ka thënë se kjo vështirë se do të bëhet e mundur. “Ata janë akoma të rinj”. Në mitologjinë popullore serbe, Princi ose Knez Llazari zgjedh të humbë betejën me ushtrinë osmane, duke preferuar të fitojë “Mbretërinë hyjnore”. Në librat e rinj të historisë, ushtria kristiane e vënë në radhë para turqve më 1389, është përshkruar si një “bashkim i trupave ballkanike të udhëhequra nga Princ Llazari”. Demaj është shprehur se legjenda e mesazhierit hyjnor që ka vizituar Princin Llazar ishte mit dhe nuk kishte asnjë kuptim që në librat tanë të historisë të vendosnim mitet e të tjerëve, kur ne kemi hequr nga aty ata tanët. Një hap për vlerat tradicionale Ndërsa qëllimi është të “çlirohemi” nga konservatorët nacionalistë dhe fjalimet plot urrejtje, hartuesit e librave të rinj të historisë janë të kujdesshëm të theksojnë mbështetjen për vlerat tradicionale shqiptare. “Çështja e tolerancës ndaj besimeve është për t’u shënuar dhe për t’u theksuar si një veçori e shqiptarëve. Ne mund t’iu japim mësime vendeve perëndimore për sa i përket komplekseve që ata kanë me intolerancën ndaj besimeve fetare”, – ka thënë Demaj. Sipas tij, fakti që shqiptarët nuk ishin as ekspansionistë as hegjemonistë, gjithashtu duhet theksuar në histori, jo që të pozicionohemi si viktima, por thjesht për të treguar natyrën tonë si një komb jo pushtues. “Historia serbe i përmend shqiptarët vetëm për t’i etiketuar si elementë negativë dhe shkatërrues, por ne nuk duam të imitojmë këtë sens superioriteti dhe as nuk duam të fyejmë kombet e tjera”, – ka thënë Demaj.

Kontrolloni gjithashtu

Skënder Karaçica: Kryeministri Albin Kurti duhet të dëshmojë në Prokurorinë Speciale

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Çikago, Skënder Karaçica, ka bërë thirrje që kryeministri i …