leoni

RKL: Një vit pavarësi e brishtë e Kosovës

  Një vit më parë Kuvendi i Kosovës miratoi deklaratën kushtetuese, sipas së cilës vendi ynë u shpall shtet sovran dhe i pavarur. Në ceremoninë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës morën pjesë, kryetari i vendit, Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, deputetët e Kuvendit dhe personalitete të larta ndërkombëtare e vendore. Që në ditët e para të shpalljes së aktit të pavarësisë Kosovën e pavarur e kanë njohur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Shqipëria, pjesa dërrmuese e vendeve të Bashkimit Evropian dhe shumë shtete të tjera të botës. Shpallja e pavarësisë së Kosovës shënon një hap me rëndësi drejt kurorëzimit të aspiratave tona shekullore për liri, barazi dhe vetëvendosje.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e kësaj pavarësie gjatë një viti nga 54 shtete të botës, megjithatë shënon një sukses, jo vetëm simbolik. Shteti i ri i Kosovës ende mbetet nën protektorat të dyfishtë ndërkombëtarë sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë. Në Kosovë janë të pranishëm rreth 17 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare të KFOR-it, 1500 zyrtarë dhe policë të BE-së, disa qindra zyrtarë të UNMIK-ut dhe disa mijëra policë të Kosovës.
Në planin e brendshëm Kosova ka kompletuar ministritë dhe Agjencitë e sigurisë kombëtare. Ka miratuar Kushtetutën dhe ka filluar miratimin e ligjeve të shumta, që dalin nga kjo kushtetutë, e cila mjerisht është hartuar duke pasur për bazë planin e Ahtisarit, plan ky që ka cunguar dhe ka shpërfytyruar aspiratat e drejta të shqiptarëve të kësaj pjese të atdheut për bashkimin e ligjshëm dhe të natyrshëm të kombit shqiptar.
Edhe pse e papranuar dhe e shantazhuar prore nga Serbia, Rusia dhe disa vende proserbe e proruse, Kosova po merr frymë lirshëm me gjithë problemet e shumta të pazgjidhura dhe me një perspektivë të zymtë.
Aspirata shekullore e çlirimit dhe bashkimit kombëtar shënon vetëm një hap, por një hap të sigurt, meqë pavarësinë e kanë njohur shumica e vendeve të Evropës dhe çuditërisht e kanë njohur edhe shumica e vendeve fqinje të Ballkanit dhe disa shtete të Evropës juglindore.
Shikuar nga të gjitha aspektet, viti i parë i pavarësisë së Kosovës mund të cilësohet si vit i suksesshëm, po të kihet parasysh kthesa e madhe që ndodhi me shpalljen dhe pranimin ndërkombëtar të pavarësisë. >br>
Mirëpo në planin e brendshëm kanë mbetur pa u zgjidhur shumë probleme jetike të qytetarëve dhe sipas të gjitha gjasave ato nuk do të zgjidhen edhe për shumë kohë. Papunësia në rritje, mungesa e energjisë elektrike, trafiqet, krimi i organizuar, prania e administratës së Beogradit në Veri të vendit, krijimi i komunave serbe, krijimi i kibucëve kishtare serbe, shpërbërje e TMK-së, rritja e pakënaqësisë të masave të varfra, korrupsioni, nepotizmi, shantazhet e përditshme nga Serbia, janë plagë të përditshme të trupin e brishtë të Kosovës, e cila do të përballet në të ardhmen edhe me shumë sfida të tjera, të rënda dhe tejet të vështira. Edhe pse për këtë gjendje të pavolitshme fajësohet dhe kritikohet Qeveria e Kosovës dhe institucionet e vendit, dihet mirëfilli se vendi ynë ndodhet në një tranzicion të mbikëqyrur ndërkombëtar dhe fajin kryesor për ngadalësimin e proceseve zhvillimore e bartin vetë protektorët, të cilët realisht edhe administrojnë vendin, edhe pse në gjuhën e lakueshme të diplomacisë, ata pranojnë se janë vetëm monitorues të procesit, nëpër të cilin po shtegton Kosova.
Sfidat, me të cilat do të ballafaqohet vendi në ecjen e vet drejt zhvillimit dhe ndërtimit të të gjitha komponentëve të qëndrueshme të shtetit, do të jenë gjithnjë të acaruara dhe të komplikuara, në radhë të parë për shkak të qëndrimit subversiv të Serbisë dhe të disa shteteve sllave, të cilat i ka penguar dhe i pengon prania e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan dhe pretendimet e saj për t’ u shtrirë drejt Lindjes.
Në këtë proces të zhvillimeve strategjike botërore, Kosova dhe Shqipëria aktualisht janë pozicionuar në Aleancën perëndimore, e cila e ka ndihmuar dhe besojmë se do ta ndihmojë vendin tonë në rrugë drejt integrimeve dhe krijimit të një paqe të qëndrueshme në rajon.
Kosovën e presin shumë probleme të pazgjidhura, të cilat nuk do të zgjidhen vetëm me durim dhe mirëkuptim qytetar, ashtu sikur ka ndodhur deri tani. Fakti se pavarësia po mbijeton bën që qytetarët të kërkojnë gjithnjë e më shumë, edhe pse shumica e tyre janë të ndërgjegjshëm për kapacitetet tejet të kufizuara të buxhetit të vendit dhe mungesën për të mos thënë totale të investimeve nga kompanitë ndërkombëtare.
Pavarësisht nga të gjitha vështirësitë e sfidat, Kosova do të marshojë përpara, meqë liria dhe pavarësia nuk janë rezultat i koniukturave dhe pazarllëqeve ndërkombëtare, por kjo liri dhe pavarësi është arritur me një qëndresë të fuqishme shekullore kundër robërisë sllave e serbe, pavarësi kjo e cila është kurorëzuar me luftën tonë çlirimtare dhe fitimtare, me gjakun e derdhur të dëshmorëve dhe martirëve dhe me kontributin madhor që kanë dhënë forcat liridashëse të vendit me ndihmën e Aleancës ushtarake Veriatlantike.
Kosova,vitin e parë të pavarësisë e ka kaluar me sukses.

Kontrolloni gjithashtu

Skënder Karaçica: Kryeministri Albin Kurti duhet të dëshmojë në Prokurorinë Speciale

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Çikago, Skënder Karaçica, ka bërë thirrje që kryeministri i …