(Fjala e redaktorit të Radios gjatë kohës së luftës, z. Nezir Myrtaj, mbajtur më 4 janar 2009, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në shënimin të 10-vjetorit të Radios-Kosova e lirë dhe Agjencisë Kosovpres)
Si sot, dhjetë vjet më parë, u hapën dy institucionet qendrore informative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, – Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapres, me seli të përbashkët në fshatin Berishë.
Ngritja e radiostacionit Kosova e Lirë dhe hapja e agjencisë së lajmeve Kosovapres u bë me vendimin e SHP të UÇK-së, i nxjerrë në nëntor të vitit 1998. Kishte pothuajse një vit që Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte dalë në arenën e hapur të luftës përballë instrumenteve të forcës të pushtuesit serb, policisë dhe ushtrisë së tij, dhe ç’është e vërteta, Shtabi i Përgjithshëm i saj, i vetëdijshëm për rëndësinë e pazëvendësueshme të informacionit publik, kishte bërë përpjekje të pareshtura për të plotësuar zbrazëtirën e luftës çlirimtare, që kishte krijuar mungesa e mjeteve të saj të informacionit, qoftë përmes ndonjë organi shtypi, qoftë përmes ndonjë buletini, apo mjeti tjetër informativ. Mirëpo, për shkak të rrethanave të caktuara të luftës, synimi për të ngritur mjetet e luftës të informacionit u bë realitet tek më 4 janar 1999, kur në orën 16 filloi të transmetojë programin e vet Radio Kosova e Lirë, ndërsa po të njëjtën ditë filloi të shpërndajë informacionet edhe Agjencia Kosovapres.
Siç dihet tashmë, në këto dy institucione binjake u angazhua një staf i përbashkët veprimtarësh e intelektualësh. Në tre muajt e parë të funksionimit, pra deri më 31 mars 1999, ato patën për seli shtëpinë e familjes Berisha në fshatin Berishë. Sulmet e pandërprera të forcave militariste serbe të intensifikuara ndaj kësaj selie, sidomos pas fillimit të fushatës bombarduese nga NATO-ja, më 24 mars të atij viti, imponuan nevojën për ndërmarrjen e masave të reja të sigurisë nga stafi i dy institucioneve tona informative. Prandaj në fillim të muajit prill, në përputhje me natyrën e veprimtarisë së tyre, Radio Kosova e Lirë zhvendosi selinë në dy bunkerët e saj në malin Pallanik të Rrafshnaltës së Berishës, kurse Agjencia Kosovapres u vendos në shtëpinë e familjes Gega në Fshat të Ri.
Sigurisht, një meritë e veçantë për funksionimin e rregullt dhe mbijetesën e RKL dhe të AKP u përket familjeve Berisha dhe Gega, të cilat, në shërbim të këtyre institucioneve vunë shtëpitë, bukën dhe pasurinë e tyre. Por, merita kryesore gjithsesi u takon atyre që luftuan dhe atyre që ranë duke luftuar në betejat e ashpra kundër pushtuesit serb, i cili deri në përfundim të luftës bëri të gjitha përpjekjet për të depërtuar në zonën ku funksionuan RKL dhe AKP. Me emrin e këtyre dy institucioneve, do të jenë përjetësisht të lidhur emrat e dëshmorëve të UÇK-së të cilët ranë në këtë kohë në pozicionet përreth Rrafshnaltës së Berishës, në Gradinë, në Arllat, në Grykën e Nekocit e në vende të tjera. Ata janë: Mehdi Bytyçi, Islam Kastrati, Ramadan Bytyçi, Sylejman Bytyçi, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Mentor Gashi, Vezir Kolshi, Xhavit Kelmendi, Elbasan Berisha e dëshmorë të tjerë.
Më 4 janar të vitit 1999, me ngritjen e institucioneve informative, Ushtria Çlirimtare e Kosovës siguroi në duart e saj një armë të fuqishme e cila i kishte munguar deri në atë kohë. Deri në atë kohë, komunikimin e vet me opinionin e gjerë UÇK-ja mund ta realizonte vetëm përmes komunikatave të shtypit, përmes deklaratave të zëdhënësit të SHP, përmes Zyrës së Përfaqësuesit Politik të UÇK-së, si dhe intervistave e bisedave të herëpashershme të eprorëve apo ushtarëve të UÇK-së. Megjithatë këto komunikata, deklarata e intervista, në opinionin e brendshëm dhe atë të jashtëm, në të shumtën e rasteve prezantoheshin në mënyrë të njëanshme e të mangët. Ishte fare e pamundshme që edhe po të donin, mjetet e shkruara dhe ato elektronike të informacionet, të cilat operonin në Prishtinë të lejuara dhe të kontrolluara nga organet shtetërore të Serbisë, ta paraqitnin drejt dhe plotësisht luftën për liri të UÇK-së.
Prandaj, në mungesë të mjeteve të lira të informacionit, UÇK-në dhe luftën e saj për liri, mediet e kontrolluara i pasqyronin në dritën e tyre. Shtypi i Prishtinës, sikurse edhe ai i jashtëm, UÇK-në kryesisht e quante organizatë guerile; njësitet e UÇK-së – grupe të armatosura; luftën e armatosur e quante konflikt i armatosur, kurse betejat – konfrontime e kështu me radhë. Po ashtu, luftës që zhvillonte UÇK-ja kundër pushtuesit serb, ky shtyp në të shumtën e rasteve ia jepte dimensionin e një konflikti të izoluar ndërmjet “kryengritësve” shqiptarë dhe policisë serbe, e jo të një lufte ndërmjet UÇK-së dhe Serbisë pushtuese. Në anën tjetër, pasojave të luftës u jepej dimensioni i një krize humanitare.
Në këto rrethana, një pjesë e madhe e popullit shqiptar të Kosovës nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej kushtrimit të luftës për liri, duke qenë në njërën anë nën shtrëngesën e aparatit të egër shtetëror serb dhe në anën tjetër e dezinformuar dhe e frikësuar nga mjetet e ndryshme të informacionit publik. Në njëfarë mënyre, mungesa e informacionit mbi karakterin e drejtë të luftës së UÇK-së dhe mbi pashmangshmërinë e kësaj lufte ishte bërë aleat i natyrshëm i pushtuesit. Por, me hapjen e RKL dhe të AKP më 4 janar 1999, lufta çlirimtare u bë me zëdhënëset e saja të mirëfillta. Njoftimet e drejtpërdrejta nga zona e luftës për zhvillimet ushtarake; pasqyrimi i qëndresës dhe heroizmit të luftëtarëve të lirisë në front; paraqitja e moralit të lartë në radhët e luftëtarëve dhe të popullsisë civile në zonën e luftës; komentimi i situatave dhe ngjarjeve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit; reportazhet, bisedat e intervistat e ndryshme që ditë për ditë transmetoi RKL dhe AKP shpërndau jashtë vendit, bënë që opinioni i brendshëm dhe ai i jashtëm të njihen drejtpërdrejt dhe nga dora e parë me karakterin çlirimtar të luftës për liri që po zhvillonte UÇK-ja kundër pushtuesit shekullor serb.
Themelimi i institucioneve qendrore të informacionit publik të UÇK-së u bë edhe në një moment politik shumë të rëndësishëm. Pas nënshkrimit të marrëveshjes Holbruk-Millosheviq në tetorin e vitit 1998, lufta në Kosovë kishte hyrë në fazën e një pseudointermecoje, e cila te shumëkush kishte krijuar përshtypjen se UÇK-ja ishte lodhur e dërmuar nga ofensivat e pandërprera të deriatëhershme serbe. Zëri i Kosovës së Lirë dhe lajmet e AKP demantuan këtë bindje dhe rikthyen besimin në forcën e në vendosmërinë e UÇK-së për ta çuar deri në fund luftën për çlirimin e Kosovës. Ky fakt ngriti në mënyrë të ndjeshme frymën e mobilizimit masiv për mbështetjen e luftës së kësaj ushtrie. Në veçanti, RKL u bë mjet frymëzimi dhe inkurajimi për luftëtarët e lirisë, të cilët edhe në istikamet e luftës, orën 16 e pritnin me radioaparatin pranë veshit. Ajo ngriti ndjenjën e vetëbesimit në fitoren edhe te popullata civile kudo në Kosovë. Magjia shpresëdhënëse e RKL u bë edhe më e madhe pas dështimit të përpjekjeve të pandërprera të pushtuesit serb për ta asgjësuar atë dhe agjencinë Kosovapres, përpjekje që u bënë edhe më të ethshme pas fillimit të sulmeve ajrore nga NATO-ja.
Pas rrënimit dhe paaftësimit të antenave transmetuese serbe në Golesh e gjetiu, nga aviacioni i NATO-s, në mars e prill të vitit 1999, mundësitë e pushtuesit serb për ta vazhduar luftën speciale kundër UÇK-së u zvogëluan dukshëm. Tashmë RKL kishte fituar betejën informative dhe valët e saj mbretëronin në tërë hapësirën e Kosovës. Në këtë kohë ajo u bë burim i vetëm informacioni. Zëri i saj alegorik që po depërtonte deri përtej Kukësit dhe në fushën e Pollogut, ishte bërë fije e fortë e lidhjes emocionale me vatrat e tyre të braktisura, për mijëra e mijëra banorë të Kosovës të cilët ishin shpërngulur nga Kosova dhe ishin vendosur në ato vise, pa plang e pa gjë. Ky zë për ata u bë bar qetësues dhe shpresë për kthimin e shpejtë në Kosovën e lirë.
Ndonëse në rrethana të një lufte të tmerrshme për liri a vdekje, RKL dhe AKP arritën të funksionojnë deri në përfundim të luftës në saje të mbështetjes së pakursyeshme nga luftëtarët e lirisë, angazhimit maksimal të korrespondentëve dhe reporterëve pranë Zonave Operative, si dhe përkushtimit vetëmohues të stafit të këtyre dy institucioneve. Me përpjekje mbinjerëzore ato arritën ta mbijetojnë luftën çlirimtare dhe t’i qëndrojnë besnike misionit të tyre informativ e kombëtar, në rrugën drejt lirisë.
RKL përjetoi çastin më fatlum, që sikur për ta arsyetuar emrin e saj simbolik, t’ua komunikojë luftëtarëve në front, popullatës nën rrethim dhe asaj të strehuar në male dhe të gjithë liridashësve në Kosovë, lajmin më domëthënës e të shumëpritur për kapitullimin e pushtuesit serb, si dhe largimin e trupave të tij nga Kosova, më 21 qershor të vitit 1999. Me transmetimin e këtij lajmi, kjo radio përmbylli me sukses një kapitull të lavdishëm të misionit të saj-kapitullin e radiostacionit të luftës së UÇK-së. Duke komentuar sundimin 88-vjeçar të Serbisë në Kosovë, atë ditë RKL e deklaroi të larguar një herë e përgjithmonë të barbarisë serbe nga Kosova. Ajo kishte deklaruar kështu e bindur se fitorja e arritur me luftë e gjak do të ruhet e fuqizohet si amanet i shenjtë. Atë ditë ajo as do të pranonte ta merrte me mend që sot, në dhjetëvjetorin e hapjes, të shohë pjesëtarë të UÇK-së të prangosur e të tërhequr zvarrë nga ata që dikur kishin vrarë e prerë pleq e të rinj dhe gra e fëmijë shqiptarë në Kosovë. Atë ditë, ajo as do të pranonte ta merrte me mend që sot në dhjetëvjetorin e hapjes, ligjin në Mitrovicë ta bëjnë legjionet serbe, të cilat mund të djegin e shkatërrojnë shtëpitë e shqiptarëve sa herë të duan. Atë ditë ajo nuk do të pranonte të merrte me mend edhe shumë gjëra të tjera, të cilat sot po i shohim të gjithë.
Sidoqoftë, në histori ngjarje të panumërta do të ndodhin dhe shumë prej tyre do të harrohen. Por jam i bindur se UÇK-ja dhe heroizmi i saj do të mbeten ngjarje të pashlyeshme në kujtesën historike. Pjesë e këtyre ngjarjeve, pa dyshim do të mbeten edhe Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapres.
(6.1.2006) Nezir Myrtaj: Kthimi i Vllasit në skenë është simbolikë ogurzezë
Më 5 janar u qartësua përfolja e ditëve të fundit se ish-Kryetari i Lidhjes së Rinisë Komuniste të Jugosllavisë në kohën e Titos dhe ish-Sekretari i Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës në kohën e pushtetit të kriminelit Millosheviq, Azem Vllasi tashmë është emëruar këshilltar për çështje të jashtme në Kryeministrinë e Kosovës. Qartësimin e bëri vetë këshilltari Vllasi, në një emision televiziv të Koha-vizionit. Ai bëri të ditur se për t’u angazhuar në pozitën e këshilltarit, kishte marrë ofertën nga Kryeministria, së cilës edhe iu ka përgjigjur pozitivisht. Për të «legjitimuar», kinse arsyeshmërinë e këtij veprimi, si dhe «kredibilitetin» e tij si «ekspert me përvojë», Vllasi, madje, tash bëri publik edhe faktin tjetër, se gjatë luftës në Kosovë kishte marrë ofertë për pozitën e këshilltarit edhe nga Përfaqësuesi Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zoti Adem Demaçi dhe se paska qenë i gatshëm t’i përgjigjej edhe kësaj ftese.
Gjatë emisionit në Koha-vizion, Vllasi, tashmë si person i veshur me aureolën qeveritare, e me ndjenjën e vetëbesimit të njeriut të dikurshëm të pushtetit, dha publikisht shumë vlerësime e konstatime, të denja të thuhen vetëm nga një person i papenduar për veprimtarinë e tij të dikurshme kundër Kosovës e në shërbim të pushtuesit jugosllav.
Veprimtarinë e atyre që në vitin 1981 e kishte cilësuar si irredentiste, pra të bartësve të veprimtarisë ilegale kundër pushtuesit jugosllav, ai e quajti taktikisht të gabuar për interesin e Kosovës. Si të drejtë e të frytshme, ai la të nënkuptohet vetëm veprimtarinë institucionale, përkatësisht angazhimin e tij në kreun e pushtetit kundër ilegales shqiptare, duke e cilësuar këtë angazhim sakrificë shumë të madhe të bërë për interesin e Kosovës! Si etiketues i dikurshëm dhe zbulues i famshëm i «irredentizmit shqiptar», tash zotëria i tij, këshilltari i Kryeministrisë së Kosovës, Azem vllasi, publikoi zbulimin tjetër: se nuk qenkan patriotë, të gjithë personat që zhvilluan veprimtari ilegale dhe që kaluan nëpër dyert e burgjeve jugosllave, sikurse nuk qenkan vasalë të pushtuesit jugosllav, as të gjithë ata që i shërbyen atij. Pra, me një formulë të thjeshtë relativizimi, ai përpiqet që vasalitetin e tij ta paraqesë si atdhetarizëm, pasi sipas tij, ai, Demaçi dhe Kosumi, për të njëjtën çështje kontribuan në mënyra të ndryshme! Medet për zotërinjtë Demaçi e Kosumi, në ç’pozitë i ka vënë «patrioti» Vllasi ! Po ashtu, sipas tij, të gjithë veprimtarëve të dikurshëm ilegalë nuk u përkitka, siç tha «myhyri i patriotit» dhe kjo duhet të nënkuptojë edhe faktin se as të gjithë vasalëve nuk u përkitka myhyri i antipatriotit! Vasali me myhyr, Azem Vllasi, tha, shpiku dhe trilloi edhe gjëra të tjera, por një gjë besohet se e tha sinqerisht: se antijugosllav, nuk paska qenë kurrë.
Në qoftë se në radhët e shikuesve të Koha-vizionit do të ketë nostalgjikë të Jugosllavisë së Titos, ata do t’ia dinë shumë për nder këtij televizioni, që në mënyrë origjinale, përmes fytyrës dhe psikologjisë së personifikuesit më besnik të bijve të Titos, riktheu në emisionin e 5 janarit, pamjen e perënduar që moti të saj. Por, po ashtu, në qoftë se në radhët e shikuesve të Koha-vizionit do të ketë asi që titizmin e kanë përjetuar si robëri, emisioni i 5 janarit me këshilltarin Azem Vllasi, do t’ua ketë përkujtuar atyre, tmerret, vuajtjet dhe shtypjen e asaj kohe.
Në emisionin e 5 janarit në Koha-vizion, Azem Vllasi, veç tjerash, shpalosi edhe vizionin e tij për të ardhmen shtetërore të Kosovës, tashmë si këshilltar i Kryeministrisë. Ai tha se Kosovën e sheh jo si shtet kombëtar, por të qytetarëve, pra si shtet multietnik dhe jo me sovranitet absolut. Pra, kjo është abc-ja e konceptit të këtij këshilltari: a-ja është multietnicitetit, kurse zh-ja, sovraniteti joabsolut i Kosovës.
Emërimi i Azem Vllasit, në postin e këshilltarit të Kryeministrisë u bë fakt publik edhe nga mediat e shkruara. Më 5 janar të këtij viti, gazeta «Epoka e re» botoi një vështrim autorial, në formë të reagimit për emërimin e Vllasit këshilltar i Kryeministrisë. Autori i këtij vështrimi konfuz, sikur në mënyrë naive e cilëson këtë veprim si vendim të gabuar të Kryeministrisë, duke sugjeruar tërheqjen e tij dhe ndjesë para opinionit publik. Sikur naiviteti i autorit bëhet edhe më i madh, pasi sugjeron që për arsye të numëruara, në vend të Azemit të vëhet i biri, Ademi! Pra, jo babai, por i biri, ose jo macja, por kotelja! Megjithatë, i rëndësishëm është fakti se kyçja e një personi me histori të komprometuar për Kosovën, atje ku nuk duhet ta ketë vendin, nuk mund të mirëpritet dhe as të kalojë pa reagim, i cili sot mund të mos jetë shumë i madh, por nesër mund të mos jetë shumë i vogël.
Lidhur me “gabimin” e bërë nga institucioni i Kryeministrisë, duhet shtruar pyetja: Kush është Azem Vllasi dhe me ç’pamje e njeh shumica e opinionit në Kosovë?
Azem Vllasi, publikisht njihet si studenti i zhytur në ujërat e zeza të Shërbimit të Sigurimit Jugosllav, të cilat e qesin në sipërfaqe, pas demonstratave të studentëve të vitit 1968. Këto ujëra e shpiejnë atë deri në piedestalin e organizatës jugosllave të rinisë;
Azem Vllasi, publikisht njihet si etiketuesi i parë (siç e ka pranuar dikur vetë, me mburrje) i demonstratave popullore të vitit 1981, si ngjarje kundërrevolucionare, kurse i lëvizjes kombëtare të kohës, si irredentiste;
Azem Vllasi, pas demonstratave të vitit 1981, publikisht njihet si personifikuesi i fushatës së inkuizicionit kundër Universitetit të Prishtinës, kundër inteligjencisë dhe kulturës shqiptare në Kosovë;
Azem Vllasi, në vitet 80, publikisht njihet si zbatuesi i zellshëm i politikës antishqiptare të Beogradit, i cili në vallen antishqiptare ngatërroi hapat gjatë rreshtimit të domosdoshëm, me rastin e konfliktit ndërmjet ustallarëve Millosheviq e Stamboliq. Siç dihet, ky u rreshtua gabimisht, pas Ivan Stamboliqit, i cili humbi betejën;
Azem Vllasi, publikisht njihet si flamurtari i luftës propagandistike projugosllave kundër Shqipërisë, gjatë viteve 80;
Azem Vllasi, publikisht njihet si personi, nën patronatin e të cilit është rikonfirmuar Konferenca e Prizrenit e vitit 1945, mbi aneksimin serb të Kosovës, duke anuluar Rezolutën e Konferencës së Bujanit;
Azem Vllasi, publikisht njihet si personi që në vitet 80, në Kosovë e hoqi nga përdorimi flamurin shqiptar, i cili ishte fituar me gjak e sakrifica, në vitin 1968. Ai u bë autori i flamurit të ri të bastarduar, të përlyer me shenjën jugosllave, i cili u bë shkak i ndjekjes dhe arrestimit të shumë të rinjve shqiptarë;
Azem Vllasi, publikisht njihet si titisti më i zellshëm dhe më i përkushtuar në synimet për jugosllavizimin e Kosovës. Pas vdekjes së Titos, më 1980, ai ishte autori i propozimit të aprovuar për ndërrimin e emrit të qytetit të Mitrovicës, në Mitrovicë e Titos. Përgjysmimi i sotëm i këtij qyteti dhe pretendimi i Beogradit për serbizimin e tij, mbase mbështetet edhe mbi bazën e emërtimit të dikurshëm që simbolizon epiqendrën e Jugosllavisë;
Azem Vllasi, në kohën e Jugosllavisë titiste, publikisht njihet si afirmues i flaktë i të ashtuquajturit komb jugosllav (komb i tipit multietnik). Atëbotë dihej se përkatësinë e këtij kombi hibrid, e kishin marrë edhe shqiptarët e orientimit projugosllav të Azem Vllasit;
Duke marrë parasysh faktet e numëruara, vendimi i Kryeministrisë për ta emëruar Azem Vllasin këshilltar të vet politik, nuk mund të mos jetë veprim i paramenduar mirë dhe hollësisht. Ai nuk besohet të jetë vetëm rezultat i provincializmit, apo i prirjes lokaliste, ndonëse provincializmi dhe lokalizmi janë karakteristika të dukshme të institucioneve të Kosovës; Ky vendim nuk besohet të jetë vetëm rezultat i familjarizmit, ndonëse familjarizmi është sëmundje kronike e institucioneve të Kosovës; Ky vendim nuk besohet të jetë vetëm rezultat i interesave politike personale apo grupore, megjithëse me interesat e tilla janë të ndërthurura institucionet e Kosovës; Mirëpo, dyshohet me shumë bindje se ky vendim është simbolikë e qartë ogurzezë për Kosovën. Kjo simbolikë është refleksioni i formulës së standardizuar kaherë nga i ashtuquajturi Grup i Kontaktit, e cila garanton se Kosova nuk mund të kthehet në pozitën para vitit 1999, por nuk garanton se ajo nuk do të mund të kthehet në pozitën para vitit 1989. Është fare e natyrshme të pretendohet që kthimit të Kosovës në këtë status t‘i paraprijë kthimi i protagonistëve të tij, sikurse që është fare i kuptueshëm fakti se në këtë pozitë politike, Kosova nuk do të mund të kthehej duke angazhuar forcat dhe figurat e vendosura kombëtare, të cilat e kanë kundërshtuar atë.
Këshilltari Azem Vllasi është sinonimi i Kosovës autonomiste të para vitit 1989. Ai është sinonimi i Kosovës multietnike, sinonimi i kombit multietnik kosovar, sinonimi i simboleve të bastarduara kombëtare, sinonimi i zhvlerësuesit të vendimeve historike e të vlerave të luftës së shqiptarëve për liri kombëtare dhe në fund, sinonimi i vasalitetit të neveritshëm. Prandaj, angazhimi i tij në piramidën e njerëzve që do të japin këshillat orientuese për Kryeministrinë, nuk paraqet komprometimin e tij, por të vetë kësaj Kryeministrie. Me vendimin e saj, ajo ka dëshmuar gatishmërinë për të përmbushur objektivin e projektuar jo nga Kosova, që asaj t’i rikthehet imazhi i “kohës së artë” të Kushtetutës së vitit 1974. Ky imazh, sot te opinioni i Kosovës reflektohet përmes figurave të këshilltarëve të Kryeministrisë. Nezir Myrtaj
Kontrolloni gjithashtu
Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se SHBA-të po luajnë me zjarrin
Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë me …