leoni

Një segment i pjesëtarëve të SHPK-së ndëshkon kërkesën për vetëvendosje

Sulmi brutal i disa pjesëtarëve të stacionit policor të Shtimes kundër aktivistëve të lëvizjes Vetëvendosja, sulmi po ashtu brutal që ndodhi dje në Prizren kundër aktivistëve të Vetëvendosjes, nxori në sipërfaqe disponimin e disa policëve sidomos kundër aktivistëve të caktuar të kësaj lëvizjeje.
Ndërhyrja brutale e policëve, rrahja mizore dhe sjelljet tipike policore, banditeske, para opinionit tonë nxjerrin në sipërfaqe një segment të dhunshëm në kuadër të policisë së Kosovës, i cili në saje të veprimeve tregon se është po ai që ka qenë dikur, dhe për më tepër mund të jetë në lidhje me shërbimet sekrete serbe në Kosovë. Veprimtarinë dhe prezencën e këtyre shërbimeve dhe shumë shërbimeve të tjera të fshehta e kanë pranuar edhe zyrtarët e UNMIK-ut.
Ndryshe, cili është ai polic shqiptar, që ka gjak shqiptari, që mendon me kokën e tij ( nëse policëve të tillë iu lejohet të mendojnë me kokat e tyre), cili është ai që do ta rrihte, apo edhe do ta vriste demonstruesin, po ashtu shqiptar, që afishon një parullë për vetëvendosje. Dihet cilët kanë qenë ata që kanë rrahur madje edhe kanë vrarë shqiptarë liridashës në të kaluarën, sepse kanë demonstruar kërkesat për vetëvendosje, liri e pavarësi.
Segmenti i SHPK-së, i cili nuk i ka shkëputur lidhjet me Shërbimin Sekret serb, segmenti që ka marrë pjesë dhe ka përkrahur në të kaluarën, dhe i cili përkrah aktualisht shtypjen e shqiptarëve liridashës, është prezent edhe në SHPK, madje edhe në strukturat e tjera të sigurisë, sidomos në disa komuna të Kosovës. Aktivistët e Vetëvendosjes nuk kanë probleme me policinë në Drenas, në Skenderaj apo në Malishevë, por kanë probleme me policinë e Prizrenit, të Lypjanit të Shtimes e të disa qendrave të tjera të Kosovës. Besnikëria që po tregon ky segment i pjesëtarëve të SHPK-së për të rrahur aktivistët e vetëvendosjes, e nesër edhe për të vrarë ata me armë zjarri, na bën të mendojmë me thellë se kujt ia kemi besuar këtë forcë mbrojtëse, dhe cila është në të vërtetë kjo farë policie multi etnike, e cila nuk guxon as edhe te afrohet te fshatrat serbe të mbushura me kriminelë, por tregohet trime për të rrahur dhe për të sakatosur nxënës dhe studentë shqiptarë.
Disa pjesëtarë të SHPK-së në Shtime po na rikthejnë në kujtesë vitet e shkuara, vitet kur saktoseshin demonstruesit shqiptarë nga milicët e Titos, të Rankoviqit, të Mehmet Maliqit e të Milosheviqit. Skenat e tilla, në Prizren Prishtinë, Shtime, Ferizaj, Lipjan, Besianë do të duhej të preknin pak ndërgjegjen e kreut politik shqiptarë, sidomos të atyre që konsiderojnë se kanë dalë nga radhët e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata, në mos më shumë të duhej të interesoheshin dhe të pyesnin se kush dhe përse po i rrah afishuesit e vetëvendosjes, dhe do të duhej t iu vinte turp para vetvetes kur dëgjojnë për akte të tilla të dhunës, të cilën po e ushtrojnë disa pjesëtarë të SHPK-së multietnike.
Rrahja brutale, barbare, e afishuesve të vetëvendosjes, cilido qofshin ata, lë për të kuptuar dhe për t’u bindur se fjala vetëvendosje sanksionohet me ligjet ekzistuese të UNMIK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës, sepse afishuesi merr dajak, e burg, ashtu sikurse vepronte regjimi okupator serb kundër shqiptarëve liridashës në vitet ‘80 ’90, kur ata shkruan nëpër rrugë dhe në muret e ndërtesave kërkesën, Kosova Republikë.
Lëvizja Vetëvendosja tashmë e ka fituar betejën e parë, sepse ka provokuar esencën e problemit dhe ka nxjerrë në sipërfaqe segmentet, që janë kundër lirisë, kundër vetëvendosjes dhe pavarësisë së Kosovës. Pavarësisht se sa është goditur fizikisht dhe sa do të vazhdojë të goditet edhe më tej, Lëvizja do të përfitojë shtresat e revoltuara në Kosovë, dhe do të vazhdojë të sfidojë jo vetëm partitë politike, të cilat janë fajtore për stagnimin e proceseve drejt pavarësisë, por edhe administratën ndërkombëtare, e cila e ndodhur para provokimeve të kësaj natyre, do të detyrohet t’ iu tregojë haptas shqiptarëve se nuk bën të kërkojnë vetëvendosje, ashtu sikurse kohë më parë sekretari i NATO-s, gjenerali Skefer, kërkoi nga liderët e vendit tonë që ta anashkalojnë nga fjalori i tyre fjalën pavarësi.
Afati për fillimin e bisedimeve lidhur me përkufizimin e statusit të Kosovës, po përcillet me dhunën brutale të policisë kundër afishuesve shqiptarë të vetëvendosjes. Sa më shumë që po afron koha për të hapur çështjen e përcaktimit të statusit, aq më e rënduar dhe e ndërlikuar po bëhet situata e sigurisë. Vetëvendosja nuk ka alternativë. Në të kundërtën na pret një sfidë tejet e rrezikshme, të cilët duhet ta mendojnë mirë autoritetet vendore dhe ndërkombëtare.A.Q

Kontrolloni gjithashtu

Miliarderi amerikan, Elon Musk ka njoftuar ‘Starlink’ është funksional edhe në Kosovë

Miliarderi amerikan, Elon Musk ka njoftuar se rrjeti i tij privat satelitor i internet, Starlink, …