Daut Gumeni: Një vizitë elektorale me synime territoriale

 


Mediat vendase proqeveritare e ndoqën me entuziazmin e njohur vizitën e Kryeministrit grek këtë mbarim prilli në Tiranë. Dhe entuziazmi i tyre për sukseset e pushtetarëve aktualë ishte duke u kthyer gati në gëzim popullor, po të mos dilnin në fund të vizitës disa gjëra të paqarta e të pakëndshme, ndoshta jo vetëm për palën pritëse…
Dhe paqartësitë e kësaj vizite, të suksesshme vetëm për palën mike, nuk janë të vogla. Së pari, media greke nuk merret vesh mirë se përse e quajti nënshkrimin e marrëveshjes për caktimin e kufijve detarë midis dy vendeve si “arritje strategjike” për interesat greke, kur aty u fol gjithë ditën e Zotit vetëm për miqësi të madhe e për marrëdhënie të shkëlqyera midis dy vendeve, dy qeverive dhe në fund, por jo e fundit për nga rëndësia, midis dy partive të djathta në pushtet, fatmirësisht në të dyja vendet tona…
Paqartësitë nisin me atë gëzim të papërmbajtur të medieve greke për “arritjen strategjike” të vizitës së Kryeministrit të tyre në Tiranë dhe vijojnë me një mori “suksesesh” të pushtetarëve mikpritës:
– Si u zgjidh problemi i të drejtave të pamohueshme të popullsisë çame, që Kryeministri i djathtë mikpritës na deklaroi haptazi e pa asnjë sqarim tjetër se “midis vendeve tona nuk kemi asnjë problem të pazgjidhur”?
– Në këmbim të varrezave të ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore, varreza të bukura që qeveria jonë i lejoi pa u ndjerë as kur deshën t‘i mbushnin me eshtrat e fshatarëve të Kosinës, pse nuk u bisedua dot për një varrezë të madhe, po aq të bukur në Paramithi për viktimat e pafajshme të pastrimit etnik të ushtruar ndaj shqiptarëve në vatrat e tyre e jo në tokë të huaj?
– Kryeministri mik gati sa nuk kërcënoi me të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, që tani nuk është më një urë e thjeshtë, por një nyje lidhëse (këtu ka njëfarë paqartësie nëse përdoret dhe minoriteti për të lidhur apo mos është fjalë që diçka ka lidhur me kohë). Dhe miku i madh bëri mirë që i kërkoi deri në një të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, po mikpritësit pse nuk u kujtuan fare të kërkojnë të njëjtat të drejta edhe për pakicën shqiptare që jeton në Greqi e që nuk është aq e paktë sa të harrohet aq lehtë? Mjafton të kujtojmë që vetëm në rrethinat e Selanikut jeton një pakicë shqiptare e barabartë me numrin e minoritetit grek në të gjithë Shqipërinë. Pse të mos kërkonin të drejtat e tyre pushtetarët tanë, mirë emrin çam që nuk e zënë dot në gojë në prani të mikut të madh? Këto të drejta mund t‘i falen kur i harron Partia për të Drejtat e Njeriut, e cila ka dy dekada të mira që i bën qeveritë e Tiranës të futen në vrimë të miut, por jo një qeveri shqiptare, dreqi ta hajë! Aq më tepër, qeveria e një partie të djathtë që shefi i saj e krahason gjithë emocion vetëm me Partinë Komuniste të Kinës motër(!)…
– Kemi ngritur shkolla greke edhe për dy nxënës të vetëm në një skërkë mali dhe kemi bërë shumë mirë, po pse të mos i kërkojmë dhe Kryeministrit mik të një vendi anëtar të BE-së që të garantojë po të njëjtat të drejta edhe për fëmijët shqiptarë, që jetojnë në Greqinë e tij me demokraci të zhvilluar?
– Pse nuk pranuan asnjë pyetje nga gazetarët kryeministrat në konferencën e tyre të shtypit? Qe vetëm sa për t‘i mësuar dhe mikut një përvojë të pushtetarëve tanë, që dhe kur i pyet të përgjigjen për atë që duan vetë e jo për pyetjen që u bëhet, apo nguteshin për të mbuluar mirë suksesin e vizitës historike?
– Dhe në fund, çfarë qe më shumë kjo vizitë e Kryeministrit të vendit fqinj, thjesht zyrtare, historike, elektorale apo mos pati gjë edhe suksese territoriale? Për këtë duhet të njihesh me marrëveshjen, që të flasësh saktë, po si të mos dyshohet për një marrëveshje që merret vesh nga qytetarët e këtij vendi vetëm kur nënshkruhet? Mirë populli që nuk ka pse të pyetet se na qenka “budalla” (sipas pushtetarëve tanë), po Parlamenti kur do ta marrë vesh se ç‘është ajo marrëveshje? Sepse pushtetarët e të gjitha bojërave mund të lidhin marrëveshje sa të duan, por dikur duhet ta paraqitin në Parlament dhe aty nuk dihet si dalin punët. Ja sot paskemi një Parlament që vihet në rresht me një shenjë të brigadierit, po mund të kemi më pas dhe parlamente që nuk bëjnë dot rreshtore.
Dhe atëherë do të merren vesh dhe këto lloj marrëveshjesh elektorale apo territoriale dhe sukseset e këtyre lloj vizitave, që nuk pranojnë as pyetjet nga gazetarët. Sepse edhe Kryeministri mik edhe mikpritësi duket që një hall kishin në këtë vizitë: si të ndihmojnë njëri-tjetrin për të ruajtur sa më gjatë pushtetin në këto kohë fushate? Ndryshe nuk kishte pse Kryeministri aktual shqiptar të mohonte të drejtat e pamohueshme të shqiptarëve të Çamërisë, vetëm për dy a tri vota të PBDNJ-së, kur po aq vota mund t‘i sigurojë edhe nga partia e çamëve dhe shoqata “Çamëria”. Duket që i duhet mbështetja pa rezerva e homologut grek për të mbajtur pushtetin e konsumuar me atë rrëmbimin që e karakterizon për t‘i prishur punë dhe pushtetit të tij. Nuk është zgjidhje as e drejtë e as e urtë e problemeve mohimi i vetë problemeve. Teshat e palara të politikës së mykur të së shkuarës ballkanike nuk fshihen nën tryezën e bisedimeve kur të vjen miku. Nuk fshihen se dhe miku bën kot sikur nuk i sheh, por nuk fshihen edhe pse marrin erë të keqe. Dhe era e keqe e problemeve të fshehura i bën njerëzit të ndiejnë atë erë të keqe edhe për marrëveshjet e tjera që bëhen po aq fshehurazi. Në një kohë që punët publike nuk mund të fshihen nga sytë e publikut, sepse janë kryesisht punë e tyre dhe jo pronë e pushtetarëve, ajo erë e keqe bëhet më e padurueshme. Aq më shumë kur bëhet fjalë për sovranitetin territorial të shtetit të tyre. Aq më keq kur dalin dhe komandantët tanë ushtarakë duke na treguar përralla mbi harta greke(!). Komandantët ushtarakë nuk mund të na mbushin mendjen se në marrëveshjen për caktimin e kufijve të detit territorial në zonën e Jonit është ndjekur rreptësisht parimi ndërkombëtar i përgjysmores, kur sipërfaqet në të dyja anët e vijës së marrëveshjes nuk ndjekin parimin përkatës të së drejtës ndërkombëtare, por ndjekin përpjesëtimin në raport të drejtë me popullsinë e dy vendeve kufitare..
Për të mos folur pastaj që një vend anëtar i NATO-s, kur deti i tij territorial kufizohet me më tepër se një shtet tjetër, duhet doemos të merret vesh paraprakisht me të gjitha palët. Se nuk janë të gjithë vulëhumbur si puna jonë e nuk i mohojnë interesat e tyre kombëtare për hir të një palo pushteti të kalbur nga korrupsioni i pushtetarëve të të gjitha bojërave, sëmundje që ka pllakosur prej vitesh këtë kasollen tonë, por sikur ka molepsur ca edhe pushtetin e mikut me hall të madh elektoral…Prandaj, ushtarakët tanë të nderuar duhet të kryejnë detyrën pa shkelur ligjet, që pastaj të mos kenë nevojë të na bëjnë “të pafajshmin” dhe aq më pak të kërkojnë pensionet e NATO-s në një vend ku minatorët nuk blejnë dot as bukën e ku pasuria kombëtare dhurohet nga pushtetarët si mall i babës dhe ata që e kanë vënë me mundime nuk pyeten fare po mbeten me gisht në gojë….
Mbase nuk përfshihen këtu të gjitha ato paqartësi që la prapa vizita e fundit e kryeministrit grek në Tiranë, por një gjë na e thanë qartë të dyja palët: Mos u përpiqni të merrni vesh se çfarë bën politika jonë “e madhe” në këto kohë fushate në të dyja vendet mike. Marrëveshjet i bën pushteti dhe i kupton po vetë pushteti, qoftë dhe kur kthehen nga elektorale në territoriale… Madje edhe kur harrohen të drejtat e një popullsie të tërë, së cilës i mohohet dhe gjuha e nënës e dhe prona stërgjyshore….
Po qe ky suksesi i vizitës së fundit të Kryeministrit grek në Tiranë, duhet të bashkojmë zërin të gjithë tok e t‘u themi pushtetarëve të të dyja vendeve se miqësinë e vërtetë e të natyrshme e dëshirojnë popujt dhe jo pushtetarët. Miqësia e vërtetë bazohet në respektimin e interesave jetike të njëri-tjetrit e jo në mohimin e interesave të tua kombëtare për t‘i bërë qejfin mikut në emër të pushtetit. Miqësia e natyrshme me interesa të respektuar e të drejtpeshuar është miqësi mes popujsh dhe prandaj është miqësi jetëgjatë. As vetë meraklinjtë e pushtetit në Tiranë e në Athinë nuk fitojnë dot me vizita elektorale, me marrëveshje nënshtruese dhe me mohimin e të drejtave të njërës palë. Mohimi i të drejtave dhe interesave jetike të njërës palë, nuk është aspak politikë e kohës, por është thjesht një hile e vjetër që bie erë myku ballkanik. Me këto lloj marrëveshjesh nuk fiton vërtet as miku, që i gëzohet hilesë së vjetër, dhe as mikpritësi, që mohon një pjesë të popullit të tij. Sepse kurrë nuk fiton ai që mohon vetveten. ( Gazeta “Shqip”)

Kontrolloni gjithashtu

Kur Kina të zgjohet … bota do të dridhet II

Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se SHBA-të po luajnë me zjarrin

Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë me …