Mexhid YVEJSI: BABA QAZIM BAKALLI (1895-1981)

 


Gjakova, si qytet, sipas traditës, u themelua me Emrin e Zotit, ose siç thotë populli me Bismilah! Objekti i parë kryesor është Xhamia e Hadumit, ndërtuar me 1594, e cila e mban emrin e themeluesit, Hadum Aga ose Sylejman Efendiu, nga rrethi i Gjakovës, prej fisit Thaç.
Me ndërtimin e Xhamisë së Hadumit, njëkohësisht, qenë ndërtuar edhe hani (bujtinë) një hamam, disa shtëpi, kulla, me dyqane përreth. Kjo ishte bërthama e qytetit e cila më vonë u zhvillua në një çarshi madhështore, e cila njihet edhe sot me emrin Çarshia e Madhe.
Çarshia e Madhe, me të gjitha objektet e para, si Xhamia e Hadumit, hani, hamami, shtëpitë, kullat, dyqanet, sipas traditës gojore, u ndërtuan në fushën e Jak Vulës, prej nga rrjedh edhe emërtimi i qytetit Jakovë (Fusha e Jakut).
Me këtë emër, Jakova, përmendet nga udhëpërshkruesi i madh turk, Evlija Çelebiu, i cili e vizitoi Gjakovën në vitin 1662, ku ndër të tjera shkruan: “Gjakova ka dymijë shtëpi të stolisura që ndodhen mbi një fushë të gjerë. Ka dy xhami të bukura, mesxhide (xhami të vogla), hane të mbuluara me plumb. Ka hamam të bukur që të kënaqë zemrën dhe nja treqind dyqane të ndryshme, të mbushura me mallra…Meqë e ka klimën e këndshme, banorët janë të bukur dhe të dashur”.
Më shumë se dyqind vjet pas Evlia Çelebiut, për Gjakovën shkruan dijetari, atdhetari dhe ideologu kryesor i Zgjimit Kombëtar, Sami Bej Frashëri (1850-1904), në kryeveprën e tij të njohur me emrin: Kamus-al-A’alam, fjalori enciklopedik historik-gjeografik, i cili u botua në gjashtë vëllime në Stamboll, ndërmjet viteve 1889-1898, ku për Gjakovën shkruhet në faqen 4787, të vëllimit të gjashtë:
“Gjakova ka 16 xhami, dy medrese, një shkollë ruzhdie dhe disa mektebe; ka bibliotekë, kishë dhe mekteb të veçantë për katolikë e ortodoksë. Ka afro 1000 dyqane, ka bujtina e banjo publike (hamame). Popullsia e Gjakovës është e njohur për ruajtjen e traditave dhe kanë prirje për tregti e zejtari. Është popull guximtar dhe i aftë për armë. Nga gjiri i këtij qyteti ka pasur gjithmonë dijetarë të dëgjuar e myderrizë…”.
Këtë traditë të ndritshme, siç shkruan Sami Bej Frashëri para një shekulli, se “nga gjiri i këtij qyteti ka pasur gjithmonë dijetarë të dëgjuar e myderrizë”, Gjakova e vazhdoi edhe për një shekull, duke nxjerrë dijetarë të shquar e myderrizë, me ndjenja të fuqishme fetare-kombëtare, që i bënë shërbime të mëdha fesë, kombit dhe atdheut…
Njëri prej këtyre dijetarëve të shquar të Gjakovës është Baba Qazim Bakalli.
Baba Qazim Bakalli, nga familja e njohur e Bakallëve, që i përket fisit Thaç, lindi në Gjakovë, në vitin 1895. Në mekteb ruzhdie të Gjakovës ndoqi mësimet e para, për t’i vazhduar me 1909 në Shkup, në shkollën e njohur “Darul Mualiminë”, ku kishte edhe nxënës të tjerë nga Gjakova, si Ibrahim Fehmiu, Beqir Maloku, Sadik Brovina etj…
Shërbimi:
Qazim Bakalli, në fillim, kur Austria e përzuri Serbinë, më 1915-1918, shërbeu si mësues në Gjakovë. Kur Serbia e ripushtoi Kosovën me 1918, Qazim Bakalli, si shumë intelektualë, atdhetarë të tjerë të Gjakovës, doli në Shqipëri.
Aty, në Shqipëri, shërbeu si mësues në Lumë, si nëpunës në Bytyç, e herë si sekretar. Më vonë u dorëzua në tarikatin Bektashi në Fushë Krujë, ku u vesh dervish nga Haxhi Mehmed Babai. Ka shërbyer si dervish edhe në teqen e Elbasanit.
Nga Kryegjyshata e Tiranës, me vendim të Sali Nijazi Dedeit, udhëheqës i bektashinjve, në vitin 1940 emërohet në Tetovë si Baba, në teqen historike “Harabati Baba Teqe”, që kishte një traditë të shkëlqyer.
Mbas arrestimit që i bëhet në Tiranë dhe hetimeve të gjata që i bëhen në Shkup, me 1947, Baba Qazim Bakalli kthehet në vendlindje, në Gjakovë, ku shërben në Teqenë Bektashiane të Gjakovës deri sa ndërroi jetë më 15 shkurt 1981.

Baba Qazim Bakalli, siç ishin parardhësit si Baba Hamëz (1882-1952) dhe Baba Haxhi Adem Babai (1841-1927), ishte njeri i ditur, i kulturuar, merrej edhe me shkrime dhe përkthime, kishte ndjenja të fuqishme atdhetare. Në Teqen Bektashiane të Gjakovës, ku ata shërbenin, kishte edhe bibliotekë të pasur me libra e dorëshkrime, të grumbulluara ndër shekuj, por që u dogj bashkë me teqen e tyrben në pranverën e përgjakur 1999, nga forcat policore-paramilitare-barbare serbe…
Një dorëshkrim, përkthim nga persishtja, nga Baba Qazim Bakalli, kishte shpëtue për mrekulli në shtëpinë e shkrimtarit, përkthyesit, kritikut letrar, Vehap Shita, nga Gjakova, por me banim në Prishtinë, të cilin e kishin groposur në oborrin e shtëpisë, gjatë luftës së vitit 1999, dhe nga ky dorëshkrim i Babës Qazim, sot kemi librin: “Divani i Shemsi Tabrizit”, përkthye nga persishtja nga Baba Qazim Bakalli.
Ky libër u botue në Tiranë, 2007, nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane në bashkëpunim me Fondacionin Kulturor “Saadi Shirazi” në Tiranë, nën përkujdesjen e poetit të njohur, Xhevahir Spahiu.
Libri në fjalë, përkthye nga Baba Qazim Bakalli, rreth 50 vjetë më parë, përmban poezi të zgjedhura nga Divani i Shemsi Tabrizit, shkruar nga Mevlana Xhelaledin Rumiu dhe u promovue në sallën e promovimeve të Panairit të Librit në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë, që pati jehonë të gjërë në shtypin shqiptar…
Sot, në shenjë nderimi e kujtimi, në Gjakovë, një rrugë e qytetit e ka marrë emrin e Baba Qazim Bakallit…

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Albin Kurti mendon se mërgimtarët e kanë ngatërruar regjistrimin e popullsisë me regjistrimin për votim

Kryeministri, Albin Kurti i ka bërë thirrje mërgatës që të regjistrohen për të votuar në …