Hilë Lushaku: GJUHA

 


Pasqyrimi i diagnozave të shoqërisë shqiptare të fundshekullit XX-ndihmesë për diagnostifikimin e shoqërisë në trojet shqiptare sot

Asnjë shqisë nuk ka ligj të posaçëm për t’u mbrojtur siç e ka gjuha. Asgjëkundi nuk shkruhet dhe as ligjërohet se ekziston e drejta për të shikuar, për të shijuar, për të nuhatur, për të kafshuar, për të dëgjuar apo për të puthur. Ndryshe ndodh me gjuhën, me mjetin që nxjerr fjalët, kodet e të shprehurit. (Në vazhdim gjuha do të kuptohet fjala).
Në dokumentet për liritë themelore dhe të drejtat e njeriut është sanksionuar se ”Nuk mund të nxirret asnjë ligj që të kufizojë paraprakisht lirinë e fjalës”, ndërsa në nenin 22 të Kushtetutes së Republikës së Shqipërisë sanksionohet se ”Liria e shprehjes është e garantuar”…
Liria e fjalës, liria e garantuar e shprehjes janë të drejta legjitime, që i përkasin vetëm gjuhës (së folur ose të shkruar). Për këtë arsye, gjuha mbron dhe respekton vetën vetëm e bazuar në ligj. Zhvillimet e viteve të fundit në vend shtrojnë me të drejtë pyetjen:

Sa e respekton gjuha ligjin dhe sa e mbron ligji gjuhën në Shqipëri?

Në kohën e monizmit mbrohej teorikisht me ligj fjala e lirë në thënien demagogjike: “Cilido pa frikë dhe me shkronja të mëdha të shkruajë se çfarë mendon ai për punën dhe për njerëzit”.
Në të vërtetë per fjalën e “lire” dhe të “deshiruar” për të folur në ato vite flasin “të humburit e pushkatuar dhe pa varre”, të burgosurit e panumërt; të internuarit e syrgjynosur në këneta dhe në zona të thella malore etj; të dërguarit për riedukim nga shtresa e intelektualëve në gjirin e klasës punëtore, etj.
Gjuhën “e lirë” dhe të “mbrojtur” të asaj periudhe e mbajnë mend mirë nënat që humbën djemt guximtarë e idealistë për një jetë më të mirë; e kujtojnë gratë gjoksthara që mbeten pa burra të cilët folën fjalë të lira në radhët e qumështit në orët e para të pasmesnatës; etj.
Gjuha e asaj kohe, si do që ishte, e respektoi ligjin e kohës, e çimentoi të drejtën e tij dhe shumë here abuzoi me këtë emër.
Pati shumë njerëz që abuzuan me gjuhën duke u shndërruar në magnetofonë të tellallëve të “Nënëmadhes Parti”.
Oratoria politike moralizuese, me fjalorin monoton të gjuhës së klasës punëtore, ishte gjuha që kultivohej nga fëmija një muajsh në kopësht e deri tek te moshuarit e ” Shqipërisë që s’ka pleqëri”.
Abuzimin më të madh po e bën gjuha e papagallëve të sotëm për atë periudhë të përgjakur e të squllur nga djersa e mundimeve të prindërve, vëllezërve dhe motrave tona. Gjuha e ndershme e të gjallëve të atyre kohrave ka obligimin dhe detyrimin më të madh moral e atdhetar për të përjetuar në disqe, në celuloid, në letra të shkruara apo në magnetofonë, të vërtetën qindravjeçare të jetuar prej shqiptarëve, larg pasioneve, por për t’i shërbyer historisë së dhimbshme të bijve të shqipes, bashkimit dhe vëllazërimit të njerëzve të një gjaku dhe të një gjuhe.
I ashtuquajturi “pluralizëm” e “pluripartizëm”, e ashtuquajtura “demokraci perëndimore” në Shqipëri, u duk se do të vendoste raporte të reja ndërmjet gjuhës dhe ligjit, ndërmjet fjalës dhe mendimit, etj.
Ekziston një fakt i vërtetë se sot flasin të gjithë, flasin për çdo gjë, flasin për secilin, madje edhe shajnë, kritikojnë çmendurisht pa kurrfarë frike dhe etike. Të gjithë duket sikur kërkojnë shtetin ligjor, çirren e grihen për ligjin, ankohen përse nuk zbatohen ligjet për rendin, qetësinë, pronën, mbrojtjen e jetës, të drejtën e fjalës, e të tjera e të tjera.

Por sa të verteta thotë dhe sa të drejtë ka gjuha e sotme?

Sa e respekton fjala e lirë ligjin dhe sa ndihmon fjala e garantuar zbatimin e ligjit dhe respektimin e së drejtës së fjalës?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë përjetuar me dhimbje në këtë dekadë të fundshekullit të njëzetë.
Gjuha dehëse e fillimit të dhjetëvjeçarit të fundit shpalosi bujshëm me terma të varakosura pranverën e shumëndërruar për shqiptarët, aq sa teoria e “nivelit zero” i nxiti ata të veprojnë me metodën e aksionit për të përmbysur e shkatërruar gjithçka të bërë për pesë dekada. Kjo bëri të fshihen nga kujtesa e nga fjalori i gjuhës shqipe fjalët “morri e mushkonja, malarja e tuberkulozi, këneta e pylli, analfabetizmi e padituria, varfëria e skamja, penda e qeve dhe traktori i parë, rrugët e kafshëve e dhiaret, kasollet me baltë e stanet, etj”…
Gjuha propagandistike droguese i errësoi sytë e shkatërrimtarëve, skllevër të fjalës demagogjike, përpara gllabëronjësve të ekonomisë kombëtare, që me metoda monstruoze përvetesuan dhe vodhën mundin e të gjithë popullit dhe me gjuhë xhambazësh filluan të mburren si klasa e re kapitaliste, e krijuar dhe e fuqizuar vetëm për pesë-gjashtë vjet.
Gjuha e avokatëve të krimit mori në mbrojtje vrasësit.
Gjuha e prokurorëve artikuloi nene me dënime minimale, ndërsa gjuha e gjykatësve nuk dha vendosmërisht vendime të sakta në emër të popullit.
Gjuha e pushtetarëve gjeti emërues të përbashkët me kontrabandistët e naftës, të cigareve, kafesë e pijeve alkoolike, etj.
Gjuha e punës u zëvëndësua nga fjalët vjedhje, grabitje nga persona të armatosur e me maska, gjobë me letra, rrëmbime personi me qëllime përfitimi.
Gjuha e etikës qytetare u zëvëndësua nga gjuha luftarake e luftës partiake.
Gjuha e diversitetit politik krijoi fjalorin e fyerjes në shtyp.
Gjuha e pajtimit dhe mirëkuptimit të krijesave njerëzore u shndërrua në gjuhë horrash e rrugaçësh që tregojnë grushtet dhe kërleshin leshrat e yndyrosura prej djersës e pluhurit të squllur nga avujt e lokaleve.
Gjuha e zgjidhjes ligjore të konflikteve sociale, e halleve dhe shqetësimeve të po
pullit, u zëvëndësua nga gjuha e vetëgjykimit.
Gjuha e së drejtës u mbyt nga gjuhëgjatët, kurse gjuha e kërkesave të ligjshme u shurdhua nga ulurimat e gjuhëujqërve që shqyejnë e hanë me britma vetëm për vete.
Gjuha e ndihmës dhe e vëllazërimit u harrua dhe u shfaq gjuha e “gabit”, që do të thotë gjuha e lypsarit, e dorështririt para të kamurit vendas , dikur barktharë, dhe të huajt që ka ardhur vetëm për “të falur”.
Gjuha e nderit të kombit, gjuha e amaneteve të dëshmorëve të atdheut, gjuha e heronjve të punës, gjuha e historisë së popullit, gjuha e demokratëve idealistëve u pluhuros nga gjuha tymnajë e megallomanëve gjuhë-kashtëtharë.
Gjuha e zotimeve të dikurshme, për realizime planesh e pritje me triumfalizëm të festave kombëtare u përdor për komedi dhe estradë. Në vend të saj lulëzoi gjuha e premtimeve të qeveritarëve, gjuha e deklarimeve pompoze e triumfaliste për takimet me njërin a me tjetrin personalitet të huaj që do t’i akordonte Shqipërisë ndihmë “tej dhe këtej “.
Gjuha e respektuar e njerëzve të mendjes e të penës, gjuha e pasur dhe e pastër e popullit, gjuha e artistëve, etj. u spostuan nga uragani i gjuhës së politikanëve dhe shtetarëve mendjeshterpë, që e privatizuan gjuhën dhe ekranin e televizionit, duke përdorur gjuhën e tyre klanore, partiake apo gjuhën e fajdexhiut e të bisnesmenit politik.
Gjuha që nuk i bëri serenata gjuhës së shtetit “shtet ”, u gjymtua, u ndëshkua, u dënua, u poshtërua, madje u përgatiten premisa për ta bërë edhe të harruar.
Gjuha që tingelloi me sarkazëm për të mbrojtur shtatin e ”Nënës Shqipëri” nga çjerrja e shqyerja e veshjes së shtatit dhe që lakuriqësoi politikat zhveshëse të gjuhës së hijenave dhe të “ligjit e të Maliqit” u ndëshkua barbarisht nga gjuha predikuese ”mos bëj siç bëj unë, por bëj ç’farë të them unë “.
Gjuha e gazetarëve që kritikoi shtetin u penalizua dhe u izolua. “Gojët e gjuhëshkruarëve” (kupto redaksitë), që artikulonin pakënaqesitë, u shkrumbuan nga zjarri i zjarrëvënësve që vepronin me ndjenjën e inkuizitorëve.
Gjuha e folur u ndëshkua me dhunë, kurse gjuhëtarët u ndëshkuan me burg. Gjuha ” kryeneçe ” u gjakos për t’u treguar gjuhëve të tjera se gjuha e gjatë shkurtohet kur nxirret jashte gojës.
Dy(pa)fytyrësia në gjuhën e politikanëve dhe të pushtetarëve është tipari më negativ i fjalës shqipe në këtë fund shekulli. Ndryshe flitet paradite, ndryshe bëhet koment pasdite. U premtua çeku i bardhë, u fol për zhvillim galopant, për ekonomi tregu, u zbukuruan fjalët me thirrjet “e duam Shqipërinë si Evropa”, “jemi në Evropë”, “Shqipëria është në Perëndim”, “në qeverisim, bota na ndihmon”, “do të shkojmë e do të vijmë lirisht në të gjithë botën”, etj., por ndryshe tha dhe ndryshe bëri gjuha e disa shqiptarëve.
Gjuha e holluar nga propaganda dhe premtimet elektorale mori formën e gjuhës së dhelprës dhe ropi me lëvdata edhe pjesën e të ndenjurave të shqiptarëve që u dehën me premtime dhe ëndrra princeshash lëkurëbuta.
Gjuha e popullit të hedhur në pistën e konkurencës filloi ndeshjen me gjuhën e padronëve të ankandeve.
Gjuha e ndrojtur dhe e turpit shpërtheu si rrënjët e gramit dhe artikuloi si hithra “s’kam asnjë te ardhur” , “dua asistencë “, “dua pune “, ” kam fëmijët pa bukë “. Gjuha e lypsarëve ngjalli sinfoninë e gjuhës dhimbëse që lyp “m’fal ndonjë send zotni”, “fali fukarait, fali sakatit, më fal dy lek hej ta çoftë zoti shëndet për kalamajtë”, “ma jep edhe kësaj rradhe buken me liste, se pres do lek prej vajzës që e kam me punë në Itali “, “më jep …., me fal…, jam lypës”.
Gjuha e “të aftëve” zgjidhi torbën e fjalorit të pronës dhe foli me tone urdhëruese për të realizuar reciprocitetin “ta jap, por më jep kaq… “, ” të takon prona por duhet të më japësh pjesën”,” bëje se e rregullojmë këtë punë bashkë”, etj.
Fjala “bisnes”, gjuha “fajde”, gjuha “kredi”, gjuha konkurencë e lirë pasuroi fjalorin e shqipes dhe mbushi xhepat e bosëve të rinj, të cilëve mjegullnaja e lekut u errësoi sytë.
Me fjalet atdhe dhe komb gjuha “rren popullin , e frymën ia zen n’gjak”, ka shkruar Fishta tek “Juda Makabe”, i cili me gjuhën alegorike për tragjedinë shqiptare të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit që po mbyllim, me ndjesinë kombëtare në shpirt dhe me gjuhën lutëse klithi “.. O perëndi a ndjeve ? Tradhëtarët na lanë pa Atdhe .”
Gjuha ankuese e plot halle që ra në vesh të shurdhër zurri kallo duke kërkuar qetësi, punë, emigracion të rregullt, drejtësi, ligj dhe demokraci perëndimore.
Gjuha e zhgënjyer nga premtimet dhe nga përgjigjet “ke të drejte “, u çngjyros nga besimi për flamurët e për programet dhe u mpi duke brohoritur “urra “, si dikur.
Gjuha fshikulluese e hallexhinjëve të mashtruar u injorua nga indiferenca e gjuhës “le të flasë sa të doje e të plasë morraxhiu që nuk e ka mbushur kurrë barkun me përshesh me ujë të valuar”.
Gjuha e reklamës eklipsoi fjalët e bukura dhe u zëvëndësua me fjalë të huaja.
Gjuha e ofertave për vende pune, në firmat e huaja, në më të shumtën kërkon vajza 16-18 vjeçare, të paraqitshme dhe mundësisht me kulturë perëndimore.
Gjuha e profesionistëve dhe e njerëzve të aftë ia la vendin gjuhës së meritokracisë partiake, gjuhës së militantëve ulëritës, gjuhës dialektore krahinore apo gjuhës klanore të grupeve që bëjnë grupazhe për të uzurpuar paturpësisht çdo gjë të dëshiruar prej tyre.
Gjuha e diversitetit të mendimeve ndezi luftën politike aq ashpër, aq sa shqiptarët e pamësuar me gjuhë të tilla, mendojnë frikshëm se gjithçka flitet është, ose do të bëhet, sikurse deklarohet, dhe besojnë se ato janë reale, sikurse besonin dikur njerëzit e padijes se çfarë shfaqej në ekranin e kinemasë ishte e vërtetë dhe jo loje artistike.
Gjuha e bashkimit kombëtar u zaptua nga gjuhët sulmuese “lab”, “malok”, “grek”, “sllav”, “llaci fuc”, “çam”, “kosovar”, “pansllavist”, “spiun”, “kriptokomunist”, “agjent “, “antishqiptar”, etj.
Gjuha e pajtimit u harrua dhe në skenë dolën gjuhë bajraktarësh e kapedanësh, që përçmuan gjuhën e intelektualëve paqedashës dhe të kulturuar.
Gjuha e bukur letrare shqipe u mbush me dialektalizma cubash në konferenca shtypi, në komunikimet me publikun dhe në ndërhyrjet policore.
Gjuha e urtisë, maturisë dhe e fjalës me vend u hodh në erë nga gjuha e delirantëve të sëmurë nga ndjenja e madhështisë e të mbytur nga pasionet dhe emocionet e të dukurit dikush.
Gjuha akuzuese polli poshtërsira edhe prej shtërpësisë dhe marrosi meshkuj e femra me çuditë bindëse të fakteve fantazuese e të fantazmave.
Gjuha denigruese vrerosi e nxiu edhe të zezën pendë korbi, nëpërkëmbi nderin dhe dinjitetin e njerëzve të thjeshtë e deri tek personalitetet e ndershëm të politikës apo dijes.
Gjuha shpifëse kundër të gjithëve pëshpëriti pa pushim vesh me vesh dhe legjendoi kotësira e aventura qesharake, aq sa po të jenë të vërteta edhe një përqind e tyre, ne do të duhet të pranonim se shqiptarët janë idiotë, të çmendur, të depersonalizuar ose të dënuar për të punuar me shpirt ndër dhëmbë deri në raskapitje për të dhuruar me servilizëm gjakun e tyre për një vend pune a për të shitur nderin e familjes, me qëllimin final që të fitojnë një post fitim prurës.
Do të ishte mirë që gjuha shpifëse të zëvëndësohej nga gjuha e ndershme demaskuese, për të nxjerrë sheshit pazaret e emërimeve të kuadrove, zhvillimin e tenderave të majme, manipulimet në privatizime, hetimet e gjykimet e pandershme, dhëniet e kredive pa kriter e pa përgjegjësi, përzgjedhjet klanore e krahinore për të bërë punë me leverdi e me grupazhe, njerëzit e kamufluar e të paaftë që valëvitin njëqind flamurë, interesaxhinjtë që shesin edhe të atin për të fituar me abuzime e spekullime, mashtruesit që vjedhin e shpërdorojnë në emër të funksionit të shtetit, mafiozët shtetarë dhe kontrabandistë që pasurohen galopthi duke rrëmbyer paturpësisht çdo gjë me pangopësinë e grykësit makut.
Ka ardhur çasti që gjuha njerëzore të mos heshtë përpara gjuhëqenëve që lehin pa pushim kundër njerëzve të punës, profesionalistëve, të aftëve. Gjuhëjashti, që vetëm jargos, i shikon ata si pengesë në realizimin e planeve të veta antinjeri, antishtet, antiligj dhe ka frikë prej tyre, mbasi janë konkurentë të pa kompromentueshëm.
Gjuha e fjalës së vërtetë nuk duhet të meket e as të dridhet kur demaskon kolltukofagë të pandershem, të cilet gjuha e vlonjatit Ali Asllani i akuzon “… dhe kolltuku ku je ulur / duke çjerrur nderin zvarrë/ është trekëmbëshi, që përdita / varet kombi në litar…”
Gjuha e realitetit t’u largohet sa më shumë pasioneve dhe hamendjeve. Gjuha-dhuratë e natyrës-është gjuha e shpirtit, e zemrës, e ndjenjes së pastër njerëzore, e logjikës së jetës. Ajo duhet të jetë sa më larg gjuhës së urrejtjes të krijesave njerëzore.
Në këtë botë trazirash e dallgësh duhet të flasë gjuha e logjikës njerëzore. Duket se në Shqipëri nuk ka folur gjuha e ardhmërisë për vite të tëra, duket se ka munguar gjuha e analizës së gjendjes dhe e zgjidhjes së problemeve dhe halleve të popullit. Ajo gjuhë, që nxiti autokritikën revolucionare për rreth 45-vjet rresht, u përfshi në rrumpallhane e në rrokullimë drejt greminës së pa përgjegjësisë për çfarë po ndodh. As ligji, as rregulli, as sedra e nderi, as turpi e skuqia e faqes, asgjë, nuk shtynë askënd për të kërkuar llogari se ku po shkojmë, ku po e çojmë vendin, përse po e shkallmojmë e përçudnojmë gjithë çfarë u ndërtua me gjak, sakrifica e mundime skllavërie në këtë botë moderne por të padrejtë e të pa barabartë në Shqipëri. Gjuha harroi jo vetëm të kërkojë llogari, por edhe të thotë të vërtetën e pabarazisë dhe të kësaj padrejtësie shoqërore në Shqipëri. Mashtrimi doli në plan të parë dhe këtë e bëri gjuha “kuçkë ” që ia kaloi edhe “arixhofkës fallxhore. “Të kuqtë u bënë blu, pseudokomunistët u bënë të përsekutuar, të shiturit tek agjenturat e huaja dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, përgjegjësit “e shoqatave të Enverit” u kthyen me kokë poshtë e nxorën gjuhën sa djathtas e majtas, duke sharë atë që dikur kishin propaganduar.
Gjëja më tipike e gjuhës së sotme shqipe është ajo e kahershmja se çdo gjë në Shqipëri është më skandaloze se në të gjitha vendet e tjera; jemi në ekstrem kurdoherë, për komunizëm dhe anti komunizëm, për varfëri e për pasurim me drogë, kontrabandë e prostitucion; jemi të dallueshëm nga të tjerët për krime të rënda e për polici të dobët, për rregulla kanunore e zakonore hakmarrëse e gjakmarrëse (të panjohura e të papranuara nga bota moderne) dhe për ligje të dobëta (apo për moszbatim të tyre), për injorancë e marrëzira dhe për dinakërira e cinizma të papara, për fanatizëm dhe për tradhëti, servilizëm e depersonalizim, etj.
Gjëja e dytë tipike e gjuhës së sotme është përsëritja e përditeshme e fjalëve reformë e reformim. Gjuha apeloi për reformin ligjor, për reformim institucional, për reformim strukturor, për reformim të personelit, për reformim të metodës së punës madje, edhe për ndenjëset dhe tryezat e punës. Ishte gjuha që akuzoi, që rehabilitoi, që degjeneroi dhe që injoroi ëndërrat reformuese të ëndërrimtarëve të mashtruar me sy hapur dhe deri në vdekje të pangopur dhe të pa kënaqur. Magjia e gjuhës vazhdon të reformojë të reformuarit në çdo dy tre muaj dhe me sa duket do të vazhdojë të reformojë duke nxitur e motivuar ; “je i përkohshëm, bëj maksimumin për të fituar”, ” mos u bëj i keq me të tjerët, lëre punën siç është, në amulli, sepse nuk ta di askush për nder dhe nesër je në tufë me të tjeret”, etj.
Gjuha akuzuese dhe sulmuese varakos çdo ditë sytë e politikanëve partiakë, të cilët, të errësuar nga gjuha verbuese ekstremiste orientohen nga fjalët që nxjerrin gojët e liga, gjoja për reformim dhe gabojnë duke mos dëgjuar fjalët që thonë të vërtetat në të mirë të shtetit e popullit.
Gjëja e tretë tipike e gjuhës së sotme politike është dialektizma. Sa herë që ngrihet ose bie klasa apo klani do të ndryshojë edhe akcenti i të folmes shqipe qeveritare e zyrtare… Kurbat e kordave zanore ulen e ngrihen sipas përbërjes dhe cilësisë së rrethit të personave. Rrethi nuk duhet të ketë thekse stonuese, mbasi aty janë të gjithë në harmoni, janë një kor i “mrekullueshëm” korbash për të shqiptuar me muzikalitet të hollë çdo tingull, çdo rrokje apo fjalë. Aty flitet dhe veprohet në bllok për të hequr, për të shtuar, për të ndryshuar, etj.
Një tjetër gjë tipike e gjuhës së sotme është egërsia e tingëllimes. Duket sikur gjuha nuk është e mishtë por një organ metalik shurdhues apo një qelqurinë që vetëm thërmohet dhe lëshon cifla shpuese të frikshme. Mirësia e saj është mbytur nga harbutëria keqdashëse; ëmbëlsia e mesazheve është helmuar nga gjuha intriguese; pastërtia e dlirësia e fjalëve janë qelbur nga shpirtligësia e vendimeve. Duket sikur gjuha po iu shkon pas fishkëllimave të plumbave në qiellin e djerrur apo eksplodimeve në shtyllat e dritës.
Në vend që të urojë ”shëndet” gjuha këlthet ”plaç” dhe në vend që të urojë paqe ajo predikon luftë.
Pse kjo egërsi fjale në gjuhën e lagësht prej sekrecioneve me tharme njerëzore?
Pse kjo ndotje infektuese në mishin dhe gjakun që lidh urat midis krijesave njerëzore?
Pse qendron e kyçur dhe e fshehur gjuha lehese e skuqur prej ligjërimeve dehëse të tërbimit nga ligësia sikurse llapa e buçes prej hipjes së lukunisë së zagareve koqedalë?
Pse ajo mase mishtore aq elastike të artikulojë ashpërsi, vrazhdësi, armiqësi, egërsi në fjalë dhe ftohtësi shpirtërore e fortësi guri në gjykime?
Duhet pranuar se edhe akuzat e ndërsjellta përbëjnë një të veçantë për gjuhen e sotme shqipe, gjë e cila është tipike për gjuhët e të papunëve, veseligjve, endacakëve, shportaxhinjve, etj. Dikur akuzat dhe shpifjet të çonin në derën e kishës a xhamisë për të provuar pafajsinë me përbetim me dorën mbi Ungjill ose Kuran dhe me fjalët: “Për këtë Ungjill (a Kuran) po ” ose “Për këtë Ungjill (a Kuran) jo”!?!
Në botën e qytetëruar (ku shpresojmë për të shkuar) akuzat gjykohen në peshoren e drejtësisë dhe gjuha shpreh drejtësinë me vendosmërinë e ligjit. Atje gjuha gjykon të akuzuarin paanësisht, edhe për gjuhën e shfrenuar.
Me gjuhën tonë po ndodh një fatkeqësi, sepse ajo po përdhos edhe ligjin. Gjuhët e njerëzve të ndershëm, që akuzojnë padrejtësitë, paudhësitë, tenderat etj., thirren spiunë, viktimë e socializmit, opozitarë idealistë, destruktivë e plot epitete të tjera fyese.
Gjuhët politike dhe servile nuk akuzojnë në polici e në prokurori por tek partia, sikurse dikur, kur çdo gjë duhej ta diskutonte dhe ta vendoste vetëm ajo. Në qoftë se atëherë akuzat ishin të fshehta dhe të hapura, sot gjuha politike dhe e njerëzve monstra akuzon dhe shpif në shtyp, publikisht në mediat elektronike, pa asnjë emocion, pa asnjë ndjenjë burrërie dhe cilësi personaliteti (tamam si Geringu apo Hitleri) madje me shënim të drejtëpërdrejtë, me qitje parabolike apo me larghedhje të madhe, me “qitësa” të njohur ose të marrë borxh ose shpon me marioneta. Kjo gjuhë horrash politik, që korr dhe nuk lidh, e ndryshon livadhin sipas temperaturës politike dhe çmimit të akuzës.
Gjuha akuzuese nuk shqetësohet për çfarë vjell dhe as se kush mund të gëlltitë gogësimen ripërtypëse të stomakut të saj gjuhëplëndës. Vrerin e saj e grumbullojne jakëbardhat e politikës së inkriminuar, që të injektojnë ilaçin mpirës atëhere kur ta shikojnë situatën më të favorshme.
Ka do gjuhë akuzuese luftarake që i ngjasojne përpunimit me artileri përpara fillimit të mësymjes. Gjuhë të tilla baltosin me shpifje dhe me akuza të pavërteta njerëzit që iu kanë “zënë vendin” karrikexhinjve ëndërrimtar ose kontrabandistë. Më mirë se askush tjetër këtë punë e bëjnë disa gazetaruce kuçka, sarahoshe apo dashnore të gjuhë e gjarpërinjve që i nxitin të nxijnë me të pavërteta ose me opinione.
Ka prej tyre që gjuhën e përdorin për gjueti shtrigash apo për lehje, për të ngritur ndonjë lepur apo thëllënzë mali.
Ka të tjerë që me gjuhën e skuqur gjak vërdallisen rreth mburravecëve dhe karieristëve për të zhvatur ndonjë copë gjuhë të shqyer, sikurse qentë ujqër të cilët presin me padurim përpara sallahaneve, plëndësat e palarë dhe organet e tjera të papërdorshme. Të pamoralshmit dhe dështakët, ose njerëzit e klaneve, po e përdorin gjuhën akuzë veçanërisht këto kohët e fundit, me siguri për të denigruar të tjerët dhe për të përgatitur kushtet për t’u zënë vendin e punës, me qëllim që të bëjnë realitet ëndërrat e tyre të makutërisë.
Ndryshe nga të gjitha gjuhët e qytetëruara evopiane, gjuha shqipe e këtyre viteve shquhet për fjalor folklorik me karakter epik. Çuditërisht kanë zënë pluhurin e harresës në gojën e shqiptarëve fjalët e bukura si: dashuri, miqësi, besë, shoqëri, mall, besnikëri. Fatkeqësisht ato fjalë janë zëvëndësuar me plumba, vrasje, therje, grabitje, eksplodime.
Urimet dhe përshendetjet miqësore në takime njerëzish dalin kryesisht nga goja e të moshuarve, kurse gojët e të alkoolizuarve dhe të droguarve në më të shumtën e rasteve “përshendeten” me gjuhë inatçore. Hareja dhe gëzimi nëpër disko marrin zjarr nga pijet e forta me emra të padëgjuar për shqiptarët. Gjuha e helmuar dhe e thartuar nga myku i injektuar në këto raste i nxjerr fjalët fyese si llavë vullkani dhe përvëlon mendjen e tjetrit për vdekje. Gjuha prush fillon të flasë me grushta, me leva, me pistoleta, me granata e me shpesh ajo flet me kallashnikov.
Gjuha e ashpër dhe luftëndezëse po përçudnon edhe racën e vet, dikur të urtë, të duruar, tepër krenare, shumë njerëzore dhe të përmendur për mençuri e burrëri. Prej gjuhës së prishur sot po vret djali babanë, burri po vret gruan, vëllai po vret vëllanë ose motrën, i dashuri vret të dashurën, njeriu i të njëjtit gjak po vret genin e vet dhe gjuha përsëri vazhdon të vjellë zjarr për vrasje, për çthurje nga mendja, për shkatërrim njerëzor, për denigrim e poshtërim.
Vallë kjo gjuhë është helmuar apo ka marrë për detyrë të këpusë vetvetën?
Kush e bëri kaq luftarake gjuhën shqipe, ekonomia që u shkatërrua apo politika që po bën ekonomi për politikanët?
Me siguri oratorët e politikës, që e kanë barsur zhargonin e fjalimeve të tyre me fjalët më të zgjedhura, të zinxhirosura varg me terma të ashpra, sikurse thirrjet e dikurshme për kushtrim apo jehonat shkëmb mbi shkëmb, vazhdojnë të mbajnë flamurin e të folurës epike-folklorike. Skenat përshkruese të epizmit të Mujit e Halilit, përrallat e trimërive të ciklopeve me një sy dhe të dragonjëve fluturues apo epika folklorike e Skënderbeut dhe luftëtarëve të hershëm shqiptarë në momentet e ekzekutimeve apo të torturave gjymtuese ndaj tyre, janë të mëndafshta në krahasim me gjuhën iriq të shqipes së sotme të zhveshur nga tonet dhe përmbajtja etike qytetare.
Mos vallë gjuha po ushqehet me thartira, me ushqime të prishura, me produkte të hidhura tëmth që është bërë kaq e ashpër, aq sa po helmon edhe vetvetën?
Mos valle ndikojnë për keq në tingëllimen e kodeve të saj lëngjet acide të trupave të shqiptarëve, që prodhohen nga trysnia psikologjike e egërsisë së mospajtimit të mendimeve të vetë shqiptarëve për vetë fatin e tyre.
Çfarë faji ka gjuha shurdhe dhe indiferente ndaj gjuhëve që rrihen fort dhe përplasen me egërsi me fjalë, sikurse kokat e çara të deshëve përçorë apo çukitjet gjaksore të këndezave lafshësharrë?
Në disa funksionarë shtetërorë gjuha e zyrës ka dalë në rrugë dhe jargos trotuareve, kafeneve, lokaleve, pazareve dhe shpesh herë në vesh të të dashurave. Diku e blerë, diku spiune, diku mburravece, diku e lajthitur, gjuha dekonspiron gjuhën. Në më të shumtën kjo gjuhë u shërben klaneve ose partiakëve. Për të gjitha rastet gjuha dekonspiruese riskon edhe vetveten por ndërkohe edhe gjuhën blerëse ose urdhëruese.
Duket se është bërë normale dhe ka fituar qytetari në Shqipëri gjuha që shet ose që zbulon ato gjëra të cilat duhet t’i dinë shumë pak vetë. Madje këto gjuhë mund të japin deklarata dhe në parlament ose të shpallin diskutime nëpër gazeta e revista. Për më tepër gjuhë të tilla gjykohen edhe nga drejtësia, por gjuhët pak herë zënë mend për të mos “shitur mend” dhe “tradhëtuar” askënd.
Gjuha dekonspiruese dhe fyese mund dhe të shokojë, siç ka ndodhur për sekretet e gjendjes së bukës, për deklarimet e komisionit të verifikimit të figurave, për “bëmat” e agjenturës, etj. E megjithatë përsëri gjuha nuk heq dorë nga zanati i vjetër, ai i ndjenjës për të shpifur dhe për t’ia futur tjetrit për qëllime fitimi politik, moral, ekonomik. Kur kjo poshtërsi e gjuhës merret vesh, ajo mbrohet me agresivitet ose bëhet aq hipokrite dhe dinake deri sa të fut magjinë e keqardhjes, ndonëse ajo të fut vetëm thika pas shpine.
Gjuhë të tilla, kur je i parë, të përshendesin me entuziasëm, të bëjnë serenata dhe nderime të veçanta, përgjerohen e përkushtohen shpirtërisht e me servilizëm, shqetësohen e betohen me solemnitet fals për besnikëri dhe angazhohen për mbarëvajtjen të punëve e mirëkuptim.
Kur bie “nga fiku”, gjuhët hipokrite të pështyjnë e të plehërosin me fjalë që të dekompozojnë për të mos u bërë kurrë më i gjallë. Por jo vetem kur bie nga froni bëhet e tillë gjuha-njeriut monstër. Ka gjuhë që në mëngjes të bojatisin dhe të gelqerosin, ndërsa në pasdite të nxijnë blozë. Ka të tjera gjuhë që të lëpijnë e të joshin me fjalë xhingla-mingla deri sa të çojnë në marramendje apo në euforinë e idiotësisë. Ka edhe gjuhë që të ngjiten si miza e kalit ndër shalë të gomarit dhe të futin zekthin e hazdisjes e të shfryrjes prej inatit.
Eshtë gjuha hipokrite dhe servile që të shpërfytyron si njeri. Ajo është aq e aftë sa të fut dhe trutë e gomarit dhe të ngarkon me detyrime e me përgjegjësi që një ditë të duhet një det me ujë për t’i shlyer. Ajo gjuhë di të bëjë fresk kur ti digjesh nga vapa; të të ngrohë kur truri të mpihet nga ftohja; të të japë zemër e kurajo kur të pushton pesimizmi; të të nxitë kur të ka humbur shpresa e iniciativa. Trullosja prej kësaj gjuhe kalamendëse zgjat si mjekimi. Ajo të kuron me fjalë dhe ndërkohë të plagos si me thika.
Gjuha diversioniste është binjake e gjuhës hipokrite. Në kohën e tashme ajo po hedh gurin e po fsheh dorën duke luajtur shumë bukur pjesën e vet. Më e sukseshme kjo gjuhë është shfaqur e folur në mitingje e debate televizive dhe shkruar nëpër gazeta. Thumbimi në karakter, lëndimi në personalitet, fyerja në dinjitet, prekja në probleme të jetës vetjake, buburrimi në plagë të së shkuarës (që kushdo mund të ketë por mund të jenë shumë lënduese) kanë zënë vendin kryesor në fjalorin e gjuhës diversioniste me objekt për të shpallur luftë midis gjuhëve ose për të shkatërruar moralisht e psikologjikisht dikë.
Të praktikuarit ose të ushqyerit me dije për diversionin luftarak po e adaptojnë mrekullisht gjuhën në mjet me fuqi eksplodimi në lëndet mishtore të qënjeve njerëzore. E veçanta e kësaj gjuhe është se ajo nuk eksplodon as në mishrat shtazore dhe as në lëndet e gurta të objekteve natyrore. Në më të shumtën ajo hap një vrimë në ujë, por ka edhe raste që në disa lloj trupash njerëzore ajo dëmton masën trunore të disa kokave me enë eshtake të dobët dhe të pamësuar.
Gjëja e dytë e veçantë e gjuhës diversioniste është se ajo mund të ketë efekt ndaj gjuhës me të njëjtin kod dhe që ushqehet nga i njëjti gjak. Gjuhët e tjera kanë imunitet ndaj gjuhëve të tilla. Nëse do të pasuronim fjalorin e shqipes, kjo lloj gjuhe do të emërtohej “gjuhë diversioniste psikologjike e politike”. Në qoftë se do ta klasifikonim sipas efektit të veprimit, kjo gjuhë mund të përfshihej dhe në kategoritë e terrorit, sepse ka për qëllim të godasë dhe të thajë një gjuhë për të viktimizuar psikologjikisht qindra gjuhë të tjera. Autorë të kësaj gjuhe zakonisht janë persona “syunjur”, që kanë moralin të të përshendesin dhe paturpësinë të të sfidojnë. Gjuha e bukur shqipe i ka pagëzuar këto “gjuhë që të vrasin natën dhe të qajnë ditën”.
Kjo gjuhe ka motër gjuhën armë. Një gjuhë e tillë është e destinuar për të hedhur tinguj plumbash që formojnë fjalët vrasje dhe vdekje. Por përse duhet të vrasë gjuha?!
Përse ajo duhet të jetë vdekjendjellëse apo vdekjeprurëse e ëndërrave?!
Përse gjuha të bëhet vrastare e shpresave, shkatërrimtare e ndjenjave dhe gjakhelmuese?!
Gjuhën armë e kanë persona të veçantë që kanë fuqi, moral dhe mundësi për t’u ushtruar në përdorimin e saj. Eshtë fatkeqësi se gjuha-armë është pa siguresë, dhe për rrjedhojë bën shpesh qitje të pavullnetshme kur është temperaturë politike dhe ekonomike e lartë.
Viktima të gjuhës armë mund të bëhen personat me përzgjedhje sikurse duelet e dikurshme në fushëmejdani, por nuk përjashtohen rastet që ajo t’i prishë rregullat e lojës dhe të shndërrohet në një kasaphanë gjuhësh me pështyma, me shtyrje, me shpulla, grushta, shkelma, thika e armë të tjera.
Këto të fundit zakonisht i përdor gjuha armë e tifozërisë politike, por praktika ka treguar se gjuhën-armë me plumba zjarri e përdorin edhe ata që në gojë mbajnë armë e municion manovër. Me dije apo me hile, shpesh herë gjuha armë ka përzier municionin manovër me municionin luftarak. Gjuha-armë ka fushëbetejë parlamentin, mitingjet, debatet televizive, konferencat bombastike të shtypit, mbledhjet dhe analizat rutinë e pa bereqet, etj. U bënë shumë kohë që kjo gjuhë është nxjerrur nga këllefi dhe po shtie mbarë e prapë. Dhëntë zoti t’i mbarojë municioni se, përveç vdekjes nga një anë, kjo gjuhë po sjell shurdhërinë e memecerinë për njerëzinë në anën tjetër.
Gjuha-votë mund dhe duhet ta qetësojë gjuhën-armë.Ajo nuk ulërin dhe nuk ka në shpirt triumfalizëm kur flet. Zëri i gjuhës-votë është zëri i paqes, është zëri i sovranit, është zëri i bindjes, i detyrimit dhe i nënshtrimit njëkohësisht. Në këtë dekadë gjuha-votë ka folur shpesh, mesatarisht një herë në vit. Në më të shumtën ajo flet vetë dhe drejtpërdrejt, por ka pasur raste që, padrejtësisht, zërin e saj e kanë amplifikuar operatorët e paguar.
Kjo gjuhë ka rregulla për të folur. Zakonisht ajo flet çdo 4 vjet sepse është shumë e saktë dhe serioze. Gjithashtu ajo është korale dhe ka shpenzime e mundime të mëdha për të folur. Megjithëse e tillë, ajo ngacmohet dhe pickohet padrejtësisht çdo ditë që të flasë para kohe dhe jashtë rregullave. Mëkatarë të gjuhës votë nuk e kuptojnë mundimin që i shkaktojnë gjuhës së vullnetit të popullit. Ata të mallkuar kodoshë uzurpatorë nuk e dinë se gjuha-votë është si veladoni i meshës së shenjtë të priftit i cili nuk duhet të vishet për së dyti, mbas mëshirimit në një ditë. Zoti i ruajtë ata që shpërdorojnë njëherazi gjuhën, dhurate vetëm për krijesat njerëzore.

Shënim:Ky shkrim është shkruar në Qershorin e vitit 1999, por tashti botohet për të parën herë. Autori është ish-oficer akademik i policisë shqiptare dhe luajti rol të rëndësishëm në riorganizimin e policisë së Shqipërisë pas rënies së sistemit monist. Nuk u lakua pas kërkesave te partive politike, dhe për partishmëri zgjodhi Shqiptarinë e Shqipërinë në frymën e këtij shkrimi, të cilin nuk arriti ta botonte. Tashti punon për ekzistencë në një firmë private, kurse në kohën e lirë vazhdon me hulumtimin e historisë së policisë shqiptare nga Qeveria e Vlorës përfundimisht me pushtimin e Mbretërisë së Shqipërisë, më 7 prill 1939. (Dr. Muhamet Pirraku)

Kontrolloni gjithashtu

Ministritë përkatëse të Kosovës dhe Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit …