leoni

Ahmet Qeriqi: Zgjedhjet e 17 Nëntorit, zgjedhje për pushtet, jo për shtet

Pak më shumë se një muaj ka mbetur deri te zgjedhjet e 17 Nëntorit, ditë kjo kur partitë politike dhe të ashtuquajturat aleanca do të vihen në garë për të fituar zgjedhjet, duke bërë përpjekje maksimale për ta mbajtur me premtime elektoratin, me qëllim të fitimit të një numri sa më të madh të votuesve. Përgatitjet për zgjedhje tashmë janë kryer, ndërkohë që pritet dita kur do të fillojë edhe fushata zyrtare, e cila edhe kësaj radhe do të përshkohet me eufori, premtime boshe, me zotimin e parë duke premtuar “pavarësinë e Kosovës”, pastaj mirëqenie, programe të “forta” ekonomike, sa për t’ i qitur hi syve elektoratit, premtime për vende të reja të punës, për zhvillimin tepër të hovshëm ekonomik, për rregullimin e infrastrukturës, për energjinë elektrike, “përkujdesjen” e veçantë për familjet e dëshmorëve, veteranëve e invalidëve, të pensionistëve e të tjera. 
Të gjitha premtimet e tilla dhe shumë të tjera, që as vlen t’i përmendim, do të kemi rast t’i dëgjojmë si në kor, për çdo ditë, sepse të gjithë kryesuesit apo bartësit e listave të garuesve do të shërbehen po me këto zhargone, tashmë të mësuara përmendsh. 
Dhe, mjerisht, do të ketë mjaft shumë shqiptarë të vendit tonë, të cilët do të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë secili për të vetët, jo për programet as për premtimet e tyre të përhershme, po thjesht, do të votojnë për të vetët, disa për Fatmirin, disa të tjerë për Hashimin, Surroin e të tjerë. 
Zgjedhjet do të shpallën të suksesshme, pavarësisht numrit të pjesëmarrësve në to, dhe ata që do të fitojnë më shumë vota do të bëjnë tutje duke krijuar aleanca të reja për ta qeverisur Kosovën, qoftë si protektorat të BE-së, qoftë me mbetje të një segmenti nën sovranitetin e Serbisë, qoftë me njohjen e njëfarë pavarësie të kushtëzuar. Sipas këtyre garuesve nuk do të jetë me rëndësi se cilin status do ta fitojë Kosova, por kush do ta marrë radhën për të qeverisur, sepse tekefundit në Kosovë edhe për shumë kohë nuk do të ketë zgjedhje të vërteta demokratike, as Referendum për pavarësi, as për bashkim kombëtar, por zgjedhje për të zgjedhur qeveritarët, parlamentarët dhe zyrtarët e tjerë të rangut vendor dhe qendror gjithnjë nën një protektorat. 

Parashikimet dhe paragjykimet për “fitimtarët” 

Edhe pse parashikimet nuk janë të lavdishme, për arsye që dihen, bazuar në sondazhe të ndryshme, duke përcjellë rrjedhën e informimit mund të paragjykohen edhe rezultatet e përafërta, duke marrë për bazë mentalitetin e zgjedhësve tanë, moralin dhe militantizmin partiak si dhe faktorë të tjerë, të cilët ndikojnë në përcaktimin e votuesve për të zgjedhurit e tyre. 
Analiza që kemi marrë guxim ta bëjmë me këtë rast mbështetet në observimet tona, duke marrë për bazë lëvizjet brenda partive, përçarjen e madhe në LDK, që rezultoi me krijimin e një krahu tjetër, tash të quajtur LDD, formimin e një partie të re qytetare, sikur është AKR-ja e Behxhet Pacollit, e cila gjithsesi do të marrë një pjesë të “kulaçit”, dhe disa lëvizje të vogla të disa partive minore, të cilat nuk mund të kenë ndonjë ndikim. 

Edhe kësaj radhe shumicën e votuesve padyshim do t’ i ketë LDK-ja, por një shumicë relativisht më të vogël sesa në zgjedhjet e fundit, kur partia ishte unike dhe jo e ndarë. 
LDK-ja, si parti ka trashëguar, por dhe ka sendërtuar më tej mentalitetin e pritjes dhe të durimit, andaj edhe do ta ketë shumicën e votuesve, sepse këtë mentalitet po e sforcon pikërisht edhe pozita e tillë, ende e padefinuar e vendit tonë, e cila iu ka imponuar Kosovës nga faktori vendimmarrës ndërkombëtar. Ata, që strategjinë e tyre politike e kanë krijuar në pritje, durim, qoftë edhe në nënshtrim, kanë llogaritur pikërisht shtresën shumicë të popullit tonë të robëruar gjatë shekujve, i cili, mjerisht ende nuk i beson forcës së vet dhe ka ngelur duke pritur se çka do të na japin të tjerët. Pastaj LDK-ja është parti në pushtet dhe ka arritur që elektoratit të vetë t’ia përmirësojë sado kudo gjendjen ekonomike, duke ndërtuar rrugë nëpër fshatra dhe lokalitete të caktuara, duke punësuar kuadrot e veta sidomos në arsim, në resorët e kulturës, në shëndetësi, nëpër ministri të ndryshme, në ente dhe sektorë të ndryshëm nëpër kuvendet komunale, etj. 
Në këtë mënyrë LDK-ja ka krijuar epërsinë dhe llogarit me të drejtë në fitore, por jo në shkallën që kishte fituar në zgjedhjet e fundit. Ajo do ta ketë përkrahjen e OSBE-së sikur e ka pasur gjatë gjithë kohës, sidomos pas luftës, por edhe përkrahjen e faktorit ndërkombëtar më tepër sesa partitë e tjera. 

Partia e dytë, e cila do të fitojë një numër të konsiderueshëm të votave do të jetë PDK-ja, e cila ka pësuar rënie në anëtarësi, edhe pse po bën përpjekje për të fituar votues duke hartuar programe, duke nxitur për anëtarësim një pjesë të të ashtuquajturës “elitë intelektuale”, politikisht me prejardhje nga ish- klasa komuniste titiste dhe nga LDK-ja. 
Si parti e opozitës, ajo nuk ka pasur mundësi ta rritë numrin e anëtarësisë, nga koha e zgjedhjeve të fundit, sepse PDK-ja nuk ka mundur ta rregullojë pozitën sociale të qytetarit, madje as në komunat ku i ka fituar zgjedhjet vendore, meqë ka fituar në komunat më të varfra të Kosovës, si në Skënderaj, Malishevë, Shtime etj. 
Kjo parti tashmë krejtësisht e reformuar, prejardhjen e vet nga ish UÇK-ja e ka zbehur, mbase nga frika e humbjes së elektoratit dhe humbjes së përkrahjes ndërkombëtare. Pikërisht për këtë, PDK-ja ka pranuar në radhët e vete këdo që iu ka afruar, madje edhe të tillë, të cilët jo vetëm kanë kritikuar kreun e kësaj partie, por edhe janë shërbyer me fjalët më të pista dhe me paragjykimet me të liga kundër luftës së UÇK-së dhe kundër kësaj partie, e cila ende vazhdon ta trajtojë vetveten si parti e dalë nga lufta, por pa pjesën më militante të saj. 
Përpjekja për “çlirim” apo tjetërsim gradual e kësaj partie nga krahu militant i luftës shihet në rangimin e deputetëve. 
Ata më meritorët e luftës, me pak përjashtime, ose nuk janë fare në lista, ose kanë dhënë dorëheqje, ose ndodhen diku kah fundi i rangimit. 
Kjo mbase nuk është bërë vetëm për kurtuazi politike, por edhe për t’ i treguar faktorit ndërkombëtar, se partia tashme duke u reformuar po shkon në proces të “çlirimit” nga e kaluara, meqë si duket ky ka qenë edhe kushti kryesor, të cilin mbase edhe ka qenë i shantazhuar ta pranojë kreu i kësaj partie. 
PDK-ja nuk e ka rritur elektoratin, përkundrazi e ka humbur një pjesë të elektoratit në Drenicë, ku përveç LDK-së e LDD-së janë të pranishme edhe ORA, AAK-ja, ARK-ja e parti të tjera. Asnjë të mirë materiale nuk ia ka sjellë Drenicës kjo parti, por drenicasit në shumicë do të votojnë për Thaçin jo pse e duan gjithaq, as pse i besojnë gjithaq, por thjesht sepse nuk duan ta kalojnë “prijësin e vet”, duke i qëndruar besnikë vetvetes dhe luftës për liri, sipas motos së njohur të banorëve të kësaj ane: “Bjen një punë e të du’ për dhunë”. 
PDK-ja ka mundësi të bëjë akrobacione me rastin e krijimit të aleancave, pasi që dihet mirëfilli se asnjë parti nuk do ta fitojë shumicën dërrmuese për të krijuar Qeverinë e Parlamentin. Ajo tashmë mund të hyjë pa asnjë pengesë në koalicion me LDK-në dhe me çdo parti tjetër politike, me qëllim që me çdo kusht të futet njëherë në Qeveri. 
PDK-së i mungon përkrahja e duhur e OSBE-së, i mungon edhe përkrahja pa hile e faktorit ndërkombëtar, edhe pse kreu i partisë ka bërë përpjekje të pareshtura për të fituar besimin e ndërkombëtarëve duke shkuar aq larg, sa në shumë deklarime politike ka marrë pozicionin edhe më të butë se vetë LDK-ja lidhur me ecurinë e procesit politik nëpër të cilin po kalon vendi. 

Se cila parti do të jetë fitues i tretë me radhë, është pak vështirë të caktohet, sepse për nga shtrirja në terren del sikur ORA, ARK-ja LDD-ja dhe AAK-ja janë të përafërta në numër të elektoratit. 

E treta, sipas prognozave tona mund të jetë ORA e Surroit, e cila sipas të gjitha sondazheve nuk ka shënuar ndonjë rritje, por as rënie të përqindjes së elektoratit, që kishte edhe në zgjedhjet e fundit. 
Bredhjet e Surroit nëpër fshatrat e Kosovës, me qëllim të përfitimit të elektoratit, madje duke improvizuar edhe ecjen këmbë, nuk kanë dhënë rezultate, meqë premtimeve boshe tashmë iu ka dalë ngjyra. 
As retorika dhe emetimi që Veton Surroi i bën figurës së Josip Broz Titos, në paraqitjen e tij para opinionit nuk do të sjellin ndonjë rritje të votuesve. Edhe Surroi vazhdon të mbetet i përkëdhelur nga të gjitha qarqet ndërkombëtare, por as nga kjo nuk do të ketë shumë dobi, meqë mentaliteti “populist” i elektoratit tonë nuk din më, se cilin nga këta politikanë e ka “më të përkëdhelurin” politika e diplomacia ndërkombëtare. 

Partia e katërt me numër të zgjedhësve sipas prognozave tona mund të jetë AKR e biznesmenit të madh nga Kosova, Behxhet Pacolli, i cili e ka fare lehtë ta blejë një pjesë të elektoratit sidomos në viset rurale të Kosovës. Premtimet e Pacollit ende nuk janë shpërfytyruar meqë ai garon për herë të parë. 

LDD-ja do të mund të rreshtohej e pesta, me faktin se kreu i kësaj partie ka bazë të fortë financiare dhe një numër të votuesve i josh pikërisht me premtime për karrierë, tenderë dhe para. Kjo parti e të përjashtuarve nga LDK-ja, nuk ka ndonjë program të veçantë, as dallon fare nga LDK-ja. Përpjekjet për t’u treguar si rugovistë të vërtetë, nuk patën as do të kenë fare favore të veçanta, meqë elektorati i LDK-së, tashmë ka të tjera orientime e preokupime dhe me siguri nuk do të mbetet peng i nostalgjisë për Ibrahim Rugovën. 

E gjashta do të jetë AAK-ja, e cila sipas të gjitha gjasave mund ta kalojë pragun zgjedhor, edhe pse nuk ka shënuar fare rritje të numrit të elektoratit. Përpjekjet për të fituar vota në emër të Ramush Haradinajt, i cili edhe pse padrejtësisht ndodhet në Tribunalin e Hagës, janë përpjekje shpresë kota, sepse asnjëherë deri tani, ndonjë ndihmë e vërtetë dhe meritore, insitucionale, nuk i është bërë as Ramushit as të akuzuarve të tjerë shqiptarë, në Hagë apo në Kosovë. Madje nuk është ngritur as zëri i arsyes dhe i ndërgjegjes edhe në kohën kur kriminelët serbë paraqiten si dëshmitarë kundër tij në Tribunalin e Hagës. Kjo parti në mesin e vet ka kuadro mjaft të përfolur, të cilët si të “demonizuar” nga opozita dhe mediet nuk do të mund ta udhëhiqnin partinë drejt ndonjë fitoreje të dukshme. 
Mungesa e Çekut në këtë parti, doemos se do t’ i hakmerret partisë në përgjithësi, meqë kryeministri aktual i Kosovës, nuk ka pranuar të jetë kandidat në zgjedhjet e ardhshme. 

LKÇK-ja vështirë se do të mund ta kalojë pragun zgjedhor, duke marrë për bazë mungesën e shprehur të elektoratit. Programi për bashkim kombëtar i kësaj partie mjerisht nuk i josh votuesit që janë të interesuar për pushtet e jo për shtet. 
Këto parti, disa syresh me koalicione të vogla dhe të papërfillshme do të garojnë për të fituar zgjedhjet e 17 nëntorit, me qëllim që të sundojnë në Kosovën e pas definimit të statusit, nën një protektorat të ri të BE-së.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …