Në prag të fillimit të negociatave për përkufizimin e statusit të ardhshëm të Kosovës, kryeministri Bajram Kosumi i ka dërguar një mesazh të gjithë qytetarëve të vendit tonë.
Nuk tingëllon mirë, që në mesazhe të tilla të bëhen lajthitje asfare, sidomos me faktin se kryeministri ka një kohortë të tërë të këshilltarëve, me të cilat mbase edhe është konsultuar. Ndërsa, nëse nuk i ka konsultuar këshilltarët, atëherë shtrohet pyetja, përse i mban afër vetes, ata të cilët do të duhej ta këshillonin, për të mos bërë gafa dhe gabime të panevojshme. Sepse nuk është njësoj sikur të gabojë një analist, apo një gazetar, qoftë edhe i njohur, por është e pafalshme të bëjë gabime një kryeministër, pavarësisht qëllimeve më të mira dhe ftesave retorike për unitet, bashkim dhe veprim me një zë.
Nuk mund të kontestohet domosdoja e unitetit të faktorit politik të vendit, por nga uniteti i rremë dhe nga bashkimi i përdhunshëm, asnjëherë deri sot nuk kemi pasur asnjë dobi. Dhe nuk mund të ftojë për unitet kryeministri i cili deklaron se, në gjashtë vjetët e pasluftës kemi ndërtuar një rend demokratik, të bazuar mbi vlerat qytetare. Kemi përmbushur standard pas standardi, kemi punuar ligj pas ligji, në mënyrë që ta përgatisim Kosovën për të qenë shtet. Më pastaj kryeministri Kosumi shton: Nuk e kemi harruar për asnjë çast asnjë njeri që ka flijuar jetën për Kosovën. Nuk i kemi harruar asnjëherë të pagjeturit; ata që kanë bërë vite burgu; ata që kanë shkrirë dijen, djersën dhe pasurinë e tyre për shtetin e Kosovës. Kosova sot ka nevojë që të flas me një zë, me zërin e arsyes dhe të ndërgjegjes. Kosova sot ka nevojë që ne, qytetarët dhe politikanët, të lëmë anash të gjitha inatet dhe lojërat politike e të bashkohemi rreth qëllimit të përbashkët.
Sa janë të vërteta dhe të qëndrueshme këto konstatime, duhet të pyeten në radhë të parë familjarët e atyre, të cilët kanë flijuar më të dashurit për Kosovën. Dihet botërisht se pjesa dërrmuese e familjeve të dëshmorëve jetojnë me 50 euro ndihma sociale në muaj. Ky trajtim lëmoshe, do të thotë harrim, pakujdesi ndaj tyre, papërgjegjësi ndaj gjakut të derdhur, sepse dihet fare mirë, sesi mund të jetohet me 50 euro ndihmë sociale dhe 40 euro ndihmë shtesë për një familje të dëshmorit. Natyrisht se edhe kjo ndihmë është më shumë se hiq. Mirëpo këto familje të dëshmorëve, të invalidëve, të martirëve të Kosovës, jetojnë nën nivelin botëror të varfërisë, sepse nuk arrijnë shkallën e shpenzimeve ditore as një euro në ditë.
Kryeministri thotë se nuk i kemi harruar të pagjeturit. Këtu mbase ka të drejtë, sepse ata as që mund të harrohen, përderisa nuk kalon asnjë ditë pa parë dhe pa dëgjuar vajin e gjëmën e nënave, baballarëve, motrave dhe bijve e bijave të tyre. Nuk mund të hyhet as në sallat e Kuvendit të Kosovës, pa parë fotot e më të dashurve të tyre. Por, mund të thuhet në këtë aspekt, se po shkelen madje edhe eshtrat e tyre, përderisa asnjë kushtëzim nuk i është bërë Serbisë nga Qeveria e Kosovës dhe nga asnjë institucion tjetër i Kosovës, për të kthyer eshtrat e atyre shqiptarëve të vrarë, e të masakruar mizorisht, dhe eshtrat e të cilëve edhe gjashtë vjet e gjysmë pas luftës, po mbahen në varrezat masive të Serbisë. Për më tepër, ministrat e kabinetit qeveritar, po i shtrëngojnë duart me homologët e tyre në Beograd, edhe pse ndonjërit, në shenjë “mirënjohje” të stilit serb, nuk po i jepet as dora.
Këto ditë po hyjmë në periudhën më të rëndësishme të historisë së Kosovës, thotë kryeministri. Mbase edhe mund t’i duket kështu kryeministrit, por aspak nuk është e vërtetë se kjo na qenka periudha më e rëndësishme e historisë së Kosovës. Periudha më e rëndësishme e historisë së Kosovës, periudha e saj më e ndritshme dhe tejet e rëndësishme, ka qenë periudha e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe fitorja që solli kjo luftë në dëbimin e forcave okupatore serbe nga vendi ynë. Lufta dhe gjaku i derdhur për çlirim nga robëria serbe, në anën tjetër solli këtë realitet, solli në skenën politike dhe qeveritare këtë garniturë politikanësh dhe ish-politikanësh shumë të papërgjegjshëm, sa i përket kujdesit dhe trajtimit të vlerave të luftës dhe gjakut të derdhur për liri.
Nuk do t’ i komentojmë me këtë rast inatet politike, përfoljet e rrugëve, insinuatat e shtypit të çakërdisur, por nuk mund të pajtohemi me retorikat e kryeministrit, meqë ato bien ndesh me të vërtetën, bien ndesh me realitetin faktik, të cilin po e jetojmë dhe po e përjetojmë në këtë Kosovë të kontrasteve më të thella dhe të kontradiktave më të ashpërsuara si asnjëherë deri tani.
Dhe në fund, duhet përkujtuar kryeministrit se atdhetarizmi e pragmatizmi politik nuk kanë asgjë të përbashkët, dhe se atdhetaria e patriotizmi i vërtetë asnjëherë nuk mund të kalkulohen me asnjë lloj të pragmatizmit, nëse kjo fjalë kuptohet dhe interpretohet drejt.
Kosova ka nevojë për qeveritarë, të cilët kanë guxim për të bërë pasqyrim realist, vetëkritik. Kosova ka nevojë për mendje të kthjellëta dhe për atdhetarë, që nuk bëjnë kurrfarë kompromisi në dobi të asnjë lloj pragmatizmit, qoftë ai pragmatizëm edhe i imponuar. Është tragjedi për Kosovën, nëse për hir të pragmatizmit, për hir të këshillave të miqve tanë, për hir të ruajtjes së stabilitetit të rajonit, sërish të mbesim në verigat e kornizave të rezolutave dhe të mëshirës nga globalizmi evropian. A.Q.
Kontrolloni gjithashtu
Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …