leoni

Zemërimi i kryeprokurores del Ponte shantazhon Trupin gjykues të Tribunalit të Hagës

Pas shqyrtimit të kërkesës së avokatëve të z. Ramush Haradinaj, trupi gjykues i Tribunalit të Hagës, disa ditë më parë, me shumicë votash kishte marrë vendim për t’ i lejuar këtij të akuzuari të Hagës, një segment të kornizuar të kthimit në jetën politike. Me vendimin e trupit gjykues, atij i lejohej paraqitja publike, angazhimi në parti dhe në disa aktivitete të tjera, gjithnjë të kufizuara, nën kontroll rigoroz të kreut të UNMIK-ut.
Ndërkohë, burimet nga Tribunali i Hagës bëjnë të ditur se kryeprokurorja e kësaj gjykate, zonja del Ponte, ka paraqitur ankesë kundër këtij vendimi të trupit gjykues të Gjykatës së Hagës, lidhur me heqjen e disa kufizimeve ndaj z Haradinaj. Duke qenë nën presion politik të kryeprokurores, anëtarët e trupit gjykues kanë pezulluar vendimin deri në shqyrtimin e ankesës së kryeprokurores.
Zemërimi i Pontes kundër këtij vendimi, zbulon para opinionit qëndrimin e saj tejet përbuzës, sidomos kundër pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë arrestuar me urdhër të saj, edhe pse dihet botërisht, me emër e mbiemër se cilët janë kriminelët që kanë kryer krime lufte në të gjitha vendet e ish Jugosllavisë. Në përpjekje për t’i relativizuar krimet, në përpjekje për ta satanizuar dhe për ta kriminalizuar luftën çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë e më gjerë, zonja del Ponte, ishte e para që ngriti aktakuza kundër luftëtarëve tanë të lirisë. Ajo nuk ka ushtruar ankesë kundër mbrojtjes në liri të pesë krerëve më të lartë dhe më përgjegjës të regjimit të Milosheviqit dhe të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët kanë vrarë dhe kanë masakruar më shumë se 15.000 shqiptarë gjatë kohës së luftës në Kosovë. Me këtë rast, Karla del Ponte, edhe një herë tregoi botërisht disponimin e hapur antishqiptar, të përzier mbase edhe me zemërim për shkak të dështimit dhjetë vjet të tëra të arrestimit të kriminelëve serbë: Mladiq dhe Karaxhiq.
Kryeprokurorja del Ponte, kësaj radhe nxori në shesh edhe një segment tjetër të politikës, që qarqe të caktuara evropiane e botërore po ushtrojnë aktualisht kundër shqiptarëve të Kosovës. Edhe pse Trupi gjykues ka vlerësuar se lirimi i zotëriut, Haradinaj, për t’ u marrë me politikë është bërë me qëllim për t’i sforcuar negociatat, lidhur me bisedimet për përkufizimin e statusit të Kosovës, ajo si duket edhe në këtë drejtim dëshiron që të ketë dështime dhe nuk ka marrë parasysh përfitimet që mund të ketë procesi i fillimit të negociatave në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
Urrejtja patologjike e zonjës del Ponte kundër shqiptarëve dhe kundër myslimanëve përgjithësisht, tashmë është e mirënjohur. Plogështia, apo edhe mosdashja e saj dhjetëvjeçare për t’i kapur dy kryekriminelët serbë: Mladiq dhe Karaxhiq, të cilët janë përgjegjës direktë për krime monstruoze, që janë kryer në Bosnje e Hercegovinë, përgjegjës edhe për Masakrën e Srebernicës, si dhe vrasjen e pushkatimin e rreth 200.000 boshnjakëve myslimanë, vë në dyshim serioz angazhimin e saj të vërtetë në funksionimin e Tribunalit. Relacionet e del Pontes me autoritetet e Beogradit janë të mirënjohura, ashtu sikurse janë të mirënjohura deklaratat e saj plot optimizëm se Mladiq dhe Karaxhiq do të arrestohen në këtë vit, apo në atë vit, në këtë muaj apo në muajin e ardhshëm. Krejt “angazhimi” i saj është nën dyshim të plotë përderisa kanë kaluar dhjetë vjet, pa asnjë rezultat. Çdo prokuror i ndërgjegjshëm dhe i ndershëm ndërkombëtar, në rast të dështimeve të tilla do të jepte dorëheqje, madje pa kaluar as edhe një vit, ndërsa zonja del Ponte shëtit lirshëm Bosnjën dhe Serbinë, bisedon me autoritete, merr premtime dhe jep premtime, por kështu kanë kaluar dhjetë vjet të dështimit të saj, ndërsa ajo nuk është në gjendje ta pranojë ndershmërisht dhe botërisht një dështim të tillë, një dështim fatal. Dhe mllefin, të cilin sa për sy e faqe mund ta ketë në këtë dështim, ajo e derdh kundër shqiptarëve, që ishin viktima të xhelatëve monstruozë, të xhelatëve sodomistë serbë, të cilët shëtisin lirshëm jo vetëm në Serbi, por në tërë Evropën e më gjerë.
Mllefi i saj i derdhur kundër vendimit të trupit gjykues të Tribunalit të Hagës, për lirimin e disa aktiviteteve politike, edhe ashtu shumë të kufizuara të z. Haradinaj, vetëm sa rikonfirmon shpirtligësinë dhe urrejtjen e saj kundër çlirimtarëve të Kosovës. A.Q.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …