Frank Shkreli: Ndërroi jetë senatori amerikan, miku i shqiptarëve, John McCain

Frank Shkreli: Ndërroi jetë senatori amerikan, miku i shqiptarëve, John McCain

Senatori republikan, Xhon Mekejn, hero i Luftës së Vietnamit, deputet, Senator i Shteteve të Bashkuara dhe dy herë kandidat i Partisë Republikane për president ndërroi jetë në shtëpinë e tij në shtetin Arizona, në moshën 81-vjeçare.  Ai vuante nga kanceri në tru. “Babi im nuk është më”, ka shkruar në rrjetët sociale e bija e senatorit, Meghan. “Xhon Mëkejn, hero i Republikës dhe i vajzës së tij të vogël, zgjohet sot në një botë shumë më të lumtur …Sot luftëtari fillon jetën e vërtetë në përjetësi, i përshëndetur nga ata që kanë shkuar në atë botë para tij, në ringjallje për t’u takuar me Autorin e të Gjitha Krijesave”, është shprehur vajza e vetme e Senatorit Mëkejn, Meghan, duke njoftuar vdekjen e babait të saj.

Reagimet dhe mesazhet posa kanë filluar t’i dërgohen familjes së tij për humbjen e madhe të kryefamiljarit të tyre dhe dhe për humbjen e madhe të Kombit Amerikan. Ndër të parët që dërgoi mesazh ngushëllimi ishte Presidenti Trump, me politikat e të cilit Senatori Mëkejn shpeshherë nuk pajtohej, megjithse të dy ishin anëtarë të njëjtës parti, Partisë Republikane.  Menjëherë pas njoftimit të familjes për vdekjen e Senatorit Mëkejn, Presidenti Donald Trump shprehu me Twitter ngushëllimet e tij:  “Ngushëllimet dhe respektin më të thellë për familjen e Senatorit John McCain.  Zemrat dhe lutjet tona janë me ju”, shprehet Presidenti Trump në ngushëllimin dërguar familjes së Senatorit. Ish Presidenti Barak Obama, në mesazhin e tij tha se “Megjith ndryshimet tona politike, ne ndanim besimin tonë në vlerat ndaj diçkaje më të madhe – ndaj idealeve për të cilat breza të tërë amerikanësh dhe imigrantësh kanë luftuar, kanë marshuar dhe sakrifikuar….ideale për të cilat jemi munduar t’i ruajmë këtu në vendin tonë dhe t’i përhapim edhe anë e mbanë botës…Për këtë të gjithë i kemi borxh shumë Senatorit Xhon Mëkejn”, është shprehur ish-Presidenti demokrat Obama për ish-kundërshtarin e tij politik republikan.

Senatori Mëkejn, e kishte filluar karierën e tij politike në vitin 1982 kur është zgjedhur për dy mandate në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe në vitin 1986 është zgjedhur Senator i Partisë Republikane në Senatin amerikan nga shteti Arizona, ku ka shërbyer deri ditën që ndërroi jetë. Ai kishte ambicje të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, por fatkeqësisht nuk ia doli. Senatori Mëkejn bëri fushatë si kandidat për president në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane në vitin 2000, por humbi në garën kundër Xhorxh W. Bush-it. Ndërsa në vitin 2004, me gjithë se siguroi emërimin si kandidat për president i Partisë Republikane, ai u mund në garën e zgjedhjeve të përgjithshme nga kandidati i Partisë Demokrate, Barak Obama. Gjatë administratës demokrate të Z. Obama, Senatori Mëkejn mbajti qëndrime konservatore, ndërkohë që njoihej si një kundërshtar I ashpër i politikave të administratës Obama, sidomos politikat e presidentit demokrat në fushën ushtarake dhe të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

  1. Mëkejn kishte një përvojë dhe njohuri si rrallë ndonjë tjetër ligjvenës amerikan, sidomos në punët e sigurimit kombëtar dhe të politikës së jashtme, prej më shumë se pesë dekada. Si kryetar i Komisionit të Senatit që merret me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara, ishte, pikërisht, ky interesim i Senatorit republikan nga Arizona në zhvillimet aktuale ndërkombëtare politike dhe ushtarake, që e shtyri të zhvillonte, vitin që kaloi, një turne në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, Malin eZi, Kosovën dhe Shqipërin. Një arsye tjetër e këtij turneu në atë rajon të Evropës, ishte edhe shqetësimi i thelllë që Senatori Mëkejn kishte shprehur vazhdimisht në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe në median amerikane, në lidhje me influencën politike dhe ushtarake të vendeve jashtë rajonit, sidomos Rusisë, në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Senatori Mëkejn është shprehur me atë rast se në takimet me zyrtarët më të lartë të këtyre vendeve, ai u ka shfaqur bashkbiseduesve, “Shqetësimin e tij të thellë mbi sjelljet destabilizuese të Rusisë në Evropë, sidomos në lidhje me dhunimin flagrant të sovranitetit të Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia”.

Një objektiv tjetër i vizitës së Senatorit Republikan në vendet e Evropës Jug-lindore — si mbështetës i vendosur i Aleancës së Atlantikut Verior NATO – ka qenë për të siguruar Shqipërinë dhe Kosovën, ashtu siç bëri gjatë vizitave të tij në Kroaci dhe në Slloveni, se “Angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s dhe ndaj vizionit për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqë – është i pa lëkundshëm” dhe se aleanca NATO nuk do të tërhiqet nga angazhimi saj, për të mbrojtur sigurinë dhe vlerat e përbashkëta të vendeve anëtare.

Senatori Mëkejn e bëri vizitën e tij në vendet e Ballkanit Perëndimor në prill të vititi të kaluar, në kapacitetin e tij si Kryetar i Komisionit të Senatit që merret me punët e Forcave të Armatosura, por edhe si njëri prej politikanëve më të lartë amerikanë, i mirë informuar mbi politikat e jashtme dhe ushtarake si dhe mbi problemet dhe sfidat ndërkombëtare në përgjithësi, por edhe si mbrojtës i vendosur i interesave gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara në veçanti, përfshirë Ballkanin perëndimor.

Senatori Mëkejn tregoi me atë rast interesimin e tij për shqiptarët duke vizituar Shqipërinë dhe Kosovën.  Ai do ishte shprehur se do të shkonte gjithashtu për vizitë në Shqipëri, në Kosovë për bisedime me udhëheqsit më të lartë të këtyre vendeve, sipas tij, për të, “Ritheksuar angazhimin e të dy partive kryesore politike në Kongresin Amerikan ndaj aleatëve dhe partnerëve të Shteteve të Bashkuara dhe për të biseduar mbi çështje të rëndësishme për rajonin.”

Duhet theksuar se interesimi i Senatorit Mëkejn për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri, për shqiptarët në përgjithësi si dhe për çlirimin dhe për pavarsinë e Kosovës nuk është i kohëve të fundit, por është shprehur shumë vite më parë në rastin e Kosovës, me mbështetjen e tij të fortë për sulmet e NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës dhe më vonë ishte një zë i fortë në Kongesin Amerikan për pavarësinë e Republikës së Kosovës. Senatori Mëkejn ka qenë gjithashtu një mbështetës i fortë i antarësimit të Shqipërisë në NATO dhe ka mbështetur vendosmërisht pjesëmarrjen e Shqipërisë dhe të Kosovës në organizmat euro-atlantike politiko-ushtarake perëndimore.   Në kuadër të vizitës në Shqipëri dhe në Kosovë vitin që kaloi. Gjatë atij turneu, Senatori Mëkejn është takuar me udhëheqsit më të lartë të dy shteteve shqiptare ndërsa në Prishtinë ka mbajtur edhe një fjalim para antarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Senatori i ndjerë iu drejtua parlamentit të Kosovës duke u shprehur se, “Megjithë përparimin që ka bërë Kosova, ende mbeten shumë punë për t’u bërë. Por në këtë punë, ju nuk do të jeni vetëm. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’ju mbështesin për të përmbushur sfidat dhe për të shfrytëzuar mundësitë që keni përpara. Nëse më lejoni, si një mik i vjetër që dëshiron ta shohë Kosovën të ketë sukses, do të doja të ndaja me ju shpresat e mia për të ardhmen e ndritur të Kosovës.”

Në Amerikë, Senatori Mëkejn, si patriot që ishte dhe hero lufte, njihej gjithashtu edhe si një politikan që komunikonte me të gjithë, pa marrë parasyshë përkatësinë partiake ose pikëpmajet politike.  Në një shkrim që kisha bërë me ratsin e vizitës së Senatorit Mëkejnë në trojet shqiptare kam paralajmëruar autoritetet shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë se me ke do takoheshin.   Bashkbiseduesit me Senatorin Mëkejn — në Tiranë dhe në Prishtinë, kisha shkruar me atë rast – duhet të jenë të vetdijshëm se do të bisedojnë me njërin prej politikanëve më të ndershëm, gjë që është një veti e rrallë ndër politikanët kudo dhe me njërin ndër senatorët më të mirë-informuar të politikës amerikane në fushën e sigurisë, të mbrojtjes dhe të interesave kombëtare të Amerikës — dhe si rrjedhim edhe si mbështetës i fortë i aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, siç janë shqiptarët me të cilët Shtetet e Bashkuara marrin me mendë se ndajnë vlerat e përbashkëta dhe miqësinë e gjatë historike, të pakën nga pikëpamja e Washingtonit zyrtar, përfshirë ligjvensit më të lartë të kërij vendi, siç ishte i ndjeri Senator Mëkejn.

Jam shprehur me rastin e vizitën së Senatorit Mëkejnë  në Tiranë dhe në Prishitnë vitin që kaloi se mund të jetë shumë e vështirë që udhëheqsit më të lartë shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë, të bisedojnë me Senatorin Mëkejn për vlerat e përbashkëta, në kulmin e një krize politike që mbretëron në radhët e “partizanëve” të partive politike shqiptare, në të dy anët e kufirit, për një kohë mjaft të gjatë tani dhe pa asnjë përspektivë për daljen e saj nga ky qorrsokak që ka mbërthyer politikën dhe si rrjedhim edhe shoqërinë shqiptare, në përgjithësi. Jam shprehur se bashkpunimi politik dhe dialogu, besoj se do jenë mesazhet e Senatorit Mëkejn për klasën politike shqiptare. Vizita e Senatorit Mëkejn në Tiranë dhe në Prishtinë ishte jashtzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy popujve, por edhe për faktin se, si njohës i mirë i politikave në Ballkan dhe si mik i vjetër i shqiptarëve – pas vizitës, Senatori Mëkejn – ashtu siç është traditë për vizita të tilla të nivelit të lartë, i ka raportuar Kongresit, popullit amerikan dhe Shtëpisë së Bardhë, për ato që ka parë e dëgjuar në Shqipëri dhe në Kosovë.

Për dekada të tëra, Senatori Mëkejn, është dalluar si mik i shqiptarëve që ishte, ndër mbështetësit më të fortë të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe i të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi, anë e mbanë trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor.

 Me vdekjen e Senatorit Xhon Mëkejn, shqiptarët, fatkeqsisht, humbën edhe një mik dhe mbështetës tjetër të fortë, një kampion të vendosur dhe aktiv të interesave dhe të drejtave të tyre njerëzore dhe kombëtare, prej disa dekadash. Ndërsa Shtetet e Bashkuara humbën një patriot të vërtetë, njeriun e dialogut, të kompromisit politik dhe të marrveshjeve politike në interes të Kombit Amerikan, duke bashkpunuar me të gjithë, pa marrë parsyshë ndasitë dhe përçarjet politike partiake të këtij vendi.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …