Adem Lushaj: Familja Hajrizaj ruan traditën e bluarjes së drithërave përmes mullirit me uji

Adem Lushaj: Familja Hajrizaj ruan traditën e bluarjes së drithërave përmes mullirit me uji

Familja Hajrizaj nga Strellci i Epërm i Deçanit, vazhdon të ruajë traditën shumë vjeçare të bluarjes së drithërave, e në veçanti të misrit. Mulliri i tyre me uji, është në shërbim të përditshëm  për familjet, të cilat preferojnë që bluarjen e drithit të tyre, ta bëjnë përmes mënyrë natyrale. Pos anës së përfitimit material, kjo familje dëshiron që vlerat e lashta të kulturës, të ruhen dhe të vihen në shërbim të qytetarëve. Mirëpo, është shqetësuese fakti se kultivimi i misrit tradicional nga bujqit është i vogël, ngase dominon kultivimi i misrave nga faret që sjellin nga shtetet e ndryshme të botës. Ndërsa, qytetarët të cilët kishin rastin të shfrytëzojnë shërbimin e kryer në këtë mulli, thonë se janë shumë të kënaqur me pastërtinë dhe kualitetin e bluarjes.

Shpend Hajrizaj, njëri nga anëtart e familjes së madhe të Strellcit, shprehët tejet i kënaqur që puna e tij e përditshme, është në bluarje të drithërave, ngase po ruan traditën e gjatë familjare, mbi njëqind vjecare. “Janë disa breza familjar që merremi me bluarje të drithërave në mullirin me uji, ndaj këtë traditë do vazhdojmë edhe mëtutje”, shprehët Shpend Hajrizaj i cili përcjellke gurin e mullirit duke bluar misrin e hedhur në “sandëkun”, nga i cili rrjedhnin kokrrat e drithit të bardhë. “Këtu nuk vijnë vetëm nga fshati ynë apo atyre përreth, por edhe nga fshatrat tjera, jo veç të Deçanit”, ka treguar Shpendi, për të cilin është shqetësuese mos kultivimi i misrit tradicional, ngase orientimi i bujqve është më kultivim të farërave të sjella nga vende të ndryshme të botës. Gjithnjë sipas Shpendit, kërkesa për miellin e misrit është e madhe, cka nënkupton se nevoja dhe interesimi për zhvillimin e bujqësisë, është në rritje. “PO, ka të interesuar të shumtë që ushqimet e tyre ti kenë me miell të misrit, e sidomos të misrit tradicional të bardhë”, ka nënvizuar ky person i vyeshëm, që priste dhe përcillte “myshteritë” e tij.

Njëri nga “myshterinjtë” e rregullt në bluarje të misrit, është edhe Besim Halilaj, sipas të cilit, “mielli i dal nga bluarja në këtë mulli, është jashtëzakonisht kualitativ”. Halilaj, me bindje thotë se, “jo vetëm buka, por edhe ushqimet tjera që përgatiten nga mielli i mullirit të Hajrizajve, janë shumë të kojshme, ndaj edhe kultivon misrin e bardhë që kishte kultivuar edhe prindi i tij”. Ai ka thënë se farërat që vijnë nga jashtë, nuk janë të njëjtit kualitet, ndaj më shumë i kultivon si ushqim të kafshëve. Hajrizaj dhe Halilaj, kërkojnë që institucionet e vendit, të orientojnë investimet kryesore në zhvillim të bujqësisë, e mos të mbesim sipërfaqe të tra të tokës të pa punuara.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …