Ahmet Qeriqi: Marrëveshjet e turpit të disa krerëve shqiptarë me Jugosllavinë

 


( Po i shpallin heronj, derisa nuk i shpallëm tradhtarë)

Nuk është për t’ u çuditur përse Beogradi nuk heq dorë nga Kosova, edhe nëntë vjet pas luftës tonë fitimtare dhe pas humbjes së turpshme të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë. Mendësia kolonizuese dhe hegjemoniste serbe pretendon me çdo kusht ta rikthejë, në mos pushtimin klasik në Kosovë, atëherë “epokën” e liberalizmit të ashtuquajtur politik, të kohës së bashkim vëllazërimit, kur mjerisht jo vetëm politika zyrtare marionete e Kosovës, por edhe një pjesë e hutuar nga radhët e popullatës shqiptare ishte bërë digë e fuqishme e bashkim vëllazërimit dhe jugosllavizimit, përbashkësisë me Serbinë, duke “lidhur” fatin me popujt sllavë, me të cilët nuk i lidhte asgjë e përbashkët, as gjuha, as kultura, as feja, përveç armiqësia e pandërprerë gjatë 13 shekujve të kaluar.

Nëntë vjet pas luftës në Kosovë, ish klasa e klonuar e bashkim vëllazërimit ende i ka mbetur besnike politikës së moçme të jugosllavizmit, dhe kurrsesi nuk po mund të pajtohet me humbjen dhe dëbimin e përjetshëm të sundimit serb nga Kosova. Në dukje kemi të bëjmë me një shëmti të sëmurë, por në esencë pas tërë kësaj fshihet edhe një dredhi tipike e sundimtarëve serbë të Beogradit dhe vasalëve të tyre shqipfolës, të cilët i kemi me bollëk në vendin tonë, meqë 87 vjet të sundimit mizor serb e kanë bërë të veten.
Një segment i bashkëpunimit të disa bajraktarëve shqiptarë me serbët ka ekzistuar në kohë dhe rrethana të caktuara, madje qysh në të kaluarën jo aq të afërt. Dihen lidhjet antishqiptare që ka pasur me Serbinë, Esad Pashë Toptani, Ceno Beg Kryeziu, Ahmet Zogu, sikur është edhe marrëveshja për vasalitetin e plotë të Shqipërisë e nënshkruar nga Pashiqi dhe Zogu në gusht të vitit 1924 dhe e publikuar shumë vonë.

Kjo marrëveshja theksonte:
“1. Shqipëria impenjohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal.
2. Kryetar i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do të njoh dinastinë Karagjorgjeviq.
3. Qeveria Jugosllave, me gjithë mjetet diplomatike dhe ushtarake, do të njoh Ahmet Zogun si kryetar shteti …dhe i atribuon me një herë një kontribut vjetor të shtetit.
4. Ministria e Luftës Shqiptare do të anulohet dhe Shqipëria heq dorë që të ketë një ushtri Kombëtare.
5. Shqipëria do të mbajë një xhandarmëri aq të fortë sa të mbaj qetësinë e brendshme të vendit për të ndaluar e shfarosur çdo lëvizje të ngritur kundër Ahmet Zogut dhe kundër regjimit të vendosur prej tij.
6. Në këtë xhandarmëri do të bëjnë pjesë edhe oficerë rus të ish ushtrisë të Gjeneralit Vrangel që tashti ndodhet në Jugosllavi. Qeveria Jugosllave do të mbajë atë xhandarmëri me mjete financiare dhe armë.
7. Në xhandarmëri mund të hyjnë për të shërbyer edhe oficerët jugosllavë dhe të tjerë që qeveria Jugosllave do të pranojë në interes të dy vendeve.
8. Midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të stabilizohet një bashkim doganor në bazë të së cilës akordohet liri e plotë e importimeve dhe eksportimeve të mallrave të dy vendeve. Edhe transiti nëpërmes kufijve të dy vendeve do të jetë i lirë për ushtarët e dy vendeve. 9. Përfaqësuesit e jashtëm Jugosllavë do të ngarkohen edhe për interesat e Shqipërisë, e cila heq dorë që të mbajë zyra diplomatike dhe konsullata të saja jashtë shtetit.
10. Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës të Ambasadorëve në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe Lokalitetet e Vermoshit e Kelmendit që mbeten në zotërimin e Jugosllavisë.
11. Kisha Ortodokse Shqiptare do të tërhiqet nga Patriarku i Kostandinopojes dhe të bashkohet Hierarkisë Ortodokse të Beogradit, kështu dhe Myftinia Myslimane Shqiptare, do të varet nga ajo Jugosllave.
12. Qeveria shqiptare do të heqë dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elemente të ditur dhe të dyshimtë dhe segmentet e tyre kundërshtare të politikës jugosllave.
13. Për çdo koncesion që Shqipëria do të bëjë vendeve të tjera, ajo është e detyruar të marrë pëlqimin nga Jugosllavia.
14. Në qoftë se Jugosllavia është në luftë me Bullgarinë dhe Greqinë, Qeveria Jugosllave, do të ketë të drejtën të rekrutojë në Shqipëri një ushtri prej 25 mijë vullnetarësh me qëllim për t´i përdorur në frontin bullgaro-grek. Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria, jugosllave do të ketë të drejtë të okupojë gjithë tokën shqiptare për t’i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual italian ose grek.
15. Qeveria Shqiptare nuk mund t´i deklarojë luftë asnjë shteti pa pëlqimin preventiv të Jugosllavisë.
16. Ky traktat është sekret dhe nuk mund të zbulohet e të shtypet pa pëlqimin e dy palëve”.) ( Shyqri Hysi: Marrëveshja Nikolla Pashiç – Ahmet Zogu e gushtit të vitit 1924 )….

( Kohë më parë, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli Ahmet Zogun e krahasonte me reformatorin e madh turk, Mustafa Ataturk, i cili nuk kishte nënshkruar kurrë asnjë marrëveshje me forcat të cilat e kishin okupuar Turqinë. Për më tepër ai i vuri Turqisë themelet e një shteti të fortë laik, themele këto mbi të cilat Turqia moderne po rrugëton me shumë sukses. Mbase zonja Topalli nuk e ka lexuar këtë marrëveshje turpi të të adhuruarit të saj, Ahmet Zogu!
Dhe kjo është vetëm njëra prej faqeve të zeza të turpit, por jo e vetmja.
Janë të njohura edhe dy marrëveshje të tjera të turpit, të cilat i ka nënshkruar Esat Pashë Toptani me despotët e Serbisë. Po paraqesim me këtë rast tekstet integrale të këtyre dy marrëveshjeve, në esencë antishqiptare të nënshkruara nga Esat Pashë Toptani, Pashiq dhe Jovanoviq.

Marrëveshja Nikolla Pashiq – Esat Pashë Toptani e 17 shtatorit të vitit 1914

Pasi që me dëshirën e zotit të dy popujt, serb dhe shqiptar e banojnë një territor, vetvetiu janë të detyruar nga ngjarjet historike të jetojnë në paqe dhe miqësi, të ndihmohen reciprokisht dhe bashkërisht të mbrohen. Që të plotësohet dëshira e zotit dhe urtësia politike, paria – përfaqësuesit e të dy popujve janë pajtuar ta bëjnë këtë marrëveshje:
1 Serbia dhe Shqipëria lidhin midis tyre paqe të përjetshme dhe miqësi. Do t´i shmangen si njëra ashtu edhe tjetra që të mos ofendojnë dhe dëmtojnë interesat dhe nderin e palës tjetër.
2. Serbia dhe Shqipëria marrin mbi vete detyrë dhe obligime, që prej tani mos të bëjnë marrëveshje me cilin do shtet tjetër në dëm të interesave dhe zhvillimit të palës tjetër, dhe kurrë me askënd mos të bëjë marrëveshje kundër mikut dhe aleatit të vet.
3. Serbia merr mbi vete obligim ta ndihmojë rregullimin e Shqipërisë në frymën e vetive popullore dhe të nevojave të kombit shqiptar, duke pasë parasysh veçoritë e fiseve që janë zhvilluar gjatë historisë.
4. Po ashtu Serbia merr mbi vete obligim ta ndihmojë formimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku do të jenë të përfaqësuara të gjitha fiset. Këshilli do të ketë fuqi ligjdhënëse dhe do t´i emërojë gjyqtarët e popullit.
5. Të dy palët janë dakorduar që për sundimtar të Shqipërisë ta njohin atë shqiptar, të cilin do ta zgjedhë Kuvendi i madh popullor i përbërë nga dy përfaqësues të fiseve më të mëdha dhe nga një i fiseve më të vogla.
6. Nëse do të zgjidhet Esat Pasha, ose çdo shqiptar tjetër i aftë dhe i denjë, atëherë të dy palët obligohen që bashkërisht t´i nxjerrin tre kandidatë dhe atë që do ta zgjedhë Këshilli i madh popullor, atë ta njohin dhe ta përkrahin të dy palët.
7. Për t´u siguruar miqësia e përjetshme dhe aleanca midis Serbisë dhe Shqipërisë, ata që tani janë dakorduar për doganën e përbashkët, mbrojtjen e përbashkët, përfaqësinë e përbashkët ndaj vendeve tjera si dhe për mjetet e përbashkëta të komunikacionit.
8. Nëse e kërkon nevoja, për ruajtjen e miqësisë dhe aleancës së përbashkët si dhe kontakteve të drejtëpërdrejta për mbrojtjen e të dy shteteve, do të themelohet me kohë një trup i përbashkët që do të kujdeset për zhvillimin dhe ekzistimin e enteve të përbashkëta.
9. Krerët shqiptarë marrin mbi vete obligim se në territorin e vet nuk do të durojnë kurrfarë agjitacioni kundër Serbisë dhe qetësisë së saj, dhe se do t´u lejojnë të krishterëve predikimin e lirë të besimit dhe mësimit në dialektin me të cilin flasin.
10. Kufiri definitiv midis Serbisë dhe Shqipërisë do të caktohet nga një komision që do të përbëhet nga një numër përfaqësuesish serbë e Shqiptarë.
11. Shqipëria merr mbi vete obligim se nuk do t´i kundërshtojë Serbisë në ndërtimin e hekurudhës së Adriatikut deri në Durrës, pasi që kjo të marrë obligim që t´ua kompensojë pronarëve për tokën që ua merr për nevoja të hekurudhës.
12. Që të mund t´i paguaj shpenzimet rreth sendërtimit të kësaj marrëveshjeje Serbia obligohet të japë nga 50. 000 dinarë në muaj, deri sa të zgjidhet sundimtari. Pasi të zgjidhet ky, do të bëhet një marrëveshje e posaçme për pagesën e shpenzimeve për nevoja të enteve të përbashkëta.
13. Ushtria serbe nuk guxon të kalojë kufirin serbo – shqiptar, po ashtu edhe ushtria shqiptare, ose njerëz të armatosur, nuk guxojnë të kalojnë në tokat e Serbisë.
14. Kjo marrëveshje është arritur tani midis përfaqësuesve të Serbisë dhe përfaqësuesit të Shqipërisë Esat pashës, kurse më vonë do të vërtetohet nga sundimtarët e Serbisë dhe të Shqipërisë, kur të zgjidhet ky.
15. Përfaqësuesi i Shqipërisë, Esat Pasha, pranon mbi vete obligimin se nuk do të punojë asgjë kundër përmbajtjes së kësaj marrëveshjeje dhe se gjithnjë në marrëveshje dhe me besnikëri do të punojë me përfaqësuesin e Serbisë, pa marrë parasysh se kush do të caktohet nga ana e Serbisë.
Në Nish, më 4 (17) shtator 1914.
Në emër të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar Esat Toptani. Teksti i marrëveshjes është shkruar në turqisht me shkrim arab, kurse nënshkrimi i Esatit është në latinisht. Po ashtu një kopje është edhe në serbisht.

Marrëveshja Toptani- Jovanoviq, më 27 qershor 1915

I Qeveria mbretërore serbe do të veprojë në atë drejtim, që asnjë fuqi e jashtme mos ta pushtojë Shqipërinë, dhe nuk do ta lejojë copëtimin e saj, por ajo të mbetet si tërësi shtetërore, e cila për jetë do të jetë në aleancë dhe bashkësi me Serbinë në bazë të marrëveshjes së mëparshme, si dhe në bazë të dispozitave të këtij protokolli.
II Pasi që kufijtë midis Serbisë dhe Shqipërisë nuk janë të natyrshëm, por janë vendosur sipas dëshirës së Austrisë e cila ka dëshiruar të krijojë konflikte dhe shqetësime të përhershme midis këtyre dy shteteve fqinjë. Kufiri i tanishëm do të përmirësohet, kështu që Serbisë do t´i takojnë Pogradeci me rrethet e Gollo Brdos, Malësia e Dibrës, Luma dhe Hasi deri në Spaç. Derisa ky kufi i ri të mos caktohet nga fuqitë ndërkombëtare, Serbia në viset e përmendura do të mundet me vendos pushtetin e saj.
III Ekselenca e tij Esat pashë Toptani do ta kryejë sa më parë organizimin e pushtetit në Shqipëri, do të formojë komuna, nahi (rrethe) dhe qarqe, duke pasur parasysh sa të jetë e mundur ndarjen e vendit nëpër fise. Do të emërojë për nëpunës njerëz të vet e miq të Serbisë. Serbia do t´i vejë në dispozicion njerëzit e saj për këtë punë.
IV Ekselenca e tij Esat pasha do të fillojë menjëherë organizimin e ushtrisë dhe xhandarmërisë. Për udhëheqës dhe instruktorë të ushtrisë dhe xhandarmerisë qeveria mbretërore serbe do të vejë në dispozicion njerëz të vet, si dhe një numër të konsideruar xhandarësh.
V Pasi ta kryejë organizimin e komunave, rretheve dhe qarqeve E.T Esat pasha do të fillojë zgjedhjet e deputetëve për kuvend dhe do të kujdeset që në Asamble të vijnë njerëz të besueshëm dhe ithtarë të tij dhe të Serbisë. Në këtë punë Serbia do ta ndihmojë Esat pashën.
VI Po sa të bindet se e ka shumicën e ithtarëve E.T Esat pasha do të konvokojë mbledhjen e Asamblesë, e cila do ta zgjedh për sundimtar me titull princ.
VII Sa të zgjedhet për princ, Esat pasha do t´i paraqesë Asamblesë projekt Kushtetutën e Shqipërisë, e cila më herët do të përgatitet në marrëveshje me qeverinë mbretërore të Serbisë. Pasi që Asambleja ta aprovojë Kushtetutën, Esat pasha do ta formojë qeverinë nga njerëzit që përkrahin idenë e bashkimit serbo – shqiptar.
VIII E.T Esat pasha obligohet që pas kësaj, në momentin e përshtatshëm ta aplikojë në jetë, me anë të Asamblesë unionin real me Serbinë, sipas të cilit Serbia dhe Shqipëria do të kenë ushtri të përbashkët, union doganor, përfaqësues të përbashkët jashtë vendit, entet e përbashkëta të tregtisë dhe komunikacionit, një sistem financiar dhe bankën popullore. Gjyqet, arsimi, punët fetare, taksat dhe të ardhurat tjera të dedikuara për nevoja të enteve të veçanta shqiptare, do të jenë thjesht shqiptare.(Esat pasha do të mundet lirisht të qeverisë me punët e brendshme).
IX Deri sa të arrihen këto, Esat pasha do t´i marrë në duar të veta të gjitha doganat, kurse për drejtor do ta pranojë një nëpunës të doganës serbe, i cili tani do ta zbatojë sistemin turk, e më vonë do ta rregullojë doganën sipas ligjeve serbe, që të mund t´i dakordojë legjislacionin doganor serb.
X Pasi të kryhen të gjitha këto që u përmendën, do të realizohet unioni doganor. Nëse më vonë nuk aprovohet marrëveshje e re, që me të ardhura doganore e të tjera të përbashkëta të plotësohen shpenzimet e përbashkëta (ushtria, përfaqësitë jashtë vendit etj), të ardhurat doganore do të ndahen sipas destinimit të mallit, pasi të heqjen shpenzimet e regjisë.
XI Që të mund të sigurohet komunikacioni sa më i plotë ekonomik midis Serbisë dhe Shqipërisë, Esat pasha do të kujdeset që më vonë t´i përshtatë shpenzimet monopolike dhe të taksave në atë mënyrë që të dakordohen me ligjet serbe mbi monopolet dhe taksat (brenda mundësive).
XII Me kërkesën e E.T Esat pashës qeveria mbretërore serbe do t´i vejë në dispozicion ekspertët që do t´i ndihmonin ta zbatojë dhe përsosë organizimin e qeverisjes dhe të enteve të nevojshme për shtetin shqiptar.
XIII Për të bërë të mundur një komunikacion sa më të fortë midis Serbisë dhe Shqipërisë, menjëherë do të fillojë ndërtimi i rrugës prej kufirit serb gjer në Elbasan, e prej andej një vijë do të shkojë për në Durrës, kurse tjetra për në Tiranë.
XIV Ndihmën që qeveria mbretërore serbe ia ka dhënë, ose pas tashti do t´ia japë Esat pashës, shkon në llogari të borxheve të Shqipërisë.
XV Gjatë kohës së punëve të përmendura (gjersa të gjitha punët mos të kryhen), ushtria serbe do të mbetet në Elbasan, eventualisht edhe në Tiranë. Kur të paraqitet nevoja e të lejojnë kushtet, ajo në marrëveshje me Esat pashën dhe komandantin e ushtrisë serbe do të ndërmarrë ndjekjen dhe shpartallimin e kundërshtarëve të vet dhe të Esat pashës, duke bërë lëvizje sipas marrëveshjes reciproke.
XVI Nëse E.T Esat pasha heton se Italia mendon ta okupojë Durrësin, menjëherë për këtë do ta lajmërojë qeverinë mbretërore serbe dhe do të thërras ushtrinë mbretërore serbe, që në emër të tij ta okupojë Durrësin, para se Italia ta bëjë këtë.
XVII Nëse E.T Esat pasha e sheh të nevojshme të kërkojë një numër ushtarësh serb, të cilët si xhandarë do t´i mbajë në Durrës, komandanti i ushtrisë serbe do t´i vejë në dispozicion.
Më 15 (28) qershor 1915
Kryetari i qeverisë Esat Pasha

Edhe kjo marrëveshje është shkruar në turqisht me shkrim arab, si dhe në gjuhën serbe. Në këtë marrëveshje Esat pasha me dorë të vetë e ka shkruar këtë vërejtje: ”Qukësi do të mbetet jashtë kufirit të përmendur, dmth mbetet i Shqipërisë.” ( Sheradin Berisha: Veprimtaria antikombëtare e Esat Pashë Toptanit).

( Esat Toptani është mbase ndër të vetmit tradhtarë, të rangut të lartë, i cili mori plumbin, në momentin e duhur nga atdhetari dhe revolucionari, Avni Rrustemi. Shtrohet pyetja çka do të ishte bërë me Shqipërinë asokohe, po të mos ishte ndëshkuar tradhtia?)

Marrëveshja e Ceno beg Kryeziut me Qeverinë jugosllave

Disa të dhëna jo sa duhet të njohura për opinionin tonë lexues, lidhur me studimin e historianit, Zhivko Avramovski të titulluar: “Aksioni i Qeverisë jugosllave kundër regjimit të Zogut në Shqipëri përmes Ceno Beg Kryeziut (1926/1927)”. Ky studimi i historianit Zhivko Avramovski është botuar për herë të parë në “Gjurmime Albanologjike II”, në Prishtinë, në vitin 1965.
Cili ishte Ceno beg Kryeziu, sipas Zhivko Abramovskit
Ceno begu ishte djali i Hysein beg Kryeziut, i lindur në Gjakovë nga familja feudale e kryezinjve, që i përkisnin fisit të Bizhuzve. Shkollimin e kishte kryer në Turqi, ndërsa me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, Ceno begu iu bashkohet radhëve të Esat Pashë Toptanit, i cili për veprën e tij tradhtare në shërbim të Jugosllavisë vritet në Paris, nga heroi i kombit, Avni Rrustemi.
Në kohën derisa Esad Pashë Toptani kishte ndarë për vete Shqipërinë e mesme, ndërsa veriun ia premtonte Jugosllavisë, e jugun Greqisë, Ceno begu ishte kryetar i rrethit në Krumë. Në vitin 1918 emërohet kryetar komune në Gjakovë, si njeri tejet i besuar i forcave okupatore jugosllave, pasi që serbëve iu kishte kryer shërbime edhe gjatë kohës së fundit të sundimit turk. Me qëllim për të përfituar favore politike, martohet me motrën e Ahmet Zogut.
Në kohën e Revolucionit Demokratik të Fan Nolit, në qershor të vitit 1924, Ceno begu së bashku me Ahmet Zogun dhe disa oficerë si: Marka Gjoni, Zef Ndoci, Maliq Bushati, Luigj Shantoja, Tafë Kaziu e të tjerë, ikin në Jugosllavi, ku kërkojnë azil politik për një kohë të caktuar dhe ndihmë ushtarake, për t’u rikthyer sërish në Shqipëri.
Marrëveshja e Pashiqit me Zogun në Beograd
Duke qenë në pozitë inferiore, Ahmet Zogu gjatë qëndrimit në Beograd, lidh një marrëveshje me Nikolla Pashiqin. Të gjitha pikat e kësaj marrëveshjeje, të lidhur në gusht të vitit 1924, ishin poshtëruese, fyese dhe diskredituese për kombin dhe shtetin shqiptar. Në pikën e parë të marrëveshjes thuhet: Shqipëria angazhohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal. Kryetari i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do ta njohë dinastinë e Karagjorgjeviqëve. Në radhët e xhandarmërisë së Shqipërisë të ketë edhe një xhandarmëri serbe, ku do të bëjnë pjesë edhe oficerë rusë e të tjerë. Qeveria jugosllave do ta mbante atë xhandarmëri me armë dhe mjete financiare. Ahmet Zogu ndër të tjera obligohet që të mos interesohej për elementin shqiptar jashtë kufijve të vetë. (Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 251, dosja 105, viti 1924, interpretuar nga libri i Faton Mehmetajt Veprimtaria kriminale e “Dorës së Zezë” serbe në trojet shqiptare, Prishtinë, 2004,f.207).

Intervenimi i mercenarëve serbë e pro serbë kundër Qeverisë Demokratike të Nolit, në dhjetor të vitit 1924

Me qëllim të interevnimit ushtarak në Shqipëri, Ahmet Zogu bisedon me gjeneralin Terziq, i cili ishte komandant i Zonës së tretë Ushtarake në Shkup. Merecenarët kryesorë në këtë shtab ishin: Ceno beg Kryeziu, Gjilardi, Muharrem Bajraktari, Abdurrahim Krosi, Llesh Topallaj e të tjerë. Ata u shpërndanë për të rekrutuar mercenarë me nga 4 napolona flori në muaj. Mercenarët vinin nga Gjakova, Prizreni, Peja, Dibra etj.( cituar sipas Faton Mehmetajt).
Asokohe Bajram Curri informohej nga Gjakova se, Ceno Crnogllaviqi, ka sjellë 1 milionë e gjysmë dinarë, i cili ka fillue t ua shpërndajë mercenarëve. Përveç kësaj ushtria jugosllave ka pru edhe armë e municion, të cilat do t u shpërndahen njerëzve që po regjistrohen.
Më 4 dhjetor Ceno begu ishte nisur në Gjakovë, me një shumë të konsiderueshme të hollash. Ai, me shumë sukses po organizonte mercenarë. Më 8 dhjetor 1924 Prefektura e Kosovës në Shqipëri njoftonte se forcat mercenare do të mësyjnë. Topat janë me ngjyrë të bardhë dhe janë nën komandën e Gjon Fushës. Edhe Alush aga do të mësyjë nga Topojani, Muherrem Neziri nga ana e Morinës përmbi Kukës dhe i vëllai i Ceno begut do të mësyjë nga Zogaj dhe nga Qafa e Prushit… Bahri Begolli ka shkrue 500 veta ( mercenarë). Të gjitha këto fuçina janë nën komandën e Ceno begut. Topxhinjtë janë ushtarë të serbit ( cituar sipas librit Veprimtaria kriminale….. shkruar nga Faton Mehmetaj).
Për shkak të meritave të tij në likuidimin e kundërshtarëve politikë dhe në vrasjen e Bajram Currit, në dimrin e vitit 1925, Ceno begu gradohet kolonel dhe emërohet komandant i Garnizonit ushtarak në Shkodër. Ndërkohë, Ahmet Zogu e emëron ministër të Punëve të Brendshme.
Asokohe pasi kishte kryer me sukses detyrat kundër kombit, Ceno beg Kryeziu, njoftonte Aleksander Karagjorgjeviqin dhe Nikolla Pashiqin, se kishte likuiduar Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Zija Dibrën e të tjerë.
A po e shihni, e mbajta premtimin, i mbyta vetë Gurakuqin, Bajram Currin, Zija Dibrën,( radi nasheg i vasheg mira) për paqen tonë dhe Tuajën
( Ora e Shypnisë, cituar sipas F. Mehmetaj).
Përçarja në mes të Ahmet Zogut dhe Ceno beg Kryeziut

Pasi që Ahmet Zogu kishte konsoliduar pushtetin e tij represiv, për të përfituar masat, dhe për të larë me aq sa ai mendonte se mund të lahej turpi i bashkëpunimit me Beogradin, ai vendos t’i ndërpres marrëdhëniet me Jugosllavinë, duke kalkuluar afrimin e mundshëm, por edhe të sigurt me Italinë. Mirëpo këtë veprim e kundërshton tinëzisht Ceno beg Kryeziu, i cili ishte agjent i fshehtë i shërbimit jugosllav. Ai kishte denoncuar edhe të deleguarin special të Beogradit në Tiranë, Branko Llazareviq, të cilin Pashiqi e tërheq nga Tirana. Bashkëshortja e Llazareviqit, asokohe kishte zbuluar se Ceno begu ishte agjent i Beogradit dhe përmes atyre të dhënave të besueshme e kishte denoncuar publikisht.
Raportin lidhur me këtë zbulim e kishte dërguar në Beograd më 16 qershor të vitit 1926 ministri i Ushtrisë dhe i Marinës, z. Diniq.
Pasi kishte mësuar këtë lajm, Ahmet Zogu propozon që Ceno beg Kryeziu të dërgohet ambasador i Shqipërisë në Beograd. Duke qenë se Ceno beg Kryeziu qe zbuluar, ai shpreh shqetësimin e tij për largim nga Shqipëria, në një kohë kur lakmonte se me mbështetje ushtarake nga Jugosllavia do t ia rrëmbente pushtetin Ahmet Zogut.

Ceno begu ambasador i Shqipërisë në Beograd

-Ti e di se në prezencë të Ahmet Zogut kam qenë i detyruar t’i pranoj të gjitha. Unë nuk kam guxuar ta refuzoj agremanin, dhe sikur të mos e pranoja këtë, Branko Llazareviqi do të më denonconte para Zogut. Më vonë Branku më jep agremanin, duke kërkuar nga unë që kur të shkoj në Beograd të punoj për të.
-Dhe çfarë bëri Beogradi me atë agreman?- pyet Diniqi.
-Me të jam varrosur, sepse të gjitha depeshet e mia të fshehta i janë dërguar Italisë. Çfarëdo të ndërmerrja nesër në Shqipëri, ata do të reagonin, sepse në depeshet Tuaja vërtetohej se jam njeriu juaj besnik. Ndërsa në sytë e nacionalistëve shqiptarë, unë kam humbur shumë, sepse pas atyre depesheve të gjithë nacionalistët shqiptarë tani më konsiderojnë si agjent të Serbisë.
. Në pyetjen e Diniqit se a është ende Ceno begu “ai i moçmi” dhe a mund të llogarit ende në shërbimet e tij për Beogradin, Ceno begu përgjigjet:
-Beogradi më ka shkatërruar, por unë betohem në atë, që është më e shenjtë, betohem në eshtrat e babait tim, se kundër Beogradit kurrë nuk do të veproj. Tash mund ta them këtë, ndërsa deri në cilën kohë Beogradi mund të llogaritë në mua, për këtë as do të flas, as do të shkruaj, sepse kam frikë, pasi që këtu te ju edhe gratë i dinë fshehtësitë. Nëse mund ta shoh edhe një herë Shkelqësinë tij të nderuar, Kralin, vetëm atij do t’ ia bëj të ditur ndjenjat që ushqej për të dhe mendimet e mia.

Ky dialog është interpretuar nga studimi i historianit Zhivko Avramovski titulluar Aksioni i Qeverisë jugosllave kundër Ahmet Zogut përmes Ceno beg Kryeziut, botuar në gjuhën serbe, në Gjurmime Albanologjike 2, Prishtinë 1965, f. 233.

Ahmet Zogu kundër Ceno Beg Kryeziut, prishja e marrëdhënieve shtetërore Shqipëri-Jugosllavi

Duke ditur mirë dhe duke dyshuar thellë në bashkëpunimin e Ceno begut me Beogradin, Ahmet Zogu përmes një preteksti diplomatik, meqë nuk posedonte leje të rregullt qëndrimi, burgos përkthyesin, (dragomanin) Vuk Gjurashkoviq, tek i cili gjenden të gjitha dokumentet komprometuese për Ceno begun. Burgosja e Gjurashkoviqit nxit disa nota protestuese të Beogradit drejtuar Tiranës, me kërkesë që Gjurashkoviqi të lirohej përnjëherë dhe t’i kërkohej falje për një veprim të tillë. Ahmet Zogu, meqë asokohe kishte trashur miqësinë me Italinë, tanimë nuk i frikësohej Jugosllavisë. Më 12 qershor të vitit 1927 Jugosllavia ndërpret të gjitha marrëdhëniet me Shqipërinë dhe kërkon tërheqjen e personelit të Ambasadës. Ceno begut nuk i shkohej në Tiranë. Gazetat shkruanin se ai do të kërkonte azil politik në Jugosllavi.
Ceno beg Kryeziu, më 15 korrik të atij viti, me rastin e nisjes për në Durrës jep një deklaratë për shtypin jugosllav, në të cilën thuhej:
-Me zëmër të thyer po e lëshoj Beogradin. Ju e dini sesa kam punuar për të mos ardhur deri te ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike… Por edhe pas të gjitha këtyre që kanë ndodhur, ju lutem, shënojeni, se edhe më tej mbetem miku juaj besnik, ashtu sikur kam qenë gjithmonë, dhe shpresoj se së shpejti do të jem në Beograd.
Pas kësaj deklarate, e cila u botuar në gazetën “Politika” të 15 korrikut të vitit 1927, Ceno begu nga Dubrovniku arrin në Durrës.

Rivendosja e marrëdhënieve dhe vrasja e Ceno begut në Pragë

Njëzet ditë më vonë katër fuqitë e mëdha: Anglia, Italia, Gjermani dhe Franca detyrojnë Shqipërinë ta lirojë nga burgu Gjurashkoviqin, ndërsa detyrojnë edhe Jugosllavinë që ta tërheqë notën, e cila çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy vendeve. Më 4 gusht 1927, rivendosen marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Ambasador i Shqipërisë në Beograd emërohet Tahir Shtylla, njeriu që kishte zbuluar lidhjet e Ceno begut me Beogradin, ndërsa në Tiranë emërohet ambasador, Milivoje Milçiç. Pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ambasadori i Shqipërisë Tahir Shtylla premton se së shpejti në Beograd do të kthehet Ceno begu, i cili ndërkohë kishte shkuar në Pragë, ku do të dorëzonte letrat akreditive për Çekosllovakinë dhe ku pritej të emërohej ambasador.
Më 14 tetor të vitit 1927, derisa po dilte nga një restorant i Pragës, Ceno begun e vret me revole, studenti, Alkibijad Bebi, një bursist shqiptar, i cili kishte ndjekur dhe kishte ndjekur hap pas hapi Ceno begun edhe gjatë qëndrimit të tij në Beograd, duke u paraqitur si kandidat për t’ u regjistruar në ndonjë fakultet. Agjentët serbë e kishin arrestuar si të dyshuar mirëpo e kishin liruar në mungesë të fakteve, meqë ai nuk e zbulon qëllimin e tij. Pas kryerjes së atentatit në Pragë, Alkibijad Bebi nuk ikë, por iu dorëzohet organeve policore. Në pyetjen për se a e kishte kryer atentatin dhe kush qëndronte pas tij, ai përgjigjet:
E kam vrarë Ceno begun, sepse ai është serbofil, i cili ka bërë përpjekje për t’ia shitur Shqipërinë Jugosllavisë.
Pashiqi kishte planifikuar dhe organizuar hakmarrjen për mikun e tij besnik dhe të devotshëm. Kishte gjetur në Kosovë një bastard tjetër, të cilin e kishte paguar me dukat, dhe të cilin e kishte dërguar me aeroplan special në Pragë. Me ndihmën e agjentëve çekë, agjentët serbë e kishin futur në sallë Zijah Vushtrrinë, apo Zeqirin ( sipas Avramovskit), për të cilin thuhej se kishte qenë truproje e Ceno begut. Në kohën kur kishte filluar seanca e gjykimit kundër Alkibijad Bebit, i cili nuk e kishte ndërruar deklaratën as para trupit gjykues i afrohet afër me revolen e mbushur, vegla e verbër e Pashiqit. Derisa Alkibijad Bebi para trupit gjykues ripohonte se veprën e kishte kryer nga patriotizmi dhe jo i shtyrë nga askush, në një moment, vegla çorre e Pashiqit nxjerr revolen dhe para trupit gjykues vret Alkibiad Bebin. Autoritetet jugosllave intervenojnë tek autoritetet çekosllovake dhe përnjëherë e lirojnë nga arresti vrasësin, të cilin nën masa të rrepta sigurie e kthejnë në Kosovë, për të kryer edhe shërbime të tjera bastarde.
Ahmet Zogu dërgon njerëzit e vet, dhe nga Praga e sjell në Tiranë motrën e vet dhe djalin e Ceno begut.

Një akt tjetër i tradhtisë së madhe

Kuvendi i Prizrenit 8-10 gusht 1945, një tradhti tjetër në dëm të interesit kombëtar

Një marrëveshje të një përmbajtje të tillë, krejtësisht në dëm të interesit kombëtar të shqiptarëve ka nënshkruar në Prizren kreu politik, komunist, i Kosovës, në gusht të vitit 1945, kur kërkohet dhe pranohet që Kosova t’ i bashkohet Serbisë dhe Jugosllavisë. Nënshkruesit e kësaj faqeje të zezë të turpit të historisë sonë më të re, arritën të mbahen në pushtet deri në kohën kur shumicën prej tyre, i hodhi nga shërbimi, si limona të shtrydhur, krimineli despot serb, Milosheviq. Disa prej tyre u rikthyen në pozitat e dikurshme nën pushtetin e UNMIK-ut edhe pas luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare. Disa nga ata ende janë gjallë, ndërsa bijtë dhe bijat e disave prej tyre janë edhe zyrtarë të lartë në Qeveri, në Parlament dhe nëpër komunat e vendit.

Në Kuvendin e Prizrenit, mbajtur më 8-10. korrik 1945, Kosova u aneksua edhe zyrtarisht nga Serbia. Vija komuniste e ndodhur para presionit të madh të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, u detyrua të heqë dorë nga Rezoluta e Konferencës së Bujanit, e cila parashikonte që pas luftës të bëhej bashkimi i trojeve shqiptare. Në kushtet ekzistuese, kjo vijë artikuloi qëllimin e vet, i cili ishte më pak konfliktuoz me qëllimin serb, pasi që parashikonte integrim të shqiptarëve në jetën politiko-shoqërore të shtetit jugosllav. (Fadil Kajtazi)

Në kuvendin e Prizrenit që u mbajt më 8-10 korrik 1945, u hodh poshtë Rezoluta e Mbledhjes së Bujanit. Në këtë Kuvend morën pjesë 137 delegatë ( 33 ishin shqiptarë, 24.08 %, 71 serbë e malazezë, 52. 82 %). Për 33 delegatë (24.08%) nuk është dhënë përkatësia kombëtare.
Referatin e mbajti Xhavit Nimani, ku shtrohej pyetja: “ Përse masat e gjera popullore nga Kosova dëshirojnë të Bashkohen me Serbinë Federale?” Përgjigja ishte kjo: “ Para së gjithash për arsye se populli serb, duke u ngritur i pari në luftë kundër okupatorit, njëkohësisht ka luftuar edhe hegjemonistët serbomëdhenj, kundër atyre që janë më së shumti fajtorë për të gjitha të këqijat që u janë bërë popujve të Kosovës”. Në Kuvend u mor vendimi: “Këshilli Popullor i Kosovës deklaron në mënyrë të njëzëshme se banorët e këtij qarku, po ashtu si gjithë popujt e Jugosllavisë, nuk kanë pranuar kurrë copëtimin e qarkut të vet, as të Jugosllavisë, të bërë nga okupatorët dhe se shpreh dëshirën që Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit t’i bashkohen Serbisë Federale”.
Një nga organizatorët kryesorë të Konferencës së Bujanit dhe të Kuvendit të Prizrenit, Fadil Hoxha, asokohe është shprehur decidivisht: “Më 10 korrik 1945… ligjërisht dhe në mënyrë demokratike njëherësh anulohet dhe pjesa e gabueshme e Rezolutës, e miratuar në Konferencën e Bujanit.
Duke marrë parasysh vendimin e Kuvendit të Prizrenit, në Rezolutën e miratuar në seancën e parlamentit jugosllav (KANCJ), të mbajtur më 7-10 gusht 1945, thuhet: “Kosova dhe Dukagjini në mbledhjen e zhvilluar dhe 10 korrik 1945 në Prizren, kanë miratuar rezolutën, në të cilën territori i Kosovës dhe Dukagjinit i bashkohet Serbisë Federale”.
Dokumentin e nënshkroi Ivan Llolla Ribar, i cili ka qenë kryetar i parlamentit mbretëror në vitet 1920-1923, kur u dogjën 182 fshatra shqiptare në Kosovë dhe u vranë 40.000 shqiptarë. ( Skënder DEMALIAJ: KONFERENCA E BUJANIT – NGJARJE E NDRITSHME NË HISTORINË E KOSOVËS.

Në vitin 1990, klasa titiste rankoviqiste kishte parë për herë të parë dhe kishte shqyrtuar mashtrimin e madh, që u bë në gusht të vitit 1945.Në mesin e tyre kishte edhe shumë nënshkrues të rezolutës së Kuvendit, por edhe besnikë të tjerë të bashkim vëllazërimit, të cilët sërish do të kërkonin, që Kosova të mbetej si njësi e barabartë administrative në federatën jugosllave, e cila tashmë kishte filluar të shkatërrohej. Për ta ilustruar këtë tubim, ku pretendohej të lahej turpi me turp, po shkëpusim pjesë nga publikimet e asaj kohe.

Kur flasin “viktimat” e tradhtisë serbe

“Më 28 qershor 1990 në Institutin e Historisë, në Prishtinë vazhdoi punimet Kuvendi shkencor me temë “Kuvendi i Prizrenit i vitit 1945″… Pjesëmarrësit e Kuvendit në memorien e tyre mbas 45 vitesh diskredtitojnë tashmë “besën” dhe “premtimet” serbe.
Synimi aktual i yni tha dr. Esat Stavileci duhet të jetë e drejta për vetë organizimin e Kosovës, nxjerrja e kushtetutës se re, mëvetësia ekonomike, marrëdhëniet me botën, dhe subjektiviteti i plotë e i barabartë i Kosovës me federatën përkatësisht konfederatën jugosllave. Në diskutim morën pjese edhe dr.Seit Lipa, dr.Qazim Lleshi Xhevdet Hamza, Zija Bylykbashi, Nexhmi Ganiu, Ali Jakupi dhe Zijadin Gashi, të cilët përkrahën kërkesat gjithëpopullore për subjektivitet të plotë të Kosovës në federatë apo konfederaten jugosllave dhe ndryshuan aspekte te ndryshme të rrjedhës dhe të pasojave të Kuvendit të Prizrenit të vitit 45, kur Kosova u bashkua pa vullnetin e plotë të popullit me Serbinë. Duke e marrë fjalën në këtë tubim ish udhëheqësi kosovar, Xhavit Nimani, theksoi se tërë kjo ishte rezultat i rrethanave të brendshme e të jashtme, pastaj edhe ne faktin se ne të gjitha udhëheqjet e atëhershme përbërja ishte në favor të serbëve dhe të malazezëve e vihej re edhe një mosbesim ndaj ( disa) kuadrove shqiptare. Duke u përgjigjur në shumë pyetje qe ia bënë të pranishmit rreth Masakrës së Tivarit, Xhavit Nimani theksoi se pas kthimit nga Shqipëria në vitin 1944, kishte marrë vesh se në Kosove janë bërë pushkatime të të mobilizuarve dhe në Prizren, ku sidomos gjendja ishte alarmuese. Ai tha se lidhur me këtë ka intervenuar te Predag Ajtiqi dhe ka kërkuar që të ndërpriten menjëherë pushkatimet e njerëzve.
Xhavit Nimani ka sjellë në kujtesë edhe një bisedë me Drazha Markoviqin, e cili e kishte pyetur atë se ishte për republikë në kuadër të Serbisë apo Jugosllavisë, Xhaviti ishte përgjigjur: Jam për republikë në kuadër të Serbisë. ( Të dhëna të shkëputura nga shtypi i kohës, dhe Gazeta 55″, 13. 5. 1999).

Nga një dokument tjetër bëhet e ditur se Xhavit Ninami jo vetëm ka ditur por ka larguar nga radhët, që shkonin drejt Tivarit të gjitha ata robër, të cilët ishin nga Gjakova me rrethinë. Historiani, Zekeria Cana, në librin e tij „Ditari i Robërisë“ 1998-1999 shkruan se në Masakrën e Tivarit nuk u pushkatua asnjë gjakovar, sepse ata i shpëtoi Xhavit Nimani, i cili i nxori nga rreshti të gjithë ata që ishin duke shkuar për pushkatim. Vetë kjo të bënë me dije se komunistët shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës e dinin se po ndodhë kjo masakër.

Këto janë vetëm disa nga shumë dokumente të kohës, të cilat hedhin dritë mbi momentet e tradhtisë, në shkallë kombëtare. Tradhtia e Esat Pashë Toptanit, e Ahmet Zogut u pasua me tradhtinë e kryezinjve të Gjakovës dhe të shumë bajraktarëve dhe kryetarëve të komunave në Kosovë dhe në trojet e mbetura nën pushtimin jugosllav, për të arritur më në fund te tradhtia më e kobshme e komunistëve shqiptaro-jugosllavë, të cilët me besnikëri i shërbyen Jugosllavisë së Titos edhe pas Titos.

( Krejt kjo do të mbetej si pjesë e një historie të zezë të së kaluarës, por të mos ishte edhe sot e kësaj dite në Kosovë, jo vetëm e pranishme por shumë e fuqishme klasa që doli apo që polli nga “epoka” e Titos. Kjo klasë po mbetet karrem i Serbisë për të mprehur orekset hegjemoniste dhe kolonialiste në Kosovë.)
Kjo damkë e zezë e së kaluarës, natyrisht se erdhi si pasojë e robërisë së gjatë shekullore dhe e presionit të fuqishëm ushtarak, politik dhe ekonomik që ka ushtruar Rusia cariste, popujt sllavë, Greqia dhe Evropa e krishterë kundër shqiptarëve me shumicë të besimit islam. I vetmi shtet në botë që ndaloi zhbërjen e Shqipërisë ishte Amerika. Të gjitha shtetet fqinje e gjakosen Shqipërinë, e copëtuan, vranë e masakruan gra e fëmijë, zhdukën e shpërbënë territore të tëra dhe pretenduar ta shuajnë nga faqja e dheut në popull i cili i kishte rezistuar të gjitha pushtimeve në të kaluarën, prej pushtimit romak, sllav, bizantin, turk, serb, grek, malazias, pushtimit fashist gjerman e italian si dhe pushtimit fashist komunist serb, në Kosovë, deri në qershor të vitit 1999. Edhe kësaj radhe Amerika dhe NATO-ja nuk lejuan shpërbërjen etnike të Kosovës.

Edhe pas të gjithave sa kanë ndodhur, ende në Kosovë kanë mbetur plehrat e së kaluarës, të cilët sikur duan të na bindin se shqiptarët kanë jetuar më së miri në kohën e Titos dhe të Rankoviqit, se ishte kryengritja shqiptare e vitit 1981, ajo që prishi Jugosllavinë. Këta nostalgjikë flasin dhe shkruajnë për të arriturat e shqiptarëve në Jugosllavi, duke anashkaluar dhunën dhe gjenocidin sistematik serb, meqë vetë nuk kishin pësuar, përkundrazi ishin ngritur në postet më të larta të pushtetit, meqë diferencoheshin nga veprat e bashkëkombësve që kërkonin çlirim dhe bashkim të Kosovës me Shqipërinë.
Këta madje veçojnë kosovarizmin si produkt të zhvillimit dhe të përparimit të shqiptarëve në Jugosllavi. Këta flasin për kulturë gjuhë dhe arsim kosovar, për mediume kosovare, madje edhe për komb kosovar, që do të thotë komb i një përzierje serbe shqiptare apo shqiptare serbe, diçka jo krejtësisht shqiptare, por jo edhe krejtësisht serbe e jugosllave, por diçka që i dallon kosovarët nga shqiptarët e Shqipërisë, apo ata të ish-RJ të Maqedonisë apo të Malit të Zi, të Kosovës Lindore etj. Mendësia e tillë është koncept bazë e mediumeve të Kosovës që cilat i drejtojnë ish-titistët. Të tillët janë postuar kudo në të gjitha institucionet qendrore dhe vendore. Të tillët drejtojnë edhe shumë medie në vendin tonë. Këta janë bijtë e atyre dhe përkrahësit e politikave antishqiptare. Këta janë bijtë dhe bijat e atyre që u bënë digë për ta mbrojtur edhe me gjak bashkim vëllazërimin e shqiptarëve me serbë e malazez, duke dënuar, madje edhe duke vrarë shqiptarët liridashës, të cilët kurrë dhe në asnjë moment nuk pranuan që robërinë ta konsiderojnë liri, drejtësi apo barazi. Këta janë ata që nuk kanë lënë të zezë pa kurdisur kundër të përndjekurve dhe të dënuarve shqiptarë, kundër UÇK-së dhe kundër të gjitha të arriturave me gjak, mund e djersë.

Nga ky soj bashkëpunëtorësh ndodhen të postuar individë të caktuar në të gjitha nivelet vertikale dhe horizontale të qeverisjes në Kosovë. Ka aktualisht dhe kishte qysh nga viti 1999 këshilltarë të lartë, ministra e zëvendës-ministra, ambasadorë e sekretarë, deputetë, gjykatës, prokurorë dhe nëpunës nga soji i tillë në të gjitha segmentet e administratës. Me të tillët, Kosovës i zgjatet agonia, dhe derisa të tillët postohen dhe rehabilitohen madje edhe nga një segment i liribërësve të Kosovës, natyrisht se Serbia nuk largon apetitet për rikthim të pushtimit në Kosovë. Duke bashkëpunuar dhe duke bashkëvepruar me sojin e tillë, Serbia kishte sunduar shqiptarët prej vitit 1912 deri në vitin 1999. Andaj Beogradi zyrtar shpreson dhe nuk lë gur pa lëvizur në mënyrë që, në mos më shumë ta nxjerrë në sipërfaqe këtë klasë, e cila do të jetë e pranueshme për serbët e Kosovës dhe do të jetë garanci e kthimit të tyre, madje edhe kthimit të kriminelëve në vendet e krimeve, kthimin në Kosovë të atyre që kanë vrarë e kanë masakruar mijëra shqiptarë, fëmijë, gra, pleq.

Kush derdhi lot dhe përkujtoi Titon në 25-vjetorin e vdekjes së tij?

Për të parë dhe për t’u bindur se deri në ç’ nivel ka shkarë mendësia titiste, në mesin e kësaj klase, e cila falë përkrahjes së UNMIK-ut por edhe një segmenti të institucioneve tona po qëndron e fortë në Kosovë, po rikthejmë për botimin komentin e Radios-Kosova e lirë “Nostalgjikët e Titos, edhe 25 vjet pas vdekjes, i mbesin besnikë rrugës së bashkim vëllazërimit”. Ashtu si dikur atë marrëveshjet bastarde të sojit esattoptanist të nënshkruara me Pashiqin, klasa e konvertuar në jugosllavizëm nuk heq dorë nga e kaluara dhe nga idetë e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbë dhe sllavë të tjerë të Ballkanit.
Një gazetë ditore e Kosovës e quajtur”Ekspress”, e emërtuar kështu me nostalgji sipas Ekspresit simotër të Beogradit, gazetë me përmbajtje ideologjike projugosllave, në faqen e dytë boton lajmin “prekës” të para 25 viteve, kur “Rilinjda” e asaj kohe, apo viktima që glorifikonte xhelatin, sikur shprehej Jusuf Gërvalla, kishte botuar lajmin për vdekjen e Josip Brozit, ndërsa po në këtë faqe, analisti me orientim projugosllav, Shkëlzen Maliqi, boton një koment me përmbajtje nostalgjike për prijësin e madh të kombeve e të kombësive të Jugosllavisë.
Nuk është aspak për t’u habitur pse në Kosovë ende ka më shumë nostalgjikë protitistë e projugosllavë, sesa në Kroaci apo në Serbi, sepse në mendjen e rajës së robëruar, jo vetëm qenia por edhe mendja mbetet rob përgjithmonë.
Mirëpo, është paksa për t` u habitur si ndodh për shembull kur i tërë shtypi i zi që botohet në gjuhën shqipe në Kosovë, iu turret atyre të cilët i quan enveristë, duke e etiketuar Enver Hoxhën madje edhe si titist, sikur bën nostalgjiku i jugosllavizmit Agim Zogaj, ndërsa joshet me komentet për Titon dhe rrugën e tij “të lavdishme”, madje edhe për dashurinë e veçantë, që ai, pra Marshall Tita, paska pasur për shqiptarët, sikur deklaron Shkëlzeni i Mehmet Maliqit dhe disa të tjerë si ky. Kjo formë e ringjalljes së lugatërisë titiste e rankoviqiste, në mos më shumë, në bën të mendojmë se gjaku i përzier për 90 vjet rresht, gjaku i mijëra bastardëve nuk bëhet hasha, dhe nuk është pastaj për t`u habitur se shumë nga ish intelektualët titistë dhe rankoviqistë, sot drejtojnë jetën politike, kulturore dhe shoqërore në Kosovë.

Analistit besnik të kominternës jugosllave, Shkëlzen Maliqit dhe stafit të gazetës Ekspress, do të duhej përkujtuar me këtë rast disa nga krimet monstruoze dhe masakrat, që janë kryer me urdhër të Titos e të Rankoviqit dhe të lakejve të tyre shqipfolës, jo vetëm në Kosovë por në të gjitha trojet shqiptare të okupuara nga ish Jugosllavia. Dhe ato krime arrijnë deri në 50 mijë shqiptarë të vrarë, të masakruar e të pushkatuar me gjyq dhe pa gjyq.
Besnikëve të Titos edhe 25 vjet pas vdekjes së tij, duhet bërë me dije se dhuna barbare jugosllave nuk kurseu 90 përqindëshin e shqiptarëve liridashës, ndërsa është e logjikshme që ajo mori nën mbrojtje 10 përqindëshin e bastardëve shqipfolës, i cili mjaftonte si forcë për ta ndërtuar sistemin represiv dhe administrative, dhe për të qeverisur dhunshëm në trojet shqiptare të okupuara.
Tito dikur, dhe titistët, madje edhe këta nostalgjikët e paturpshëm të pas 25 viteve, e dinë fare mire se sa qindra e mijëra shqiptarë janë vrarë në Kosovë, sidomos prej nëntorit të vitit 1944 e deri në dhjetor të vitit 1950. Natyrisht se ata janë vrarë, janë pushkatuar dhe janë masakruar si armiq të bashkim vëllazërimit, si nacionalistë dhe separatistë shqiptarë, si ballistë dhe enveristë, dhe përgjithësisht si shqiptarë, që nuk kanë pranuar të jugosllavizohen, nuk kanë pranuar të përziejnë martesat, gjakun dhe gjuhën e tyre me kombet e kombësitë e ish Jugosllavisë.
Botuesit e gazetës Ekspress, me rastin e përkujtimit të këtij përvjetori të tyre nostalgjik për Marshal Titon, duhet përkujtuar se në tokën e Kosovës dhe të ish Jugosllavisë, ende ka mijëra kufoma të pagjetura të barbarisë titiste e rankoviqiste si në Tivar, në Monopolin e Duhanit në Tetovë, në Idrizovë, në Shkup, në Strelishte ( vend pushkatim i shqiptarëve në Prishtinë prej vitit 1945 deri në vitin 1949, dhe në dhjetëra e qindra vende të tjera. Të humburit dhe të pagjeturit e kohës së Titos, nuk janë zbuluar kurrë, ashtu sikur nuk janë zbuluar më shumë se këto 2000 kufomat e shqiptarëve të rrëmbyer gjatë luftës së fundit në Kosovë, që ende kanë mbetur pa u gjetur në humbëtirat e Serbisë sodomiste të Milosheviqit.
Nostalgjikëve të jugosllavizmit do të duhej përkujtuar se krimet e kryera kundër shqiptarëve liridashës gjatë periudhës së sundimit të tyre, as janë harruar as mund të konsiderohet se janë vjetruar. Krimet e tilla kanë ngelur në kujtesë të trashëgimtarëve të tyre, të cilëve përkujtimi i përvjetorit të 25 të vdekjes së Titos, iu përkujton vrasjet, masakrat e pushkatimet që Tito dhe titistët kanë bërë kundër baballarëve, vëllezërve dhe të afërmve të tyre.
Ne e kuptojnë nostalgjinë e titistëve, me faktin se ata punojnë dhe veprojnë me çdo kusht për ta rikthyer dominimin serbo-jugosllav në Kosovë dhe pikërisht në këtë segment është thurur edhe shkrimi memorial i Shkëlzen Maliqit, botuar në “Ekspress” si dhe përkujtimin për përvjetorin e vdekjes së Titos edhe në gazeta dhe media të tjera të vendit. Shkëlzen Maliqi nënvizon se, sipas tij edhe të gjitha qarqet vendimmarrëse të Evropës, sot po treguakan interesim për modelin titist të bashkëjetesës së shqiptarëve me serbët, në rrugë për ta gjetur një status të përshtatshëm për Kosovën. Ai pretendon ta bëjë të ditur një vlerë, sipas tij universale të modelit qeverisës të Titos në Kosovë, kur Kosova ishte “e lire” madje me status në kuadër të Serbisë edhe të federatës.
Shkëlzen Maliqi mbase ka harruar se ka vdekur edhe federata e Titos, ka vdekur edhe ajo krijesa e quajtur Jugosllavi, ka vdekur dhe është fundosur përgjithmonë bashkim vëllazërimi i shqiptarëve me sllave, meqë vetë sllavët e kanë flakur atë bashkim vëllazërim të panatyrshëm, por, në mendjet e robëruara e të skllavëruara kurrë nuk vdes iluzioni, nostalgjia dhe idolatria bastarde.
Nostalgjia për Titon, Rankoviqin dhe Milosheviqin do të zgjas në Kosovë, krejt derisa të pastrohet gjaku bastard nga damarët e atyre, që mbase edhe e kanë trashëguar nga baballarët, nga nënat, e disa edhe nga gjyshet e tyre. Ky pastrim do të bëhet në mënyrë evolutive, për shkak se nuk arriti të bëhet në mënyrë revolucionare. Nostalgjia për Titon e titizmin, për Jugosllavinë okupatore të kohës së kaluar, prek plagët ende të pashëruara të liridashësve të vendit tonë, por ata i mban shpresa se Kosova duhet të kalojë edhe nëpër këtë zezonë, duhet të kalojë përmes filtrave kohorë historikë, sepse gjaku nuk bëhet ujë dhe xhelati, në asnjë vend të qytetëruar të botës, nuk mund të shpallet hero. Kjo ndodh vetëm në mendjet e robëruara si kjo e Shkëlzenit të Mehmet Çorrit dhe tërë sojit të bastardëve.

Paradoksi i shpalljes së heronjve me të kaluar të dyshimtë

Por ndodh në Kosovë edhe një paradoks tjetër gati 10 vjet pas mbarimit të luftës dhe fitores kundër regjimit kriminal serb. Kreu institucional i Kosovës po shpall hero kombëtar nga mesi i ish bashkëpunëtorëve të dëshmuar të jugosllavizmit. Ibrahim Rugova kishte shpallur hero edhe Tahir Zemën, dezertorin e luftës së UÇK-së, në një pjesë të Dukagjinit, në verë të vitit 1998. Kryetari i Kosovës shpalli hero edhe nënkolonelin e armatës jugosllave, Ahmet Krasniqi i cili ka shërbyer rreth 30 vjet në atë armatë dhe nuk arrit të shkëputet nga ideologjia e titizmit, mbase edhe për shkaqe intime e individuale. Rrethanat e vrasjes së tij, në Tiranë, 10 vjet më parë ende nuk janë zbuluar dhe nuk dihet saktë se kush qëndron prapa likuidimit të tij. Ngutja për ta shpallur hero, para se të ndriçohen rrethanat e vrasjes, me siguri se ka një qëllim, apo është bërë për të arritur një efekt politik. Por tashmë dihet botërisht se Ahmet Krasniqi në Kroaci ishte shpallur kriminel lufte meqë ne detyrën e nënkolonelit të armatës Jugosllave kishte dhënë urdhër për vrasjen e popullatës civile kroate.
(Ahmet Krasniqi i dyshuar për krime lufte në Kroaci, nëntor 1991 – korrik 1992! Pashtriku.org ka siguruar një dokument, ku dëshmohet, se: Ahmet Krasniqi gjatë luftës në Kroaci, duke qenë oficer i ushtrisë jugosllave, nga nëntori 1991 deri në korrik 1992, dhe ka marrë pjesë në operacionet vrastare të kësaj ushtrie mbi popullatën e pambrojtur kroate, në rajonin e Baranjës. Në vijim ju ftojë të lexoni këtë dokument, në të cilin figuron emri i Ahme Krasniqit si “kriminel lufte…”! Ahmet Hajriz Krasniqi, i lindur me 15. 01. 1948, në fshatin Zhelivodë, Kosovë, vendqëndrimi në Gospiç, si pjesëtar i APJ-së, me gradë nënkolonel ka marrë pjesë në sulmet mbi objektet ushtarake dhe civile në Baranjë, nga nëntori 1991 deri në korrik 1992.)

Më vonë, Ahmet Krasniqi dezerton nga radhët e APJ-së, por nuk lufton në Kroaci e Bosnje kundër serbëve, sikur bëri Agim Çeku, Bislim Zyrapi, Sali Veseli e shumë oficerë të tjerë të ish armatës jugosllave, të cilët me kohë u rreshtuan në mbrojtje të popujve kundër agresionit serb, si dhe në luftën e organizuar nga Ushtria çlirimtare e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.
Ai u emërua ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Bujar Bukoshit, në verë të vitit 1998, me qëllim për ta minuar luftën e UÇK-së. Gradoi Tahir Zemën i cili kishte dezertuar nga radhët e UÇK-së në Dukagjin.
Asnjëherë gjatë luftës nuk lëvizi nga Tirana, ku merrte të ardhura të majme nga Qeveria në hije e Bujar Bukoshit. Ahmet Krasniqi po përgatitej të bënte në Kosovë, atë që kishte bërë Fikret Avdiqi gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Vrasja, qoftë aksidentale, qoftë e motivuar, qoftë e kryer nga klanet mafioze politike, apo nga ndonjë idealist i çështjes, ende ka mbetur pa u zbuluar.
Ende nuk dihet botërisht se kush dhe përse e vrau Ahmet Krasniqin, ashtu sikur nuk dihen edhe vrasësit e disa ushtarakëve e politikanëve të tjerë gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Dhe përderisa kjo çështje nuk ka përfunduar, nuk do të duhej të ishte shpallur hero ky njeri, i cili ka një jetë të tërë në shërbim të armatës jugosllave, dhe i cili ndodhet në listën e kriminelëve të luftës kundër popullit kroat. Vetëm ky fakt ka qenë i mjaftueshëm për të mos e shpallur madje as martir. Si mund të shpallet hero i Kosovës, njeriu që ka vrarë kroatë me urdhrin e gjeneralëve të kriminelit Milosheviq?
Me sa dimë ne Kroacia nuk ka shpallur hero asnjë kroat, i cili i verbuar nga ideja e serbizimit të ish-Jugosllavisë ka luftuar në Kosovë kundër shqiptarëve.
Përkundrazi, Kroacia e ka përkrahur fuqishëm luftën tonë çlirimtare dhe ndër shtetet e para e ka njohur pavarësisë e Kosovës. Kroacia po ashtu ka shpallur hero veteranin e luftërave kundër Jugosllavisë, Bekim Berishën dhe shumë shqiptarë të tjerë, që kanë marrë pjesë në luftë për çlirimin e Kroacisë.
Bashkëpunëtorët e të gjitha regjimeve të huaja, kudo në botë janë trajtuar dhe me të drejtë trajtohen bastardë, sepse të vihesh në shërbim të shtypësit për ta shtypur vëllanë tënd, të gjuhës e të gjakut, të mbetesh përjetë besnik i një ideologjie të vdekur përgjithmonë, sikur është ideja e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbë, kjo do të thotë ta mohosh kombin, gjuhën racën, në emër të një kombi, gjuhe dhe race tjetër.

Përse është i nevojshëm ky rishqyrtim i së kaluarës?

Fakti se klasa politike shqiptare e Kosovës me prejardhje titiste është ende shumë e fortë dhe nuk ndihet e rrezikuar në asnjë segment, zbeh fitoren kundër okupimit shekullor sllav e serb në Kosovë, dhe mbetet rrezik i përhershëm për këtë periudhë të vështirë të pranimit të pavarësisë së Kosovës. Mbi këtë bazë do të duhej kërkuar edhe këmbënguljen e politikës së Kremlinit dhe Beogradit për kthimin e hegjemonisë serbe në vendin tonë. Beogradi zyrtar ka shpallur fajtorë, madje edhe terroristë, vetëm luftëtarët e UÇK-së, por jo edhe politikën e përgjithshme, aq më pak atë të dikurshmen, të bashkimit e vëllazërimit dhe përbashkësisë me Serbinë. Me vetë faktin se kjo klasë nuk e mori dënimin e merituar moral, pas luftës dhe fitores tonë historike, vë në pikëpyetje edhe luftën tonë çlirimtare, e cila nga titistët trajtohet si konflikt mes Milosheviqit dhe UÇK-së, ashtu sikur trajtohet edhe në disa botime të analistëve të huaj si, Henry Perrit e të tjerë. Mbi këtë bazë Serbia ka iniciuar edhe nismën për të provokuar Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sepse vetë pala shqiptare nuk ka marrë qëndrim decidiv në përkufizimin realist se, pati luftë çlirimtare në Kosovë, apo konflikt mes dy ekstremeve? Pikërisht për këto dhe fakte të kësaj natyre, duhet të merren në shqyrtim e kaluara, për të hetuar gabimet dhe për të mos lejuar që ato të përsëriten. Nuk është e tolerueshme, madje është e dënueshme në aspektin e moralit kombëtar të shpallen të pafajshëm dhe të gradohen figurat e errëta të historisë dhe të barazohen me titanët e kombit. Veprimet e tilla janë të pafalshme.

Literatura:

Sheradin Berisha: Veprimtaria antikombëtare e Esat Pashë Toptanit. Pashtriku org.
Shyqri Hysi: Marrëveshja Nikolla Pashiç – Ahmet Zogu e gushtit të vitit 1924.
Skënder DEMALIAJ: Konferenca e Bujanit – Ngjarje e ndritshme në historinë e Kosovës.
Gazeta 55″, 13. 5. 1999).
Radio-Kosova e lirë “Nostalgjikët e Titos, edhe 25 vjet pas vdekjes, i mbesin besnikë rrugës së bashkim vëllazërimit”.
Zhivko Abramovski: “Aksioni i Qeverisë së Jugosllavisë kundër regjimit të Zogut në Shqipëri, përmes Ceno Beg Kryeziut”, Gjurmime Albanologjike, II, Prishtinë, 1965.
Dokumenti sekret AVII mikrofilm në IDN raporti i Diniqit etj.
Politika, Beograd, 15 korrik 1927.
AVII, 17, 61g, 1, 14, Elaborat “Albanija izmedu dva rata”
Faton Mehmetaj: “Veprimtaria kriminale e “Dorës së Zezë” serbe në trojet shqiptare”, Prishtinë, 2004.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …