leoni

Ylli Polovina: Dhjetëra raketa kundër një radioje

 


Botuar në gazetën “Tirana Observer”, 6 janar 2008

Tani nuk është më një radio aq e famshme si dhjetë vite të shkuara. Ka hyrë me kohë në garimin pluralist të pasluftës dhe në ballafaqim me teknologjitë moderne dhe komoditetin e paqes, ashtu e pajisur modestisht siç tani është, ka humbur disi terren. Kështu në të gjithë shtetin e Kosovës nuk është më e dëgjuara, më e ndjekura, më e klikuara në internet. Kjo i ka ndodhur jo sepse ka pëlqyer të qëndrojë në vend, por ka qenë koha e cila ka ndryshuar e vrapuar, me të mirat dhe hiletë e saj. Dhe koha rend shumë shpejt në të gjithë botën, kudo nëpër Evropë, nxiton edhe në Ballkan, por në Kosovë ajo fluturon. Ndërkohë ajo medie e çuditshme me mikrofon në dorë reziston në pozicionin e radios së parë lokale dhe gjendet në togun e dhjetëmijëshit të parë të radiove më të frekuentuara në botë.
Është vërtetë një qëndrestare mjaft e madhe. E ka heroizmin brenda vetes. Ka lindur bashkë me të. Quhet Radio Kosova e Lirë.
E lumtura ajo! Ka në trup emrin e atdheut të vet. E mbi të gjitha mban në jetëshkrimin e saj një epope.
Në 4 janar 2009 ajo ka ditëlindjen. Realizon një dekadë jetë. Është data e parë e një viti, ku dhjetëvjetorin e mbush edhe një nga ngjarjet më të mëdha botërore të këtij fillimshekulli: sulmi i NATO-s kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit, diktatorit ballkanas që kishte marrë përsipër të tjetërsonte Kosovën. Dymijë e nënta është edhe viti që shënon dekadën e parë të ngjarjes prej gati një shekull të ëndërruar nga shqiptarët: çlirimin e trojeve të tyre përdhunisht marrë nga shovinizmi serb.
E gjithë kjo kolanë jubilare nis me përvjetorin e radios “Kosova e lirë”. Nuk ka mesazh më kuptimplotë e më të merituar, më të vërtetë e më të nderuar, më të bukur e më frymëzues, më simbolik e më fatthënës.
Radio “Kosova e lirë” transmeton në valët FM, në frekuencën 94.2, plot njëzetë e katër orë program. Ja del të mbulojë territorin e komunës së Prishtinës si edhe tridhjetë për qind të territorit të shtetit. Piku më i lartë i dëgjimit përmes internetit në të njëjtin çast kap shifrën e deri dyqind vetëve. Gjatë luftës në Kosovë qe një medium që mbulonte tërë territorin e vendit dhe dëgjohej diku lirisht e më shumë fshehurisht disafish më tepër. Atëherë qe e vetmja radio e lirë e shqiptarëve të atyre viseve të pushtuara që nga viti 1913. Madje ishte vetë liria. Qe radioja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo e futi në histori dhe do ta lërë atje edhe në ndodhtë që nesër numri i dëgjuesve të saj do të mpaket. Madje edhe në do t’i ngjajë që në vështirësitë financiare të cilat kalon apo nën harresën e disa prej atyre politikanëve që e rritën shtatin e ndikimit publik po prej saj, një ditë të mbyllet fare. Në eter tashmë ziejnë mjaft radio të tjera shumë informative e dëfryese, mediume të përshtatura mjaft mirë me audiencën e paqes. Ato i kanë të gjitha të drejtat të rriten e të bëjnë emër të nderuar, por do ta kenë shumë të vështirë të bëjnë histori.
Radio “Kosova e lirë” jo vetëm ka hyrë në histori, por edhe ka bërë histori. Ajo nuk ka pasur e nuk ka vetëm një staf me në krye veprimtarin e ndershëm dhe shkrimtarin zemërndjeshëm, Ahmet Qeriqi. Ajo është radio me tre dëshmorë të rënë nga redaksia e bashkëpunëtorët e saj. Për ta mbrojtur atë në një nga guvat e majëmalit të Berishës kanë dhënë jetën edhe trembëdhjetë luftëtarë të tjerë të UÇK-së. Më i riu qe vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç. Mbante një emër malli dhe adhurimi për Shqipërinë. Quhej Elbasan. U vra nga predhat e bombave kasetë më 27 mars të vitit 1999, kur dy aeroplanëve bombardues MIG 21 të armatës serbe sulmuan vendndodhjen e radios. Kur radioja me gjashtëmbëdhjetë dëshmorë nisi jetën e vet, pra në atë 4 janar 1999, transmetoi vetëm pesë minuta. Ishte ora 15 e 55. Nga antena e ngritur në mënyrë të maskuar në fillim u përhapën tingujt e shkëputur nga kënga “Jam Kosova e shqiptarisë”. Pastaj folësi i saj i parë, Nusret Pllana, shqiptoi fjalët kushtruese e njëkohësisht prekëse “Ju flet radio Kosova e Lirë”.
Përveç tekstit të lajmit për fillimin e emetimit në ato vetëm pesë minuta u lexua edhe Komunikata e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Në të u bë e ditur që ushtria e luftëtarëve për çlirimin përfundimtar të Kosovës përveç asaj radioje kishte krijuar edhe një agjenci lajmesh. Edhe ajo kishte emrin e atdheut në trup: Kosova Pres. Kështu atë 4 janar 1999 botës iu bë e ditur se ajo betejë çlirimtare nuk ishte as dritëshkurtër e ca më pak e verbër. Ajo shihte larg. E kishte vështrimin të mbushur me rruzuj drite. Një nga këta projektorë qe pikërisht radioja që tashmë mbushi dhjetë vite jete.
Ashtu si në luftë edhe në paqe jetëshkrimi i saj ka mbetur i pastër, shtylla e saj programore vetëm kombëtarizmi. Ajo në të vërtetë do të mbijetojë edhe më tej, sepse është radioja e lirisë. Liria nuk është vetëm çlirimi i tokave, i qyteteve e fshatrave, i maleve dhe fushave, i majave të shkrepave dhe ultësirës së lëndinave. Liria është çlirim i mendjeve, i energjisë njerëzore për të bërë vepra të mira. Liria është të jesh edhe vetë i lirë, të kesh përherë kurajën ta thuash mendimin tënd ashtu siç e gjykon ti dhe të pranosh ballafaqimin me atë që gjykon ndryshe. Duke këmbëngulur të jetojë në kohën e paqes Radio Kosova e Lirë, e gjitha fjalë e këngë e lindur në luftë, dëshmon se e do pluralizmin dhe demokracinë. Është një nga më të vështirat gjëra ajo që një media e madhe e moteve të luftës të mbijetojë me akoma audiencë të rëndësishme edhe në kohë paqeje. Mund të ketë ndodhur që mediet e vogla të luftës më pas të jenë bërë të mëdha, por jo e kundërta, të mëdhatë e këtyre moteve të ruajnë në rehatinë e paqes statusin e epërsisë së tyre. Këtë sfidë e ka bërë Radio Kosova e Lirë.
Kjo i ka ndodhur sepse ajo nuk dëshiron e nuk do të jetë kurrë vetëm radio muzeu. Ajo ka bërë dje histori, do të bëjë edhe sot, edhe nesër. Kur më 21 qershor të vitit 1999 ndërpreu emetimin në Berishë këtë gjë e pati kryer sepse dy javë më parë serbët kishin nënshkruar në Kumanovë humbjen e tërheqjen e tyre përfundimtare. Ndërkohë në 12 korrik shqiptarët e Kosovës do t’ja ridëgjonin zërin radios së tyre të luftës. Antena e saj qe ngritur në Prishtinë, në lagjen me emrin e bukur dhe simbolik Bregu i Diellit. Dhjetë vite! Edhe njëqind Radio-Kosova e lirë! Ke çfarë t’i tregosh republikës tënde të lirë dhe të gjithë kombit.
Lexuesve të vendit tim, Shqipërisë, në këto radhë të fundit, për të dëshmuar se cilët ishit ju, po u rrëfej vetëm një episod. Ai ndodhi më 8 qershor 1999, vetëm një ditë para nënshkrimit të dokumentit të Kumanovës. Ishte bërë e ditur botërisht që serbët qenë mundur dhe do të tërhiqeshin. Luftimet mes armatës së tyre dhe asaj të UÇK-së pothuaj qenë fashitur. Porse nuk ndodhi kjo me Radion Kosova e Lirë. Pikërisht këtë çast asaj iu bë goditja më e madhe ushtarake e të gjithë luftës. Prej pozicioneve të armatës serbe në Arllat, tri kilometra larg majëmalit-guvë të Berishës, ku brenda shkëmbit ajo punonte, u nisën njëra pas tjetrës dhjetëra raketa të tipit tokë-tokë, ndërsa gjashtë prej tyre goditën pikërisht vendqëndrimin e ekipit të Radios. Këto superbomba fluturuese e bëjnë një kilometër në një sekondë. Kur u dëgjua krisma e thatë e nisjes së raketës së parë i gjithë stafi gjendej jashtë guvës. Lufta kishte mbaruar dhe nuk mund ta merrnin me mend se njësitë ushtarake e policore serbe mllefin e tyre antishqiptar e patën frenuar me NATO-n dhe UÇK-në, por jo me Radion Kosova e Lirë. Ajo që nga katër janari 1999 kishte qenë objektivi i tyre më i parë për t’u asgjësuar dhe nuk ia patën dalë dot. Gjashtë muaj të dështuar dhe duket dita e fundit e asaj lufte, madje de fakto vetë armëpushimi i nisur, iu bë më e mundura ta realizonin.
Me të dëgjuar krismën e nisjes së raketës së parë, duke llogaritur distancën dhe shpejtësinë e saj, për t’u futur në shkëmbin-bunker stafit i kishin mbetur vetëm dhjetë sekonda të sigurta. Vrapuan drejt guvës dhe ja dolën para se raketa të shpërthente aty afër. Forca e shpërthimit kapi pjerrtas vetëm kolegun e tyre të fundit dhe e përplasi. Shokët e kapën vetëtimthi dhe e tërhoqën menjëherë brenda guvës. I shpëtoi jeta. Mund të ishte dëshmori i shtatëmbëdhjetë i saj.
Pasi shpërthyen edhe katër raketa të tjera, një fare afër dhe tre të tjera disi më larg, redaksia e Radios Kosova e Lirë doli jashtë të shihte çfarë pati ndodhur. Qe një pamje që nuk e kishin parë kurrë, as në filma. Gjithçka përreth ishte tjetërsuar, rrafshuar e djegur, bërë shkrumb i hirtë. Jo vetëm pemët, por edhe cipa e tokës qe përvëluar.
Megjithatë kishin mbetur të pacënuar, të gatshëm të fillonin jetën e lirisë, grupi i vogël i redaksisë dhe pajisjet modeste të Radios Kosova e Lirë. Si një monument.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …