leoni

Qytetarët liridashës të Kosovës po i gëzohen pamasë “drejtësisë” së Tribunalit të Hagës

 


Trupi gjykues i Tribunalit të Hagës, më 30 nëntor 2005, shpalli të pafajshëm dhe liroi nga burgu: Fatmir Limën dhe Isak Musliun. Kjo ndodhi pas afër tre vjet të qëndrimit të tyre në Burgun e Sheveningenit, ku aktualisht qëndrojnë të pranguar edhe tre ish eprorë të UÇK-së, Haradin Balaj i dënuar 13 vjet burg, ndërsa presin gjykimin edhe Lahi Brahimaj dhe Idriz Bala. Tribunali i Hagës, sipas të gjitha gjasave, është në rrugë të kërkimit të një baraspeshe relevante politike, meqë kohë më parë ka shpranguar për t’u mbrojtur në liri kriminelët më të damkosur serbë të ish regjimit të Milosheviqit.
Euforia e shpërthyer me rastin e shpalljes së pafajësisë së këtyre dy eprorëve të UÇK-së nuk do të thotë ngadhënjim i plotë i drejtësisë nga Tribunali, por ngadhënjim vetëm i një segmenti të drejtësisë, lidhur me përpjekjet për ta devalvuar luftën e UÇK-së, si dhe për ta paraqitur atë si ekstremin nxitës të luftës gjenocidiale të kryekriminelit Milosheviq kundër popullatës shqiptare në Kosovë.
Duhet pasur para sysh faktin se gjatë tre vjet të qëndrimit në burg të Fatmir Limës e të tjerëve, procesi politik në Kosovë ka pësuar goditje të pandërprera, ndërsa as për një çast nuk ka pushuar fushata e egër kundër çlirimtarëve, si nga Serbia ashtu edhe nga disa qendra vendore, të cilat kanë zbatuar dhe zbatojnë aktualisht luftën speciale të Serbisë në Kosovë. Nuk mund të fshihen tre vjet të qëndrimit të tyre në Hagë, sikur nuk paska ndodhur asgjë dhe të deklarohet me aq eufori se më në fund paska fituar drejtësia. Në fakt, vetëm një segment i drejtësisë ka shkuar në vend, ndërsa dëmi i tri viteve të kaluar në burg pa asnjë faj, nuk do të kompensohet as mund të riparohet për shumë kohë, ndoshta nuk mund të riparohet kurrë, sepse nuk mjafton t’i thuhet të pafajshmit je i lirë pasi të jetë mbajtur në pranga për tre vjet rresht.
Nuk duhet harruar sa e sa të shara, shpifje, akuza, trillime pa asnjë argument dhe ndërsimet ndër më të neveritshmet që janë bërë gjatë tre viteve kundër Limës, Musliut dhe Balës. Mjafton të shfletoni faqet e zeza të forumeve nëpër faqet e Internetit dhe të bindeni për atë soj të ndyrë të shqipfolësve, mjafton të kujtoheni se ç’ kanë shkruar dhe si kanë bërë dhe aktualisht po bëjnë përpjekje ta paraqesin luftën e UÇK-së disa gazetarë të njohur për sharje e fyerje drejtuar luftës sonë çlirimtare, duke përdorur të njëjtin fjalor të Milosheviqit dhe të kriminelëve të tjerë serbë. Pastaj duhet të kujtojmë sa e sa marifete të kurdisura edhe në sallën e Tribunalit, ku dëshmitarët e mbrojtur dhe të padinjitet nuk nguruan të gënjejnë, duke inskenuar ngjarje e rrëfime krejtësisht të paqena. Nuk ishin pa motive dashakeqësie edhe disa deklarata krejtësisht të pamatura, të një segmenti të dëshmitarëve të prokurorisë, të cilët pretendonin ta ngarkonin z. Lima me përgjegjësi komanduese, në kohën kur nuk kishte ekzistuar vija vertikale e përgjegjësisë apo e komandimit në radhët e UÇK-së.
Autoritetet e Tribunalit të Hagës më në fund sikur e kuptuan se kishin hyrë në një proces të montuar, nga i cili vështirë se do të dilnin pa ndonjë skandal. Fillimisht, Prokuroria kishte dhënë urdhër arresti dhe kishte pranguar një person, që nuk kishte qenë as pjesëtar i UÇK-së, pastaj u morën në pyetje sa e sa dëshmitarë të mbrojtur, të cilët përfaqësonin interesat e qarqeve të caktuara mafioze dhe politike të drejtuara kundër UÇK-së dhe kundër çlirimit të Kosovës. U morën në pyetje edhe disa renegatë, të cilët gjatë luftës, në rrethana të ndryshme kishin veshur uniformën e UÇK-së, por i kishin shërbyer Sigurimit Sekret të Serbisë. U morën në pyetje edhe inspektorë dhe kryepolicë serbë, që kishin urdhëruar masakrimin dhe dëbimin masiv të shqiptarëve nga atdheu i tyre, si edhe shumë kundërshtarë të luftës, duke pretenduar që luftën e drejtë dhe çlirimtare të UÇK-së ta etiketojnë si luftë të grupeve rivale mes dy grupimeve politike. U bënë sa e sa përpjekje për ta faktuar gjoja fajësinë e luftëtarëve të lirisë, të cilët kishin luftuar me të vetmin qëllim, me qëllimin e lartë patriotik, për ta çliruar Kosovën nga okupimi serb.
Të gjitha ato shqetësime dhe katrahura nëpër të cilat kanë kaluar të tre të akuzuarit e pafajshëm të UÇK-së, dhe shumë bashkëluftëtarë të tyre, qysh prej mbarimit të luftës e deri tani, nuk mund të përmbyllen vetëm me eufori të sforcuar të qytetarëve nëpër qendra të qyteteve, dhe vetëm duke zbrazur oratorinë pompoze me deklarata verbale, “sepse më në fund paska fituar drejtësia”. Në të vërtetë drejtësia e Hagës ka dështuar me vetë faktin se ka mbajtur të pranguar në burg për tri vjet rresht, tre çlirimtarë të vendit tonë, i ka mbajtur dhe po i mbanë pa asnjë faj, edhe tre luftëtarë të tjerë të lirisë. Tribunali ka dështuar kur ka pranuar të shqyrtojë aktakuza kundër luftëtarëve të lirisë, për t’i barazuar veprat e tyre çlirimtare, si të njëjta me krimet dhe masakrat e kriminalëve serbë kundër shqiptarëve. Tribunali ka dështuar edhe me rastin e shpalljes fajtor të Haradin Balës, me të vetmin qëllim, për të mos lejuar degradimin e plotë të procesit politik të Gjykatës kundër tre të akuzuarve.
Trupi gjykues i Tribunalit të Hagës, në finalen e këtij procesi gjyqësor, me këtë rast konkret, ka bërë një kompromis mbi kurriz të luftëtarit, Haradin Balës, me qëllim, për të mos lejuar dështimin e procesit. Po qe se do të shpallej i pafajshëm, (sikurse është realisht) edhe Haradin Bala, Tribunali i Hagës do të detyrohej ta shkarkonte nga posti i kryeprokurores, zonjën Del Ponte, e cila ka dështuar me turp dhe ka dështuar përfundimisht në kapjen e kriminelëve: Mladiq e Karaxhiq, për arrestimin e të cilëve edhe është themeluar ky Tribunal. Dhe mu për këtë dështim, Karla del Ponte, futi në ingranazhe të makinacioneve të politikës së saj edhe çlirimtarët e Kosovës, me pretendime për të bërë barazime të panatyrshme mes viktimës dhe xhelatit. Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …