Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një shkrimi ka thënë bashkë me nënat gjakovare e ndjen dhembjen për humbjen e me të dashurave të tyre. Gjithashtu ai shpreh zotimin e tij se ata që kanë kryer krime kurrë nuk do të kthehen në Kosovë. Thaçi ka thënë se i kupton ato edhe nëse ato veprojnë ndryshe.
“Me nënat gjakovare dhe të gjitha nënat kosovare e ndjej dhe ndaj dhembjen për humbjen e me të dashurave të tyre. I siguroj ato dhe gjithë nënat kosovare, si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës se kriminelët dhe vrasësit që kanë kryer krime, kurrë nuk do të mund të kthehen në Kosovë. Kudo që janë, ata nuk do të jenë të qetë, derisa të japin llogari përpara drejtësisë. Ne nuk do të harrojmë kurrë çfarë kemi përjetuar. Me respektin më të madh ju thërras për tolerancë dhe mirëkuptim. Por, edhe në rast se ju veproni ndryshe, unë përsëri ju kuptoj dhe respektoj njësoj. Një nënë është nënë kudo në botë, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare. Ajo ka nevojë të derdhë lotë dhe të vendosë lule pranë varrit të djalit, vajzës, burrit, motrës, mbesës apo nipit. Të njëjtën të drejtë e ka edhe një baba, një vëlla apo një motër. Secili ka të drejtë ta shuajë mallin dhe të shprehë dhembjen për më të dashurit e tij”, ka shkruar ai.