Vritet mjeku i luftës çlirimtare

Në fshatin Legjendas, ish-Mallapolc të Shtimes në varrezat e veteranëve të UÇK-së, më 24 prill 2006, u varros me pikëllim e dhembje, por edhe me nderime dhe respekt mjeku i luftës se UÇK-së, nënkryetari i kuvendit komunal të Shtimes, veprimtari politik dhe humanisti, Vezir Bajrami. Sulmi brutal, i paramenduar, e në një farë mënyre edhe i paralajmëruar shoi jetën e mjekut të luftës, veprimtarit dhe luftëtarit të lirisë, Vezir Bajrami dhe të një qytetari te Shtimes, kalimtar rasti. Nga ky sulm gangsterësh pësuan lëndime të rënda edhe shtatë qytetarë në mesin e tyre edhe një vajzë 11-vjeçare e cila ndodhej në shtëpinë e vet, afër dritares, në kohën kur nëntë sulmues filluan terrorizimin e qytetarëve, mu në qendër të Shtimes.
Duke folur për këtë sulm me pasoja tragjike, vëllai i doktorit të vrarë, Basri Bajrami, ka deklaruar për media se kontesti pronësor me familjen Gashi nga Godanci ka qenë kontekst i filluar tri vjet me parë, kur vëllai i doktorit të vrarë, kishte stërblerë pronën e një serbi në qendër te Shtimes, e cila ishte uzurpuar nga familja Gashi e Godancit. Prona me këtë rast është blerë nga Ekrem Ferati e jo nga malazezi Radomir.
Kontestin rreth pronës e kishte fituar vëllai i Vezirit. Tri vjet ka zgjatur kontesti pronësor deri sa është marrë vendimi ekzekutiv. Uzurpuesit nuk e kishin përfillur vendimin legal gjyqësor, madje edhe kishin kërcënuar publikisht se nuk kishte forcë që do ta tjetërsonte atë tokë. Për këto kërcënime ka ditur edhe kreu i policisë lokale te Shtimes.
Ditën kritike, më 22 prill 2006, polica vendore e dinte se kontesti duhej të zgjidhej dhe se lënda e gjyqit duhet te ekzekutohej. Basri Bajrami për gazetën “Lajm” ka deklaruar se “familja e tij ka kërkuar mbështetje nga policia duke i ofruar informata se brenda lokalit ka persona të armatosur që kanë kërcënuar se do ta vrasin këdo qe afrohet”. “Ne do t’ iu sigurojmë kanë thënë policët”, duke shtuar se mund të shkojnë në pronat e tyre. Po ta kishte bastisur policia lokalin do t’i kishte gjetur armët dhe nuk do të ndodhte tragjedia. 30 minuta kanë pritur kufomat në rrugë derisa ka intervenuar policia. Këto konstatime të vëllait të mjekut të vrarë mizorisht, nuk lënë shteg për të dyshuar, pasi që këto fakte i vërtetojnë edhe qytetarë të tjerë, që kanë pasur njohuri për këtë kontest pronësor.
Duke qene se kishte paralajmërime për mundësinë e konfliktit, policia ka qenë dashur të nxjerrë nga shtëpia pronarët e paligjshëm. Mirëpo ajo nuk ka vepruar, për shkaqe që ata i dinë vet. Pa llogaritur në një kundërvënie të tillë, pjesëtarët e familjes Bajrami, kanë depërtuar në pronën, e cila iu takon me vendim të gjyqit, kur edhe ka filluar sulmi nga të gjitha anët nga grupi i armatosur dhe i barrikaduar në shtëpinë e kontestuar. Ndërkohë nga largësia rreth 100 metra është marrë në thumb dhe është goditur për vdekje mjeku, Vezir Bajrami, i cili asokohe ndodhej përballë lokalit kontestues. Sulmuesit e armatosur kanë vazhduar breshërinë duke hedhur bomba të dorës dhe duke goditur gjithandej me armët automatike. Ata kanë goditur edhe banesën trekatëshe përballë lokalit kontestues, me ç’ rast ka marrë lëndime të rënda, Albiona Jashari 11-vjeçare. Kane marrë lëndime trupore disa kalimtarë rasti dhe një anëtar i familjes Bajrami.
Vrasja e mjekut, Vezir Bajrami, nuk ishte aksidentale, por e qëllimshme, ishte një vrasje mizore, në rrethana të mungesës totale te ligjit, në rrethana të mbretërimit të anarkisë. Policët e Shtimes e kanë njohur, në mos mjekun e luftës, Vezir Bajrami, ka qenë dashur ta njohin atë si nënkryetar të kuvendit komunal, i cili ishte kërcënuar jo vetëm njëherë nga sulmuesit, në radhë të parë sepse ishte nënkryetar komune, për çka mbase sulmuesit edhe supozonin se për atë shkak edhe e kishte fituar kontestin vëllai i tij.
Tragjedia tashme ka ndodhur. Mjeku i luftës, i cili kishte identifikuar dhe kishte bërë trajtimin profesional mjekësor te 42 viktimave të Masakrës së Reçakut, më 15 janar të vitit 1999, mjeku dhe luftëtari i lirisë, që iu kishte trajtuar plagët qindra luftëtarëve dhe qindra te zhvendosurve gjatë tërë kohës së luftës, mjeku që hyri në Shtime në ballë të çlirimtarëve fitimtarë, Vezir Bajrami, ra shtatë vjet pas luftës, ra duke parë se sa vështirë qenka të vendoset rendi dhe ligji, për të cilat aq shumë flitet nga politikanet tanë dhe të cilat aq shumë i mungojnë Kosovës.
Por Kosovës nuk i mungojnë bandat e armatosura, nuk i mungojnë as policet e papërgjegjshëm dhe të paaftë, të cilët dinë të ndëshkojnë qytetarë të pafajshëm, por nuk ndërmarrin asnjë hap në parandalimin e rasteve kriminale. Kjo u vërtetua edhe njëherë në Shtime, kur gjatë vitit të kaluar u përgjaken disa aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosja”, ku ndodhin përditë paudhësi dhe shkelje të detyrave, por nuk parandalohen rastet e tragjedive si kjo.
Kronika e vrasjes së paramenduar të mjekut të luftës dhe nënkryetarit të kuvendit komunal të Shtimes, Vezir Bajrami, është një alarm më tepër në mendjet dhe ndërgjegjen e forcave të vërteta përparimtare e demokratike, të atyre forcave që e kanë bërë me sukses historinë më të re të Kosovës edhe pse me shumë gjak të derdhur e me shumë plagë ende të pashërueshme. Dhe ky alarm tashmë është dhënë.
Në vendin tonë, aktualisht, nuk mund të jesh i sigurt as kur blen as kur shet, nëse mplekset interesi i njeriut që është mbi ligjin, dhe të cilin nuk e ndëshkon dot ligji, jo sepse nuk ka ligj, jo sepse nuk ka forcë për ta vënë në jetë atë ligj, por sepse pushteti policor në Kosovë shërben për dekor dhe për të ruajtur enklavat serbe, por jo për të ruajtur qytetarin e Kosovës, as për të parandaluar krimin e kriminelët, të cilët disponojnë madje edhe armatim të rëndë nëpër shtëpitë e tyre.
Kjo situatë e rëndë dhe e nderë nuk është karakteristikë vetëm për Shtimen, ku edhe ndodhi ky rast çmeritës. Një situatë e tillë anarkike mbretëron kudo në Kosovë. Janë qindra raste të pandriçuara të sulmeve tinëzare, për të cilat është e pamundshme të mos ketë informata policia. Mirëpo është politika ndërkombëtare e vendore ajo që fle mbi këto dosje, mbase me qëllime të caktuara, “për hir të procesit politik” nëpër të cilin po kalon Kosova. Dhe, qytetarët e thjeshtë duhet të kenë shumë frikë e kujdes nga bandat e armatosura, të cilat me kërcënimin e armës dhunojnë ligjin, madje edhe ligjin tradicional të pronës dhe të shitblerjes. Kësaj radhe, mjeku i luftës, nënkryetari i komunës së Shtimes, Vezir Bajrami ra duke qenë spektator i thjeshtë i përpjekjes qytetare për ta materializuar ligjin, sepse ligji duhet të zbatohet për çdo qytetar, madje edhe për djalin e vëllanë, për fqinjin dhe të largëtin, cili do qoftë ai. Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …