Qerim Pllana: BASHKIMI ËSHTË E DREJTË NATYRORE DHE EKSPLICITE E ÇDO POPULLI TË NDARË!

 


Ne nuk ishim vetëm një pjesë e një gjenerate kryeneçe, të cilët deshëm një perspektivë tjetër të tërësisë dhe bashkimit të popullit shqiptar. Ne ishim ata, të cilët me dekada, dhe me mish e shpirt, u përpoqëm për një të ardhme më të sigurt, më të pasur, më unike dhe tërësisht të përbashkët, të të gjithë hapësirës sonë. Ashtu siç u përpoqën me shekuj dhe dekada paraardhësit tanë. Madje, para rilindësve, e sidomos që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878. Ne dhe gjeneratat e reja – të tanishme, jemi duke u përpjekur që aspiratat e të gjithë atyre që ranë në luftëra të paepura për liri dhe bashkim: heronj, dëshmorë, dhe martirë të kombit, – për siguri, politike, sociale-ekonomike, kulturore, gjeo-historike dhe gjeo-strategjike, të bashkohemi më një forcë të fuqishme, në një platformë politike e diplomatike. Pra, për t’i krijuar të gjitha paradispozitat shoqërore, politike e diplomatike, drejt unifikimit dhe bashkimit gjithëkombëtar. Pak më ndryshe seç pretendon Bashkimi Evropian. Sot në Kosovë, pavarësisht prej pavarësisë së shpallur më 17 shkurt të vitit 2008. Pas gati një viti, forca të reja politike, një pjesë e madhe e popullit, në këtë “shtet të ri”, nuk janë të kënaqur. Duke filluar nga dita e shpalljes, shpalimit të flamurit jokombëtar, stemës, himnit dhe të gjitha dokumentet e tjera, të cilat rrjedhin nga Platforma politike e z. Ahtisari! Mjafton të përmendet vetëm çështja e eksterritorialitetit të kishave dhe manastireve, dokumente këto të cilat mohojnë pavarësinë dhe vetëvendosjen. Dokumente që nuk u shqyrtuan dhe nuk morën për bazë verdiktin e popullit, elemente këto jodemokratike pa mbështetje të vullnetit politik për vetëvendosje. Sigurisht, gjithçka do të ndryshojë me kërkesën e pandërprerë, të plotligjshme e të plotfuqishme, për ndryshimin dhe aprovimin e amendamenteve të tjera, të kushtetutës së tanishme. Ndër to, miratimi i ligjit për referendum gjithëpopullor, e drejtë kjo e pamohueshme natyrore dhe eksplicite e vullnetit të popullit, për liri, demokraci dhe për bashkim. Vetëvendosja për bazë ligjore – legjitime ka referendumin, e drejtë e çdo populli, për t`u shprehur lirshëm, për tu bashkuar. Siç është detyrë permanente e çdo legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori, shprehimisht mbështetur në vetëvendosje dhe në kushtetutë për zbatimin dhe ligjësimin e referendumit, si akt i plotfuqishëm kushtetues.

Çfarë duhet të bëjnë pjesët e tjera, të banuara me shumicë shqiptare, sidomos shteti amë!?

Deshëm apo jo, duhet pranuar se në shtetin amë, akoma ka përsiatje, dilema e dyshime, për një orientim, rrugë dhe luftë serioze, madje jo vetëm paqësore, për bashkimin e trojeve, sidomos të atyre pjesëve, siç është Kosova. Më në fund, të gjitha këto troje diplomacia e kohës ia mori shqiptarëve, qoftë me forcë, qoftë me dredhinë e diplomacisë dhe me to i shpërbleu fqinjët. Shqipëria zyrtare dhe krerët atje, diplomatë dhe intelektualë, moralisht obligohen që masën e gjerë popullore të brumosin me idenë se vetëm bashkimi i trojeve shqiptare i ndalon pretendimet shoviniste të fqinjëve, të cilët kurrë nuk u ngopën dhe nuk ngopen me pretendimet e copëtimit të mëtejmë të tokave shqiptare. Me dëshirën e mbrapshtë, sidomos të Serbisë, për dalje në det. Kjo është sëmundje e vjetër e Serbisë për detomani! Për t`i treguar popullit se vetëm bashkimi shqiptarët i vendos në rrugë të mbarë të zhvillimit ekonomik, kulturor dhe Sepse bashkimi më një shtet zvogëlon shpenzimet marramendëse të dy parlamenteve, dy qeverive, dy palë diplomacive, institucioneve të dyfishta në art, kulturë, shëndetësi, punësim dhe në të gjitha segmentet e tjera të dyfishta. Prandaj, atyre njerëzve – qofshin politikanë, diplomatë, udhëheqës të institucioneve profitabile, të interesit personal dhe kryesisht për ta, me ndonjë përjashtimi individual, – që nuk u intereson dhe nuk duan për hir të profiteve personale, klanore, familjare e fisnore, të mendojnë për një rrugë a strategji tjetër, e cila shpie drejt bashkimit kombëtar. Kjo sot mund të dokumentohet katërçipërisht nga pothuajse të gjithë ata të cilët mbajnë poste, që nga kreu më i lartë shtetëror. Po të donin këta njerëz (mbase jo të gjithë) të politikës, të diplomacisë, madje edhe të akademive dhe të institucioneve ushtarake e shtetërore, çështja për bashkim do të ishte shtruar kaherë. Madje para pavarësimit gjysmak të Kosovës – për zgjidhje më fatlume. Duke u përfillur përparësitë e vetëvendosjes dhe shprehjes së lirë të vullnetit të popullit, për të qenë të lirë dhe të bashkuar! Është e drejtë legjitime dhe natyrore e çdo populli të jetojë më një bashkësi shtetërore. Ndërsa, për bashkim moralisht obligohen qarqe dhe organizma të ndershëm, nga i gjithë populli dhe të gjitha trevat, sidomos nga shteti amë – Shqipëria londineze!

Kush janë ata, të cilët do të kenë sukses në bashkimin e shqiptarëve!?

Assesi, një organizatë, parti, apo këshill, i një pjese të ndarë kombëtare dhe asnjë lëvizje popullore, lëvizje për bashkim apo organizatë për bashkimin kombëtar, vetëm në një pjesë të ndarë, cilado qoftë ajo tërësi, ata njerëz ose ajo pjesë, nuk do të arrijnë, pa formimin, organizimin dhe ndikimin pozitiv në masë. Pa formimin e këtyre organizmave paralelë në të gjitha pjesët e shkapërderdhura të trojeve etnike. Individët të cilët kanë marrë dhe do ta marrin për sipër këtë luftë (jo vetëm paqësore) drejt bashkimit kombëtar, duhet të jenë vërtet të vendosur; me biografi të pastër kombëtare. Në rrugën e bashkimit të kombit dhe trojeve etnike s`mund të jenë ata njerëz të cilët kanë pretendime karrieriste, synime partikulariste, ide dhe mendime klanore a fisnore, s`mund të jenë ata njerëz të cilët në karrierën e tyre kanë kaluar të paktën dy mandate parlamentarësh (këshilltarë kuvendësh) dhe asnjëherë nuk iu është dëgjuar zëri rreth çështjes së bashkimit. Kjo vlen sidomos për një pjesë të parlamentarëve të të dy kuvendeve, Shqipëri e Kosovë, e sidomos të një pjese të kuvendarëve në Kosovë, por edhe të atyre në Maqedoni. Ky nuk është një mendim konfrontimi, apo injorimi. Njerëzit të cilët e duan atdheun të bashkuar kanë paradispozita antikarrieriste, ide të sforcuara qysh nga fëmijëria. Që janë të atij kalibri mendimesh e filozofish të iluministëve, që kishin dhe sot e gjithnjë kanë guximin, kulturën, shpirtin dhe paradispozitat njerëzore e kombëtare. Të patriotëve siç ishin ata të kalibrit: Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Ismail Q. Vlora, Abdyl Frashëri, Konica apo F. S. Noli etj. Por nuk do të thotë se ne sot na mungojnë njerëz, personalitete e djem të guximshëm, të cilët, jo vetëm se mendojnë, por disa kanë kaluar në veprimtari aktive. Duke besuar se bashkimi është pjesë e mundshme dialektike dhe natyrore e historike.

Se vullnetin e çeliktë të një populli, me gjuhë, kulturë, histori dhe hapësirë të njëjtë, nuk mund ta ndalë dhe ta pengojë asnjë fuqi, përpos fuqisë së mbrapshtë të vetvetes! Kjo vlen vetëm për ato kombe, apo shtete kombesh, të së njëjtës përkatësi, por jo të së njëjtës ideologji. Rasti i dy Koreve, apo ndonjë rast tjetër kudo qoftë në botë. Pastaj, shkëputja është gjithmonë më e vështirë sesa bashkimi. Edhe pse kemi rastin e Çeki-Sllovakisë, si një rast i rrallë, por i pëlqyer! Së fundi, do theksuar se çështja shqiptare në gadishull është ende e pazgjidhur. Jo pse Serbia ngul këmbë, tashmë kot së koti, për ta mbajtur Kosovën! Por shqiptarët janë të ndarë, të hendikepuar me pasoja strategjiko-ekonomike dhe me mundësi të tjera konfliktesh të karakterit rajonal, madje dhe më gjerë! Bashkimi i shqiptarëve përfundimisht stabilizon dhe i pushon konfliktet e mundshme, rrjedhojat e të cilave mund të jenë të pranishme dhe përherë të rrezikshme. Bashkimi kombëtar i shqiptarëve sjell stabilitet politik, zhvillim shumë më të fuqishëm ekonomik, kulturor e sidomos qetësim socio-ekonomik, brendapërbrenda vetë shqiptarëve. Dialektikisht është shumë më e drejtë ta kesh një shtet të fortë ekonomikisht, sesa dy-tri shtete të dobëta dhe përherë të luhatshme, të varura politikisht dhe ekonomikisht. Prandaj, shqiptarët janë të hendikepuar në hapësirë, në kohë dhe në rrethana gjeopolitike, ekonomike dhe strategjike. Ata vetëm bashkimi i stabilizon politikisht e ekonomikisht. Është e udhës, që të gjithë mekanizmat, me karakter lëvizjeje për bashkim, t`i unifikojnë punët, platformat dhe aktivitetin e tyre, gjithnjë duke i pasur parasysh të njëjtat ide, të njëjtat qëllime, aktivitete dhe veprime etj., drejt bashkimit kombëtar. Për të gjitha këto mendime, ide dhe qasje, që u thanë më lart, i vetëdijshëm jam se duhet kohë, përkushtim, sfida, sidomos angazhim maksimal. Por jo më njerëz dhe ide të paqarta e dualiste, karrieriste, njerëz të cilët kanë pranuar të sfidojnë gjithçka kombëtare, flamurin, stemën, himnin, UÇK-në, madje territore në dëm të atdheut. Ata tashmë janë të amortizuar për këtë luftë! Misioni i tyre tashmë është një kapitull tjetër, pavarësisht prej momentit se a janë shumica e tyre opozitë apo mazhorancë!

Te devotshmit mbetën ata të cilët kurrë nuk hoqën dhe nuk do të heqin dorë nga bashkimi. Të tillët janë mu në mesin tonë, që nga akademitë, deri te shtresa e gjerë popullore, pothuajse në të gjitha trojet etnike, nga perëndimi në lindje, nga jugu në veri. Bashkimi kombëtar është e vetmja rrugë e shqiptarëve për të dalë nga labirinti; e vetmja rrugë për të shpëtuar nga qasjet vicioze; e vetmja rrugë për të shpëtuar nga amullia, varfëria plaçkitjet e të mirave materiale, pothuajse në të gjithë hapësirën etnike; e vetmja rrugë për të shpëtuar nga vjedhjet e një grushti mafiozësh, banda klanesh, demagogësh; e vetmja rrugë për të shpëtuar nga njerëzit pa sedër e pa kulturë, nga njerëzit pa pjekuri kombëtare, nga antikombëtarët e antinjerëzorët.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …