leoni

ARTEMIJE ZHVILLOI FUSHATËN E DYTË ANTISHQIPTARE BRENDA KËTIJ VITI, I PA PENGUAR EDHE NË SHBA, shkruar nga Sejdi Veseli

 


Gjatë gjysmës së dytë të muajit korrik peshkopi i patrikanës së Rashës, Prizrenit dhe Kosovë, Artemije, ishte për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të dytën me radhë gjatë këtij viti.
Kjo turne propagandistike antishqiptare e këtij “njeriu” të zotit edhe në truallin demokratik amerikan, u krye menjëherë pas vizitave të “suksesshme”, jo vetëm të vëllezërve të tij shpirtëror, kryetarit dhe kryeministrit serb Boris Tadiq dhe Voisllav Koshtunica, por edhe të delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, të kryesuar nga ndihmës ministrja për çështjet e mbrojtjes, Snezhana Samargjiq-Markoviq. Sipas lajmeve të botuara nga TANJUG-u dhe në internet-faqen www.eparhija-prizren.com, delegacioni serb i kryesuar nga peshkopi Artemije, i shoqëruar nga përfaqësuesi i agjencisë Venablle, z.Xhim Xhatras, e paguar nga Këshilli nacional serb për lobing në dobi të interesave ekspansioniste, u pritë edhe në Stejt Departament, nga Rozmari Di Carlo, operativiste, e angazhuar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Kush është Episkopi Artemije?
Në realitet ky prift serb është i lindur në vendin Paliq, afër Valevës, Serbi, me 15 janar 1935, në familjen Radosavljeviq. Emri i tij i vërtetë është Marko, ndërsa ai kishtar Artemije.
Në këtë takim, me zonjën Di Carlo, serbomadhi Artemije në mes tjerash shpalosi kërcënimin e rafinuar të ngjashëm me atë të nxënësve të tij, bashkëpunëtorëve të ngushtë të Slobodan Millosheviqit, gjatë përgatitjes dhe zhvillimit të fushatës barbare kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, se nëse nga faktorët e jashtëm imponohet pavarësia e Kosovës, “…Serbia do të veprojë siç do të vepronte çdo shtet tjetër të cilit do t’i merrej një pjesë e territorit, dhe do të përpiqet me vendosmëri për rikthimin e këtij territori, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike…”
Ky antishqiptar i tërbuar, i fshehur prapa veladonit të një titullari të lartë të Kishës Ortodokse Serbe, i cili, në realitet ishte koautor i tërë veprës kriminale të Millosheviqit, si gjatë hartimit ashtu dhe gjatë përpjekjeve për jetësimin e projekteve serbo-mëdha për krijimin e Serbisë të Madhe, edhe para zyrtares amerikane Di Carlo, në mes tjerash shpalosi edhe një akuzë të rëndë dhe absurde në adresë të shqiptarëve, duke i quajtur fundamentalist mysliman, të cilët sipas tij po e radikalizojnë në vazhdimësi “terrorin” e tyre ndaj kulturës shekullore të popullatës së krishterë. Ai më këtë rast e tërhoqi paralelen ndërmjet UÇK-së “terroriste” dhe Hezbollahut , si dhe në mes konfliktit në Lindjen e Mesme dhe situatës sikur thotë ai “Kosovë dhe Metohi”.
Nuk lypset ndonjë analizë e thellë, për të nxjerrë një përfundim të qëndrueshëm, se edhe kjo deklaratë e këtij serbomadhi të kamufluar si “njeri” i zotit, është kërcënim për sigurinë, jo vetëm të regjionit të Ballkanit, por edhe më gjerë. Artemije, ashtu si dhe drejtuesit kryesor civil dhe ushtarak të shtetit serb paralajmëron në mënyrë të tejdukshme, se nëse kësaj radhe nuk përmbushen kërkesat hegjemoniste serbomëdha, ushtria serbe do t’i referohet mjeteve demokratike, të ngjashme me ato që po përdor ushtria izraelite edhe në territorin e shtetit libanez.
Është për t’u përshëndetur qëndrimi i drejt edhe i kësaj zyrtareje amerikane, Rozmari Di Carlo, e cila ia tha prerë serbo-çetnikut Marko, se nuk është e gatshme të pranojë si realitet atë që parashtroni ju zotëri dhe as që mund të pajtohet me të dhënat që paraqitët edhe sot këtu!
Siç u tha më lartë në këtë shkrim, ky “njeri” i zotit është dëshmuar në vepër se ishte koautor i të gjitha planëzimeve barbare, të cilat u aplikuan nga falangat ushtarake, policore dhe paraushtarake serbe në terrenet kroate, boshnjake dhe veçanërisht në ato shqiptare, kundër popullatës të pambrojtur civile të të gjitha moshave dhe gjinive. Andaj, do të ishte një marrëzi e skajshme, po të pritej diçka konstruktive nga ky ideolog serbomadh.
Siç flasin shumë dëshmi edhe nga terreni kosovar, falangat e armatosura serbo-fashiste, të pagëzuara më parë nga popët serb ( mund të dyshohet me bazë edhe nga vetë Artemije), gjatë terrorit më barbar dhe sistematik që ushtronin ndaj popullatës së paarmatosur dhe të pambrojtur civile, aplikonin metoda dhe mjete më barbare mesjetare, duke i kombinuar me ato fashiste. Gjithashtu dihet, se për krimet serbo-fashiste disponohen dëshmi të bollshme, si në mjetet e komunikimit masiv ashtu dhe në sektorët përkatës të administratës civile dhe ushtarake amerikane. Ndërsa, nga deklaratat e këtij titullari të Kishës Ortodokse serbe dhe të kolegëve të tij, mund të nxirret përfundim shumë i qartë dhe i qëndrueshëm, se këta “njerëz” të zotit, nëse nuk kanë marrë pjesë drejtpërsëdrejti në kasaphanën ballkanike, me siguri kanë qenë frymëzues të barbarive të atyre që i pagëzuan me tymin e temjanit. Aq më tepër përforcohet dyshimi në llogari të tyre, kur dihet se edhe 7 vjet pas përfundimit të kasaphanave ballkanike në përgjithësi, dhe të asaj të Kosovës në veçanti, jo vetëm nga zyrtarët serbë të vetëquajtur demokrat, por as nga ky far “njeriu” i zotit dhe kolegët e tij, nuk e panë të arsyeshme, bile sa për sy dhe faqe, që në emër të kishës dhe popullit që i takojnë, t’i kërkojë falje një populli të tërë, për mizoritë që përjetoi, duke gjykuar planëzuesit dhe autorët e tyre.
Kur merret parasysh e kaluara dhe sotmja shoviniste e këtij inspiruesi të lumenjve të lotëve dhe gjakut në territorin e ish-Jugosllavisë në përgjithësi, dhe në atë të Kosovës në veçanti, prezenca në territorin e SHBA-ve e këtij mbjellësi të urrejtjes në mes popujve, nuk i bën nderë vetë shtetit amerikan, ngase kjo zemërgjerësi e administratës amerikane në raport me këtë “personalitet” dhe të ngjashmëve si ky nga territori i Serbisë, ende me pretendime okupuese ndaj Kosovës, mund të konsiderohet si veprim politik me dy kute, kur dihet se shumë luftëtarë për çlirimin e popullit shqiptar, nga kjo administratë janë shpallur persona “non grata” dhe u ndalohet hyrja në territorin e SHBA-ve.
Gjithashtu, pranimi protokollar i Artemijës në cilësinë e një titullari të lartë të Kishes Ortodokse Serbe, nga z. David Duffu, përfaqësues i ambasadës krishtere në Uashington, nuk i bënë nderë fesë së krishterë në përgjithësi dhe asaj ortodokse në veçanti!
S’do mend, se si administrata e SHBA-ve, ashtu dhe ambasada krisjtere në Uashington, i kanë të qarta dhe dinë si t’i drejtojnë punët e veta dhe, nuk na takon që të brengosemi ne.
Duhet të brengosemi edhe fort bile, nga indiferenca si e drejtuesve bukëshkalë të ashtuquajturave IPVQ, ashtu dhe e drejtuesve të partive më të mëdha politike të Kosovës, edhe ndaj kësaj faze të shfrenuar të propagandës antishqiptare, që po zhvillohet nga strukturat shtetërore, kishtare dhe “akademike” serbe. Arsyeja për t’u brengosur fiton në peshë, kur merret parasysh edhe fakti, se kjo propagandë hegjemoniste e serbomadhe, kohëve të fundit po shoqërohet edhe me vringllimë armësh dhe me riaktivizim të falangave të armatosura paramilitare brenda territorit të Kosovës, nëpër enklavat serbe.
Mos reagimi adekuat si ndaj propagandës së shfrenuar dhe ndaj vringëllimës së armëve serbe, nga ana e drejtuesve bukëshkalë të ashtuquajturave IPVQ dhe të partive politike, nxjerr në pah një të vërtetë të hidhur, se këta “drejtues” aktual të Kosovës, në vend se të punonin drejt, mirë dhe me përkushtim për realizimin e aspiratave jetike të shqiptarëve, për çka brez pas brezi u flijuan lumenj gjaku, ata zhvillojnë luftë klanore për të përmbushur ambiciet e tyre të sëmura karrieriste dhe për dominim dhe kontroll të plotë mbi burimet e dyshimta financiare.
Këta bukëshkalë, të verbuar pas lakmive individuale dhe të klaneve që u takojnë, as që mërziten se me çfarë rreziqesh po ballafaqohet Kosova dhe cilat do të jenë pasojat që do të rëndojnë mbi shpatullat e popullit të saj liridashës.
Këtë të vërtetë të hidhur e ka kuptuar edhe Beogradi zyrtar dhe aleatët e tij tradicional. Ai tani më është bindur përfundimisht, se si nga ana e drejtuesve aktual të ashtuquajturave IPVQ, ashtu dhe nga drejtuesit e partive më të mëdha politike nuk do të rrezikohen planet strategjike të Serbisë në raport me Kosovën. Mos reagimi adekuat, si nga ana e drejtuesve të IPVQ-ve, të partive politike, ashtu dhe nga ana e Grupit Negociator, ndaj akuzave më të shëmtuara dhe kërcënimeve publike që po i bëhen popullit të Kosovës, janë baza e sigurt ku mbështetet kjo bindje e Beogradit zyrtar dhe e aleatëve të tij. Përfundimisht, tani është më se e qartë, si për Beogradin zyrtar, ashtu dhe për aleatët e tij tradicional:
-se drejtuesit aktual të IPVQ-ve dhe ata të partive politike të Kosovës ose nuk e kanë kuptuar, ose nuk duanë ta kuptojnë, se bisedimet e Vjenës për decentralizimin (lexo: legalizimin e enklavave serbe) nuk janë gjë tjetër, pos legjitimimi i parakushteve (në emër të kompromiseve që kërkohen nga ndërmjetësuesit ndërkombëtar), për ndarjen e 1/3 të territorit të Kosovës, e cila më vonë, në bazë të paragrafëve të një rezolute të KS të OKB-së për statusin përfundimtar të saj, do të aneksohej nga Serbia;
-se drejtuesit aktual të IPVQ-ve dhe ata të partive politike të Kosovës të dashuruar pas kolltukëve, veturave luksoze, veshmbathjeve të shtrenjta, të importuara nga jashtë dhe pozimeve para kamerave televizive, se janë të gatshëm të shkelin zotimet e tyre publike, si p.sh. “se me Serbinë nuk do të ketë bisedime të drejtpërdrejta”, “se çështja e decentralizimit nuk do të bisedohet me Serbinë, ngase është çështje e brendshme e Kosovës”, “ se nuk do të krijohen komuna mbi bazat etnike”;
– se drejtuesve aktual të IPVQ-ve dhe të partive politike të Kosovës, as që u shkon ndërmend të shfrytëzojnë kërcënimet serbe me luftë dhe nënvlerësimin që u bëhet nga ana e tyre, për t’u liruar nga presionet e pabaza që u bëhen nga qarqe të caktuara ndërkombëtare, aspak miqësore ndaj shqiptarëve, duke reaguar ashtu siç u ka hije atyre që e respektojnë votën e elektoratit të tyre….
Fatmirësisht, edhe pse me vonesë, populli shqiptar ka filluar ta kuptojë, se kolltukofagët e mandatuar me votën e tij, njësojë sikur ata të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, paskan qenë të dresuar qysh herët nga bajlozët e huaj, deri në shpëlarjen e plotë të atij pak truri, nga çdo ndjenjë e mirëfilltë kombëtare. Andaj, është çuditur së koti, pse nga ana e tyre nënçmohej dhe vazhdon të nënçmohet deri në përdhosje edhe shumëçka nga kultura dhe trashëgimia kombëtare, duke u shpallur si e prapa ngecur, ndërsa të mbiçmohet çdo gjë që vije nga ata, të cilët janë të dëshmuar historikisht, si “miq” të popullit në emër të të cilit flasin.
Populli ka filluar të kuptojë, se nga këta kolltukofagë, besëpakë dhe të korruptuar, gjithçka mund të pritet, pos përmbushjes së zotimit të tyre, se do t’i prijnë drejt realizimit të aspiratave të tij të drejta, për çka sakrifikoi edhe gjakun e djemve dhe vashave më besnike të tij.
Populli ka filluar të riidentifikojë dhe t’i mbështetë bijtë dhe bijat besnike të tij, të cilët e duan Atdheun pa hile, të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë ç’është e domosdoshme për ta bërë Atë të lirë dhe të ribashkuar.
Andaj as që ka vend për dyshimin më të vogël, se kësaj radhe, si bajlozët ndërkombëtarë, ashtu dhe servilët e tyre shqipfolës, i kanë bërë hesapet pa hanxhiun!
Po afron koha kur shqiptarët do t’ua thonë troç si unmikistanezëve, ashtu dhe servilëve të tyre vendor:
-se durimi i tyre ka ardhur në prag të shpërthimit;
-se shqiptarët nuk kanë derdhur lumenj gjaku për të ndërruar kolonizatorët; -se shqiptarët nuk kanë derdhur lumenj gjaku për t’u përsëritë pazarllëqet me interesat e tyre kombëtare;
-se shqiptarët kanë derdhur lumenj gjaku dhe nëse e lypë nevoja nuk do të hezitojnë të derdhin prapë, jo për të pushtuar popuj fqinjë dhe tokat e tyre, por për të qenë zotët e vërtetë të vendit të tyre;
-se shqiptarët e duanë paqen, por shpirt robi nuk kanë;
-se Ju mund të vazhdoni të silleni siç u sollët në këto shtatë vitet e fundit, por me siguri, nuk do të vonojë dita dhe do të ballafaqoheni me zhvillime dhe pasoja, aspak të këndshme edhe për Ju!
Atëherë do të bindeni përfundimisht, se kanë përfunduar në pakthim ato kohëra, kur interesat tona jetike u shërbenin si monedhë për kusur.
(Prishtinë, 2.8. 2006).

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …