leoni

Natyra kristiane e shqiptarëve dhe Kali i Trojës Janullatos”, shkruar nga: At Nikollë Marku

 


Nisur nga titulli i shkrimit unë nuk mund të mendoj ndryshe veçse si shqiptar. Nuk mund të veproj ndryshe vetëm si shqiptar. Nuk mund të ëndërrojë ndryshe, vetëm si shqiptar. Së fundi unë nuk mund të vdes ndryshe, por vetëm si shqiptar. Shqiptarizmi shekullor na tregon, se në periudha të ndryshme historike, ne dallohemi për një tolerancë tejet humane dhe jo fyese apo përçmuese, por për një tolerancë respektuese ndaj të tjerëve. Kombi shqiptar përballë historisë së njerëzimit të rruzullit, vetëm se është dëmtuar nga të tjerët dhe askujt nuk i ka shkaktuar vuajtje të llojeve të ndryshme.
Toleranca shqiptare nuk vjen nga dobësia apo nga mungesa e forcës, por ajo vjen si rezultat i natyrës që nga origjina e shqiptarëve. I pajisur nga zoti me një inteligjencë të skajshme, tepër të lartë prej artistësh, kombi shqiptar nuk ka qenë kurrë i qetë për të nxjerr në pah madhështinë hyjnore. Madhështi të bllokuar nga trazirat e ndryshme historike. Nga materialet që kam studiuar dhe kryesisht autorët që na akuzojnë për barbarë dhe besim pagan, jam përpjekur të gjej në historinë tonë një natyre të tillë kolektive, por nuk më rezulton asnjë e tillë. Përkundrazi në momente luftërash, pushtimesh, lëvizje kufijsh etj, del në pah një natyrë tjetër tejet dashamirëse dhe plot mëshirë. Natyra kristiane.

Barbarizëm, apo vetëmbrojtje
Në vitin më të afërt 1997, kur Janullatos u largua nga Shqipëria, i deklaroi televizionit Italian (Rai Uno) se ajo çfarë po ndodhte në Shqipëri ishte një barbarizëm i jashtëzakonshëm. Kuptohet se ky deklarim nuk i bënte mirë kombit shqiptar. Në çdo komb mund të gjesh njerëz që blihen për të keqen e kombit të tyre, por ata që morën armët në fillim erdhën nga fqinji ynë jugor e kështu pjesa tjetër e popullsisë shpërtheu depot për vetëmbrojtje. Askush nuk iu përgjigj skenarit të zi për një luftë jug-veri, siç shpresonte “fort lumturia” Janullatos. Ajo që nuk ndodhi ishte një mrekulli e zotit dhe e maturisë shqiptare. Në asnjë rast në ngjarjet historike, nuk ekziston një barbarizëm kolektiv shqiptar, por përkundër, kemi një barbari serbe mbi shqiptarët dhe një barbari greke kundër shqiptarëve të Çamërisë. Kur i përmendim këto fakte, nuk dua të ushqej urrejtje për të ardhmen, por thjesht një kujtesë që ka si për qëllim mos përsëritjen e fenomenit në breza dhe kohë të ndryshme. Integrimi i Shqipërisë në Evropë, i vë në lëvizje ata që nuk duan avenirin e kombit shqiptar për ta penguar sadopak ardhmërinë kombëtare shqiptare.
Ata, të blerët historikë fatkeqësisht dhe në brezat e tyre të kaluar, duan që integrimin e Shqipërisë ta lidhin me tjetërsim gjuhe, zakonesh, e prejardhje dhe kur ne rezistojmë për identitetin tonë paqësor e prejardhjen tone fisnike, ata të blerët dhe ai që i blen na quajnë barbarë, për të krijuar një panik e pse jo dhe shqetësim tek popujt e tjerë evropian. Një etiketim të tillë e ka përdorur gjerësisht Janullatos, jashtë kufijve të Shqipërisë, në organizmat ku ai shkon për të prezantuar “mrekullinë” greke mbi atë shqiptare.
Barbarizëm është pabesia ndaj një kombi, e jo vetëmbrojtja,vetë qëndresa,vetësakrifikimi. Barbarizëm i egër dhe tepër i hidhur është kur përdor fjalën e Zotit, të dredhuar në drejtim të greqizimit të shqiptarëve ortodoksë. Ata që shkruajnë si servilë të Janullatosit, për kishë ortodokse e që po shndërrohen në barbarë pa komb e atdhe, le ta pranojnë publikisht në radhë të parë, se çfarë janë përpara se të jenë ortodoksë. Barbari është shpifja dhe trillimi, dhe më e rëndë është akoma kur shoqërohet me tituj pseudo- shkencore e pseudo- fetare. Të thuash gjëra që nuk janë të vërteta dhe që mund të vërtetohen se janë krejt ndryshe nga mashtrimi e përfitimi, vetvetiu të lind mendimi sesa e kanë humbur shpirtin këta njerëz, që trillojnë të pavërteta, për të fituar simpatinë e padronit të tyre, i cili në fund të misionit të tij, do t’i flak pa asnjë mëshirë.

Komb pagan, apo qiellor?
Thonë që modestia e tepruar është vet kulmi i mburrjes, apo e vërteta të jep energji të pafund jete. Nuk është e udhës fetare, të jesh besimtar i ndonjë besimi e të trajtosh të tjerët si paganë të pafe. Ortodoksët e Shqipërisë kanë ndërtuar një lidhje shpirtërore të shkëlqyer me pjesën tjetër të kombit që ka besim të ndryshëm, lidhje që nuk i pëlqen Janullatos me të blerët e tij e të shiturit tek ai, siç është rasti me priftin Thomollari e të tjerë me kokrra. Në shkrimet e shenjta, thuhet se fundi i botës do të vijë nga veprimi i budallait, se ai nuk ia di rëndësinë asaj që po bën. E shumta do të jetë një vëlla në ngjasim me Thomollarin. Zoti na ruajt por, zhvarrimet e atij lloji që udhëhoqi Janullatos me shërbëtor Thomollarin, janë një paganizëm që buron nga koha, kur grekët ishin paganë me njëmijë e një zota të ndryshëm, që infektuan gjithë botën, e cila dhe sot vuan pasojat e asaj kulture. Shqiptarët, kanë një natyrë që nuk të besojnë kollaj e po ashtu gjithmonë janë kritikë të institucioneve fetare të ndryshme se, përderisa organizohen nga njeriu, kanë dhe gabimin njerëzor brenda. Kriticizmi shqiptar, vjen si rezultat i natyrës sonë se ne i duam gjërat të përkryera si vet krijimi i Zotit, pra dhe origjina e kriticizmit është hyjnore dhe kjo është e padiskutueshme. Në përgjithësi tek ne ekziston autoriteti i një Zoti dhe ky autoritet është shekullor, ku për këtë që shpreh ka prova të shumta. Në thelb të mendimit shqiptar si botë shpirtërore e konceptuale, ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme me fjalët e zotit tonë Jezu Krisht, për atë çka e sundon botën deri në kthimin e tij.
Bashkë ekzistenca dhe mos tjetërsimi janë dy tiparet më të qëndrueshme të kombit shqiptar, që ndër shekuj e pushtime të ndryshme. E tillë është dhe periudha që kalon tani me një emigracion të madh jashtë vendit e me një bashkë ekzistence me Janullatos e kompani. Veprat shpirtërore kanë vlerë hyjnore e jo objektet apo ndërtimet, kur përdoren si kali Trojës, që është simbol i pseudo- pendesës, pseudo- dhuratës e ku fshihet vdekja apo arma e krimit. Barbarizëm e paganizëm që nga koha e Zeusit qe shqiptaret nuk e besonin ndonjëherë.
Shqiptarët janë të krishterë përballë Janullatosit, sepse janë tolerantë e gjakftohtë përballë veprimeve të tij në dëm të shqiptarëve, që sillen me “indiferencë” e “jashtë” vëmendjes e kur shqisat punojnë me kapacitet të plotë përballë dredhisë së të “urtit” Janullatos.

Krishterë përballë fqinjëve
Atdheu i shqiptarëve është i vendosur në një pozitë gjeografike, ku përplasjet kufitare e kulturat deri në lashtësi, i ngjajnë një demarkacioni biblik i krahasueshëm me luftërat e zakoneve të ndryshme, që burojnë nga gatimi si qenie e shpirtit, si formë jetese. Sesa krishterim kanë fqinjët tanë, mund ta përcaktosh me sjelljet historike ndaj popullit shqiptar. Sjellje që në Shqipëri i njohin që nga fëmijët e deri tek pleqtë e shenjtëruar. Jo rastësisht serbët derdhën gjak shqiptari në Kosovë e grekët shfrytëzojnë mizorisht djersën e shqiptarëve e kisha jonë ka të drejtë t’i mbrojë me forcë shqiptarët pa hezitim sepse është kishë e tyre. Nuk mund të bëjmë sehir, ashtu siç kërkon Janullatos e të merremi me varret se mos gjejmë ndonjë flori për ta grabitur. Veprim kristian ishte dhe ai i Kryeministrit Berisha, që i afroi priftit serb në Kosovë ndihmë financiare, pavarësisht se ky i fundit u soll si barbar dhe jo si prift. Të dy kishat fqinje i janë larguar shumë misionit fetar, duke u kthyer në organizata politike e spiunazhi në emër të Zotit e të Krishtit. Zoti pastë mëshirë për veprat e tyre. Kisha serbe nuk kërkoi ndalim të gjakderdhjes në Kosovë. Po ashtu dhe kisha greke. Edhe Janullatos nuk foli gjatë asaj kohe, ku derdhej gjak shqiptari.
A thua se Janullatos meriton shtetësinë shqiptare!?
Apo jo, o trebickë i shndërruar në shami hundësh të Anastasit.
Demonstrim kristian ishte dhe ai i çamëve në qafë Botë, ku me të drejtë kërkojnë të kthehen në shtëpitë e tyre dhe pronat e tyre aty ku i kanë në Çamëri. Një gjarpër me dy kokë janë dy kishat fqinje që na sulmojnë herë pas here, por në përsëri mbetemi paqësore e njerëzore, ashtu thjesht kristiane, deri sa durimi e maturia të fitojnë mbi intrigën e barbarinë e dyndjeve sllave me Kalin e Trojës si dhuratë, që na ndërton kisha e na ç’kishëron nga shqiptarizmi, na ndërton manastire e na kthen në prostituta për të huajt e t’i kundërvihemi njëri -tjetrit. Edhe ata që shpifin kundër meje unë nuk i urrej, sepse porosia e Krishtit është : “ Duaje të afërmin tënd”. Shqiptarizëm është dhe veprimi i Aleksandrit të madh me nënë shqiptare, i cili familjen e Darit të Persisë të zënë rob nuk e keqtrajtoi, por i liroi të shkonin gjetiu. Është ky kristianizëm natyral, që e ka sensibilizuar dhe komunitetin ndërkombëtar për t’i qëndruar më afër problemeve të shqiptarëve.

Edhe diçka tjetër
Nënshtetësia shqiptare që pretendon Janullatos të marrë, duhet të shoqërohet nga merita e vepra në të mirë të popullit shqiptar në tërësi dhe ortodoksëve në veçanti. Le ti vendosim në balancë akuzat që kemi ne për atë dhe veprat e tij, si dhe ato që mbron Trebicka me Thomollarin e kompani.
Kombi shqiptar ka kaluar momente të vështira gjatë këtyre viteve të tranzicionit dhe e dinë fort mirë shqiptarët sesa i është gjendur Janullatos pranë. Nuk ka asnjë veprim të dhunshëm në kundërshtimin tonë ndaj Janullatosit, ndërsa dhe një grenxë nga Shqipëria ta pickojë, bëhet nami sikur ai të jete apostull pse jo dhe vetë Krishti për Trebickën e të tjerë. Ta dine mirë ata që nuk besojnë në Krisht, se në kishën tonë ne i lutemi Zotit tonë Jezu Krisht, për familjet tona dhe për kombin shqiptar. Nuk ka për të ndodhur kurrë që ne ti falemi figurave, që janë si çdo njeri i thjeshtë siç është Anastasi. Duket se vendin e Krishtit po e zë padroni Anastas, që i ushqen dhe i mbanë me para të sillogjeve vorio-epirote. Shkolla e parë Normale e Elbasanit nuk mund të tjetërsohet në objekt fetar, sepse dhe në qoftë se është bërë ndonjë gabim me rikonstruksion të saj me para të Janullatosit, shkolla duhet të kthehet në identitet dhe kthimi i saj kushton më tepër se shpenzimi. Për një veprim të tillë duhet gjobitur sponsori që e dinte se ajo ishte shkolla normale. Ne nuk marrim asnjë qira nga ky objekt e turp për ata që shpifin për të kënaqur shpirtin e errët të Janullatosit.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …