Sot në ambientet e Institutit Albanologjik, në Prishtinë janë përuruar veprat letrare e publicistike të poetit e veprimtarit, Selman Dervishi. Ai deri tani ka botuar 21 vepra kryesisht përmbledhje poetike por edhe publicistike.
Në fjalën e tij në këtë përurim, drejtori i Radios-Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi ka theksuar se krijimtaria e Selman Dervishit, është e veçantë në tërësinë e saj, sidomos në përpjekje për ta bashkuar prozën me poezinë, jo thjesht si prozë poetike, por si substrat, poetiko-prozaik. Në këtë drejtim, ai ka arritur që në shkrimet e tij ta manifestojë një formë krejt autentike të diskursit krijues, i pazakonshëm në krijimtarinë tonë, por i latuar me shumë sukses nga kredoja krijuese e poetit dhe prozatorit tashmë të njohur. Në rrugën e tij krijuese poeti e prozatori, Selman Dervishi, ka arritur më shumë sesa mund të vërehet në dukje të parë. Them kështu, sepse krijimtaria e tij, nuk del si rezultat i provës për të shkruar ndryshe, apo i ndonjë eksperimenti letrar, apo i një rudimenti arkaik, por del thjesht si rezultat i botës së brendshme shpirtërore, për ta rrëfyer realitetin kompleks me tërë një kompleksitet fjalësh, shprehjesh, sintagmash, me tërë një botë, që gufon në çdo varg, në çdo fjali e periudhë, në fjali të bashkërenditura e të nënrenditura, të cilat po ashtu duken të ngatërruara nëse lexohen shkarazi, por janë mjaft të lidhura e të stisura në kuadër të brendësisë së çdo teme, të cilën ai e ka trajtuar dhe e trajton përmes fjalësh….
Duke folur për krijimtarinë e Selman Dervishit, profesoresha, Hilmije Plakiqi, ish eprore e UÇK-së, ka thënë se poeti ka filluar të shkruajë në moshë të re dhe asnjëherë nuk iu ka ndarë krijimtarisë. Faza e parë e shkrimeve të tij janë kryesisht poezitë me motive atdhetare, poezi për fëmijë e të rritur e më vonë ka filluar të merret edhe me prozë e publicistikë. Fokusi i angazhimeve të tij krijese ka qenë dhe po mbetet fati i shqiptarit ndër shekuj, e kaluara e tij tragjike e cila e ka përcjellë nga shekulli në shekull deri në ditë tona. Rrëfimet, anekdotat, analizat e prezantuar në librat e tij, por edhe në medie të ndryshme si shkrime e vështrime autoriale, e bëjnë atë regjistrues dhe komentues të të gjitha zhvillimeve, madje edhe zhvillimeve ditore. Selman Dervishi është kujdestar i përhershëm i ndodhive në Atdhe dhe kudo ndër shqiptarë, është idealisti që brengoset në thellësi të shpirtit për punët që nuk po na shkojnë mirë, andaj ai kërkon me çdo kusht bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Ai është rojtar nderi i konceptit të një Shqipërie unike, etnike, natyrale mbarë kombëtare, mbarë shqiptare etj.
Folkloristi, dr. Mehmet Rukiqi ka vlerësuar lartë krijimtarinë e Selman Dervishit, sidomos poezinë e tij, e cila sipas tij është frymëzuar nga kënga e popullit. Ai ka folur për disa veçori të veprave poetike të autorit, të cilin e ka radhitur në mesin e poetëve të njohur të kohës.
Në fund të përurimit, autori, Selman Dervishi falënderoi të pranishmit që morën pjesë në përurim si dhe krijues e lexues të veprave të tij, duke premtuar se nuk do të ndalojë të shkruajë e të nxjerrë në dritë edhe vepra të tjera. Ai po ashtu shfaqi pakënaqësi me gjendjen në të cilën po kalon Kosova dhe bëri thirrje për unitet e bashkim të të gjithë shqiptarëve. Autori Selman Dervishi deri tani ka botuar 21 vepra, kryesisht përmbledhje poetike por edhe vepra publicistike. Ai jeton dhe krijon në Amerikë.