leoni

Isa Mulaj: Analizë lidhur me shkrimin “Serbët pas pavarësisë së Kosovës, momenti i duhur për ndërmarrjen e masave të mirëbesimit”

 


Quod gratis asseritur, gratis negatur:
Çka është konstatuar pa arsye, mund të hedhet poshtë pa arsye


Pas deindustralizimit në lëminë e ekonomisë, në Kosovë kanë lindur disa industri jo produktive dhe të dëmshme për shoqërinë, në mesin e të cilave po i përmendim vetëm dy: i) ksenomania, dhe ii) analizat politike të pa argumentuara ose tendecioze. Pa e saqruar origjinën dhe domëthenien e drejtëpërdrejtë të fjalës ksenomani, përkufizimi i saj në fjalor është “dashuri e tepruar dhe e sëmurë ndaj të huajve dhe ndaj çdo gjëje të huaj”. Nga zhvillimi “industrisë” së dytë dalin produkte që quhen analizë, ndërsa autorët ose arkitetktët e tyre quhen analistë. Kur analizat nuk ishin në suazat e realitetit dhe në koncept ishin gabim ose bëheshin me tendencë për t’ia bërë qejfin personave apo grupeve të caktuara, qofshin edhe kriminelë, u zbulua termi “banalist” që nënkupton personin ose personat që bëjnë analiza banale qoftë nga jo profesionaliteti, qoftë nga oportunizmi.
Termin “banalist” për herë të parë duket se e ka përdorur Albert Kryeziu me rastin e komentimit të raporteve të UNDP-së që ishin nën çdo nivel të kualitetit të pranueshëm. Me vonë këtë term e kam hasur në një shkrim të Smajl Smakës (punon në RTK) dhe një tjetër shkrim nga Nexhmedin Spahiu (analist politik). Smajli dhe Nexhmedini nuk e kanë potencuar se termin “banalist” e kishte zbuluar dikush tjetër para tyre. Këtë mund ta vërtetojnë sa herë që duan duke shikuar kohën kur Alberti i bënte komentet në raportet e UNDP-së. Sidoqoftë, “banalist” është term që më së miri i përshtatet atyre që shtrembërimin e qëllimshëm të realitetit e prezentojnë si analizë. I tillë është rasti me një shkrim të plasuar në internet nga Instituti i Kosovës për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) me titullin: “Serbët pas pavarësisë së Kosovës – Momenti i duhur për ndërmarrjen e masave të mirëbesimit” , me autorë Ilir Deda dhe Lulzim Peci të cilëve u kishte dhënë ndihmë konsultuese Igor Aritonoviq, ndërsa dokumentin e kishte redaktuar Ilir Dugolli. Autorët e quajnë shkrimin si Analizë Politike nr. 8. Në fakt nuk bëhet fjalë për kurrfarë analize por disa hamendje të çuditshme për gjoja integrimin e serbëve të Mitrovicës jugore (nuk e thotë sa serbë jetojnë këtu!) dhe çdo serbi tjetër në Kosovë në shoqërinë kosovare (çka është kjo shoqëria kosovare?) duke u ofruar atyre privilegje të hatashme, dhe në të njëjtën kohe duke i fyer rëndë shqiptarët e sakatosur me të cilët ende vazhdon eksperimentimi si të ishin kafshë.

Kalimthi po përmendim diçka që do t’i kthehemi përseri në këtë koment; shkrimi i autorëve në fjalë është botuar në internet në muajin korrik të këtij viti. Pikërisht gjatë kohës kur në Mitrovicën jugore (tema kryesore e shkrimit) banorët shqiptarë të dëbuar nga veriu po helmoheshin qëllimisht në jug me ato maunet me vaj disulfurik dhe rriheshin brutalisht vetëm pse nuk e donin të thithnin helmin, ndërsa në pjesën veriore (më pak e rëndësishme për shkrimin) ekstremistët serbë nuk lejonin ndërtimin e ujësjellësit në fshatin Suhodoll.
Shkrimi i autorëve i ka gjithsejt 9 faqe e gjysmë tekst ose 14 faqe si dokument i tërësishëm. Teksti fillon në faqe 5 me “Hyrje” ku në mes tjerash thotë: “Përkundër pritjeve, pavarësia ka zbutur nacionalizmin shqiptar duke krijuar moment të përshtatshëm për pranim të serbëve të Kosovës si pjesë përbërëse e shoqërisë”. Më tej thotë se “Serbët e Kosovës synojnë një jetë të denjë dhe të sigurt në Kosovë, por jetojnë në frikë nga shteti i ri dhe politikat e Beogradit”. Nga na doli kjo shpifje e sëmurë për nacionalizmin shqiptar, e sidomos në Mitrovicë ku vetëm në shkurt të vitit 2000 janë dëbuar 11,364 shqiptarë nga veriu dhe janë vrarë 11 të tjerë në prezencën e KFOR-it? Në çka bazohet nacionalizmi shqiptar në Mitrovicë? Në spastrimin etnik e tyre nga veriu dhe helmimin në jug, a po? Ne vrasjen e të tjerëve nepër bjeshkët e Istogut, respektivisht malit të Moknës nga serbët e armatosur? Në sulmin kundër KFOR-it dhe kryeadministratorit të UNMIK-ut në Gorazhdec nga serbët e “moderuar”? Apo në shtetin e Shterpcës dhe shtetet tjera serbe siç janë “zonat e mbrojtura” nepër Kosovë që i ndalojnë shqiptarët të ndërtojnë dhe shfrytëzojnë pronat? Ku janë gjithë ata serbë të moderuar që i shpif shkrimi i autorëve?
Nuk janë serbët që jetojnë në frikë nga shteti i ri por qytetarët shumicë të shtetit të ri jetojnë në frikë nga serbët. Asnjë në serb në Kosovë nuk jeton në frikë nga politika e Beogradit por i shërben asaj. Kjo është e garantuar edhe me Planin e Ahtisaarit për nënshtetësi të dyfishtë dhe financimin e tyre nga Beogradi. Asnjë serb në Kosovë nuk ka kurrfarë arsye të marr pasaportë dhe nënshtetësi të Kosovës kur atyre u garantohet nënshtetësia e Serbisë.
Shkrimi vazhdon me shpifjen: “Bashkësia serbe në Kosovë, posaçërisht në vendbanimet në jug të lumit Ibër ku jetojnë shumica e serbëve kosovarë, vazhdon të jetë në gjendje të ndjeshme, duke jetuar në frikë dhe e shtrënguar t’i nënshtrohet vullnetit të qeverisë së Serbisë”. Askush në botë nuk mund të thotë se në jug të lumit Ibër jetojnë shumica e serbëve kosovarë. Nëse dikush thotë kështu siç bëjnë autorët pa iu referuar ndonjë statistike, atëherë kjo është një shpifje e nevertishme. Shumica e serbëve kosovarë jetojnë në veri të lumit Ibër, Graçanicë (ku autorët shkuan për t’i bërë pompozitet të madh shkrimit të tyre tek serbët) dhe Shterpcë, por jo në jug të lumit Ibër.
Në faqe 6 autorët e lavdërojnë shkrimin e tyre dhe thonë se ai duhet të “kushtëzohet nga nevoja e shfrytëzimit të momentit të tanishëm për zhbërjen e frikës së serbëve të Kosovës”. Kur kësaj i shtohet edhe shpifja për nacionalizmin shqiptar, secili që nuk ka dëgjuar kurrë për rrethanat në Kosovë do të krijonte bindjen se këtu duhet ndërhyrë ushtarakisht për t’i mbrojtur serbët nga shqiptarët. Në realitet është vetëm e kundërta. Shqiptarët kanë nevojë të mbrohen nga serbët.
Memores acti prudentes futuri – mbani mend se çka është [çka iu kanë] bërë, keni kujdes se çka do të bëhet [çka do t’iu bëjnë]
Në faqen 7 të shkrimit thuhet se pjesa veriore e Kosovës vazhdon të jetë pothuajse pa pushtet, por harron të thotë “pa pushtetin e Prishtinës”. Përndryshe, ajo pjesë është më me pushtet se sa vet Prishtina. Këtë e dijnë fare mirë autorët. Shqiptarëve të mbetur në pjesën veriore nuk u lejohet e drejta në produktin më elementar të jetës – ujin e pijshëm, nga askush tjetër pos nga serbët. Kjo vërtetohet me bllokadën që serbët po i bëjnë ndërtimit të ujësjellësit për banorët e fshatit Suhodoll ku jetojnë shqiptarë. E drejta në ujin e pijes është e garantuar edhe për derra. Pse kjo e drejtë u mohohet qenieve njerëzore shqiptare nga esktremistët serbë, është diçka që mund t’i trondisë të gjithë njerëzit e arsyeshëm. Ajo që tronditë me tepër janë ethet e tërbuara dhe paranoja e shfaqur në shkrimin e autorëve kur shqiptarët quhen nacionalist, ndërsa serbët të moderuar. Të njëjtën gjë e bënte edhe Millosheviqi. Po të ishte vetëm një serb/e i/e moderuar në Kosovë, ai/ajo do të reagonte në një formë apo tjetrën, apo në mënyrë pak më të arsyeshme, me forcë, kundër etheve çnjerëzore për ndalimin e ndërtimit të ujësjellësit. Deri sot asnjë serb nuk e ka bërë këtë.
Në faqe 8 shkrimi bënë disa keqinterpretime të fakteve. Thotë se zgjedhjet lokale të organizuara nga Republika e Serbisë në Kosovë me 11 maj 2008, janë cilësuar (dhe e vërteta është se nuk janë shpallur) si të paligjshme nga Qeveria e Kosovës, UNMIK-u, Grupi Drejtues Ndërkombëtarë (GDN) dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ZCN), ose institucionet që pikërisht i lejuan ato zgjedhje. Kur shkrimi e thekson se ato zgjedhje u fituan nga Partia Radikale Serbe (këtu ka të drejtë dhe kjo është fakt), atëherë autorët bien në kundërshtim me konstatimin e tyre të paarsyeshëm për serbët e moderuar në Kosovë që mundohen t’i prezentojnë më në numër se serbët radikal. Tjetër keqinterpretim i faktit është kur thuhet : “Megjithatë, vetëm 46% e serbëve morën pjesë në zgjedhje..”. Në zgjedhjet e Kosovës të 17 nëntorit 2007 që janë cilësuar si shumë demkratike (!), të ligjshme dhe që u lavdëruan shumë nga institucionet e latëpërmendura, OSBE-ja e shpalli pjesëmarrjen prej 41% të elektoratit dhe nuk tha “vetëm” sikur autorët e shkrimit për pjesëmarrjen prej 46% të serbëve kosovarë në zgjedhjet e jashtëligshme të Serbisë në Kosovë. Për më tepër, pjesëmarrja prej 41% duket se nuk ka qenë e vërtetë pasi burime të pavaruara kanë ardhur në përfundim se ajo sillej ndërmjet 33% dhe 36%, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje mendon të ketë qenë vetëm 29%.
Autorët e jepin shifrën e pjesëmarrjes së serbëve kosovarë në zgjedhjet e Serbisë prej 46%, dhe në kuadër të saj thonë se pjesëmarrja në veriun e Kosovës ishte më e madhe, por nuk tregojnë sa ishte përqindja (me gjasë mbi 50%) dhe sa prejt tyre votuan për radikalët (dihet se më shumti por sa). Pjesëmarrja më e lartë në “zgjedhje” në veriun e Kosovës dhe votimi kryesisht për radikalët, vetëm sa e forcon argumentin se shumica e serbëve nuk janë të moderuar dhe këtë e vërtetojnë me veprime konkrete në terren vazhdimisht. Këtu bie poshtë konstatimi i paarsyeshëm i autorëve për “zhgënjimin e serbëve të Kosovës me politikat e Beogradit” dhe për “hap[jen] [e] një shteg[u] mundësish që udhëheqësit e moderuar serb në njërën anë dhe Qeveria e Kosovës në anën tjetër të angazhohen pozitivisht për bashkëpunim të ndërsjellë”.
Në faqe 9 shkrimi konstaton se bashkësia serbe dhe përfaqësuesit politik e “kanë focuar bindjen e një pjese të serbëve të Kosovës.. se jeta dhe zhvillimi nëpërmjet strukturave paralele është i mundshëm”, por pak më poshtë thotë se ata janë të bindur që “organizimi i institucioneve paralele nuk do të ketë sukses në jug”. Me këtë autorët ua sjellin ndërmend serbëve që të bëjnë plane afatgjata me kujdes nëse duan të themelojnë struktura paralele në jug të Mitrovicës.
Autorët edhe njëherë nuk dihet se kujt ia bëjnë me dije “përkundër faktit se shumica e serbëve të Kosovës jetojnë në jug të Mitrovicës”. Pasi kjo e pavertetë përseritet, nuk është asgjë tjetër pos diçka tendencioze, njësoj siç janë edhe konstatimet për gjoja ndjenjën e serbëve të “margjinalizuar, harruar dhe të lënë anash” në pjesët tjera të Kosovës. Në fakt, popullsia shumicë është e margjinalizuar nga Plani i Atisarit që i garanton Beogradit lidhjen dhe financimin e çdo strukture serbe në Kosovë. Është e vërtetë se serbët e jugut “janë kundërshtarët më të fortë të një ndarjeje të tillë [Kosovës]” por këtë e bëjnë nga shkaku se ata e shohin tërë Kosovën si Serbi.
Konstatimi në faqen 10 se serbët e Kosovës “kanë respekt për ligjin në Kosovë”, është një enigmë. Po që se ata e kanë këtë respekt, atëherë duhet të heqin dorë nga strukturat paralele, të ndihmojnë në ndërtimin e ujësjellësit në Suhodoll, të protestojnë kundër helmimit të shqiptarëve ne jug të Mitrovicës, e para të gjitha këtyre, t’i dorëzojnë të gjithë kriminelët prej vitit 1999 që janë duke u strehuar në veri të Kosovës. Vetëm kështu serbët e Kosovës janë të moderuar. Deri më sot nuk e kanë bërë këtë. Konstatimi i autorëve se serbët kosovarë kanë respekt për ligjin në Kosovë, do të thotë se ata i respektojnë ligjet e Serbisë, duke i përfshirë edhe ato të Millosheviqit, që janë të zbatueshme në Kosovë. Këtë ua garanton rregullorja e UNMIK-ut mbi Ligjin e Zbatueshëm. Sa të jetë kjo rregullore në fuçi, serbët shpërfillin ligjet e Kosovës dhe zbatojnë ato të Millosheviqit që ishin nxjerrur gjatë viteve 90-ta dhe ligjet e Serbisë së sotme.
Shkrimi i autorëve më tej flet për qëndrimet e e udhëheqësisë politike të Kosovës, ku e lavdëron në mënyrë emocionale kryeminstrin e Kosovës Hashim Thaçi, e që nuk është aspak çudi për një organizatë para qeveritare (këtë e dijnë shumica në Kosovë) që veten e quan Organizatë Joqeveritare.
Shkrimi në fund ka edhe disa rekomandime, shumica prej tyre Millosheviqiane dhe të sëmuara. Ato rekomandime, KIPRED-i ia adreson Qeverisë (shefit të vet jozyrtar), institucioneve tjera të Kosovës, komunitetit të donatorëve, EULEX-it, GDN-së dhe NATO-s. Si rekomandim strategjik dhe të politikave i konsideron masat që duhet të merren për të mos lejuar zhvleftësimin e Planit të Ahtisaarit, duke menduar se kjo do të thotë shkatërrim i funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Nëse autorët e shkrimit e kanë lexuar dhe kuptuar si duhet Planin e Ahtisaarit, do të na tregonin se zbatimi i tij shkatërron fuksionalitetin edhe të shteteve më të fuqishme të botës, e kurrsesi nuk krijon funksionalitet për shtetet në ndërtim e sipër siç është Kosova.
Autoriteteve të Kosovës u rekomandon që të bëjnë deklarata politike dhe të ndërmarrin veprime politike se e ardhmja e serbëve është në Kosovë, por ua tërheq vërejtjen që të mos përzihen në debatet e brendshme të serbëve. Kjo bie në kundërshtim me hamendjen e autorëve për kinse integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare. Për më tepër, i bëhet thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i mbajnë duart larg nga strukturat paralele dhe eksklavat ekzistuese dhe atyre që synohet të themelohen. Planin e themelimit të një enklave të re si fazë kalimtare në eksklavë, e bënë të ditur autorët e shkrimit, dhe ajo qenka në Mitrovicën jugore. Me siguri këta autorë kanë plane për enklava tjera aty ku nuk e pret askush përpos Serbisë. Ata në shkrimin e tyre thonë se do të ketë “analiza” tjera të ngjashme, ku do të na tregojnë se shumica e serbëve kosovarë tani jetojnë në Malishevë!
Kryeministrit të Kosovës i rekomandohet që të themeloj pranë zyrës së tij, dhe atë menjëherë, Zyrën për Çështje të Komuniteteve që t’i bashkoj forcat me Ministrinë për Kthim dhe Komunitete për t’ua përmirësuar jetën serbëve në Kosovë. Autorët nuk i rekomanduan kryeminstrit themelimin e një zyre për hetimin e krimeve të luftës që serbët e Kosovës i kanë bërë, ku ende ka mijëra persona shqiptarë të pagjetur.
Kuvendit të Kosovës i rekomandohet që ta zgjedhë Ombudsmanin me përkatësi serbe. Autorët kinse nuk e dijnë se në Kuvend vendoset me votat e deputetëve e jo me votat e autorëve. Tërheqja e paraleles me IRJ të Maqedonisë ku Ombudsmani qenka shqiptar, është një krahasim i pakuptimtë dhe tendencioz që e bëjnë autorët. Shqiptarët në Maqedoni që sipas statistikave zyrtare përbëjnë mbi 25% të popullsisë së përgjithshme, nuk kanë bërë krime kundër sllavo maqedonëve siç kanë bërë serbët e Kosovës kundër shqiptarëve. Serbët kosovarë përbënin vetëm 7-8% të popullsisë së përgjithshme të Kosovës, e jo mbi 25% sikur shqiptarët në IRJ të Maqedonisë.
Rekomandimet më të paskrupullta, KIPRED-i ia adreson eprorit të vet – Qeverisë së Kosovës. Rekomandimi i parë është që “Të fillohet me zbatimin e këtyre projekteve [tërë atë që kanë thënë autorët në shkrim] njëkohësisht në tërë vendbanimet serbe në jug të Ibrit”. Autorët në mënyrë tërësisht të pakuptimtë e llogarisin eprorin e tyre – Qeverinë si një superfuqi ekonomike me resurse të pakufizuara për të realizuar projekte në tërë vendbanimet serbe, dhe atë njëkohësisht. Pse thuhet “njëkohësisht” nuk dihet, por lë përshtypjen se autorët janë të entuziazmuar tej mase të shohin enklavizimin dhe serbizimin sa më të shpejtë dhe në të gjitha aspektet të Mitrovicës jugore, ashtu që më vonë të fillohet me përndjekjen e shqiptarëve tanimë të përndjekur nga veriu dhe të helmuar në jug, më në jug të Kosovës dhe në fund drejt detit Adriatik dhe detit Egje.

Autorët janë analistë aq të tmerrshëm sa që, edhe sikur rekomandimi i tyre i parë për prjokte në tërë vendbanimet serbe në jug të Mitrovicës njëkohësisht të realizohet 100%, prapë nuk janë të kënaqur. Prandaj vazhdojnë me rekomandime se si të bëhet ekspansioni në pjesët tjera të Kosovës. Kështu rekomandimi i dytë që autorët ia adresojnë Qeverisë (në fakt vetvetes) thotë: “Ndërtimi i degëve të Universitetit Publik të Mitrovicës në qendër të Kosovës”. Nëse autorët ndonjëherë kanë pasur notë kaluese në gjeografi, qendra e Kosovës ndodhet diku në Komoran ose Llapushnik. Për ta zgjeruar pak rrethin e qendrës, kjo duhet të jetë në komunat Drenas dhe Malishevë, ku shqiptarët përbëjnë 99.8% në parën dhe 99.9% në të dytën, të popullsisë së përgjithshme. Autorët ndoshta, ose kanë menduar se Universiteti Publik Serb i Mitrovicës (që nuk ka asgjë të përbashkët me Universitetin aktual të Prishtinës) duhet të hapë degë në gjuhën shqipe në qendër të Kosovës që është zonë kryesisht rurale, ose degët të jenë në gjuhën serbe me qëllim që të bëhet një spastrim gjuhësor dhe kulturor në zonat me gati 100% të banuara me shqiptarë. Nëse autorët kanë menduar se qendra e Kosovës është Prishtina, atëherë ky mund të jetë gabim i redaktorit të shkrimit ose gabim shtypi, gjë që nuk duket të jetë. Kanë mundur të thonë “kryeqyteti”, “kryeqendra”, “Prishtina” por nuk kanë dashur. Ata ndoshta e shohin kryeqytetin për serbët e Kosovës në Beograd, çka në realitet edhe është, më shumë se Prishtina.

Rekomandimi i radhës vazhdon me strategjinë e ekspansionizmit kur Qeverisë, respektivisht Ministrisë së saj të Bujqësisë, i rekomandohet të zhvilloj strategji për bujqësinë primare dhe atë përpunuese të ushqimit në vendbanimet shumë etnike. Me shumë etnike nënkuptohet çdo gjë përpos shqiptarëve. Strategjia për shqiptarët u sqarua më lartë kur u prezentua dhe komentua rekomandimi i parë i autorëve qeveritar për Qeverinë. Prandaj nuk është e arsyeshme që të keqkuptohemi me autorët dhe të kërkojmë më shumë detaje se çka kanë dashur të thonë.
Rekomandimin e fundit për Qeverinë, autorët e bëjnë në lëminë e imperializmit fetar, që së pari duhet të filloj me rindërtimin dhe mirëmbajtjen “si duhet” të varrezave, për të vazhduar me “rindërtimin e suksesshëm” të kishave dhe manastireve serbe. Derisa Qeverisë i rekomandohet që ta bëjë punën “si duhet” edhe për të vdekurit serb (e pse jo edhe për kafshët e ngordhura të serbëve!), nuk rekomandohet gjë për mijëra të zhdukur shqiptarë nga serbët që nga vitit 1999, e as që rekomandohet për ndaljen e spastrimit etnik, ekonomik dhe helmimin kimik të shqiptarëve. Kulminacioni i këtij rekomandimi të çuditshëm dhe kundërthënës që autorët ia drejtojnë Qeverisë, shpejgohet me një fakt: Se ata (autorët) i referohen në shkrimin e tyre respektimit të Kushtetutës së Kosovës dhe obligimeve që dalin nga ajo, si për shembull përdorimin e gjuhëve zyrtare, por me qëllim e kanë anashkluar faktin se Kosova është shpallur shtet laik, dhe se Kushtetuta shumë qartë e thekson se shteti (Qeveria) nuk përzihet në çështje fetare dhe është i ndarë nga feja. Pse tash autorët e shkrimit dalin me rekomandime kundër kushtetuese?
Komunitetit të donatorëve i rekomandohet të forcoj aspektet socio-ekonomike në vendbanimet serbe në jug të Ibrit. Kur autorëve kjo nuk u mjafton, ata vazhdojnë me rekomandimin për ndihmën në investimet private dhe kredi të vogla. Supozuan autorët e shkrimit se edhe kjo u kry. Tani duhet të kalohet në ekspansionizmin e vendbanimeve serbe në pjesët tjera të Kosovës. “Të përkrahet ndërtimi i lagjeve urbane mes Llapnasellës dhe Graçanicës”, thotë rekomandimi në vijim për komunitetin e donatorëve. Dyshohet se kjo nuk është ide origjinale e vet autorëve. Para tyre, ish-shefi i urbanizmit në komunën e Prishtinës, Lulzim Nixha, doli me idenë e një projekt madhështor të quajtur “Graçanica e Re”, të cilën ia tregoj zyrtarëve të Partisë së Pavarur Liberale Serbe. Projekti për transformimin e këtij fshati në një qytet modern do të kushtonte 600 milionë euro, ose përafërsisht sa 75% e buxhetit të përgjithshëm të Kosovës për vitin 2007.
Në kuadër të komunitetit të donatorëve përmend ambasadën e SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar të cilat pikë së pari janë të ngarkuara me çështje politike.
Pranisë ndërkombëtare në Kosovë, sidomos EULEX-it, i rekomandon sigurimin e funksionimit adekuat të sistemit policor dhe gjyqësor në pjesën veriore të Kosovës. Kontrollin në pjesën veriore të Kosovës nuk ia rekomandon Qeverisë, për shkakun se ndoshta konsideron që ajo pjesë e shtetit të Kosovës duhet të jetë nën juridiksionin e tjetërkujt – strukturave paralele, Beogradit, EULEX-it – ose të gjithëve së bashku, por jo të Prishtinës ose shtetit të pavarur të Kosovës.
GDN-së dhe NATO-s i rekomandon “të garantoj në mënyrë praktike integritetin territorial të Kosovës”, kuptohet, për t’i realizuar njëkohësisht ato projektet e rekomanduara përmes enklavizimit dhe ekspansionizmit, duke mos lënë anash projektet për të vdekurit serb, dhe njëkohësisht luftimin e “nacionalizmit” shqiptar ose personat e dëbuar nga pronat e tyre.
Për fund, shkrimi i autorëve i plasuar në internet nuk është kurrfarë analize, bile as mendim. Me tepër mund të klasifikohet si diçka tendencioze që në popull njihet si “sherr budallaki”.

Autori i kësaj analize është hulumtues i lartë dhe koordinator për Kosovë i Institutit për Studime dhe Analiza të Politikave Ekonomike.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …