Duke u bazuar në rezultatet e deritanishme të klasës politike të pavarësisë, Kosova, jo vetëm që nuk do ta fitojë pavarësinë me sovranitet të plotë, por as pavarësinë e mbikëqyrur siç po i trumbetohet opinionit. Po t’i referohemi Parimeve të Grupit të Kontaktit, të cilat përcaktojnë elementet që duhet të përmbajë dhe promovojë marrëveshja e Ahtisaarit siç janë: stabiliteti rajonal dhe multi-etniciteti i qëndrueshëm; Kosova të mos kthehet në gjendjen para marsit 1999; jo ndarje të Kosovës dhe jo bashkim me ndonjë shtet ose pjesë të territorit të ndonjë shteti, shihet qartë se kjo nuk do të jetë pavarësi sepse kur një territor e ka pavarësinë, nënkuptohet që populli i atij territori është i lirë të vendos pa u penguar nga askush dhe për të nuk vlen asnjë parim tjetër që është në kundërshtim me kartën e kombeve të bashkuara, akteve të OKB-së, për sa i përket të drejtës së kombeve për vetëvendosje.
Dy elemente përbëjnë thelbin e procesit për statusin politik të Kosovës: “pazari”, që do të thotë se shqiptarët e Kosovës do të japin diçka në këmbim të sovranitetit që mbanë Serbia; formalizimi dhe kompletimi i tranzicionit të Kosovës në vetëqeverisje, që ka filluar që nga viti 1999, nën administrimin e OKB-së. Serbia ka hyrë në “pazar”, qysh pas Raportit të të dërguarit të OKB-së Kai Eide në tetor 2005, raport që rekomandonte që komunat me shumicë serbe të kenë policinë dhe gjyqësinë e tyre si dhe të jenë të lidhura me njëra-tjetrën dhe me Beogradin. Këtë, Serbia e pa si një rast që të sigurojë ndarjen e qetë të Kosovës, duke mbajtur një pjesë të territorit dhe duke ua lënë shqiptarëve pjesën tjetër. Edhe pala shqiptare e Kosovës e pranoj dhe e përshëndeti këtë raport.
Kosova edhe kësaj radhe nuk do ta fitojë pavarësinë e saj, nuk do të ketë ulëse në OKB, nuk do të ketë ushtri si dhe do t’i mungojë sovraniteti. Politikanët e Pavarësisë pajtojnë që kinse Sovranitetin e Kosovës është mirë që ta mbajë Bashkimi Evropian, i cili do të jetë prezent në Kosovë edhe pas statusit. Ata thonë se në këtë mënyrë do të inkuadrohemi më lehtë në BE, por ky është një gabim i madh sepse vetëm shtetet e pavarura dhe sovrane me vullnetin e tyre e heqin një pjesë të sovranitetit duke ia dorëzuar BE-së, por Kosova nuk do të jetë shtet i pavarur që ta bëjë një gjë të tillë, por do të shkojë drejt një administrimi të ri, kësaj radhe të BE-së. Ky administrim i gjatë dhe i pakufizuar i BE-së, është moszgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare në Ballkan, moszgjidhje e drejtë e çështjes së shqiptarëve të Kosovës dhe kjo nuk bëhet për tu bërë Kosova shtet por me qëllim të humbjes së territoreve shqiptare apo të Shqipërisë dhe në një të ardhme të dalim edhe para aktit të kryer sepse nuk do të ketë shumicë shqiptare në shumë territore dhe për këtë të ardhme punon Serbia, sepse aktualisht nuk është e interesuar për ndarje të Kosovës, dhe tek atëherë do të shqyrtohet për zgjidhje çështja shqiptare por me humbje të mëdha të territoreve, si rezultat i kësaj politike të pavarësisë së Kosovës. Kjo moszgjidhje e çështjes shqiptare do t’i lë hapësirë të madhe Serbisë që të punoj në ndarjen e Kosovës dhe të marr territor sa më shumë, dhe këtë po ia mundëson klasa politike e pavarësisë së Kosovës, klasë e cila është rreshtuar gabimisht në politikën e saj sepse është e parealizueshme për rrethanat.
Po të ishte e realizueshme kjo politikë, Kosova do të bëhej shtet qysh pas përfundimit të luftës çlirimtare të saj dhe nuk do të stërzgjatej ky proces siç edhe ka ndodhur dhe po ndodh, se jo do të zgjidhet këtë vit e jo vitin tjetër dhe kështu shkojnë vitet e dekadat dhe në vend se të zgjidhej e të mendohej pastaj për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sa më të mirë të popullit, ne po humbim kohën kot dhe më shumë po punojmë për interesat e huaja. E vetmja politikë e realizueshme për rrethanat aktuale është ajo e bashkimit të kombit shqiptar. Politika e Bashkimit Kombëtar, përveç që është e realizueshme, është interes jo vetëm i kombit tonë dhe kombeve tjera në Ballkan por edhe interes i Evropës e cila pretendon që në një të ardhme të jetë e bashkuar.
Partitë politike shqiptare, po ta kishin një program gjithëkombëtar i cili do të bazohej në vullnetin, interesin dhe të drejtën tonë të natyrshme kombëtare; po t’i linin anash interesat personale, grupore, partiake e karrieriste; po të mos angazhoheshin për zgjidhje parciale të çështjes sonë të pazgjidhur kombëtare; po të bënin politikë në drejtim të realizimit të interesit tonë jetik kombëtar – bashkimin e trojeve tona, me siguri që bashkësia ndërkombëtare do të kishte qasje më të drejtë ndaj nesh si popull dhe nuk do të vazhdonte përsëri me status-kuo e cila do të jetë edhe për një kohë të gjatë, me mashtrimin brenda saj se kinse është pavarësia, sepse i duhet ky mashtrim për ta propaganduar në popull për shkak të mbajtjes në skenë të klasës politike të pavarësisë.
Kontrolloni gjithashtu
Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave
Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …