Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën është marrë vendim që të ftohet Lidhja Demokratike e Kosovës për organizimin e protestave kundër Hashim Thaçit. Kryesia e Vetëvendosjes ka marr vendim që krerët e kësaj partie të vënë kontakte me udhëheqjen e LDK-së dhe më së largu nesër të përcaktohet data e protestës së parë. “Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pa mandat të Kuvendit po vrapon në negociata pa parime me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ne nuk mund të lejojmë pazare me sovranitetin, territorin dhe kufijtë e Kosovës. Aventura personale e Presidentit të Kosovës është e papranueshme. Ai po i mashtron si qytetarët e Kosovës ashtu edhe ata të Kosovës Lindore. Prandaj, ai duhet të largohet”, thuhet në komunikatë. “Qeveria e pakicës po e bojkoton Kuvendin e Republikës. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duhet të dorëhiqet. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. Kërkojmë zgjedhje të lira, demokratike dhe të ndershme. Nevojitet legjitimitet i ri i një qeverie të re”, thuhet më tej. Sipas Vetëvendosjes, institucionet e Kosovës nuk po funksionojnë, Kuvendi është bllokuar dhe se kryetari i Serbisë do të vijë në Kosovë këtë fundjavë, por qeveria dhe Policia e Kosovës nuk do ta arrestojë atë. “‘Zajednica’ Thaçi-Vuçiq është evidente. Presidenti i Serbisë nuk duhet lejuar të hyjë në Kosovë. Sa më shpejt nevojiten ndryshime për ta shpëtuar Republikën e Kosovës. Protestat janë të domosdoshme. Gatishmëria e popullit është e lartë. Sepse masivisht kuptohet dëmi që mund të sjellë vonesa. Le t’i kthehemi qytetarëve dhe le t’i mbushim bashkë sheshet. Le të organizojmë tubime me qytetarë për protesta qytetare. Ta ruajmë dhe mbrojmë shtetësinë dhe pavarësinë, sovranitetin dhe kushtetushmërinë, integritetin territorial e institucional të Republikës së Kosovës, popullsinë tonë në trojet e saj”, thuhet në njoftim.
Kontrolloni gjithashtu
Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë
Sllovakia, është njëra nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …