E tërë vëmendja e opinionit kosovar por edhe atij ndërkombëtar është përqendruar tek Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në përpilimin e rezolutës së re me ç’rast do të shfuqizohet Rezoluta 1244 për Kosovën e cila ende është në fuqi dhe në bazë të së cilës ushtron mandatin e tij UNMIK-u në Kosovë.
Sa më afër që po afrohet koha për aprovimin e rezolutës së re aq më tepër po rriten tensionet “pro” dhe “kundër” rezolutës në fjalë. Këto ditë pritet të vijë edhe misioni faktmbledhës i KS të OKB-së me ç’rast Serbia do të përpiqet që të paraqes gjendjen në Kosovë dhe kushtet e jetës dhe veprimit të pakicës serbe në mënyrë jo të favorshme, për të përfituar në kohë dhe për të zvarritur procesin e zgjidhjes së statusit në fjalë. Nuk përjashtohet mundësia që edhe të provokojë dhe të destabilizojë situatën në Kosovë, veç se ka paralajmëruar ardhjen masive të shpërngulurve serb nga Kosova në kufirin e Kosovës me Serbinë. Populli shqiptar duhet të ketë kujdes dhe të tregohet i qetë dhe i matur në çfarëdo provokim eventual me qëllim të destabilizimit të situatës së gjithëmbarshme në këto çaste historike për Kosovën.
Tani veç se janë radhitur në njërën anë shtetet që përkrahin pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, në ballë të së cilës gjenden SHBA-ja, e më pastaj Britania e Madhe e kështu me rrallë, por ende Bashkimi Evropian nuk po mund të merr një qëndrim të përbashkët rreth përkrahjes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, në rrallë të parë për shkak se shtetet siç janë Rumania, Greqia, Sllovakia, Qiproja e deri diku edhe Spanja po hezitojnë.
Në tjetrën anë e kemi Rusinë, e cila me të madhe, dita më ditë, po e ashpërson fjalorin e saj diplomatik kundër pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës dhe në kërkim të zgjidhjes së statusit të Kosovës në pajtim të dyanshëm të Beogradit dhe Prishtinës. Por ky pajtim i dyanshëm assesi nuk mund të ndodh, pasi që pozicionet e të dy palëve janë diametralisht të kundërta, sepse në njërën anë, kurrë më Kosova nuk do të pranojë që të jetë nën sovranitetin e Serbisë, qoftë ai edhe formal, ndërsa në anën tjetër Serbia po përpiqet që në çdo mënyrë ta ruaj sovranitetin e saj mbi Kosovën duke u thirrur në Rezolutën 1244 dhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Rusia duke u nisur, si nga ish sekretari i punëve të jashtme Jevgenij Primakov e deri tek ambasadori i saj në Këshillin e Sigurimit, Vitalij Çurkin dhe ministrit aktual të punëve të jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, përpiqet me çdo kusht që këtë mbështetje diplomatike edhe në mënyrë të qartë dhe të hapur të shpreh në favor të Serbisë, duke deklaruar se Serbinë me Rusinë i lidhin raportet të përbashkëta sllave, ortodokse, miqësore, shekullore e deri tek ajo që Serbia është aleati dhe partneri kryesor i Rusisë në Ballkan.
Edhe gjatë përpilimit të rezolutës në fjalë, Rusia në çdo mënyrë do të kërkojë dhe do të amandamentojë fjalë për fjalë tekstin, i cili nuk do të përputhet në pajtim me dëshirën dhe vullnetin e Beogradit. E në momentin e votimit edhe pse nuk mund të paramendojmë me siguri se a do të përdor veton e saj, por sipas deklarimeve të gjertanishme nuk përjashtohet edhe ajo.
Këtë fakt nuk duhet të neglizhojmë sepse edhe Serbia është e paparashikueshme dhe është në gjendje që në çdo mënyrë të krijojë tensione dhe acarime diplomatike që mund të përfundojnë edhe me konflikte me përmasa më të mëdha. Mos të harrojmë, se nga historia jo e largët, e kemi të njohur se Serbia ka qenë shkaktare e shpërthimit të luftës së parë botërore. Këtu nuk mund të mos marrim parasysh edhe qëndrimin e Kinës, e cila ende nuk është e pozicionuar, por që përveç abstenimit të sigurt, nuk përjashtohet mundësia edhe e përdorimit të vetos së saj. Duke i marrë parasysh të gjitha këto vijmë në përfundim se ditët dhe muajt që na presin në të ardhmen do të jenë jashtëzakonisht të nxehta dhe me situata të paparashikueshme në aspektin global të pozicionimit të faktorëve vendimmarrës botëror.
Nëse rezoluta e re do të miratohet me shumicë votash dhe me abstenim të Rusisë dhe Kinës, atëherë do të frymohet më lirë dhe se Serbia nuk do të mund të ketë më at të drejtë juridike në të cilin thirret tani, rezoluta 1244, për të hyrë edhe njëherë aventurave luftarake që gjatë gjithë historisë së saj ka ditur shpesh të luaj. Por në rast se rezoluta do të has në veton ruse apo eventuale edhe kineze, dhe se atëherë Kuvendi i Kosovës do të shpalli pavarësinë e saj, dhe më tej do të nis njohja e saj nga shtetet duke u nisur nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Shqipëria, Zvicra, e kështu me rrallë, nuk përjashtohet mundësia që Serbia me marrjen e pëlqimit eventual të Rusisë të hyjë në aventurë luftarake duke aneksuar jo vetëm pjesën veriore të Kosovës përtej lumit Ibër, por edhe pjesën e Anamoravës së Kosovës, dhe atëherë të përcaktojë vijën ndarëse të saj dhe me përkrahjen diplomatike të Rusisë të ndajë Kosovën që është edhe qëllimi i saj final duke ditur që më nuk mund të mbajë Kosovën e tërë përherë. Por dëshirën e saj për të realizuar këtë qëllim, a do të has në kundërshtim të fortë ndërkombëtar apo eventualisht në një pajtim të heshtur të faktorit vendimmarrës karshi faktorit të Rusisë dhe fuqisë së saj në rritje e sipër si aleate tradicionale e Serbisë, në ditët apo muajt që vijojnë do të shihet qartë.
Kontrolloni gjithashtu
Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave
Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …