Ramadan Pllana: …Megjithatë, rruga jonë kombëtare, gjuha dhe identiteti, do të vazhdojnë të ecin përpara

( Reagim kundër fushatës së Nexhmedin Spahiut, si dhe sivëllait të tij, Migjen Kelmendit, që po punojnë “së mbari” për krijimin e gjuhës dhe “ të kombit kosovar”).

Për çdo shqiptar që i thotë bukës bukë dhe ujit ujë ky marifet i zotërinjve Spahiu dhe Kelmendi, është dredhi kombëtare dhe shërbim në dobi të qarqeve antishqiptare e, në radhë të parë shovinistëve serbë, thënë troç; është fund e krye tradhti kombëtare. 
Nuk kam për qëllim, as pretendoj, që të lodhem për një analizë, të këtyre prapësive, sepse unë respektoj me besnikëri, aq sa kam mundësi, të gjitha përpjekjet e popullit tonë gjatë historisë së vet, të larë me gjak, të arriturat dhe sukseset për liri e pavarësi, për një gjuhë e kulturë të përbashkët, me në kulm të kurorës së këtyre përpjekjeve- themelimin e shtetit shqiptar (1912) si dhe për njësimin e gjuhës letrare më 1972. 
Tani, kompetencat për ndryshime progresive, të gjuhës dhe identitetit kombëtar u mbetën ta zhvillojnë më tej, Akademive dhe institucioneve gjithëkombëtare e jo si t’u teket individëve narkotikë siç janë Nexhmedin Spahiu e Migjen Kelmendi! 
Qëllimi im është, njëkohësisht, që t’u tregoj Nexhmedin Spahiut dhe Migjen Kelmendit dhe të tjerëve si këta që ua bëjnë iso-n se: medaljet e kombit, gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar janë këto kurora : Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878), Kongresi i Alfabetit (Manastir 1908), Kongresi i Elbasanit (1909), Shkolla Normale e Elbasanit(1909), Pavarësia (1912), Konsulta Gjuhësore e Prishtinës( 1968), Kongresi i Drejtshkrimit (1972), e shumë e shumë të tjera, të fituara me shumë përpjekje, mund e gjak, etj. etj, e jo përçapjet tuaja pseudoshkencore djallëzore antikombëtare, pa e derdhur as pikën e gjakut, as djersën e ballit. 
Unë, nuk u drejtohem atyre « me doktorate të shkencave politike », siç shprehet Spahiu, po atyre shokëve e miqve të thjeshtë, që më pyesin se çka « filozofon » ky “analist”! Meqenëse, unë nuk jam kompetent, as analist, siç e ceka më lart por, jam nxënës besnik i këtyre institucioneve, po i jap të drejtë vetes që të shërbehem me vlerësimet shkencore ; vlerësime kompetente mbi të cilat ti o shkretan, hedh vrer e helm ashtu si vepruan dhe po armiqtë shekullor pandalshëm! 
Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, shënon momentin kulmor dhe zgjidhjen ideale të përpjekjeve që janë bërë në Kosovë, në Maqedoni e në Malin e Zi për njësimin e shkrimit e gjuhës letrare shqipe. 
Vendimet e saj historike ishin në vazhdën dhe në përputhje të plotë me strategjinë kombëtare në fushë të gjuhës dhe përbëjnë një hallkë të domosdoshme të kësaj strategjie: në raport me Kongresin e Manastirit ajo shënon, pas njësimit të alfabetit në këtë kongres, atë të njësimit të shkrimit, duke shkuar me një orientim të qartë shkencor po në atë rrugë që ishte projektuar nga ai Kongres i cili miratoi një alfabet prej 36 shkronjash që u përgjigjen 36 fonemave zanore dhe bashkëtingëllore, duke hequr dorë nga disa veçori themelore fonetike të gegërishtes, siç ishin hundorësia dhe gjatësia e zanoreve, çka mund të realizohej më së miri në Projektin e Rregullave të Drejtshkrimit (Tiranë, 1967) dhe deri diku edhe në Ortografinë e Prishtinës (1964); në raport me Komisinë Letrare të Shkodrës Konsulta Gjuhësore e Prishtinës vazhdoi frymën e asaj Komisie për afrimin e dy varianteve letrare dhe “për një ortografi sa më të përbashkët për të dy dialektet”, duke miratuar Rregullat e drejtshkrimit të botuara në Tiranë (1967); në raport me Kongresin e Drejtshkrimit (Tiranë, 1972). Konsulta e Prishtinës, pesë vjet përpara këtij Kongresi, “i dha realisht përmasa kombëtare gjuhës letrare të njësuar”, përmasa këto që në të vërtetë asaj i ishin dhënë që në Kongresin e Manastirit; (shih edhe S.Mansaku, “Identiteti gjuhësor i shqiptarëve dhe gjuha standarde”, në Të drejtat e njeriut 1(41) 2005); gjithashtu Konsulta e Prishtinës ishte një parapërgatitje dhe një mbështetje e suksesit të Kongresit të Drejtshkrimit që do të mbahej në Tiranë pas pesë vjetësh. 
Në Kongresin e Drejtshkrimit të mbajtur në Tiranë më 1972, morën pjesë një shumësi gjuhëtarësh, akademikësh dhe lëvruesve të shqipes, më të njohurit për kohën. Nga të gjitha trojet shqiptare. Nga Shqipëria, nga Kosova, nga Ilirida, nga Mali i Zi, etj. Kongresi i Drejtshkrimit i 1972-ës, pasqyron një të arritur të padiskutueshme në çdo dimension. 
Në rend të parë, Kongresi i Drejtshkrimit është një kristalizim i të gjitha përpjekjeve të vazhdueshme të patriotëve të zjarrtë të shqipes, që nga Kongresi i Manastirit, në të cilin u njësua alfabeti konvencional i shqipes. Në rend të dytë, Kongresi i Drejtshkrimit i Tiranës, përben një të arritur në jetën sociale, shkencore dhe në çdo aspekt tjetër të jetës për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. 

Fill pas kësaj ngjarje të shënuar në mbamendjen historike, do të rilindin qindra mijëra vepra letrare, romane, punime shkencore të arrira, studime të shumanshme etj. 
Pa u thelluar në analiza, se si na lanë në gjysmë të rrugës, të trasuar nga rilindësit tanë, diplomacia dhe faktori i jashtëm në ndërmjetësimin dhe ndërhyrjen e tyre arbitrare, pas luftës së famshme që bëri UÇK-ja, po na dëmton gjithmonë në përpjekjet tona për bashkim e emancipim kombëtar drejt arritjes së standardeve dhe civilizimit evropian, aty ku e kemi edhe vendin, duke na e mohuar të drejtën natyrore mbi shprehjen e lirë kolektive – atë të parimin mbi vetëvendosjen e popujve. 
– Në këto pengesa, në emër të demokracisë, shprehjes së lirë, analizave individuale, na dalin përpara edhe elementë pa kurrizorë autoktonë, siç jeni edhe ju. Kështu, sot e tërë Shqipëria Natyrale, me gjithë gjakun e derdhur dhe përpjekjet e idealistëve, është e plagosur e helmuar, e copëtuar e ndarë deri në kockë, dhe prapë ka tentativa, që t´i hedhin baltë, e ta përçajnë më shumë se që e kanë katandisur politikanë pa kurrizorë që nuk ua prishin fare planet djallëzore, me Pakon e Ahtisarit në Kosovë, me Marrëveshjen e Ohrit në Maqedoni, me Marrëveshjen e Konçulit e cila ndikoi në mbetjen e Kosovës Lindore nën Serbi, me mohimin e të drejtave kombëtare në Mal të Zi, etj. Ju, “analistë politikë”, me sivëllezërit tuaj në shtetin amë, vetëm bëni sehire e krijoni huti në këtë gjendje amullie që gjendet aktualisht kombi ynë. 

– Për këtë temë kishte qenë shumë me rëndësi që ju të lexoni mbarë historinë e popullit shqiptar, pastaj për ta bërë një analizë edhe për për aktualitetin e popullit tonë. Sa për fillim po jua përkujtoj disa nga citatet e ca personaliteteve kombëtare, mendimet e të cilëve janë gjithnjë aktuale : 
” Mjerë ai që nuk e kupton se vetëm lufta për liri e drejton qëllimin e jetës së njeriut!”. – Abdyl Frashëri . 
“….folklori do të bashkojë shqiptarët dhe populli do të rrëmbejë edhe njëherë shpatat luftarake….” – De Rada. 
” Kjoftë mallkue kush qet ngatërrime nër kta vllazen shoq me shoq, kush na ndanë me gjuhë e shkrime çka natyra vet e përpoq!” – Mjeda. 

Po, Evropa atëherë, 
Ishte djall dhe për lumë. 
Priste Ruson´ dhe Volterë 
Ta zgjonin nga i madhi gjumë! 
Naim Frashëri 

Po sot, Shqipni, pa m’thuej si je? 
Po sikur lisi i rrxuem përdhe, 
Shkon bota sipri, me kambė tė shklet
e njė fjalė tė ambėl askush s’ta flet! 
Pashko Vasa 

Rilindësit tanë, me këto mësime e veprime e ringjallën , e mbollën dhe e ngulitën kujtesën, vetëdijen dhe me këtë edhe bënë të mundshëm emancipimin dhe formimin e kombit shqiptar. 
Pasi t’i lexojmë me vëmendje këto mendime të ndritshme mund të konstatojmë se, me gjithë përparimin dhe civilizimin evropian që është bërë në të gjitha fushat jetësore, për ne shqiptarët fati historik por ka shumë ngjashmëri e sotmja me tragjikën e asaj kohe; kur janë shkruar këto mendime, me situatën në të cilën gjendemi, si popull me nivelin më të ulët në Evropë, pikërisht duke na « rrxuem përdhe » e një fjalë të ambél askush s’ta flet » ! …dhe derisa nuk na mundësohet e lejohet e drejta e patjetërsueshme, e drejta natyrore për të qenë të lirë, dhe sovran në trojet tona, e drejtë e njohur dhe e garantuar në dokumentet themelore të OKB-së, në Parimet bazë të Drejtave të Popujve mbi Vetëvendosjen; nuk do të ketë paqe e lumturi në ketë pjesë të Ballkanit. 
Populli shqiptar prap u dashka, në shekullin e XXI që të bëhet kurban i paqes për hir të lakmive serbe dhe mbështetësve të tyre, edhe pas këtij gjenocidi e pastrimi etnik që na u bë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar! 
Jo zotërinj « analistë » e sehirxhinj! 
Ju, gaboheni me pretendimet tuaja për formim të një kombi « kosovar » me identitet pa identitet- identitet të një qytetari hibrid që as klonimi i një laboratori shkencor në botë, nuk do ta provokonte që ta krijojë ! 
Ku keni parë e dëgjuar ju që një gjuhë e një populli të tjetërsohet e të ndahet nga gjuha e nënës ?! Në Evropë, që thirreni në emër të normave të demokracisë dhe civilizimit të saj ?! Mos u mundoni të na hedhin hi syve ! Evropianët i kanë njësuar gjuhët e veta qysh në shekujt e XVIII e XIX , dhe francezi flet frëngjisht , si në Francë, në Belgjikë, Zvicër, Luksemburg, Kanada, etj. Në Belgjikë, p.sh. nuk ka gjuhë belge, si që nuk ka gjuhë zvicerane në Zvicër, gjuhë kanadeze në Kanada etj.; po ashtu nuk ka gjuhë austriake, zvicerane, etj. po ka gjuhë gjermane. Ju do të bëheni më evropianë se evropianet duke zbuluar “gjuhën dhe identitetin kosovar”! Edhe arabët, që jetojnë në Afrikë e Azi, kanë një gjuhë arabe e jo gjuhë marokene, algjeriane, egjiptiane, siriane, irakiane, jemenite, palestineze , etj. Kështu edhe anglishtja flitet në Britaninë e Madhe. SHBA, Kanada, dhe në Australi e Zelandë të Re. Keni dëgjuar ju se ata kanë “zbuluar” ndonjë gjuhë që i dallon këto në këto vende?! Keni dëgjuar se flitet kanadisht, australisht, neozolamdisht, etj. Na tregoni një shembull ? 
Zotërinj “largpamës” e « analistë » të politikës ditore; një histori që ekziston në shoqërinë tonë, Historia magistrate vitae est, historia që është mësuesja e jetës na ka mësuar se “ Ballkani do të jetë fuqi baroti dhe se Evropa kurrë nuk do të ketë paqe e rehati gjersa mos të zgjidhet çështja e shqiptarëve në përgjithësi” -Këtë, ua ka thënë diplomacisë së Fuqive të Mëdha, Abdyl Frashëri i Madh dhe luftëtarët e Lidhjes Shqiptare së Prizrenit para, tani e 130 vjet përpara, këtë ua ka përsëritur edhe Ismail Qemali i urtë, bashkë me Hasan Prishtinën, më 1912, këtë ua ka treguar edh Avni Rrustemi në Paris, më 1920, këtë ua tregoi edhe Adem Jashari legjendar, në fund të dekadës së shekullit që e lamë pas, i cili duke kënduar këngë për Çerçiz Topullin, ra në altarin e lirisë, duke lënë porosinë e madhe për vazhdimin e luftës deri në fitoren përfundimtare, bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare. Prandaj, neve na e kërkon gjaku i atyre që ranë që ta mbrojmë identitetin tonë kombëtar, aq të pastër e aq të vendosur për të qenë këta që jemi – shqiptarë. Ky është udhërrëfyesi ynë. 
Po, gjithë këtë rrugë të gjatë e të mundimshme nuk e kishin të shtruar me lule, ata u vranë e u persekutuan nga regjimet e atëhershme, që ishin të huaja e të tmerrshme për ata shqiptarë që donin të mendonin, të mësonin e të vepronin shqip. Ata, për të arritur deri te një bashkim i mirëfilltë ia shtruan veti këtë detyrë kombëtare me një devizë të fuqishme kombëtare: : “Mos shikoni kisha e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria” ! Kështu, ata, shpejt do të ngulitin në shpirtin e shqiptarit, shqiptarizmin, kjo vetëdije manifestohej në ngjarje të ndryshme në të cilat një shqiptar, do ta ndiente veten së pari shqiptar, para se të ishte mysliman apo i krishterë, toskë apo gegë, kosovar apo çam,etj. Rilindësit më të ditur, siç ishin Naum Veqilharxhi, Jani Vreto, vëllezërit Frashëri, Koto Hoxhi, Theodor Haxhi Filipi, Pashko Vasa, Jeronim De Rada, arbëreshët e Italisë, nga gjaku e nga zemra, Camarda, Eelena Gjika (Dora D´Isra), Helena Gjika nga Rumania, Zef Serembe, arbëreshët e Greqisë me Panajot Kupitorisin, Anastas Kulluriotin, etj., nuk luftonin për një skaj apo krahinë shqiptare, po për tërë Shqipërinë. Ku i thonë bukës bukë, e ujit ujë. 
Zef Jubani, nga Shkodra më 1871, me rastin e botimit të një përmbledhjeje të këngëve popullore të Shqipërisë së veriut në parathënien e vet do të deklaronte në Trieste, se : “shqiptarët, me gjithë ndryshimet fetare, ishin të një gjaku, të një gjuhe me zakone dhe aspirata të përbashkëta”!… 
Poashtu, edhe Thimi Mitko nga Korça më 1878, që e botoi një përmbledhje me këngë dhe kallëzime popullore për të ngritur vetëdijen kombëtare. Në vitet e fundit të dekadës së gjashtë Kristoforidhi, Pashko Vasa, Hoxhë Hasan Tahsini, dhe Ismail Qemali u përpoqën për ta zyrtarizuar formimin e një shoqërie kulturore shqiptare. 
Papa Kristo Negovanin, do ta vriste, më 12 shkurt 1905, me të pabesë kisha ortodokse greke për të vetmen arsye se ky u mësonte shqiptarëve të besimit ortodoks gjuhën shqipe. 

Loni Logori do t´ia kushtonte këto vargje elegjiake, dëshmorit të gjuhës shqipe: 

Papa Kriston e vranë, 
Dhe s’ra për të një kambanë! 
Por malet e Shqipërisë, 
Dhe shpellat e malësisë, 
Thërrisnin anë e mbanë, 
Papa Kriston e vranë ! 

Gjithashtu, edhe në Kongresin e Manastirit, apo Kongresin e Alfabetit siç u quajt ndryshe, që u mbajt më 14 nëntor të vitit 1908, nuk morën pjesë vetëm pjesëtarët e një besimi apo të një krahine, po ishin 150 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, në krye të të cilëve ishin Mithat Frashëri, Gjergj Qiriazi, Grigor Cilka, Parashqevi Qiriazi si sekretare e Komisionit, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, etj, etj. 

Në jehonën e formimit të alfabetit shqip Ndre Mjedja do t’i shprehte këto vargje frymëzimi: 

Përmbi za, që lëshon bylbyli, 
Gjuha shqipe m’shungullon! 
Përmbi erë, qi nep zymbyli, 
Pa da zemrën ma ngushëllon! 
Gegë e toskë, malësi, jallia, 
Janë një komb, m’u da s’duron! 
Fund e maje nji asht Shqipnia, 
E një gjuhë t’ gjith na bashkon! 

Edhe linguistët e njohur evropianë, studiuesit e vërtetë shkencorë, që dhanë një kontribut të madh për albanologjinë,siç ishin Bopp, Pedersen, Jokli, nxënës i të cilit ishte edhe Eqrem Çabej ynë, të gjithë arritën në përfundim shkencor se: “ Shqiptarët përbëjnë një komb të dalluar, nga më të vjetrit në Evropë, dhe nuk janë një përzierje e çoroditur siç mendonin armiqtë e tyre”! 
Po ju ore z. Spahiu, Kelmendi & Co, pse nuk bëheni shkencëtarë të vërtetë po çoroditeni kur mendoni siç mendojnë e dëshirojnë armiqtë tanë ! 
Unë, për në përfundim të këtij reagimi; për lexuesit e sinqertë do ta kisha këtë porosi-mësim; që na e la shkencëtari, i dituri, gjuhëtari e enciklopedisti më i madh i të gjitha kohërave të kulturës shqiptare, rilindasit tonë të madh, Sami Frashëri : 
“Kush të na qëndroj përpara e të na ndalojnë në këtë rrugë të shenjtëruar, ta shtyjmë, ta rrëzojmë, ta shkelim e të shkojmë tutje”. 
Zvicër, Më 12 qershor 2008

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …