Politika dhe politikanët shqiptarë janë mjeshtra korrupsioni dhe hajdutërie. Kjo mjeshtri është perfeksionuar dhe gjithnjë vetëm sa rritet e përsoset, pasi hajdutëria e vjedhja politike me pushtetin janë siguruar nga mbrojtja dhe pandëshkueshmëria ligjore.
Kjo funksionon kështu: politika e cila rastis që të ketë pushtetin vjedh, abuzon, korrupton dhe grabit sepse është e sigurtë pasi ajo ka në pronësi ligjin, shtetin dhe drejtësinë; dhe është po ashtu edhe e sigurtë sepse edhe pasardhësit e pushtetit të mëpastajmë nuk do ta ndëshkojnë pushtetin paraardhës . Kjo pasi është ligjësuar një marrëveshje dhe konsensus politik i heshtur mes pozitës dhe opozitës shqiptare sipas parimit: unë dhe ne që kemi pushtetin vjedhim e grabisim sot, dhe ti e ju vidhni nesër kur të jeni në pushtet.
Edhe ajo politikë e cila vjen në pushtet vetëm sa zëvëndëson hajdutët e mëparshëm dhe nuk ndëshkon paraardhësit pasi vetë ka të njëjtin qëllllim: vjedhjen dhe pasurimin. Ajo nuk ndëshkon paraardhësit sepse u kthen atyre “borxhin” në këmbim të asaj se edhe ata kanë berë të njëjtën gjë.
Tranzicioni politik shqiptar, ndërrimet e pushtetit politik vijnë me premtime të mëdha dhe sidomos për luftë kundër korrupsionit, për ndëshkim dhe dënim të krimit,të trafikimit të drogës, për ndërtim të shtetit ligjor etj,etj. Kështu kanë premtuar dhe premtojnë të gjitha partitë politike shqiptare kur janë në opozitë . Por kjo dhe këto janë përdorur vetëm si hipokrizira, gënjeshtra dhe mashtrime publike sepse kush ka ardhur në pushtet , cilado parti apo kualicion partish ato jo vetëm se nuk kanë luftuar krimin ,korrupsionin dhe hajdutërinë por përkundrazi të gjitha pushtetet e majta, të djathta apo sidomos pushtetet hibride të hajdutërisë shumëngjyrëshe politike ato vetëm sa i kanë rrituar, shtuar dhe perfeksionuar krimin, hajninë, korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë..
Të gjithë pushtetet në Shqipëri që janë ndërruar gjithnjë kanë pasur të njëjtin qëllim dhe stratëgji: kapjen e shtetit, të pushtetit, të drejtësisë dhe me anë të tyre pushtetet kanë bërë vjedhjen e parasë publike dhe vjedhjen e grabitjen e pasurive kombëtare , dhe kapjen e trafiqeve e të kontrabandës si dhe atë të kultivimit e trafikimit të drogës.
Lufta politike në Shqipëri bëhet vetëm për të kapur pushtetin apo pjesë të tij sidomos drejtësinë në mënyrë që të vjedhin, të grabisin pasuri dhe para e që ta kenë të sigurtë pandëshkueshmërinë.
Nuk ka krim më të madh në një shtet aty ku politika, pushteti dhe pushtetarët e gjyqtarët vjedhin shtetin dhe qytetarët e vet; aty ku politikanët ,pushtetarët dhe drejtësia grabisin , kriminalizojnë dhe korruptojnë shoqërinë dhe shtetin gjë e cila ka kulmuar dhe është rritur vazhdimisht.
Kjo hajni dhe këto padrejtësi pengojnë zhvillimin dhe progresin e shtetit dhe të shoqërisë; kjo hajni dhe këto padrejtësi ua nxijnë jetën , i varfërojnë dhe ua humbin shpresën qytetarëve shqiptarë të cilët detyrohen të marrin arratinë nëpër botë ; kjo politikë e këtyre palo politikanëve dhe pushtarëve bëjnë kështu pra, krimin e madh, duke i detyruar shqiptarët që ta braktisin atdheun , pra këta i detyrojnë shqiptarët që ta braktisin atdheun njëlloj sikur kanë bërë dhuna, genocidi dhe barbaria e pushtuesit.
Ajo e cila i karakterizon si politikën dhe drejtësinë e këtij tranzicioni në Shqipëri është kryesisht hajdutëria.
Historia ka shënuar tashmë këtë tranzicion si një faqe të zezë për politikën shqiptare të korrupsionit, të papërgjegjshmërisë, të krimit, të tradhëtisë dhe të hajdutërisë si asnjëherë në historinë e shtetit shqiptar, ku gëluan lirshëm dhe fuqishëm veset dhe poshtërsitë politike të cilët mbajtën peng shtetin, shoqërinë, drejtësinë, demokracinë, progresin ,zhvillimin dhe integrimin, dhe njëkohësisht prej kësaj politike Shqipëria mbeti e fundit në Europë në rrugën e zhvillimit demokratik, ligjor, të mirëqënies dhe të emancipimit civil.
Gjithçka për politikën dhe politikanët shqiptarë si synim gjatë këtij tranzicioni ishte vetëm interesi personal për pushtet dhe nëpërmjet tij ata siguruan para e pasuri të paimagjinueshme në dëm të interesave kombëtare. Kulmi arriti deri aty ku pothuajse i tërë sistemi jo vetëm politik por edhe tërë drejtësia , i gjithë sistemi i drejtësisë në Shqipëri u korruptua dhe u kriminalizua nga paraja, korrupsioni, droga dhe krimi, gjë që ndoshta përbën rastin unikal në Botë ku sistemi i drejtësisë, pothuajse i gjithi , do të shkërmoqet, pasi të gjithë gjyqtarët e prokurorët janë të përlyer në rekorde krimi, korrupsioni dhe fshehje pasurie të paligjshme, fshehje të cilën si profesion e kanë hajdutët që fshehin gjënë e plaçkën e vjedhur.
Pastaj radhën para VETTING-ut do ta kenë politikanët e lartë ishkryeministra, kryeministri dhe ishdeputetë e deputetë, ishministra dhe ministra aktualë dhe funksionarë të lartë administrate dhe të pushtetit vendor. Pra VETTING-u, dhe vetëm VETTING-u do ta çmontojë sistemin politiko-juridik të hajdutërisë, ashtu sikurse që e ka ndëshkuar Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë në Shqipëri, ku gjyqtarëve po u del pasuria e vjedhur , e fshehur dhe e fituar me krim dhe korrupsion.
Ky është falimentim i shtetit i cili i është hipotekuar në historinë kombëtare kësaj politike të pacipë dhe të paturpshme dhe amorale si dhe kësaj drejtësie të kriminalizuar të këtyre 27 vite tranzicioni në Shqipëri por edhe në Kosovë.
Hajdutëria, korrupsioni dhe krimi e kriminelët e pandëshkuar i mbajnë Shqipërinë , Kosovën dhe shqiptarët dhe larg drejtësisë dhe ndërtimit e funksionimit të shtetit ligjor, dhe jasht integrimit europian.
Politika dhe drejtesia në Shqipëri janë dhe identifikohen me hajdutërinë, dhe hajdutëria e pushtetit politik është edhe mashtrim, edhe pabesi, edhe tradhëti e madhe publike e kombëtare.
Hajdutëria e aktivizuar institucionalisht me ryshfetin , me korrupsionin e jashtëzakonshëm dhe të kudondodhur; me hajninë institucionale shtetërore dhe në sistemin e drejtësisë si abuzivizëm ,shpërdorim dhe vjedhje të parasë publike nëpër tendera dhe investimet publike; hajdutëri me kontrabandën dhe me evazionin fiskal; hajdutëri ne ligjin: në ankandin që bëjnë gjyqtarët e prokurorët me ligjet e shtetit dhe me kushtetutën , ku drejtësia është bërë agjensi shitblerjesh të të drejtës dhe të drejtësisë etj.
Shqipëria prej 27 vitesh që nga vetërënia apo nga dështimi i komunizmit pretendohet se ka hyre në rrugën e demokracise dhe të shtetit ligjor.
Por realisht demokracia ne Shqipëri doli dhe është realizuar vetëm si një mashtrim pseudodemokratik.
Demokracia shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë mbeti dhe sillet si thashethemnajë apo fantazmë mashtruese, si një dukje e reklamë propagandistike politike, shoqërore e mediatike e cila konsumon kohë dhe energji për dështime dhe për kotësira pasi tjetër gjë thuhet, pretendohet e reklamohet dhe tjetër gjë verteton dhe tregon realiteti.
Populli nuk qeveris por ai është larg, i braktisur, i tradhëtuar dhe i vjedhur e grabitur si nga ligji dhe nga pushteti; dhe demokracia nuk gjëndet në popull, por demokracia spekulatore gjëndet vetëm te pushteti ,te politika dhe te drejtësia , që të tria këto të kriminalizuara dhe të korruptuara nga demokracia reklamëmashtruese dhe nga hajdutëria politike.
Demokracia shqiptare si një mish-mash reklamash çoroditëse politike e bëri vëndin një konsumator mallrash stoqe të ushqimeve dhe ilaçeve, ku edhe ato të gjitha vetëm sa importohen; pseudodemokracia shqiptare edukoi një shoqëri e cila beson gënjeshtrat politike dhe që ka për mit paranë.
Demokracia antishtetërore dhe antipublike e politikës dhe politikanëva injorantë, të pashpirt dhe të pangopur të cilët vetëm sa grabitën dhe vodhën pushtetin politik, pasuri dhe para; demokraci e cila privatizoi edhe gjithçka të vyer publike e shtetërore si: edhe ujin, pyjet, mineralet,parqet, bregdetin, shtetin dhe shoqërinë; privatizoi dhe rrënoi trashëgiminë historike e kulturore, intelektuale e morale.
Demokraci e cila e mban larg, e izolon e persekuton të vërtetën dhe të drejtën.
Demokracia shqiptare i vdiq të drejtat e punëtorëve dhe i asgjësoi sindikatat dhe shoqërinë civile.
Popullin, demokracia e mashtroi me teknologjinë dhe me “lirinë” e televizionit, internetit, bixhozit, dukjes mashtruese dhe sidomos me argëtimin dalldisës e të shthurur dhe me kultin e parasë pa marrë parasysh mjetet dhe rrugët e paligjshme te drogës dhe të krimit se si mund të fitohet ajo.
Demokracia shqiptare zgjedh keq dhe drejton mbrapsht shtetin, ligjin, drejtësinë dhe shoqërinë. Ajo synon vetëm pushtetin për të vjedhur dhe për t’u pasuruar klasa politike dhe pushteti të cilat, pra politika dhe pushteti i politikës hajdute kanë pronë të tyre edhe demokracinë, edhe ligjin ,edhe shtetin.
Pra demokracia në Shqipëri por edhe në Kosovë është një dështim i funksionimit të shtetit ligjor dhe si një dështim i lirisë dhe i vullnetit të lirë e të pakorruptuar. Demokracia në Shqipëri u zbatua në mënyrë të korruptuar dhe antiligjore ku padrejtësia dhe korrupsioni shtetëror, politik ,i gjithëpushteteve dhe institucional u ngrit, u montua dhe mirefunksionuan sistematikisht, abuzivisht dhe pandëshkueshmërisht.