Agim Vuniqi

Agim Vuniqi : Korrigjimi i kufijve barazi me Shtetin pa kufij

Përpjekjet për ndarjen e Kosovës mund të jenë shumë shqetësuese, meqë do të nënkuptonin lëvizjet e popullatës dhe shumë dhunë në rajon.

Retorika kërcnuese e kryeministrit serb Vuciq, e sidomos ministrit serb Daçiq, po rikthehet si një ngjarje e paharruar, si sfidë e të ardhmes së Kosovës, duke dhënë mesazhin e qartë se Kosovës duhet t’i mbahen kufijtë peng, nuk po le të kuptohet si ulje e heshtave të luftës, apo si “përpjekje” për të zbehë ekstremizmin e skajshëm serb për të “goditur” inspiruesit e logjikës sekrete dhe konspirative, për të lënë të hapura shtigjet e reja të kooperativitetit dhe bashkangjitjes në familjen evropiane, që po kuptohet nga shumica që mendojnë esull se po mbahet zvarrë statusi kushtetues i Kosovës, duke mos e kuptuar akoma se ku është sovrani i vërtetë, kështuqë populli i Kosovës po dënohet me kartuqin e kuq, duke u nxjerrë jasht loje, meqë përfaqësuesit e votuar dhe “selektori” e dorëzuan lojën pas 25 korrikut 2011, ku janë kufitarët shqiptarë, sa do të zgjatë ankthi, deri kur?

Serbia e cila është një shembull i keq i rrezikimit permanent të paqes botërore, po përpiqet që me politikën e saj destruktive, të implikojë si gjithëherë gjatë historisë Rusinë, për të shkaktuar krizën botërore, qëllim politik i së cilës është dobësimi i unitetit brenda evropianë, duke dashur që të futë pengesa të reja për të ngadalësuar reformat e projektuara në Evropë. Nuk është ky provokimi i vetëm, ngase ajo me prononcimet e kohë paskohshme të kreut më të lart shtetërorë, që u prinë minisitri i jashtem Daçiq, dhe politikani i vijës së ashpër Dodik në BEH, herë-pas-herë edhe presidenti serb Vuciq, po i lënë të hapura burimet e reja të konfliktit, duke u përpjekur ta ndajnë Republikën Serbe nga Federata e BEH dhe ta coptojnë Kosovën.

Serbia dhe kreu i saj politik dhe ushtarak nuk ka lëvizur fare nga logjika ekspanzioniste dhe logjika e rrezikshme politike që me luftë të realizoi qëllimet e parashtruara politike, përfshirë edhe Kishën Ortodokse Serbiane e cila gjithnjë ka qenë inspiruese shpirtërore e krimeve te vazhdueshme në Ballkan, dhe konkretisht në Kosovë. Ajo që u proklamua me heret ashiqare ishte; hartimi i peticionit dhe kërkesa për “riatdhesim” fiktiv në Rusi, për të shfrytëzuar Rusinë që të rikthehet në Ballkan, politikë dypolëshe njëra angazhuese e integrimit të Serbisë në BE, tjetra pro-ruse e involvimit rus në Kosovë. Ky angazhim serbo-rus në dy fronte është edhe tendencë për shembjen e sitemit financiar të Kosovës, duke përulur parlamentin e Kosovës, me ndarjen e mjeteve buxhetore të qeverisë serbe për strukturat okupuese-jo paralele të vetëemruera komuna të juridiksionit serb, po ngulfatë institucionet demokratike kosovare dhe po pengon drejtpërdrejtë zbatimin e Marrëveshjes Ahtisaari, jo vetëm kaq, por serbët as që po përfillin institucionet e dala nga vota e popullit, dhe qytetarët serb nuk paguajnë tatime qeverisë kosovare…, dhe shumëçka që ndodhë brenda komunave serbe, as që bëhet publike dhe nuk publikohet.

 Si duket Serbia ka filluar të futë në lojë prap modelin “domino”, por mundë të gabohet rëndë ngase SHBA ka kapacitete të mjaftueshme diplomatike dhe ushtarake të angazhimit në shumë vatra krize përgjatë rruzullit tokësor. Ata që dyshojnë se politika e jashtme amerikane mund të ndryshojë kohë pas kohe mund të gabojnë, ngase qëndrimet e politikës së saj të jashtme janë konsekuente dhe janë shumë të qëndrueshme, ashtu siç ishte intervenimi amerikan dhe i aleatëve të tjerë të NATO-s kundër politikës Millosheviqiane, e që kishte kulmuar me vrasjen masive të shqiptarëve gjatë viteve të 1998-1999, i cili kishte shfrytëzuar APJ-në për të realizuar spastrimin etnik për qëllime politike, gjë që shtyri forcat e NATO-s të sulmoi ushtarakisht caqet ushtarake serbiane për të penguar katastrofën humanitare, duke u mbështetur në kapitullin VII të OKB-së, meqë në fakt rrezikohej paqa rajonale dhe ndërkombëtare.

 “Rusët nuk kanë trupa në Kosovë, as sërbët, trupat amerikane janë atje, pra as pavarësia e Kosovës nuk është punë e tyre, është çështje e amerikanëve; kështu deklaronte në CNN korespondentja e CNN-it Suzanne Malvoux e akredituar në “White House”, duke u bazuar në informatat e zyrtarëve të qeverisë amerikane. Shpeshherë zyrtarët amerikanë e kanë përsëritur, por edhe kanë konfirmuar këtë, edhe në GJND, në favor të shteteve që përkrahën shpalljen e pavarësisë së Kosovës si veprim të drejtë dhe në koherencë me Ligjin Ndërkombtarë dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, dhe se nuk mund të ketë kjo ndonjë risi, apo ndryshim rapid të politikës ndërkombëtare të SHBA-së, edhepse prioritetet e saj kanë ndryshuar, si në tërheqjen e trupave te shumta amerikane nga vatrat e krizes, por edhe në ashpërsimin e gjuhësdiplomatike në raport me Sirinë dhe Iranin, por edhe në luftimin e çelulave terroriste në Jemen.

 Përvoja historike spjegon se nuk ka konflikte të mëdha apo të vogla meqë mund të përhapen shpejt, nëse nuk u paraprihet me diplomaci të fuqishme. Serbia e cila ishte shkaktare edhe e eskalimit të Luftës së Parë Botërore, po pretendon edhe tash të ndikojë në çrregullimin e raporteve brenda BE-së, për të rikthyer gjendjen e tensioneve të reja në Ballkan, por që është një përpjekje spekulative aspak reale, meqë fuqia e Ariut siberian nuk është siç ishte në Kohën e Paktit të Varshavës, dhe në kohën e Kremlinit të kuq, meqë BRSS ishte shumë më e shtrirë në Evropë, ndërsa tash është e rrudhur dhe e kufizuar me shtetet e ndara të cilat kërkojnë anëtarësimin në NATO. Për atë nuk besoj se historia mund të përsëritet, por duhet rikujtuar ngjarjet hisorike kur Serbia jo vetëm njëherë, kërcnohej edhe me mundësitë e sabotazhit në liqenin e Ujmanit (në luginën e lumit Ibër në afërsi të Zubin Potokut në Gazivodë është ndërtuar një ndër pendat më të mëdha në Evropë ku dhe është akumuluar uji dhe është krijuar një liqen artificial i madh. Nga liqeni akumulues është ndërtuar Hidrocentrali i Ujmanit me dy gjeneratorë me fuqi të instaluar prej 19 MW), të cilat edhe pse në nivelin e spekulimeve rrisin skepticizmin e popullatës dhe është formë e luftës speciale.

 Propagandimi i krimit dhe terrorizmit shtetëror si akt patriotik përfshinte tërë shoqërinë serbe pa përjashtim, aty këtu dëgjihej zëri i vonuar i ndonjë intelektuali që ishte “zë nga shkretira” për sjelljet devijante të shoqërisë serbe. Shtypi dhe televizioni serb në vazhdimësi “edukon” dhe indoktrinon popullatën me urrejtje patologjike kundër jo serbëve, kjo pasqyrohet edhe përmes rezultateve të anketimit të opinionit serbë të shprehura në përqindje dhe urrejtja kundër të tjerëve është në shkallë shumë të lartë dhe se indeksi i urrrejtjes kundër shqiptarëve arrinte deri në 92%. Rezultatet tregonin se serbët nuk janë të gatshëm të jetojnë në një shoqëri multietnike, kërkesë “immediate” e BE-së. Eshtë edhe një gjë që shton kokëdhimbjen, është klima e krijuar luftënxitëse, meqë serbët ende madhërojnë krimelët më të mëdhenjë të pas Luftës së Dytë Botërore si heronjë, Mitrovica veriore është e indoktrinuar nga inspiruesit e zjarrit të luftës, sa per rikujtim : jo vetëm me djegien e portës kufitare në Jarinje por edhe me plagosjen e ushtarëve të NATO-s, të angazhuar në operacionin e KFOR-it për të ruajtur paqen e brishtë, edhe Graçanica shpesh mbulohej me fotot e krimelëve serb që shkelën ligjet ndërkombëtare duke shkaktuar krime të shumta kundër njerëzimit, si ai në Srebrenicë, por edhe i të tjerëve që kanë mbetur të pazbuluar në kryerjen e krimit kundër njerëzimit  në masakrën e Reçakut.

 Decentralizimi nuk duhet të keqinterpretohet nga serbët si tendencë për ndarje të Kosovës, meqë ashtu nuk zgjidhen nevojat e të gjithë qytetarëve në mbarë Kosovën, përkundrazi ashpërsohen raportet me tendencë të zgjërimit të mëtejmë, gjë që mund të rritë tensionet jasht kontrollit. Përpjekjet për ndarjen e Kosovës mund të jenë shumë shqetësuese, meqë do të nënkuptonin lëvizjet e popullatës dhe shumë dhunë në rajon. Kjo nuk është alternativë që e çon Kosovën dhe rajonin përpara, nga kjo nuk kanë asnjë dobi as për shtetet përreth që nuk e kanë pranuar ende Kosovën, si Maqedonia e Mali i Zi, por as Serbia dhe vet Rusia. Prandaj duhet që mençuria të triumfojë dhe të pranohet pa asnjë hezitim realiteti i ri, dhe të gjitha palët të bëjnë përpjekje të vullnetit të mirë, që të gjejnë një gjuhë të përbashkët(?). Kjo është në të mirë të paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe të përmbushjes së kritereve për anëtarësim më të përshpejtuar në BE dhe në NATO, në këtë të gjitha palët kanë pajtueshmëri, bile së paku ashtu po deklarohen.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …