Mehmet Bislimi: „MARIGOJA“ PO QËNDISË FLAMURIN!

Sot kur në Gjermani ka filluar samiti i G 8-ës, pra të tetë shteteve më të industrializuara, gati e gjithë elita jonë politike ka varur shpresat se në këtë samit, do të parashtrohet edhe miratimi i rezolutës për zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës. Deklarata e kancelares gjermane, zonjës Angela Merkel para medieve sikur la shumë për të dëshiruar. Ajo tha shkoqur e shprehimisht: Mos shpresoni në samitin e G 8-ës se do të merret ndonjë vendim për zgjidhjen e statusit të Kosovës! Zonja Merkel me këtë deklaratë hodhi në ujërat e rrëmbyeshëm të së djeshmes edhe parashikimet e shumë analistëve dhe diplomatëve ndërkombëtarë të cilët kishin parashikuar që vendimi për statusin e Kosovës të merret gjatë punimeve të këtij Samiti.
Komunikimi i ashpërsuar mes BE-së, Rusisë dhe SHBA-së, kanë të bëjnë me një mori problemesh të cilat as nuk fillojnë dhe as nuk mbarojnë me Kosovën. Sistemi amerikan i mbrojtjes kundër-raketor, çështja tjetër për vendosjen e gypave të gazit, liria e shtypit, çështje tjera globale, shkelja e të drejtave të njeriut në vet Rusinë, produktet e mishit në Poloni, pastaj politika botërore ndaj Iranit rreth armatimit bërthamor etj., janë çështje që mund të zënë vend më të rëndësishëm se çështja e statusit të Kosovës për BE-në, por edhe për vetë SHBA-të e mos të flasim më për Rusinë e cila është deklaruar kundër, madje sa herë e sa herë. Këto probleme të grumbulluara prej kohësh mes Rusisë dhe SHBA-së në një anë, dhe mes BE-së e Rusisë në anën tjetër, çështjen e Kosovës e lënë fare në bisht të ngjarjeve…
Po sot, ambasadori belg në OKB-ë, tha se diskutimet për çështjen e Kosovës nuk kanë një datë të përcaktuar qartë!? Kështu që nuk përjashtohet mundësia që ato të shtyhen për në korrik!? Kur dihet mirëfilli se korriku dhe gushti janë muaj pushimesh për shumë shtete të Evropës e më gjerë, mirëpo më pas vjen shtatori e kështu muajt njeri pas tjetrit nuk kanë të sosur!…
Fundi i fundit, kjo ishte fuqia e elitës sonë politike e cila realisht kurrë nuk e ka kaluar fuqishëm pragun e një afirmimi të mirëfilltë të një politike standarde me dimensione reale brenda së cilës do duhej shpalosur çështja e pazgjidhur e popullit shqiptar fuqishëm e bindshëm para diplomacive ndërkombëtare, por edhe vendore. Kjo maksimë e tentimit apatik për të udhëhequr lojën politike, kjo njëmendësi tepër fodulle e prijësve të institucioneve tona, mënyra e të perceptuarit, të menduarit, të gjykuarit dhe të vepruarit, ka tkurrë veprimin dhe rezultatin politik aq përulësisht përpara aspiratave të popullit tonë sa që edhe nëse do bëhet një ditë, nuk do të ketë shijen e një fitoreje meritore!?…

Dy ditë më parë edhe kryeministri i Kosovës zoti Çeku, duke i nuhatur dështimet totale të institucioneve të Kosovës dhe të Qeverisë së tij rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe prognozave të tyre “meteorologjike” se kur do të pikojë pavarësia nga qielli tha : “Tani me zgjidhja e statusit të Kosovës është në duar e Bushit dhe të Putinit!?”.
Pra Kryeministri Çeku më në fund pranoi se e vërteta në fushën e filozofisë ka dimensione reale brenda së cilës një ditë duhet shpalosur realiteti mbi maratonën e thatë të premtimeve boshe e pa mbulesë, për të mos thënë tepër naive së çështja e pavarësisë së Kosovës është çështje minutash, çështje ditësh, javësh e muajsh! Më në fund pranuan se janë të tjerët autoritarë të cilët vendosin për këtë çështje. Në fakt institucionet e Kosovës, vetëm sa kanë gënjyer vetën dhe popullin pa nevojë, nga se çështja e statusit të Kosovës nuk është dhe nuk ka qenë kurrë në duar e tyre. Tani edhe më bindshëm po na del se, ata paskan shkuar kot si ”Muqa pas dainjve, apo si dhelpra pas të dashit!”.
Kjo vërteton katërcipërisht edhe një herë se elita jonë politike nuk është më shumë se një marionetë në duart e një politike që në emër të administratës ndërkombëtare elita jonë, as edhe sot nuk e ka të qartë se kush administron me Kosovën?!

“Marigoja” po qëndisë flamurin!

Ekipi i Unitetit, duke dashur që të spostojë përgjegjësinë, me miratimin edhe të ndërkombëtarëve, gjoja në emër të ”presioneve”, formuan një këshill, komision, apo grup punues për të përgatitur simbolet e reja të Kosovës! Na u desh edhe kjo, në mënyrë që institucionet tona të kuptojnë një herë e mirë, se ata munden ta bëjnë vetëm anën teknike, pra anën artizanale, që kjo nuk është edhe aq pameritore, pasi që ata kanë në dispozicion mundësinë për ta qëndisur me fija ari “bezen” e flamurit, por jo edhe ta skicojnë atë – skicat i bëjnë të tjerët!…
Shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, zonja Tina Kajdanow dhe Trobjorn Solstrom përfaqësuesi i Javier Solanës në Kosovë, kanë “porositur” liderët tanë që të hiqet dorë nga romantizmat në kushtetutën e re, të hiqen termat territor, luftë çlirimtare, Dardani etj. Kush di të lexojë mes rreshtash, kjo “porosi” ka të bëjë me tkurrjen e dokumentit që do të quhet kushtetutë e Kosovës, ku territori i saj, kufijtë, dhe integriteti i saj të jetë i varur e i pa definuar mirë, që do të nënkuptonte edhe mos cenimin e integritetit të Serbisë, duke lënë në fuqi në mënyrë të maskuar rezolutën 1244! Kjo nënkupton një Kosovë pa integritet territorial dhe pa sovranitet?!…
Ndryshe si të kuptojmë që fjala luftë, çlirim, territor, Dardani, dhe integritet qenka romantizëm?! Sa të marrë që jemi ne shqiptarët, qenkemi vrarë e prerë krejt kot që një shekull për çështje krejt romantike siç janë territori, sovraniteti, flamuri, historia… Nga kjo mund të konkludojmë se edhe lufta jonë për liri paska qenë krejt romantike, një gjetje shumë interesante e zonjës Kaidanow?!
Për simbolet e “ shtetit” të Kosovës ndërkombëtarët thanë prerë: Të pranueshme janë vetëm simbole që nuk kanë elemente nacionale, që nuk kanë as gjë të përbashkët me të kaluarën aktuale, pra as ngjyrat, as pamjen dhe as formën! Do duhej një simbol pa ngjyrë, pa porosi, pa mesazh, pa histori dhe gjithëpërfshirës e mbi të gjitha romantik!… Se si mund të duket ky alamet flamuri- do pyesim ne: zoti e bëftë mirë – urojnë kryeparët e Kosovës?!…
Kryeministri Çeku tha se ne do t’i shmangemi çdo fërkimi me bashkësinë ndërkombëtare, rreth simboleve të Kosovës! Kurse zoti Kuçi tha se propozimi i Martti Ahtisarit do të respektohet me përpikëri, kështu që kushtetuta do të jetë konform këtij propozimi. Teksti i preambulës për të cilën zonja Kaidanow ka vërejtje, nuk është zyrtar – tha zoti Kuqi! Pra sipas tij na del se ata ia paskan futur krejt kot asaj preambule, nga ana tjetër ai në mënyrë të prerë para faktorit ndërkombëtar premtoi se kushtetuta e Kosovës do të tridhet nga vet mjeshtrit e tredhjes vendore!

Prokuroria ndërkombëtare ngriti aktakuzë kundër Albin Kurtit!

Veprimtarin dhe udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurtin aktakuza e “rangut” ndërkombëtar e ngarkon për organizim të protestave të dhunshme, për pjesëmarrje në to, për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrës dhe për thirrje për rezistencë! Më këtë vendim gjyqësor, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare pretendojnë që demokracinë moderne dhe lirinë e fjalës e të veprimit të lirë ta çojnë edhe më “lartë”!…
Albini adhuroi rrugën e “gabuar” e cila nuk përmbledh në vete një irealitet, më shumë se një alibi në pafundësinë e një dënimi të fjalës dhe veprimit të lirë sot, për më shumë i pamotivuar kundër demokracisë së mirëfilltë, por këmbëngulës e i patundur kundër ngërthimit të saj, pikërisht nga ata që për ditë trajnojnë e predikojnë demokraci në Kosovë! A thua këto qenkan vlerat dhe ligjet e mirëfillta të demokracisë moderne që na e importuan për mes doganës?! Të shpresojmë së i “dhunshmi” Albin, do të marrë dënimin e merituar, kurse të “gjorët” policë vrasës të Rumanisë, shpresojmë se do të shpërblehen për shkakun se në emër të kësaj demokracie kanë vrarë dy djem të rijë shqiptarë dhe kanë shpëtuar demokracinë ndërkombëtare në Kosovë nga Lëvizja e Albinit!…

Karla Del Ponte i bëri koncesione Serbisë!

Kryeprokurorja e gjyqit të Hagës, zonja Karle Del Ponte, dikur pati thënë se nuk do të largohem nga prokuroria e këtij gjyqi pa u arrestuar kriminelet e luftës si Mladiq, Karagjiq etj.
Ajo, tani ka bërë të ditur se nga kjo detyrë do të ikë diku në muajin shtator. Me vizitën e saj të fundit në këtë post që ajo i bërë Beogradit dhe takimet e saja me krerët e shtetit serb ( për të satën herë) edhe në mandatin e tyre të legjislacionit të kaluar, po me të njëjtat figura, po me të njëjtat premtime të parealizuara kurrë se: “Qeveria e Serbisë është e përkushtuar që të bashkëpunojë me gjykatën ndërkombëtare të Hagës, se do të arrestojmë të gjithë të akuzuarit tjerë të krimeve të luftës” e plotë premtime e dokrra tjera. Në takimin për gazetarë zonja Del Ponte që e pati së bashku me presidentin Tadiq, tha se ndihet shumë e kënaqur dhe e sheh me simpati Qeverinë Serbe për gatishmërinë e saj që të arrestojë të gjithë të akuzuarit tjerë për krime lufte! Kjo ishte më në fund vërtetë simpatia e pa mbuluar e zonjës në fjalë e cila gjatë tërë mandatit të saj Qeverisë së Serbisë i ka bërë koncesione, dhe kurrë, as edhe një herë nuk i ka vu një datë a limit të caktuar Qeverisë së Serrbisë, përtej të cilit do të pasonin sanksionet e BE-së, prandaj pse mos të shëtisin të lirë Karaxhiqet e Mladiqet e të tjerë kriminel të luftës!
Kjo bindje, forcohet edhe më, kur ditë më parë gjyqi ndërkombëtarë amnistoi Serbin, duke e shpallur atë të pa fajshme për gjenocidin e paparë dhe të pa dëgjuar që nga koha e nazizmit e këtej, të cilin Serbia e ka kryer mbi popullin boshnjak në Srebrenicë dhe më gjerë në tërë hapësirat e ish Jugosllavisë artificiale!

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …