Shqiptar Oseku: UNMIK-u afirmon ata njerëz që kanë qëndrim të ftohtë

Për pothuajse 90 vjet të sundimit serb, Kosova qe e mbeti “Perëndimi i Egër” i Serbisë, trevë kufitare me popullsi vendore të disponuar armiqësisht, ku vlenin rregulla të veçanta. Pushteti serb në Kosovë ushtrohej kryesisht përmes instrumenteve të forcës, ushtrisë e policisë, e përmes kolonizimit të elementit të besueshëm serb, si dhe përmes rekrutimit të indigjenëve lojal në radhët e shërbimeve informative serbe. Se çfarë përmasa ka pasur dhuna e sigurimeve serbe kundër shqiptarëve, këtë e rrëfejnë më së miri shifrat autentike nga madhoritë ish jugosllave. 

Në tetë operacione të mëdha spastrimi në trevat shqiptare pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore e deri më 1947, u kryen 220 000 bastisje kundër familjeve shqiptare, kurse mbi 200 000 shqiptarë kaluan nëpër duart e sigurimit, OZNA. Rreth 86 000 shqiptarë u vranë, prej të cilëve 36 000 në Rrafshin e Kosovës; 23 000 në Rrafshin e Dukagjinit dhe 27 000 të tjerë në trevat shqiptare në Maqedoni e në Mal të Zi. Gjatë viteve 1955-1956, pasardhësja e OZNA-s, UDB-ja, nisi aksionin për gjoja “mbledhje të armëve”, ku u rrahën, u keqtrajtuan e u torturuan mbi 30 000 shqiptarë, prej të cilëve 103 vdiqën, ndërsa 10 000 tjerë u gjymtuan për jetë; shumëçka flet që kjo valë dhune u ndërmor enkas për t’i përmbushur kuotat e marrëveshjes Tito-Kyprili nga viti 1953, konform të cilës u konvertuan në “turq” dhe u zbuan në Turqi rrafsh 452 371 shqiptarë. 

Dhe shifrat e tmerrit nuk mbarojnë atje. Sigurimi serb gjer në vitin 1966 kish arritur të procesojë mbi 280 000 shqiptarë. Gjithnjë sipas statistikave zyrtare, vetëm gjatë viteve 1979-1991 qenë burgosur e keqtrajtuar rreth 900 000 shqiptarë, prej tyre 750 000 në Kosovë dhe 150 000 të tjerë në Maqedoni, Mal të Zi, e në Kosovën Lindore. Shifrat pas vitit 1991 është vështirë t’i gjesh, meqë madhoritë jugosllave pushuan së publikuari ato; por dihet se 10 344 vetë quhen të vrarë e/a të zhdukur vetën gjatë viteve 1998-1999, kurse 20 000 femra të dhunuara, gjithnjë nën vëzhgimin dhe koordinimin e sigurimit serb, tashti të njohur me emrin RDB. Më 2004, ky sigurim e ndryshon emrin për herë të katërt, kësaj radhe në BIA, dhe kreu i tij i fundit, Rade Markoviç, dënohet me burg për “korrupsion”, por askush tjetër nga kuadrot kriminele të tij nuk preket me dorë nga pushtetmbajtësit nacionalistë në Beograd: kriminelët sekret të Serbisë janë ende në pushtet, si udhëheqës të sigurimit, si lektorë e instruktorë në Akademinë Policore. Kujto që këto s’janë sall shifra anonime me shumë zero, po njerëz të gjallë, me emër e mbiemër, me bashkëshortë, fëmijë, e farefis; kujto që tërë kjo orgji e dhunës është ushtruar mbi një popullsi relativisht të vogël, në një hapësirë relativisht të ngushtë gjeografike; pa do të fillosh t’i kuptosh përmasat e krimit. E pra, ky krim s’do mend se ka lënë gjurmë në shoqërinë shqiptare. 

Një ndër fërkemët e këtij krimi është edhe ekzistenca e “spiunëve shqiptarë”, shqiptarë indigjenë të cilët, për të shpëtuar jetën a pasurinë, apo për shkak të përfitimit personal në karrierë, u rekrutuan në sigurimin serb.Trajtimi që i është bërë në Kosovë këtij fenomeni dallon nga pothuajse të gjitha vendet përreth. Shqipëria e ka një ligj për ish funksionarët e pushtetit komunist, i cili ua ndalon atyre të ushtrojnë detyrat e shërbyesit civil. Një ligj të ngjashëm e ka në rend të ditës edhe Mali i Zi sovran si dhe IRJM-ja (Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë); në këtë të fundit, kandidatët e koalicionit proevropian Dielli kanë firmosur deklarata para zgjedhjeve të ardhme parlamentare ku sigurojnë opinionin që nuk kanë punuar për sigurimet jugosllave. Kroacia, Sllovenia, Rumania, Bullgaria dhe Hungaria kanë të gjitha ligje tashmë të ratifikuara nga parlamentet e veta, të cilat e vendosin këtë fenomen të ndjeshëm në një kuadër transparent ligjor. 

Fatkeqësisht, kjo rrugë e ndershme për të spastruar hesapet me të kaluarën, e për të garantuar të ardhmen demokratike të shoqërisë, është bllokuar qëllimshëm në protektoratin kosovar të OKB-së. UNMIK-u e institucionet e tij nuk i kanë kërkuar ndonjëherë Beogradit që t’i dorëzojë dosjet kosovare të sigurimit serb. Nëse Serbia do t’i dorëzonte këto lëndë apo jo është çështje krejt tjetër nisur nga qëndrimi zyrtar serb se do ta luftojnë pavarësinë e Kosovës me të gjitha mjetet përpos luftës së hapur, një transfer i lëndëve kosovare nuk tingëllon si prioritet për Beogradin por është domethënës fakti se as vetë UNMIK-u s’e ka prekur këtë temë. Sa për krahasim, UNMIK-u s’ka përtuar t’i kërkojë prej Serbisë të dhënat kosovare (apo kopjet e tyre) në lëmitë tjera, p.sh. të dhënat nga amza e popullsisë, nga shërbimi kadastral etj; në këto lëmi, UNMIK-u madje ka sajuar pa skrupuj marrëveshje zyrtare e bashkëpunim operativ me madhoritë serbe, qoftë edhe me ato që e sfidojnë vetë Rezolutën 1244 (!) të KS të OKBsë, duke operuar brenda Kosovës. Në të njëjtën kohë, UNMIK-u e institucionet e tij të nënshtruara, si dhe trupat tjerë ndërkombëtar (përfshirë këtu KFOR-in) kanë zgjedhur të mos kryejnë as hetime vetjake për të identifikuar pjesëmarrësit dhe kolaboracionistët e regjimit serb. 

Përkundrazi, praktika e ndjekur në protektoratin kosovar ka qenë pikërisht e kundërta, pra jo vetëm lënia rehat, por madje rehabilitimi i heshtur (!) i kolaboracionistëve të njohur të regjimit serb. Është fakt i njohur në opinionin kosovar që një numër i konsiderueshëm i i kolaboracionistëve të njohur botërisht janë instaluar si shërbyes civil. Ish pjesëtarë udhëheqës të Partisë Komuniste ndodhen sot në krye të institucioneve qendrore e vendore anekënd Kosovës, duke nisur nga kryeqendra e teposhtë deri te kuvendet komunale. Pjesa dërrmuese e tyre kanë qenë kolaboracionistë të sigurimit policor RDB, i cili e kishte detyrë zyrtare që të lëshonte vlerësimin e vet në çdo emërtim udhëheqës të partisë. Një rast flagrant është Shërbimi Policor i Kosovës, i cili udhëhiqet pothuajse kryekëput nga efektivi policor i ndërtuar gjatë periudhës komuniste. Ky kuadër ishte, për shkaqe të vetëkuptueshme, nën kontroll të rreptë të RDB-së. Shqiptarëve që dëshironin të bëjnë karrierë në policinë jugosllave s’u mjaftonte vetëm biografia e mirë (lexo familjarë që kanë bashkëpunuar me sigurimet serbe) por u duhej ta dëshmonin “përshtatshmërinë ideo-politike” individualisht, duke bashkëpunuar personalisht me RDB-në. Meqë ra fjala, ky rregull vlente edhe për ata shqiptarë që synonin karrierë ushtarake në radhët e APJ-së. E pra, është pikërisht ky kuadër që e ka marrë besimin e UNMIK-ut për t’u bërë skele e SHPK-së dhe e TMK-së së re “profesionale”. Një tjetër rast flagrant është ai i gjyqësorit komunist, të inkriminuar gjer në bërryla në dhunën antishqiptare. Arif Korapi, Ali Abdullahu, Ismail Xhemaili, Abdyl Doda, Shukri Begiç, Mustafa Hoxha, Vehbi Mehmeti, Sejfë Sherifi, Tahir Ibrani, Shaqir Zogaj, Mehmed Kalaveshi, Riza Voca, Qazim Bajgora, Hazir Haziri, Tefik Shala, Nebih Qena, Nazmi Juniku, Beqir Shehi, Mehmet Sponca, Hysamedin Oruçi, Sahit Meraku, të gjithë këta janë emra nga gjyqësori i kohës, që i kanë procesuar “dërgesat” e sigurimit serb dhe kanë shqiptuar dënime drakonike kundër disidentëve shqiptarë. 

Një tjetër kuadër i sigurimit serb ishin intelektualët e rekrutuar si kolaboracionistë: gazetari dhe nismëtari i LDK-së, Jusuf Buxhovi merrte pjesë në hetime e rrahje të disidentëve; intelektualët Fahredin Gunga, Din Mehmeti, Ali Aliu, Zekeria Cana, e plot tjerë, kanë dëshmuar kundër kolegëve të tyre disidentë – lista e turpit mund të bëhet goxha e gjatë. 

Numri i saktë i sigurimsave e kolaboracionistëve shqiptar në Kosovë zor se do të mësohet ndonjëherë saktësisht, meqë është sekret i mbyllur në arkivat e BIA-s, në “Knez Mihajllova” nr. 30 në Beograd. Por s’do mend se sigurimet serbe e kanë rekrutuar një numër goxha të madh shqiptarësh. Ajo që mund të bëhet është një vlerësim i përafërt, nisur nga fakti i njohur botërisht se Kosova gjatë 60 vjetëve të fundit ka qenë shoqëria më e militarizuar në kontinentin Evropian, me një (1) ushtar a polic për çdo dhjetë (10) frymë banori. Sipas një vlerësimi profesional të botuar në Serbi, RDB-ja në Kosovë ka pasur një efektiv prej mëse 50 000 agjentësh e kolaboracionistësh aktivë (ose “lidhjesh operative”) nga radhët e etnisë shqiptare, apo 1:34 në raport me popullsinë. Kjo shifër i përgjigjet goxha mirë asaj që në kurset e sigurimit mësohet edhe sot si “balans stabil”. 

Një pjesë e këtyre dosjeve thuhet se janë djegur pas Luftës Çlirimtare, meqë aty janë regjistruar edhe rastet korruptive të elitave të sotme serbe. Por në kategorinë e dosjeve të ruajtura për shërbim të mëtejshëm përmendet të jenë ruajtur 286 agjentë e 1081 kolaboracionistë aktivë, mes tyre 135 punëtorë të arsimit, 21 doktorë shkencash, 26 studentë, 16 inxhinierë, 46 nëpunës, 23 punëtorë, 10 pensionistë, 6 klerikë, e 14 “profesione tjera”. 

E pra, asnjë nga këta njerëz nuk ka dalur gjer sot të kërkojë falje nga viktimat e veta, e nga familjarët e tyre. S’kanë shkak, pse shumë nga ta i gjen sot në majat e hierarkisë politike e kulturore kosovare, duke nisur nga kryeqendra e deri te institucionet vendore nëpër komuna. Arsyetimi jozyrtar (se zyrtarisht kjo temë as që ekziston) është se gjoja s’qenka moralisht e drejtë t’i ngacmosh plagët e vjetra të shoqërisë; e se edhe sigurimsat shqiptar gjoja paskan vuajtur në luftën e fundit. Është, pra, fjala për një etikë të përbindshme, që e quan të moralshme mbrojtjen keqbërësit e jo t’i mëkëmb viktimat, e që i barazon ngecjet në karrierë me vrasje e dhunime femrash – një gjykim, druaj, që s’do ta hante kurrë pazari, po të mos kishte shumë blerës të interesuar. 

Politika e ndërkombëtarëve që ta rehabilitojnë veprimtarinë e agjenturës serbe në Kosovë dallon prej kursit të ndjekur në shumicën e ndërhyrjeve perëndimore. Në Afganistan, ndërkombëtarët i kanë eliminuar talebanët dhe përkrahësit e tyre nga të gjitha postet, qoftë qendore a vendore, duke preferuar luftën e përzgjatur guerile në vend të bashkëpunimit të tyre. Në Irak, koalicioni antiterrorist i ka spastruar themelshëm të gjitha elementet bathiste nga shteti, e para së gjithash nga ushtria dhe policia. Kjo politikë e kushtueshme ka pasur një kosto të lartë ekonomike, por është vlerësuar megjithatë si më e pranueshme dhe më e sigurt për të ardhmen e qëndrueshme të këtyre vendeve, sesa korruptimi i demokracive të reja nga kuadro të vjetra të diktaturave. Në Kosovën e brishtë, që ndodhet në shënjestër të luftës speciale serbe dhe nën trysni të përditshme nga ekstremizmi vendor serb, një politikë e tillë do të ishte absolutisht më e favorshmja. 

Përjashtimi me ligj i kuadrove të komprometuara, kombinuar me një komision vendor të pajtimit sipas modelit jugafrikan që do të ofronte amnisti ligjore në rast të dëshmive vullnetare, do të garantonte që shteti i ardhshëm i Kosovës të mos jetë më shtet i sigurimsave Made in Serbia. Fatkeqësisht, duket që UNMIK-u ka zgjedhur qëllimshëm një rrugë tjetër, atë të rehabilitimit të agjentëve e kolaboracionistëve serb, e të përndjekjes së kundërshtarëve të tyre, në radhë të parë të këtyre të UÇK-së. Katundi që shihet, kallauz nuk do. Në rastin e të parëve, UNMIK-u ka deklaruar se nuk do t’i hetojë krimet që kanë ndodhur para etablimit të misionit. Në rastin e të dytëve, gjykatat e UNMIK-ut u kanë shqiptuar dënime drastike dhjetëra ish luftëtarëve, pas procesesh gjyqësore që janë kritikuar nga OJQ-të dhe mbrojtësit e të pandehurve si “të montuara” e “të pabaza”. 

Kulmi i ironisë është se pjesa dërrmuese e këtyre të fundit janë dënuar për gjoja maltretime të kryera – kundër atyre të parëve! Se pse është kështu, kjo s’do mend. UNMIK-u e di që projekti i tyre në Kosovë bie ndesh me projektin afatgjatë vendor për liri, demokraci e vetëvendosje. Idetë shkombëtarizuese sikurse “flamuri kosovar”, “identiteti kosovar” etj. thjesht e kërkojnë një sortë të veçantë të bartësve, e kërcënohen nga një sortë tjetër. 

Prandaj, për UNMIK-un është e natyrshme – sikur për Serbinë dikur – që t’i afirmojë ata njerëz që kanë qëndrim të ftohtë ndaj idesë kombëtare, e që kanë “merita” të dëshmuara individuale. Sikundër që është e natyrshme të sulmojë ata që janë dëshmuar si “të rrezikshëm” e me “biografi”. Me fjalë të tjera, kanë ndryshuar sall emrat e aktorëve, por tendencat kanë mbetur të njëjtat si në kohën e Serbisë: në këtë aspekt, në Perëndimin e Egër kanë ndryshuar veç kaubojët, por përndryshe s’ka asgjë të re. ‘ 

……………… Burimet 

– Gjenocidi serb në Kosovë, sesion shkencor, Tiranë 1999;
– Gjenocidi serb në Kosovë në prag të shek. XXI, Prishtinë 2002;
– “E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi”. Tiranë, 1990;
– Sheradin Berisha, www.pashtriku.org;
– Marko Lopušina, Tajne sluzbe Srbije, Beograd 2006.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …