Mexhid YVEJSI: Ndrroi jetë në Amerikë – Imami që përhapi dritë… Imam Vehbi Ismaili (1919- 2008)

”Të gjithë nga Zoti jemi, të gjithë tek Ai do të kthehemi.” 

Imam Vehbi Ismaili, një figurë e ndritur fetare, një figurë e shquar kombëtare Një shembull për botën shqiptare 

”Nuk e di, a kam bërë sa duhet për shqiptarët?” 
Kush i ka thënë këto fjalë? 
I ka thënë këto fjalë – 
Ai që shqiptarëve jetën iu ka ringjallë. 
Kush i ka thënë me kaq thjeshtësi –
Ai që shqiptarëve jetën iu ka përtëri…
I ka thënë: Imam Vehbi Ismaili, i cili ndrroi jetë, kaloi në jetën e vërtetë, me17 Maj 2008, në Detroit, SHBA, në moshën 89 vjeçare. 

Kush ishte Imam Vehbi Ismaili? 

Imam Vehbi Ismaili ishte një figurë e ndritur fetare, një figurë e shquar kombëtare, një shembull për botën shqiptare… 
Lindi në Shkodër me 25 Nëntor 1919, nga prindër shkodranë, prej një familje me tradita fetare-atdhetare. 
Mësimet fillestare i filloi në Shkodër, kurse i përfundoi në Krujë, ku i ati, Imam Ismail Hakiu, filloj të shërbente si Myfti i Krujës. 
Në vitin 1933 u regjistrue në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, ku diplomoi në vitin 1937. 
Vazhdoi studimet në Universitetin zëmadh “Al-Az-har” në Kairo, Egjypt, në të cilin diplomoi në teologji në vitin 1943. 
Prej Shoqërisë Muslimane Shqiptare-Amerikane, me qendër në Detroit, Michigan, SHBA, u ftue në Amerikë për të shërbye si imam… 
Imam Vehbi Ismaili erdhi në New York me 22 Prill 1949, ku u pritë me gëzim dhe shumë dashamirësi prej shqiptarëve të Amerikës: z. Ahmet Ramo, z.Hysen Kole nga Detroit-i, z. Nuri Mborja, z.Vejsel Çami nga New Yorku etj… 
U martue me 27 Maj 1950 me zonjushën 18 vjeqare, Naxhije Braush, e lindur në Philadelphia me 26 Maj 1932, nga prindër shqiptar, z. Azmi K.Braush, me prejardhje nga fshati Dobronik i Beratit… 
Imam Vehbiu Ismaili menjëherë filloj me shërbye me devotshmëri, me dituri, me urtësi, kështu që, për pak kohë, arriti t’i afroj shqiptarët e shkretë, që ishin larguar nga Atdheu për shkaqe politike, ekonomike, arriti me përkushtim t’i bashkoj, t’i udhëzoj, t’i frymëzoj bashkatdhetarët e mërguar që ishin të hutuar dhe filloj t’i ushqej me ndjenja fetare- kombëtare… 
Si fryt i kësaj veprimtarie, Imam Vehbi Ismaili me 6 Qershor 1951, në Amerikë, e themeloj Faltorën, Xhaminë e parë për muslimanët shqiptarë… Meqë shqiptarët u bashkuan, besimtarët u shtuan, u detyruan të ndërtojnë një Xhami të Re, më të madhe e cila u shndërrua në Qendër Islame Shqiptare-Amerikane, e cila u përurue, me 23 Shkurt 1963, ku i madh dhe i vogël u gëzue… 
Qendra Islame Shqiptare-Amerikane, në Harper Woods, Detroit, në shtetin Michigan, SHBA, nën udhëheqjen e Imam Vehbi Ismailit, u rritë, u zhvillue, dritë rrezatonte, shqiptarët i bashkonte, fëmijtë i edukonte, me ndjenja fetare dhe atdhetare i frymëzonte… Besimtarët aty gjenin prehje, qetësi, më mirë se në shtëpi, madje disa thoshnin me gëzim, me mallëngjim:” Kjo është Shqipëria e vogël në mërgim… “ 

Imam Vehbi Ismaili në Kosovë (1974) 

Me gjithë këtë veprimtari, në vazhdimësi, edhe Imam Vehbiu ishte njeri, si njeriu që pikëllohet, dëshprohet, përmallohet… 
Shtypi shqiptarë në Amerikë, në veçanti, gazeta “Dielli”, sidomos në vitet e para, e fyente, e akuzonte, e mallkonte Imam Vehbiun, sikur që bënte edhe propaganda komuniste në Shqipëri… 
Një ditë e gjeta shumë të dëshpruar, tepër të përmalluar dhe e pyeta, pa u vonuar: Imam Vehbi, nuk po të them qysh je, por çka t’mirën ke? Ah! Mexhid i dashtun, malli për Shkodër, për Shqipni, m’ka djegë, m’ka shkrumue… shumë jam përmallue… Dje, më njoftuen dhe shumë jam dëshprue se kërkesa për Shqipni m’u ka refuzue… 
Ndoshta është ma hair që komunistët të ndalojnë, sepse kështu edhe më shumë atdhetarët të nderojnë…”e ngushllova” dhe e përqafova dhe vazhdova duke i thënë: 
Imam Vehbi, meqë ke nënshtetësi amerikane, provoni me shkue në Kosovë, sado kudo, përmallimi për Shqipni, për Shkodër, do të zvoglohet, sepse edhe Kosova, nën robni, nën Sërbi, me një grimë autonomi, është Shqipni… 
Ashtu është, por s’kam të njohur atje… më tha. 
Shko në Gjakovë, i thashë, në shtëpi te baba im, Hafiz Selim Yvejsi, në qendër të Gjakovës dhe prej atyhit të çelen dyertë e krejt Kosovës…Më përqafoi dhe pas disa dite shkoi… 
Në Gjakovë qëndroi disa ditë, të cilat i kujtonte shpesh dhe ishte kënaqur shumë me ylematë e Gjakovës, si Myderriz Fahri Efendi Iljazi, Myderiz Tahir Efendi Thaçi, Haxhi Jahja Bakalli, Mulla Sadik Brovina, Hafiz Selim Yvejsi, i cili e kishte shoqërue tërë kohën në Gjakovë dhe nëpër Kosovë… 
Shpesh thoshte: “Gjakova, Kosova, m’ka freskue, m’ka përtri, t’punojmë… n’dashtë Zoti e t’bashkohet me Shqipni… 
Imam Vehbi Ismaili ka qenë dhe do të mbetet shembull i fetarit, atdhetarit dhe dijetarit të përkushtuar, në veçanti në fjalën e shkruar…
Qysh si nxënës, kur ishte në Medresenë e Tiranës, 1933-1937, shkruante, përkthente dhe botonte punime në revistën “Zani i Naltë” dhe në të përjavshmen “Vatra e Rinisë” që botoheshin në Tiranë… 
Shkruante, botonte edhe në Kairo, Egjypt, gjatë studimeve, madje aty botoi edhe dy libra: ”Djepi i artë”, novela të zgjedhura nga letërsia shqiptare, që e botoi, me 1948, Shtëpia Botuese “Bejan Al-Arabi” dhe librin: “Ngjyra tërheqëse”, një përmbledhje tregimesh nga letërsia shqiptare. 
Në Amerikë, sa kishte ardhur, filloj me botue në Detroit revistën: “Jeta Muslimane Shqiptare” (The Albanian Moslem Life”), shqip dhe anglisht, Organ’ i Shoqërisë Muslimane Shqiptare”, numri i parë doli në dritë në muajin tetor, 1949 dhe kishte 72 faqe… 
Më vonë nxorri revistën “Thirrja Islame”… 
Fjala e shkruar Imam Vehbi Ismailin e ka përjetësuar… 
E ka përjetësuar jo vetëm n’Amerikë, jo vetëm në publicistikë, por kudo që ka shqiptarë, kudo që ka besimtarë… 
Imam Vehbi Ismaili, në Amerikë, që nga viti 1960 dhe deri sa ndrroi jetë, ka shkrue, ka përkthye, ka botue, mbi 50 libra, fetare- letrare… 
Veprimtaria e tij shpirtërore, në veçanti, në shërbimet mortore, ka hyrë në histori… 
Imam Vehbi Ismaili, për herë të parë në Amerikë, i bëri shërbimet mortore në gjuhën shqipe për Mid’had Frashërin, në tetor, 1949… 
Sot, me 20 maj 2008, mbas 59 vjetëve, në Amerikë, bëhën shërbimet e fundit mortore për Imam Vehbi Ismailin, një shembull për fetarët, një shembull për mërgimtarët, një shembull për të gjithë shqiptarët… 
“Të gjithë nga Zoti jemi, të gjithë tek Ai do të kthehemi.”

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …