leoni

(20. 7. 2007) Nezir Myrtaj: Katandisja e Kosovës në mëshirën e fuqive të mëdha

 


Sot duket sheshit se Kosova dhe e ardhmja e saj janë bërë objekt kalkulimesh diplomatike ndërmjet ish-supërfuqive. Qëndrimet e paraqitura dhe raportet e krijuara në Këshillin e Sigurimit rreth çështjes së Kosovës, në realitet pasqyrojnë klimën e dikurshme të luftës së ftohtë në mes Perëndimit dhe Lindjes, përkatësisht ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës në njërën anë dhe Rusisë në anën tjetër. Për Kosovën nuk është aspak fat i mirë të jetë arenë e betejave të kësaj lufte ku duhet të thyhen heshtat e këtyre fuqive. Për Kosovën, po ashtu, nuk është aspak fat i mirë që e ardhmja e saj të varet nga epilogu i betejave të tilla. Për të ardhmen e Kosovës është shenjë e keqe fakti që ajo nuk është në duart e mbrojtësit të vet legjitim, pra popullit të saj. Pozicionimi i historisë kundrejt çështjes së Kosovës dhe asaj shqiptare në përgjithësi duket të jetë ende i dyshimtë.

Hartimi i rezolutave të njëpasnjëshme dhe gjithnjë e më shtrënguese për Kosovën, si dhe dështimi për miratimin e tyre nga Këshilli i Sigurimit, dëshmon qartë se cili është pozicioni i Kosovës dhe kah po shkon ajo. Hartimi i këtyre rezolutave, në përpjekje për t’ia prerë dhe qepur rrobat të ardhmes së Kosovës, pa pyetur qytetarët zot të saj, në një farë mënyre delegjitimon këta qytetarë. Në anën tjetër, modifikimi i rezolutave të refuzuara nga Serbia (përmes Rusisë), në përpjekje për të sheshuar qëndrimet e saj, të cilat nuk e durojnë as nëntekstin e konceptit pavarësi në përmbajtjen e këtyre rezolutave, dëshmon për politikën ekuivoke të Perëndimit kundrejt Kosovës.

Kosova nuk ka artikulues të zërit të saj

Në rrethanat e krijuara, nuk mund të mos shtrohet pyetja: pse popullin e Kosovës nuk e pyet askush nëse duhet nxjerrë rezolutë të tillë apo të atillë dhe nga ana tjetër, pse një përfillje kaq e kujdesshme për Serbinë?! Natyrisht, përgjigjet mund të jenë të ndryshme dhe më e zakonshmja mund të jetë për shkak se Kosova nuk është shtet sikurse Serbia dhe se pas interesave të Serbisë qëndron Moska zyrtare. Mirëpo, ky është vetëm njëri segment, madje fare i njohur dhe aspak thelbësor i përgjigjes. Arsyeja kryesore e mospërfilljes së zërit të Kosovës nuk qëndron në faktin pse Kosova nuk është shtet, apo pse Serbia qenka shtet me Rusinë praparojë, por qëndron në faktin se Kosova dhe populli i saj nuk janë forcë faktorizuese dhe sepse ato nuk kanë përfaqësues legjitim e dinjitoz që do të ishte artikulues i zërit të tyre. Duke pasur në ballë jo përfaqësues legjitimë, por poltronë e vegla robotësh, Kosova dhe populli i saj ishin defaktorizuar që prej kohësh, prandaj sot gjenden përtej margjinave të proceseve që po zhvillohen në Nju Jork e në Bruksel.

Rikthimi i Kosovës në pozitën e paraluftës

Si pasojë e mungesës së përfaqësimit legjitim, si dhe duke qenë e kontrolluar, e dominuar dhe e ngulfatur nga një kastë e tmerrshme profiterësh, tetë vjet më pas secili mund ta shohë se Kosova triumfuese e luftës çlirimtare të ketë degraduar në pozitën e paraluftës, kur qendrat diplomatike e trajtonin atë si problem që një provincë kishte me shtetin e vet. Rikthimi i Kosovës në periudhën e ecejakeve të së ashtuquajturës diplomaci fluturuese, në kohën e luftës e të paraluftës, ka bërë që proceset rreth të ardhmes së Kosovës të bien në nivelin e tillë, sikur disa vite më parë të mos kishte ndodhur asgjë, sikur ajo të mos kishte zhvilluar fare luftë për çlirim nga sundimi serb dhe sikur të kaluarën dhe të tashmen e Kosovës të mos i ndanin lumenj gjaku, krime e tmerre të kryera nga Serbia. Pak kush do ta konceptonte degradimin e çështjes së Kosovës deri në këtë nivel, sa që tetë vjet pas fitores, sinonim i së cilës është UÇK-ja, të shtrohen në rend dite negociatat e saj të “drejtpërdrejta” me Beogradin lidhur me statusin, siç është parashikuar tashmë të zhvillohen bisedimet me palën serbe në 120 ditët në vijim, pa marrë parasysh nëse ato do të zyrtarizohen me rezolutën e gjashtë, të shtatë, e të tetë të Këshillit të Sigurimit, apo fare pa rezolutë!?
Siç mbahet në mend, edhe Milosheviqi në kohën e tij, për të evituar ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për të dëshmuar se Kosova ishte problem i brendshëm i Serbisë, tregohej i gatshëm të pranonte bisedime të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e pakicës shqiptare për, siç thuhej, zgjidhjen e problemeve në Kosmet. Këtë degradim të çështjes së Kosovës, e bëri kasta politike e konstituuar dhe e fuqizuar në formën e përfaqësuesve të institucioneve fiktive e të partive surrogate, e cila pranoi ta vë Kosovën në kornizë; pranoi pa hezitim standardet famëkëqija të UNMIK-ut për Kosovën që ishin garancia e sigurt për dërgimin e Kosovës në prapakthim drejt pozitës ku ndodhet sot e ku do të jetë nesër; pranoi pa vërejtje t’i mohojë frytet e luftës e të ulet në tryezën e bisedimeve me agresorin serb, i cili ripushtimin e Kosovës e ka detyrim kushtetutar; i duartrokiti me entuziazëm një projektdokumenti poshtërues, siç ishte Pakoja e Ahtisarit, e cila do t’i lejonte Beogradit ta mbante njërën këmbë në Kosovë e të tjera, e të tjera.

Serbia e Rusia po bëjnë punën e tyre

Prandaj, për rrjedhat antihistorike nëpër të cilat sot po noton Kosova, nuk duhet fajësuar faktori i jashtëm, madje as Serbia dhe Rusia. Serbia e Rusia, si frenuese kategorike të procesit për nxjerrjen e një rezolute për Kosovën nga Këshilli i Sigurimit, po bëjnë punën e tyre në përputhje me interesat dhe aspiratat e konceptit kolonialist. Atyre nuk u përket aspak përgjegjësia për paaftësinë e shqiptarëve për t’u faktorizuar si komb e për të kanalizuar dhe sendërtuar aspiratat e tyre shekullore të lirisë kombëtare. Serbisë e Rusisë nuk u përket mëkati pse Kosova në periudhën vendimtare për kurorëzimin politik të fitorës ushtarake nuk kishte një udhëheqje legjitime e të denjë kombëtare, që të mbronte e përfaqësonte me sukses interesat e Kosovës. Serbisë e Rusisë nuk u përket përgjegjësia për koncesionet që grupi negociator i bëri në interes të Serbisë, duke i bërë këto koncesione fakte të ndërkombëtarizuara. Serbia e Rusia nuk duhet fajësuar as për koncesionet e reja që pritet t’i bëjë grupi negociator në favor të politikës rikolonizuese serbe, në bisedimet e drejtpërdrejta me Beogradin, në katër muajt e ardhshëm apo në kushedi sa muajt e tjerë të mëpastajmë. Serbia e Rusia nuk janë përgjegjëse pse populli i Kosovës nuk këmbëngul në të drejtën e tij të ligjshme mbështetur në parimin universal të vetëvendosjes së popujve, që të marrë në duar fatin e vet. Serbia e Rusia nuk janë aspak përgjegjëse për terrorin e vazhdueshëm psikologjik të ushtruar në Kosovë nga kasta politike, përmes paketave e rezolutave lidhur me statusin dhe pavarësinë, por as për moqalin politik në të cilin kjo kastë e ka zhytur dhe po e mban opinionin qytetar përmes mashtrimeve, gënjeshtrave e shantazheve.

Shtirjet hipokrite të negociatorëve

Për pozitën në të cilën është katandisur sot Kosova, para se të adresohet faji te ky apo ai faktor i jashtëm, gishti duhet drejtuar te faktori i brendshëm, si mbështetës dhe bashkëshoqërues i gjithë procesit degradues. Ky faktor i brendshëm është i identifikuar qartë dhe personifikim i tij është Grupi Negociator. Anëtarët e këtij grupi, që deri dje merrnin poza triumfuese, duke garantuar se pavarësia e Kosovës ishte fakt i kryer dhe se ndërkombëtarizimi i saj ishte çështje ditësh, apo javësh e muajsh, sot po shtiren sikur të shqetësuar me ngecjen e procesit. Këto ditë ata bënë publike faktet, se procesi për përcaktimin e statusit të Kosovës tashmë paska hasur në pengesa serioze; se koncepti i pavarësisë tashmë qenka i vdekur; se Këshilli i Sigurimit tashmë paska dështuar lidhur me vendimin për statusin e Kosovës e sihariqe të ngjashme. Këta njerëz po paraqiten sikur nuk e paskëshin ditur cakun e procesit ku ishin angazhuar me një kosto shumë të lartë për buxhetin e Kosovës së varfër dhe edhe shumë më të lartë për të ardhmen e saj.
Në fakt ato që po i zbulon sot Grupi Negociator para qytetarëve të Kosovës, nuk janë gjëra të reja për ata që kanë dashur ta shohin realitetin. Përkundrazi, secili prej tyre ka pritur që një ditë, Grupi Negociator t’i thoshte këto lajme të këqija për Kosovën e të kumtonte dështimet, duke i shpjeguar ato vetëm si pasojë të raportit ndërmjet qendrave të diplomacisë ndërkombëtare dhe duke bërë përpjekje për të margjinalizuar përgjegjësinë e tij konkrete. Mirëpo, kjo përgjegjësi nuk mund të kamuflohet e as të mohohet, sepse ky grup dhe mbështetësit e tij institucionalë e joinstitucionalë do ta kenë ditur dhe duhet ta kenë ditur sakt destinacionin ku pashmangshëm do ta shpiente Kosovën procesi që ata bashkëndërtuan, duke qenë të kundërshpërblyer me komoditete e me përfitime përrallore materiale. Ata do ta kenë ditur sakt se dialogu i pranuar me Serbinë dhe lëshimet që iu bënë asaj nuk mund të bëheshin për të mirën e Kosovës dhe ato nuk mund ta çonin Kosovën në tjetër drejtim përveçse drejt Beogradit. Prandaj janë qind për qind hipokrite shtirjet e sotme të Grupit Negociator, kinse për rrjedhat e procesit lidhur me statusin e Kosovës.

Qytetarët e Kosovës duhet t’i japin fund pozitës së tyre të përçmuar

Duke marrë parasysh faktin se Kosova është vënë para sprovave shumë të rënda, është koha e fundit që qytetarët e saj ta thyejnë heshtjen mortore dhe t’i japin fund pozitës së përçmuar prej të nënshtruarit memec. Është koha e fundit që ata të kërkojnë llogari dhe përgjegjësi konkrete nga ata që i sollën në dyshim lirinë dhe të ardhmen e Kosovës, që zhvlerësuan luftën çlirimtare dhe që u ulën në tryezën e pazareve me Serbinë. Është koha e fundit t’u kërkohet llogari atyre “lipsarëve” të deridjeshëm të cilët sakaq morën pozën e “dhuruesit” dhe me zemërgjerësi i dhanë Serbisë pjesë të Kosovës, sikur ajo të ishte bahçe e babës. T’u kërkohet llogari atyre që bënë fakt ndarjen e Kosovës duke i dhënë Serbisë nën floskulën e decentralizimit, ato që kërkoi ajo. T’u kërkohet llogari atyre që ia ruajtën dhe praktikisht ia dorëzuan Serbisë përmes bisedimesh, sovranitetin mbi Kosovën. Të kërkohet llogari prej atyre që e gjakosën idenë dhe aspiratën për vetëvendosjen e Kosovës, duke miratuar e duartrokitur shtypjen dhe ngulfatjen me forcë të lëvizjes Vetëvendosje, e cila e kundërshtoi me këmbëngulje dorëzimin e Kosovës te Serbia nga Grupi Negociator dhe mentorët e tij.

Grupi Negociator duhet zhbërë

Para se të jetë përfundimisht vonë, sot qytetarët e Kosovës duhet të kërkojnë llogari konkrete nga Grupi Negociator dhe mbështetësit e legjitimuesit e tij për rrethanat në të cilat është vënë Kosova. Në qoftë se ata presin që këtë grup ta gjykojë e ndëshkojë historia, do të jenë vetë të gjykuar e të ndëshkuar për mungesë ndjeshmërie e përgjegjshmërie. Qytetarët e Kosovës duhet të kërkojnë zëshëm e me vendosmëri zhbërjen e menjëhershme të Grupit Negociator dhe vënien e tij para përgjegjësisë penale, krahas shpartallimit të Kuvendit të Kosovës, i cili duke harruar rolin e vet, është shndërruar definitivisht në mjet të këtij grupi. Atyre duhet pamundësuar të rifillojnë pazaret e reja me Serbinë, të cilat nuk do të përfundojnë ndryshe përveçse, qoftë për ndarjen e Kosovës në favorin e Serbisë, qoftë me “shpërblimin” e Kosovës me një status autonomie të mbikëqyrur brenda Serbisë.

Qytetarët e Kosovës duhet ta shpallin vetë pavarësinë

Kohët e fundit në opinionin tonë publik po konsumohet mjaft edhe ideja për të ashtuquajturën shpallje të njëanshme të pavarësisë. Besohet se kjo ide të jetë lancuar nga vetë kasta politike e përfaqësuar nga Grupi Negociator, jo me qëllim për të shpallur me të vërtetë pavarësinë e Kosovës, por përkundrazi për të amortizuar kërkesën që qytetarët e Kosovës mund ta shtrojnë për këtë veprim. Efektet e kësaj taktike, këto ditë mbase ishin fare të dukshme, kur në këtë kontekst, që nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-s e deri te Këshilli i Evropës kërkuan të mos ndërmerreshin hapa të njëanshëm. Duke u mbështetur në kërkesat e tilla edhe të mëhershme, krerët negociatorë, jo një herë siguruan se nuk do të ndërmarrin asnjë hap jashtë sugjerimeve të “partnerëve” nga Brukseli e Uashingtoni. Ky premtim dëshmon edhe më qartë se kujt i përgjigjet dhe para kujt e ndiejnë përgjegjës këta krerë. Prandaj do të ishte marrëzi të shpresohej se një ditë ata do ta shpallnin pavarësinë e Kosovës.
Negociatorët, sikurse dhe as Kuvendi i Kosovës nuk do ta shpallin kurrë këtë pavarësi, as para dhe as pas Kërshendellave, sepse ata kanë dëshmuar të kenë hequr dorë që moti nga kjo aspiratë, madje edhe të jenë angazhuar kundër saj. Këto institucione e mbiinstitucione, nominalisht kishin hequr dorë publikisht nga opcioni i pavarësisë së plotë, me sovranitet e me integritet, që me pranimin e Pakos së famshme të Ahtisarit. Që atëherë nga goja e tyre kemi mundur të dëgjojmë vetëm fjalën pavarësi e mbikëqyrur.
Deri pak ditë më parë ato flitnin edhe për dofarë afatesh kur pritej të vendosej çështja e statusit, që sipas tyre tashmë do të ishte pavarësi e mbikëqyrur. Mirëpo, këto ditë hoqën dorë edhe nga i ashtuquajturi afatizim i çështjes, në përputhje të plotë edhe me qëndrimet e Serbisë e të Rusisë për një proces të paafatizuar artificialisht. Këto institucione e mbiinstitucione, realisht ilegjitime, të Kosovës, kanë dëshmuar se janë të gatshme të presin e të presin pafundësisht, derisa Këshilli i Sigurimit, Grupi i Kontaktit, G-8-ta apo një mekanizëm tjetër i jashtëm, t’ia servojë Kosovës një status politik çfarë do t’i shkojë përshtati edhe Serbisë, sepse bisedat e reja 120 ditëshe nuk mund të kenë tjetër kuptim përveç gjetjes së zgjidhjes të pranueshme edhe për Serbinë. Kurse zgjidhja e pranueshme për Serbia nuk është fare sekret.

Qytetarët e Kosovës nuk duhet të kenë iluzione se një ditë pavarësia e Kosovës do të shpallej nga Kuvendi i Kosovës, as sipas shembullit të kuvendarëve të Kuvendit të Rrahman Morinës të 2 Korrikut 1990. Kuvendi i tashëm poltron ka dëshmuar pazotësi totale për të ndërmarrë hapa të guximshëm, siç është shpallja e pavarësisë së Kosovës, prandaj pret që këtë pavarësi duhet ta shpallë Bushi, Solana apo dikush tjetër, por në asnjë mënyrë jo ai. Është koha e fundit që qytetarët e Kosovës ta kuptojnë këtë fakt dhe të mos lejojnë shfrytëzimin e kartës së pavarësisë për qëllime të fushatës parazgjedhore, në stilin e dofarë surrojash, por t’i marrin fatet e Kosovës në duart e veta dhe në mënyrën e duhur ta shpallin një orë e çast më parë pavarësinë e Kosovës, si akt i vetëvendosjes politike. Ata nuk duhet të presin sikurse Kuvendi poltron i Kosovës që këtë akt ta bëjë ky apo ai faktor i jashtëm, sepse ky obligim u përket qytetarëve të Kosovës. Ata duhet ta kuptojnë se shpallja e pavarësisë si akt dekolonizues i një vendi nuk mund të bëhet ndryshe, përveçse në mënyrë të njëanshme. Sugjerimet e qendrave të ndryshme diplomatike për përmbajtje nga një akt i tillë i njëanshëm, janë mesazhe implicite por shumë të qarta. Ato mesazhe tregojnë se këto qendra mund të presin një hap të tillë, pikërisht sepse atë e imponojnë rrethanat e krijuara. Qytetarët e Kosovës nuk duhet pritur që Serbia t’ua dhurojë e t’ua shpallë pavarësinë.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …