Grupi i Kontaktit unik në qëndrimin që statusi i Kosovës të përkufizohet në harmoni me rezolutën 1244 të KS të OKB-së

 


Takimi në selinë e OKB-së, në Nju Jork, i përfaqësuesve të Grupit të Kontaktit me kryeadministratorin Soren Petersen dhe të deleguarin e OKB-së për Kosovë, Kai Aide, ri konfirmoi qëndrimin e njohur të përfaqësuesve të këtij grupi lidhur me zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës. Fillimisht, përfaqësuesit e shteteve anëtare të këtij grupi, kërkuan që Kosova të plotësojë të gjitha standardet në nivelin më të lartë të mundshëm, për të siguruar statusin e vet në harmoni me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, rezolutë kjo e cila në asnjë segment nuk e kundërshton sovranitetin e Serbisë mbi vendin tonë.
Pavarësisht sesi do të interpretohet takimi në selinë e OKB-së në Nju Jork, pavarësisht nga eufemizmi me të cilin do t’ i qasen qeveritarët tanë mesazhit që doli nga ky takim, një fakt është shumë i rëndësishëm që duhet pranuar realisht. E ky është fakti se edhe pasi të realizohen të gjitha standardet në nivel të dëshirueshëm, Kosova dhe qeveritarët e saj do të shpërblehen me një autonomi substanciale, e cila i ka rrënjët në rezolutën 1244. Kjo është thënë troç dhe çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë fakt, nuk është më shumë as më pak se një vetëmashtrim i pajustifikueshëm.
Deklaratat pompoze të shumë politikanëve tanë dhe zëdhënësve të tyre se rezoluta 1244 është tejkaluar, se duhet të nxirret një rezolutë tjetër, se Kosova do ta fitojë pavarësinë e kushtëzuar, tashmë nuk kanë kurrfarë vlere, sepse në Nju Jork u ri konfirmua për të satën herë se bibla, apo kushtetuta, apo korniza dhe sido që ta quajmë atë, i paska rrënjët në rezolutën e KS të OKB-së, e cila ia njeh Serbisë sovranitetin dhe nuk ua njeh shqiptarëve pavarësinë.
Ky është argumenti i fortë, e në të njëjtën kohë edhe argumenti i forcës dhe i përcaktimit të bashkësisë ndërkombëtare, lidhur me të ardhmen e vendit tonë. Se si do ta përtypin dhe si do ta lakojnë këtë konstatim-mesazh të Grupit të Kontaktit liderët tanë, politikanët tanë, profesorët tanë të së drejtës ndërkombëtare, drejtuesit e institucioneve dhe analistët e ndryshëm, kjo mbetet për t’u parë gjatë ditëve në vijim.
Rrugëdalje nga rezoluta 1244 nuk ka. Këtë e kemi thënë sa e sa herë, këtë e ka thënë në vijimësi ideatori dhe bardi i Lëvizjes sonë kombëtare, bacë Adem Demaçi, e ka thënë sa e sa herë Albin Kurti dhe analistë të tjerë të cilët nuk shohin ëndrra syhapur.
Mirëpo edhe ky dush i ftohtë i Grupit të Kontaktit drejtuar pacifistëve iluzionistë, do të pranohet kokulur dhe në mënyrë qyqare, do të pranohet ashtu sikurse është pranuar deri tani, duke anashkaluar të vërtetën, duke u marrë me realizimin e standardeve dhe procesin e decentralizimit si parakushte për të fituar statusin e autonomisë.
Kjo është e vërteta e hidhur, e cila do të duhej jo të alarmohej, por të paktën të mos fshihet nga opinioni ynë jo sa duhet i informuar nga mediat të cilat i financon dhe i sundon OSBE-ja. Nuk i bëhet nderim vendit as proceseve historike në Kosovë, nëse fshihet ky fakt, sepse kështu ia zgjasim jetën agonisë pacifiste, e cila na ka kushtuar në të kaluarën dhe si duket do të na kushtojë edhe më shtrenjtë në të ardhmen. Se nuk do të ketë shkëputje të Kosovës nga Serbia, këtë e ka thënë dje edhe e deleguara e Beogradit për vendin tonë, zonja Rashkoviq në bisedë me zëvendës-kryeadmnistratorin Lari Rosin. Ka insistuar në konfirmimin e këtij fakti edhe ministri i Jashtëm i Unionit Serbi mali i Zi Vuk Drashkoviq, dhe madje është ndarë shumë i kënaqur me vlerësimet e përfaqësuesve të Grupit të Kontaktit. Edhe takimi i kryetarit të Serbisë Boris Tadiq me zëvendës-sekretarin amerikan të Shtetit, Nikolas Berns dhe personalitete të tjera të larta të BE-së dhe Grupit të Kontaktit, ka konfirmuar po të njëjtin qëndrim, që çështja e statusit të Kosovës të zgjidhet në harmoni me rezolutën 1244 të KS të OKB-së.
Dhe pikërisht sepse nuk do të ketë zgjidhje të drejtë të statusit të Kosovës mbi parimin e vetëvendosjes, pikërisht pse nuk do të ketë zgjidhje të kënaqshme të statusit për 90 për qind të shqiptarëve të Kosovës, KFOR-i dhe UNMIK-u kanë marrë masa shtesë të sigurisë. Për këtë shkak forcat e armatosura serbe po i përforcojnë kontingjentet e tyre në kufi me Kosovën, forcat rezervë të NATO-s kanë filluar manovrat në vendin tonë, ndërsa forcat e KFOR-it kanë shpallur zona nën mbrojtje rigoroze enklavat serbe në Kosovë. A.Q. Faik Miftari: Çfarë do të bëhet pas dështimit të Rezolutës së OKB-së?

Më 20 korrik 2007 në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dështoi edhe përpjekja e fundit për të bindur Rusinë, me qëllim për të pranuar rezolutën e pestë apo të gjashtën me radhë të modifikuar, të balancuar, të zbehur e të venitur. Por edhe kësaj draft rezolute përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Vitalij Çurkin i tha se jo vetëm që do të kundërshtojë por as edhe që të abstenojë, që u nënkuptua se do ta përdor veton Rusia po u hodh në votim rezoluta e propozuar. Duke e parë rrezikun se rezoluta nuk do të mund të kalojë në Këshillin e Sigurimit, bashkëmbështetësit: Franca, SHBA-ja, Italia, Belgjika, u tërhoqën dhe fare nuk e hodhën në votime, duke e transferuar më tutje që me çështjen e Kosovës të merrej Grupi i Kontaktit: SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia. Kjo padyshim paraqet një fitore diplomatike momentale e Serbisë dhe aleates së saj historike, Rusisë.
Tani shtrohet pyetja, çka më tutje? Grupi i Kontaktit në hapat e mëtutjeshëm të veprimit të saj, në mbajtjen e bisedimeve të reja 120 ditore në relacionin Beograd Prishtinë, shpresoon se do të mund të arrihet një kompromis i mundshëm. Por ai kompromis i mundshëm nuk u arrit për rresht 16 muaj bisedime në Vjenë, a thua mund të arrihej për 4 muaj? Pasi që thelbi apo esenca e mosarritjes së kompromisit qëndron se Serbia insiston medoemos ne ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj mbi Kosovën duke u thirr ne Kartën e OKB-së dhe në Rezolutën 1244, Kosova insiston medoemos në pranimin e pavarësisë së saj dhe “de jure” shkëputjes së saj nga kthetrat e Serbisë.
Pas paralajmërimeve dhe bisedimeve nëpër koluare ruse, franceze, angleze sipas të gjitha gjasave do të insistohet në arritjen e kompromisit të mundshëm apo planit rezervë që do të thotë insistimi në ndarjen e Kosovës, kjo tezë e hedhur që moti nga ideologu serb, Dobrica Çosiqi e i mbështetur nga ish kryeministri i vrarë serb, Zoran Gjingjiç. Edhe një e përfolur që qarkullon në përqindjen e ndarjes është që Serbia e përkrahur në mënyrë maksimale nga Rusia insiston në 30% të territorit të Kosovës, ndërsa perëndimorët duke bërë presion të madh në palën kosovare insistojnë në 20% të territorit të Kosovës.

Në rast të tillë, nëse hapet biseda për ndarjen e Kosovës, pala kosovare duhet të insistojë doemos në ridefinimin e kufijve të tërësishme të trojeve shqiptare, jo vetëm me Serbinë, por edhe me Maqedoninë dhe me Malin e Zi dhe krijimin e shtetit natyral të saj, do të thotë Shqipërisë etnike, me ç’rast në këtë rast nuk është Kosova ajo që insiston, por është bashkësia ndërkombëtare, e cila insiston dhe bën trysni në palën kosovare, me ç’rast Grupi i Kontaktit vetvetiu do i hedh tre principet e veta të proklamuara për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, mos kthimi në gjendjen e mëparshme të vitit 1999, mos ndarja e Kosovës, si dhe mos bashkimi i saj me ndonjë shtet tjetër. Kjo medoemos shpie në hapjen e kutisë së Pandorës në ridefinimin e tërësishme të kufijve në Ballkan.
Në rast se edhe pas këtyre bisedimeve nuk do arrihej kurrfarë zgjidhje dhe kompromis i mundshëm, atëherë Kosovës nuk i mbetet tjetër gjë, por në koordinim të plotë pikësëpari me Amerikën dhe Britaninë e Madhe si dhe aleatëve natyral, të zgjedh rrugën e vetme të mundshme të mbetur, e cila do të jetë shumë e gjatë dhe me shumë vështërsi e plot peripeti, por edhe me shumë të papritura gjatë rrugëtimit të saj, Kuvendi i Kosovës të shpallë pavarësinë dhe të kërkojë njohjen e saj nga shtetet e ndryshme të botës.
Por krahas kësaj institucionet e vendit, presidenti, kryeministri, qeveria, parlamenti, para këtij akti historik, në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar politik e ushtarak në Kosovë, duhet të përgatisin popullin maksimalisht për luftë eventuale dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të saj, sepse pas pavarësimit të Kosovës, meqë Serbia e përkrahur nga Rusia, nuk është çudi që do e nisi aventurës së saj luftarake. Pikërisht për këtë populli i Kosovës duhet të jetë maksimalisht i përgatitur, e të mos e zë gjumi, por me të gjitha kapacitetet e veta të arrijë të rezistojë dhe të e pamundësojë depërtimin e Serbisë, sepse pas kësaj , aty mund të jetë edhe vija ndarëse e përkufizuar që më vonë në bisedimet e mëtutjeshme të shërbejë edhe si baze relevante e njohjes reale të forcave në terren.
Në këto çastet e rëndësishme vendimtare dhe historike për popullin shqiptar në përgjithësi e të Kosovës në veçanti, si institucionet legale, ashtu e dhe populli shqiptar duhet të jenë në nivelin më të lartë, që të tregojnë pjekuri politike dhe aftësi mbrojtëse të ruajtjes së trojeve shqiptare nga gllabërimi i vazhdueshëm sllav. Kjo rrugë e gjatë do sakrifikim, mund, energji, vitalitet, guxim, forcë, vetëbesim, drejt realizimit të aspiratës njëshekullore të popullit shqiptar të Kosovës drejt shkëputjes definitive nga Serbia.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …