leoni

Demonstrimi i serbëve në Gazimestan të Kosovës shënoi fillimin e realizimit të planit të Ahtisarit ( Koment redaksional i Radios-Kosova e lirë)

 


Edhe pse serbët nuk e kanë pranuar planin e Ahtisarit, ata po i shfrytëzojnë, mbase edhe po i keqpërdorin të drejtat, që rrjedhin pikërisht nga ky plan.
Demonstrimi e militantizmit serb, antishqiptar, dje në Gazimestan ndodhi faqe forcave të KFOR-it, të policisë ndërkombëtare dhe të SHPK-së. Dhe, nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse pakoja e Ahtisarit parasheh që serbët të kenë liri të shprehjes së tyre të pakufishme, sidomos në zonat rreth kishave e manastireve, veçmas në Përmendoren serbe të Betejës së Kosovës, në Gazimestan, afër Prishtinës, ku prijësi serb, Llazar, më 15 qershor të vitit 1389 humbi Betejën, në të cilën prijësi shqiptar, Milush Kopiliqi, theri me hanxhar Sulltan Muratin e Parë.
Gardistët serbë, “carllazarët” e klonuar, erdhën në Kosovë, ashtu sikur edhe kishin paralajmëruar, pa hasur në asnjë pengesë. Ata e shfrynë mllefin dhe urrejtjen e tyre kundër shqiptarëve, orgjizuan duke shpalosur ikonografinë e tyre morbide dhe në esencë antinjerëzore, shpalosen posterët e Milosheviqit para hundëve të policëve të SHPK-së, demonstruan virulencën e tyre barbare dhe kryen të gjitha ceremonitë e parapara, fare papengueshëm.
Në mesin e tyre, përveç prijësve fetarë, pjesëtarëve të formacionit “Car Llazar” ishin edhe dy ministra të Qeverisë dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Serbisë. Natyrisht se kishte edhe kriminelë, që kanë vrarë dhe kanë masakruar fëmijë dhe femra shqiptare gjatë luftës.

Demonstrimi nuk kishte të bënte fare me manifestimin fetar, sikur deklaruan anëtarët e Grupit të Unitetit, por kishte të bënte me demonstrimin e politikës aktuale serbe të Tadiqit dhe Koshtunicës, kishte të bënte me ushqimin e mitit të tyre historik, me kujtesën e deformuar dhe me ekskluzivitetin e tyre të çmendur. Demonstrimi i tillë kishte të bënte edhe me kthimin e kriminelëve në vendin e krimit.
Gardistët serbë u panë edhe me uniforma, edhe pse kreu ndërkombëtar në Kosovë ishte zotuar se nuk do të lejonte, as edhe një uniformë të tillë.
Megjithatë kameramanët e “pakujdesshëm” të tri TV-ve fokusuan edhe ndonjë uniformë, ndonjë të sharë të pistë serbe drejtuar policëve të SHPK-së, gjithnjë të durueshëm dhe shumë të matur kundër serbëve, por disa prej tyre trima të çartur, sidomos kur ndërsehen për të rrahur aktivistët e “Vetëvendosjes”.
Serbët e pranishëm, më 28 qershor, në Gazimestan të Kosovës, demonstruan fytyrën e tyre të vërtetë. Mediet e kontrolluara nga UNMIK-u dhe SHPK-ja raportuan se gjithçka ishte zhvilluar qetë, pa incidente dhe krejtësisht në mënyrë paqësore.
Disa medie nuk i dhanë fare rëndësi kësaj orgjie të zezë serbe, sikur kjo të kishte ndodhur në një vend të largët, diku në Alaskë, e jo mu në mes të Kosovës, në periferi të Prishtinës.

AKSH-ja nuk u duk fare për ta penguar marshimin demonstrativ serb, edhe pse përmes komunikatave virtuale në internet kishte paralajmëruar se do të bënte hata, nam e batërdi.
Nuk pati shkrehje kallashësh, nuk pati madje as edhe përpjekje të ndonjë qytetari apo të ndonjë pjesëtari të SHPK-së për ta çjerrë ndonjë poster të Milosheviqit apo të Mladiqit, që i bartnin plot krekosje ithtarët e kriminelëve.
Nuk protestuan as aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje”.
Nuk morën mundin për ta përcjellë për së afërmi këtë spektakël kobndjellës, as veteranët e luftës, as këta të Prishtinës as ata të Dukagjinit, edhe pse patën thënë se nuk do të lejojnë, që kriminelët serbë të demonstrojnë sërish në Kosovë.
Natyrisht, po supozojmë se nuk kanë qenë të ftuar për të marrë pjesë në orgji, as ministri i kulturës, Haraqia, i cili një vit më parë ka vizituar vendin e supozuar të eshtrave të Sveti Savës, as zëvendës-kryeministri, Lufti Haziri i cili vazhdimisht i “ka mundur” serbët me rezultat 8 me 2 gjatë negociatave në Vjenë, as Ylber Hysa, i cili ua ka bërë tapi mijëra hektarë tokë të Kosovës kishave serbe, dhe i cili proklamon se kishat, manastiret e monumentet serbe qenkan të krejt qytetarëve të Kosovës, e jo vetëm të serbëve, se ato qenkan pasuria jona e vlefshme kombëtare. Në atë pasuri historike të Kosovës, më 28 qershor nuk pat vend as për vetë Ylber Hysën(!)

Orgjia nacional-fashite serbe e afishuar, më 28 qershor 2007, në Gazimestan na bën të kuptojmë edhe më mirë, se “pakoja” e Ahtisarit favorizon skajshmërisht elementin destruktiv serb, se sipas këtij plani vendet të cilat konsiderohen si vende të serbëve, do të jenë zona eksterritoriale, gjithnjë të mbrojtura me polici dhe ushtri, dhe si të tilla do të jenë burime të përhershme të krizave, të urrejtjes dhe destruktivitetit.
Spektakli histerik në Gazimestan ishte mjaft kuptimplotë. Të pranishmit me shpalosjen e ikonografisë së tyre të çoroditur, primitive, dhanë mesazhe të qarta për shqiptarët. Ata, në veprimet e tyre kundër shqiptarëve janë gjithnjë e më të trimëruar, sidomos nga mbështetja e fuqishme që po i jepet politikës hegjemoniste dhe kolonialiste serbe nga kreu i Kremlinit dhe nga disa shtete perëndimore të Evropës, të cilat po e orientojnë “xhandarin” e Ballkanit drejt aventurave të reja, në kohën kur kriza në Irak po përshkallëzohet, ndërsa administrata e Bushit dhe Aleanca Perëndimore nuk po arrijnë të realizojnë synimet e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …