Dështoi përfundimisht “pakoja” e Ahtisarit (Koment redaksional i Radios-Kosova e lirë)

 


Konfirmimi i lajmit se projektrezoluta e propozuar në KS të OKB-së, lidhur me rifillimin e bisedimeve mes kreut politik të Prishtinës dhe Qeverisë së Serbisë, anashkalon madje dhe përmendjen e “pakos” së Ahtisarit, duke mënjanuar edhe “automatizmin” e realizimit të këtij plani, në rast të dështimit të bisedimeve, flet qartë se, ashtu sikur kishin dështuar bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, po ashtu ka dështuar edhe plani i Ahtisarit lidhur me pavarësisë e mbikëqyrur për Kosovën.
Rusia tashmë jo vetëm ka arritur ta shantazhojë OKB-së dhe BE-në, lidhur me zgjidhjen e statusit të Kosovës, por me qëndrimin e vet dhe me përkrahjen e disa vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, po e merr rolin dominues në këtë organizatë vendimmarrëse botërore. Dhe kjo po ndodh për shkak se Uashingtoni zyrtar nuk po arrin të dalë nga kriza, të cilën e ka shkaktuar vetë në Irak dhe në Afganistan.
Në një situatë të tillë të rrjedhave e zhvillimeve ndërkombëtare, është e kuptueshme se edhe vendimmarrja për statusin e Kosovës ka pësuar shumë në krahasim me një vendim, që do të duhej të ishte marrë fare lehtë, tetë vjet më parë.
Rifillimi i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit do ta devalvojë deri në fund klasën e sotme politike të Kosovës, e cila tashmë është shpërfytyruar në tërësi, si karshi faktorit vendor ashtu edhe atij ndërkombëtar.
Dhe, ç’është më e keqja, po këta njerëz, pas një presioni jo edhe aq të fortë nga mentorët e tyre ndërkombëtarë, do të lëshojnë pe, do ta hanë me lugë turpin edhe kësaj radhe dhe sërish do të pranojnë të ulën dhe të bisedojnë me zyrtarët serbë, të cilët falë indolencës dhe paaftësisë së ekipit negociator të Kosovës, kanë fituar epërsinë në bisedime dhe kanë arritur ta stërkeqin definitivisht tërë procesin lidhur me përcaktimin e statusit.
Me shqiptarë të tillë nuk ka ndodhur vetëm njëherë kështu.
Kështu kishte ndodhur edhe me nënshkruesit e Rezolutës së Kuvendit të Bujanit, në janar të vitit 1944, të cilët u deklaruan botërisht për vetëvendosjen e popullit shqiptar të Kosovës pas luftës, por të njëjtit, më 10 gusht të vitit 1945, në Kuvendin famëkeq të Prizrenit, nënshkruan mbetjen e Kosovës nën Serbi. Si për të ndjellë kob, mbeturina të tilla të Kuvendit të Prizrenit ka edhe sot në Kuvendin e Kosovës.
Në bisedimet e ardhshme, Serbia do të ketë pozicion edhe më të fortë, sepse Beogradi zyrtar si pikënisje për rifillimin e bisedime do të mbështetet në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e cila Serbisë ia njeh sovranitetin mbi vendin tonë. Dhe, Serbia nuk do të bëjë fare koncesione. Ajo tashmë e ka kuptuar rolin dominues të Kremlinit të skenën ndërkombëtare dhe do të bëjë përpjekje maksimale të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për ta zvarritur dhe për ta stërkequr definitivisht tërë procesin politik lidhur me përcaktimin e statusit të Kosovës.
Avantazhin e tillë Serbisë ia ka mundësuar paaftësia e grupit negociator të vendit tonë, mungesa e dijes dhe e manovrimit politik nga ana e tyre, mbështetje e tyre e verbër në disa mentorë të huaj, mungesa e guximit qytetar dhe kombëtar, për të mos bërë as edhe një lëshim të vetëm lidhur me të drejtën për vetëvendosje, e cila erdhi si rezultat i luftës sonë shekullore çlirimtare, ndërsa kulmoi me fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përkrahjen e NATO-s, në qershor të vitit 1999.

Negociata e reja me Serbinë do ta tensionojnë edhe më tepër situatën në Kosovë. Të pakënaqurit, me këto procese të zvarritura pa fund, dita-ditës po shumohen. Ata, po e kuptojnë se janë mashtruar, ashtu sikurse kanë qenë mashtruar shqiptarët e kësaj pjese të Atdheut edhe në politikat projugosllave të Fadil Hoxhës, të Azem Vllasit, Rrahman Morinës e të tjerëve.

Si do të dalim nga kjo situatë?

Veteranët e luftës së UÇK-së kanë paralajmëruar mobilizim dhe një mobilizim i tillë faktik duhet të ndodh sa më shpejtë, me qëllim për të mos lejuar, që grupe të pakënaqurish ta marrin përsipër barrën, që nuk e përballojnë dot.
Forcat e shëndosha kombëtare brenda TMK-së, me siguri se do të këndellen, tash kur po shihet se pakoja e Ahtisarit, e cila parashihte shpërbërjen e kësaj trupe u “hodh” si e pavlerë, madje nga vetë OKB-ja. Edhe forcat rezervë të kësaj trupe, të larguar me rastin e degradimit gradual, që iu ka bërë gjatë këtyre tetë viteve TMK-së, do të duhej të kërkonin llogari dhe do të duhej të riktheheshin në TMK. Në kuadër të kësaj Trupe do të duhej të riktheheshin të gjithë eprorët dhe pjesëtarët, që u larguan, duke u bazuar në procese të montuara politike, të orkestruara nga ministria e Drejtësisë së Serbisë dhe të ekzekutuara nga prokurorët dhe gjykatësit ndërkombëtarë.
Opsioni i Lëvizjes “Vetëvendosje” po fiton edhe më shumë përkrahës, edhe pse kreut të kësaj lëvizjeje, tash për tash iu ka ngushtuar fushëveprimtaria.
Të gatshëm për t’ iu bashkuar një rirreshtimi të ri të forcave do të jenë të gjithë shqiptarët liridashës, të cilët as janë dorëzuar as do të dorëzohen në rrugë për të realizuar aspiratat kombëtare të çlirimit nga hegjemonizmi sllav, meqë tashmë po kuptohet përfundimisht se kolonializmin serb dhe përgjithësisht atë sllav po e ushqen, po e ysht dhe po e mban gjallë Kremlini, si Piemont i ideologjisë pansllaviste në këtë pjesë të Evropës. Dhe në përballje me hegjemonizmin rus do të mobilizohen forcat kombëtare kudo në trojet e atdheut.
Formula e daljes nga kriza ekziston.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …