Halil Katana: AKTI I PROKURORIT SHUAIP PRESHEVA DHE PËRQASJA E SOTME

Shuaip Presheva ka qenë prokuror i Prishtinës në vitet e pushtimit nazist. Në atë kohë, Shqipëria dhe një pjesë e Kosovës me Vise, kanë qenë të “bashkuara” nën një administratë kuislinge të përbashkët. Ministër i Brendshëm për një kohë, ka qenë xhelati famëkeq nazist, Xhafer Deva. 
Në tetor të vitit 1943, Kosova filloi të zgjohet, për t’u ngritur në luftë kundër fashizmit. Ajo, pavarësisht nga propaganda naziste e balliste, filloi të kuptojë se e vetmja rrugë për të pasur të drejtë të kërkonte vetëvendosje, ishte ngritja në luftë kundër pushtuesve nazifashist, siç ishte ngritur e gjithë Bota. Në këtë kohë në Prishtinë u formua Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar në shtëpinë e Murat Pacit, me kryetar Mehmet Bajraktarin nga Mitrovica. Sekretar u zgjodh Murat Paci, një intelektual i shquar për kohën, me origjinë nga Paci i Tropojës, i cili ishte kryesekretar i Prefekturës së Prishtinës. 
Ministri i Brendshëm i qeverisë kuislinge, Xhafer Deva, u informua për formimin e këshillit dhe shkoi vet nga Tirana në Prishtinë. Ai vrau në zyrën e prefekturës, kryesekretarin Murat Paci, sot dëshmor i Atdheut.
Menjëherë u përhap lajmi dhe Prishtina u vu në gjendje shtetrrethimi. Në vendngjarje vajti me shpejtësi Prokurori i Prishtinës, Shuaip Presheva dhe sekretari i tij, Thoma Rino. Shuap Presheva, me gjakftohtësi, hartoi procesverbalin e ngjarjes, ngriti aktakuzën për Ministrin e Brendshëm Xhafer Deva, firmosi fletarrestin për të dhe duke e lëshuar në tavolinën e Prefektit, iu drejtua sekretarit të tij, Thoma Rino: 
“Ne, në emër të drejtësisë, bëmë detyrën tonë. Xhaferr Devën nuk mund ta arrestojmë. Ai, sa të marrë vesh për këtë, do të na vrasë. Prandaj eja të ikim menjëherë”.
Ata mundën të ikin shpejt, duke lënë një dokument historik, model për njerëzit e drejtësisë. Ata morën guximin të lëshonin një fletarrest, për njeriun më të fuqishëm të qeverisë kuislinge naziste, kur jeta e njeriut në duart e tij nuk kushtonte më shumë se një fishek pistolete. E lëshuan fletarrestin kundër xhelatit nazist, që të vriste pa gjyq, në mes të ditës, në zyrë të “shtetit”, pa iu dridhur qerpiku, sepse ai ishte vet shteti, vet prokurori, vet drejtësia, vet ligji. 
Në çdo kohë të jesh prokuror, është një përgjegjësi shumë e rëndë. Dhe që të mund ta kryesh këtë detyrë me nder, duhet vetmohim. 
Përvoja të tilla janë të vlefshme të kujtohen në çdo kohë. 
Sot kemi ngjarjen e Gërdecit. Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, me një urdhër të lëshuar prej tij, në kundreshtim me rregullat e Sigurisë Kombëtare, ka shkaktuar dhjetra të vrarë e qindra të plagosur, si dhe dëme materiale të përmasave atomike, por akoma qëndron i lirë. Madje, madje, edhe pas shkarkimit nga detyra vazhdoi të jepte konferenca shtypi nga foltoret e Ministrisë së Mbrojtjes. 
Një shofer i thjeshtë, kur shtyp një njeri në rrugë, qoftë edhe jo për fajin e tij, ai menjëherë vihet në pranga. Ministri i Mbrojtjes, i caktuar në detyrën e mbrojtjes së Popullit, me urdhrin e fajshëm të tij, shkakton një tragjedi të paparë në historinë e popullit tonë dhe akoma prokurorët nuk veprojnë ndaj tij. Po flitet se ata duan të ngrenë një akuzë ndaj tij “për shpërdorim detyre”, që është akuza më e lehtë në kodin e Procedurës Penale! 
Shteti ligjor i vërtetë demokratik nuk mund të ketë dy standarde të drejtësisë: njërin për qeveritarët dhe tjetrin për njerëzit e thjeshtë, njërin për të pasurit dhe tjetrin për fakirët. Për shtetin e së drejtës, Dejtësia është Universale, një dhe vetëm një për të gjithë shtetasit, pavarësisht nga pozita pushtetore dhe ekonomike. Prokurori i Përgjithshëm, me Kushtetutë, është zbatuesi dhe mbrojtësi suprem i kësaj të Drejte Universale. 
Prokurorja jonë e Përgjithshme, me qëndrimet e deritanishme, me paraqitjet e saj para kamerave jo serioze për një funksionare kaq të lartë të shtetit, po jep shenja se shpatullat e saj të brishta nuk e ngrenë dot atë barrë aq të rëndë, që ka pranuar ta mbajë. 
Qofsha i gabuar dhe ajo daltë e nderuar para popullit shqiptar, duke zbardhur këtë ngjarje tepër tragjike, që fati ia solli të përballet!

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …