Sali Berisha

Viktor Malaj: Ulërima e një banditi

Ka kohë që është bërë praktikë e sjelljes së një pjese të medies shqiptare të heshtë ndaj thirrjeve haluçinante dhe kriminale të Sali Berishës, siç është edhe ajo e sipërcituar, nëpërmjet të cilave bën thirrje për dhunë, luftë, revolucion, tërheqje zvarrë etj. Po kjo medie, e shkruar apo vizive, nuk lë rast pa paraqitur çfarëdo gëlbaze morale dhe intelektuale që plaku bandit Sali Berisha lëshon thuajse çdo ditë nëpërmjet të ashtuquajturit “qytetari dixhital”.

Kjo medie e korruptuar, e mjerë intelektualisht e profesionalisht dhe e zvetënuar moralisht nuk merr mundimin as të verifikojë saktësinë e produkteve gëlbazore të njeriut politik pambarimisht të kriminalizuar. Por, as nuk lodhet të shqyrtojë sa të dëmshme janë ato për shoqërinë dhe vendin duke kujtuar pasojat e dëmshme që kanë sjellë thirrjet e një anormali psikik, të përçudnuar moralisht që  ka sunduar vendin dhe e ka marrë zvarrë popullin shqiptar si dje në pushtet ashtu edhe sot në opozitë.

Është thënë me të drejtë se çdo popull ka qeverisjen që meriton dhe, për rrjedhojë, është e drejtë të pranohet se çdo popull ka edhe median që meriton, drejtësinë që meriton, shërbimet që meriton. Jo pak gazetarë, pronarë mediash apo analistë, pra jo pak njerëz opinionformues në Shqipëri kanë të njëjtin mentalitet dhe janë bartës të standardit moral, psikik, antiqytetar dhe antishqiptar si ai i qytetarit dhe politikanit Sali Berisha. Prandaj, ata ose heshtin, ose zgërdhihen, ose flasin me të njëjtin fjalor dhe papërgjegjshmëri si ai, siç bënte para pak javësh një banor i vonë i Bathores i shndërruar në gazetar.

Thirrja e sipërcituar e Sali Berishës do të mund të nënvlerësohej apo kalohej në heshtje si shpërthim nën ndikimin e etheve politike, nëse do të kishim të bënim me një individ të ri politik, të panjohur dhe të paprovuar, mirëpo në këtë rast ne kemi të bëjmë me politikanin më të vjetër, më të vrazhdë, më banal dhe më të kriminalizuar të këtyre gati tri dekadave. Ne kemi të bëjmë me një individ politik që fare pak e ndajnë fjalët nga veprat kur është fjala për t’i sjellë telashe dhe mbrapshti popullit. Nga ana tjetër, një oqean i tërë i ndan fjalët e tij mikluese për të mashtruar popullin kur kërkon ta ndjellë t’i shkojë mbrapa dhe sjelljeve të tij me pushtetin kur e arrin atë.

Karakteri kriminal i thirrjes së cituar nuk qëndron në faktin se ai kërkon rrëzimin e qeverisë dhe rikthimin e tij në pushtet për herë të pestë apo të gjashtë. Kushdo e vë re se çfarë thotë: “ta rrëzojmë qeverinë me çdo çmim”. Edhe kuptimi i fshehur i shprehjes por, veçanërisht gjithë sjellja dhe morali i tij i shpërfaqur pa ngurrim dhe pa skrupuj në të kaluarën të bindin plotësisht se: Në çmimet për rrëzimin e qeverisë bëjnë pjesë dhuna e gjithanshme, djegiet e shkatërrimet, pushtimet e institucioneve, vrasjet dhe çdo gjë tjetër që ai e ka zbatuar herë me sukses dhe herë me dështim në të kaluarën. Praktikat e tij të njohura të bllokimit të jetës ekonomike e politike dhe rrënimit të rendit e sigurisë qytetare me synim krijimin e kaosit shoqëror dhe dëshpërimit qytetar për ta detyruar popullin shqiptar, me pahir t’i bindet atij  dhe ta ndjekë, jo nga respekti dhe besimi tek ai, por nga mungesa e çdo rrugëdaljeje, i pati zbatuar me sukses në periudhën 1990-1992, ashtu si edhe gjatë sundimeve të tij të palavdishëm si edhe në vitin 1998.

Ai iu thotë qytetarëve shqiptarë se “çdo çmim është i leverdisshëm për të çliruar shqiptarët nga ky regjim”. Kjo do të thotë se edhe po e dogjët dhe e poqët Shqipërinë, edhe po e shkatërruat ekonominë e vendit, edhe po “shkuat për lesh” duke u prerë e vrarë me njëri-tjetrin, është e leverdishme. Pyetja që shtrohet është: për kë është e leverdishme të paguaj këto çmime? Për popullin shqiptar që ka paguar kaq shumë prej tij dhe për të, çka e ka detyruar ta largojë nga pushteti me dru si të padenjë dhe të inkriminuar sepse kërkonte të qëndronte “majë kalit” me pahir dhe përkundër vlerësimit dhe vullnetit popullor të shprehur me votë?

Për popullin shqiptar është e leverdishme rruga demokratike dhe normaliteti i ardhjes dhe i qëndrimit në pushtet të forcave politike dhe jo sjellja dhe risjellja në pushtet e bandave dhe e banditëve politikë të cilët, për leverdinë e popullit shqiptar dhe për shkak të së kaluarës së tyre të errët e kriminale, do të duhej ta kalonin pjesën e mbetur të jetës në burg. Berishizmi si moral, ideologji e sjellje politike dhe kupola politike e përbetuar për ta trashëguar dhe çuar më tej këtë lloj politike as janë alternativë për shqiptarët dhe Shqipërinë dhe as duhet të kthehen atje ku s’kanë lënë gjë pa bërë. E leverdishme për popullin shqiptar do të ishte një PD që dënon moralin dhe sjelljet berishiste dhe që iu përmbahet normave të sjelljes demokratike në opozitë dhe në pushtet.

Ata që i kërkojnë Lulzim Bashës të realizojë “trininë”: lider, ekip, program për të ardhur në pushtet janë njerëz që as i vret ndërgjegjja qytetare për çfarë Basha dhe partia e tij kanë bërë në 28 vjet dhe as duan t’ia dinë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këta janë thjesht gjuetarë postesh dhe privilegjesh. Ata, në një mënyrë apo tjetër, janë pajtuar dhe pajtohen me moralin dhe krimet berishiste dhe janë dakord që ky moral dhe kjo sjellje të rikthehet në qeverisjen e vendit. Po të ishte ndryshe, ata do të këmbëngulnin që PD-ja, së pari të dënonte krimet e kryera, të hiqte dorë nga sjelljet dhe praktikat e mëparshme dhe pastaj të rikërkonte pushtet. Programe “të bukur” mund të krijojë çdo parti, siç ka ndodhur në të shkuarën që këto programe janë hedhur në koshin e plehrave dhe pastaj qeverisja i është nënshtruar psikologjisë, moralit dhe interesave të liderit. Është shumë e lehtë të përgatisësh programe, por është tmerrësisht e vështirë të gjesh drejtuesin dhe zbatuesin e duhur të programit dhe sidomos të krijosh ekipin e denjë për transformimin e vendit. Lulzim Basha as nuk është lider dhe as mund të bëhet i tillë. Ai ka qenë dhe mbetet thjesht një amanetqar i baba Saliut dhe, siç thoshte korrespondenca diplomatike amerikane ai “si administrator është jashtëzakonisht i dobët”. Nga ana tjetër, tingëllon fyese për shqiptarët e ndershëm dhe ata me sadopak mend që “kauzën” e luftës kundër krimit dhe dekriminalizimin ta shpallin dhe marrin përsipër njerëz të tillë si Sali Berisha dhe Lulzim Basha mbi të cilët rëndon një mal me krime të kryera gjatë qeverisjes së tyre sunduese. Këta do të ishin të parët që do të shkualifikoheshin nga një Vetting i vërtetë në politikë dhe do të jepeshin për ndjekje penale, duke u pasuar pastaj edhe nga shumë të tjerë majtas e djathtas dhe sidomos “në mes”.

Shikoni njerëzit që sillen në orbitën politike berishisto-bashiste. Shumica dërmuese e tyre nuk do të ishin të denjë as për kryetarë kooperativash bujqësore të para 1990 dhe jo pak prej tyre nuk dallohen me lehtësi nga gangsterët e rrugës. Kjo “turli” e gatuar me elementë me nivel intelektual të mjerë dhe me moral të pështirë ka vetëm një vlerë, atë të besnikërisë së rreme ndaj kryetarit dhe militantizmit qesharak apo ekstravagant. Kjo është vlera që i shijon Bashës, por kjo nuk është vlera që iu duhet shqiptarëve. Basha dhe të tjerë si ai, ndërsa duhej të jepnin llogari për të shkuarën e tyre të padenjë dhe kriminale kanë marrë tani rolin e gardianëve të ligjit dhe moralit dhe përcaktojnë “vijat e kuqe” ndaj pushtetit se përndryshe… Hëmmmm!

Siç vihet re me lehtësi “kauza” kryesore e Bashës dhe berishistëve që i shkojnë pas është “lufta kundër krimit” dhe “pastrimi i pushtetit nga krimi”. Përveçse është tallje me kujtesën dhe moralin shqiptar kjo është edhe një fyerje për të gjithë ata njerëz që në forma dhe përmasa të ndryshme e patën pësuar nga sundimet e tyre të shpeshta. Krimet e kryer nga Berisha dhe qeverisjet e tij janë dhjetëra herë më të shumtë e të rrezikshëm se krimet e kryer nga disa ish-deputetë tashmë të larguar. Ndryshimi qëndron në faktin se të larguarit nuk kishin pushtet të plotfuqishëm për të mos u ndëshkuar ndërsa Berisha, Basha etj. e kanë pasur (dhe vazhdojnë ende ta kenë) pushtetin mbi organet ligjzbatuese. Pikërisht, fakti që ky pushtet ka filluar të zbehet e zvogëlohet me procesin e Vetingut i ka alarmuar të inkriminuarit dhe duke e ditur (siç e ka pohuar vetë Berisha) se Ramën nuk mund ta rrëzojnë me vota, besojnë se do të mund të rikthehen nëpërmjet anormalitetit politik dhe kaosit shoqëror. Në moralin dhe vetëdijen e tyre, kaosi, rrënimi dhe krimi janë të leverdishëm për aq kohë sa mund t’iu sigurojnë atyre ardhjen në pushtet dhe sigurimin e mosndëshkimit për veprat e kryera. Prandaj, çdo ditë dhe pa pushim bëjnë çmos të krijojnë ndjenjat e pasigurisë publike dhe ta paraqesin Shqipërinë si Palermon e shekullit të 20-të. Hedhja në erë e shtyllave të tensionit të lartë, djegiet më të fundit të çerdheve e kopshteve, zjarrëvëniet nëpër kazanët e plehrave anash rrugëve të kryeqytetit, thirrjet për mospagim taksash apo tarifash rrugore etj. janë vetëm disa nga shenjat e planeve kobzeza ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në krye të kësaj sipërmarrjeje qëndron përsëri “njeriu me antiplumb”, ai që shtypi anglez e ka vlerësuar “gangster” kur ishte në pushtet dhe shtypi gjerman “një ordiner i rrezikshëm” kur ishte në opozitë. Nuk ka çudi që edhe plumbat në fasadën e ndërtesës së të afërmve të gazetares Lala ta kenë marrë barutin dhe shënjestrën nga ideatori i dhunës dhe kaosit me qëllim që në opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar të krijohet përshtypja e një vendi pa zot apo një vendi të sunduar nga binomi krim-pushtet. Në fund të fundit, ata që nuk kanë nguruar dikur të rrahin, burgosin, gjymtojnë, fyejnë e kërcënojnë gazetarët dhe qenë shpallur “armiq të lirisë së shtypit” nga institucionet e shtypit të lirë ndërkombëtar, nuk e kanë për gjë sot që të organizojnë e nxisin edhe akte si ai i përmenduri më lart për të krijuar ndjenjat e pasigurisë dhe besimin se “edhe këta qenkan si ata”.

E mira e Shqipërisë dhe e shqiptarëve e kërkon që qeverisja e vendit të jetë e një cilësie më të lartë se aktualja, por kjo nuk do të thotë kurrë që një qeverisje jo sa duhet cilësore të zëvendësohet në rrugë jokushtetuese dhe, aq më pak, nga banda dhe banditë që kanë shumë llogari të pazgjidhura me drejtësinë. T’i zgjidhin ato një herë dhe pastaj të pretendojnë zgjidhjen e halleve tona. Të pastrojnë veten dhe pastaj të vijnë të pastrojnë vendin. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …