leoni

Agim Vuniqi: Pse nuk mendohet shqiptarisht…!?

Platforma për çështjen shqiptare ne Ballkan asnjëherë nuk është shqyrtuar seriozisht nga subjektet politike, por as nga institucionet shkencore. Zërat e arsyeshëm të individëve të pakët të cilët çështjen shqiptare e trajtojnë si të tërësishme janë të paktë dhe shpesh nuk janë të mirëpritura në koniukturat e tashme politike. Meqë strategjia dhe qëllimet politike ishin të definuara qysh më 1878, kur është mbajtur Lidhja e Parë e Prizrenit (Lidhja ishte një organizatë me karakter kombëtar, e cila do të luftonte jo vetëm kundër rrezikut të copëtimit, por edhe për të siguruar të drejtat kombëtare për Shqipërinë), qysh atëherë është përcaktuar krijimi i shtetit shqiptar duke përfshirë pjesët e shkëputura, tash për tash të ndara.
Është e qartë se realiteti i tanishëm nuk lejon konfrontimin me faktorin shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë, sidomos me atë anglo-amerikan, por edhe të BE-së. Është shumë i pakuptueshëm konfiguracioni i subjekteve politike në parlament, por edhe mos votimi i qytetarëve për partitë politike nacionaliste, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi…
Gjuha zyrtare e lidershipit shqiptar është shumë e përgjithësuar dhe aspak konkrete, nuk është shtruar qartë. Sigurisht shkaqet janë të ndryshme: mbetja në pozitë për të qenë faktor i vendosjes dhe partner i Bashkësisë Ndërkombëtare, duke e tepruar me disonancën e fjalorit të përdorur politik me premtime aspak të arsyeshme kur i drejtohen opinionit të brendshëm, ndërsa shumë përulëse në takimet e shpeshta me ndërkombëtarët.
Çështjet strategjike që kanë të bëjnë me të ardhmen e shqiptarëve nuk duhet të udhëhiqen vetëm nga subjektet politike në pozitë, domosdo duhet të vlejë koncepti bipartizan, koncepti i marrëveshjeve të përbashkëta me konsensus pozitë-opozitë, por edhe i subjekteve politike shqiptare në rajon (Shqipëri dhe atyre në ish Jugosllavi). Nëse realiteti i tanishëm është se shqiptarët janë të ndarë në pesë shtete rruga e vetme e zgjidhjes së problemit është bashkimi, përmes proceseve të brendshme integruese çfarë janë në Evropë, në të gjitha fushat, në atë socio-politike, kulturore, tekniko-teknologjike, të telekomunikimeve, shëndetësi, arsim, por edhe në atë ekonomike dhe investive, duke u praktikuar si gjuhë komunikimi zyrtar gjuha shqipe dhe anglishte, për të mos lënë anash asnjëherë diasporën.
Kjo është shumë e rëndësishme për gjeneratat e ardhshme, ngase proceset integruese janë me interes të përgjithshëm, që si prioritet kanë krijimin marrëdhënieve të reja ekonomike, përmes marrëveshjeve konform ligjeve ekzistuese të praktikuara në BE, nënshkrimi i rregulloreve për lehtësime doganore, lehtësime në fushën investive…, gjithnjë duke motivuar dhe stimuluar diasporën shqiptare për investime të përbashkëta.
Fusha e investimeve është shumë e hapur dhe nuk duhet lejuar të ndërtohen barriera të reja administrative-politike, prandaj duhet të jetë edhe fushë interesimi jo vetëm e Kosovës dhe e Shqipërisë, por edhe më gjerë, duke përfshirë në bisedime ekspertët shqiptarë, por edhe biznesmenët që do të kontribuonin jo vetëm me sugjerimet por edhe me kapitalin e tyre, duhet ua mundësuar shqiptarëve kudo që janë statusin e shtetësisë së Shqipërisë për të gjithë ata që e dëshirojnë atë . Sa do të jetë i kuptueshëm integrimi Kosovë-Shqipëri, nëse nuk ka vlerësime meritore të bazuara në ligjet ekonomike, por edhe në tregun e punës. Tregu i punës për ekspertë të lëmive të ndryshme duhet të jetë i hapur, pse jo edhe i përbashkët me Shqipërinë, siç është psh., në të gjitha vendet e Evropës, por edhe në Amerikë. Është e pajustifikueshme përpjekja e lidershipit të tanishëm politik që të forcojë pushtetin qendror duke mos krijuar hapësirë ligjore për lidhje institucionale të institucioneve kompetente shkencore dhe kulturore, jo vetëm duke i përkrahur moralisht por edhe materialisht.
Meqë pretendohet vazhdimisht anëtarësimi në asociacione të ndryshme profesionale, veçmas shihet nga përpjekja e shumë intelektualëve që në prezentimin e vlerave të dallojnë nga njëri tjetri vetëm në përshkrimin biografik se janë anëtarë të shoqatave të ndryshme profesionale në nivele të ndryshme, është trend që diçka të figurojë në gjuhën angleze, do të ishte shumë e rëndësishme që shqiptarët të njihen për vlerat e përbashkëta shkencore-kërkimore por edhe në përpilimin e fjalorëve gjuhësor profesional, pastaj në ngritjen dhe avansimin e institutit për gjuhë të huaja, çfarë e kanë që moti Sllovenia, Serbia, Kroacia…, si vende fqinje, në standardizimin dhe definimin e përbashkët gjuhësor të fenomeneve në lëmitë e shkencave natyrore dhe atyre shoqërore, si dhe përcaktimin e kritereve shkencore, duke evidentuar shkallzimin profesional (tingllon paksa banale, por ma thotë mendja është konstatim i qëndrueshëm, ashtu siç janë në hotelieri të kategorizuara nivelet e hoteleve të shkallës A, B,.. dhe me një, dy…, apo më shumë yje).

Janë të pakuptimta projektet megalomane që do të realizohen në t’ardhmen, duke thithur mjete të mëdha financiare gjatë fazës së ndërtimit, por edhe në mirëmbajtjen e mëtejme. Nuk është ky kurrëfarë interesi i qytetarëve, përkundrazi është mashtrim, ngase në Kosovë për shkollarët nuk suportohet asnjë revistë shkencore, nuk financohet asnjë projekt hulumtues i intelektualëve të rinjë, dhe nuk mbështetet institucionalisht asnjë shoqatë profesionale, edhe pse zhvillimi shoqëror dhe demokratik mbështetet në këto vlera. Më kishte rastisur që viteve të 80-ta të punoj me ekspertin hungarez të UNICEF-it, Sepeshi Karoje që ishte i angazhuar të punonte në Institutin Bentakos, i cili hulumtonte rezervat e mëdha të bentonitit sipërfaqësor në Kosovë, por edhe të shfrytëzimit të tij për përfitimin e mbi 100 llojeve të materialit ndërtimor. Fushë e tij e interesimit ishte edhe hiri i liruar nga thëngjilli i Termocentraleve në Kosovë, por edhe përbërja e tij, dmth., mundësitë e shfrytëzimit, në përbërjen ë të cilit ka edhe alumin (është gjë tjetër që nuk ekziston arsyeshmëria ekonomike, ngaqë teknologjia është e shtrenjtë). Fundja nuk ishte qëllimi aty, ishin fjalët e ekspertit, që thoshte janë të pakuptimta gjithë këto investime në beton e ndërtesa të bukura, ndërsa nuk ka para për të blerë epruveta për studentë që kushtojnë shumë lirë. Eshtë çmenduri dhe e pakuptimtë zbrazja e fondeve të ministrive nga ana e ministrave «kauboj» pas ahengjeve dhe eksperimenteve në arsim, kulturë, energjetikë, kështu ata ofenduan në pakufi votuesin shqiptar.
Shikoni njëherë QKU, që ka ardhur para kolapsit ekonomik, vetëm për arsye të keqmenagjimit të keq dhe implikimit të politikës në këtë institucion me rëndësi strategjike për shëndetin e popullatës. Është shumë më mirë që ky institucion të “privatizohet” se sa të funksionojë kështu, meqë edhe ashtu shumë mjete për shërimin e pacientëve po derdhen jashtë, si në Turqi, Maqedoni, Serbi, dhe në Evropë. Do të ishte shumë më e arsyeshme ekonomikisht, por edhe politikisht shumë e qëlluar që të ndërtohet një spital-klinikë e përbashkët shqiptaro-shqiptare (me kapital të përzierë, projekt me nismë të përbashkët i qeverive Shqipëri dhe Kosovë, i bazuar në kritere evropiane të menaxhimit), sipas kritereve më të larta shkencore, e cila do të merrej me punë shkencore-kërkimore edhe në fushën e gjenetikës, duke realizuar projekte të përbashkëta me Universitetet amerikane dhe ato Evropiane. Realizimi i kësaj ideje do të lidhej edhe me emrin e Ferid Muradit, nobelistit shqiptaro-amerikan, që i dha shkencës botërore një kontribut veçantë në përmirësimin e sistemit kardiovaskular të pacientëve. Ky projekt i përbashkët shqiptarë do të realizohej me mjetet e grumbulluara nga diaspora, në pajtueshmëri me ligjet ekonomike evropiane, ku interesi ekonomik do të ishte parësor. Tokën për ndërtim do të duhej ta siguronte shteti shqiptar, në afërsi kufitare me Kosovën, në pesëvjeçarin e parë zero tatim, duke mundësuar blerjen e pajimeve pa doganë. Kështu që përfitimet do të ishin të shumë anshme, teknologjia e importuar do të lirohej nga tatimet amerikane, meqë teknologjia që eksportohet nuk i nënshtrohet pagesës tatimore, lirohet nga tatimi.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …