Demonstratat për ndryshimin rrënjësor të kursit aktual të politikës nuk duhet të jenë vetëm masive, por edhe afatgjate nëse është nevoja. Dhe, aq afatgjate sa të jetë e nevojshme. Ato demonstrata duhet të kërkojnë afatin e përfundimit të misionit të UNMIK-ut në Kosovë që do të përputhej me referendumin për popullin e Kosovës, si ushtrim i së drejtës për vetëvendosje, si akt konkret politik i lirisë kolektive, si inaugurim i demokracisë që hap rrugën për sundimin e shumicës. Ndërkohë, do të bëhej Kushtetuta e Kosovës, por edhe përgatitjet për bërjen e TMK-së ushtri dhe të SHPK-së polici.
NATO-ja le të qëndrojë dhe duhet të qëndrojë në Kosovë, por në marrëveshje me Kosovën (“Status of Forces Agreement” – SOFA) marrëveshje, siç është rasti p.sh., në Shqipëri e Maqedoni), e jo siç është tash KFOR-i këtu në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës (9 qershor 1999) të bërë me ushtrinë kriminale jugosllave të cilën e trashëgoi Serbia. Çdo mision dhe prani ndërkombëtare në Kosovën e lirë duhet të jetë në marrëveshje me ne.
Kosovës i duhet ndihma dhe sugjerimet ndërkombëtare, por jo sundimi ndërkombëtar.
Jo misioni sundues i OKB-së në Kosovë, por misioni diplomatik dhe bashkëpunues i Kosovës në OKB.
Jo misioni tutor i BE-së në Kosovë, por misioni aderues i Kosovës në BE.
Vetëvendosja e popullit e konfirmon popullin, vullnetin dhe interesat e tij
Që të dyja këto i mundëson vetëvendosja dhe vetëm ajo. Misioni i ardhshëm i BE-së në Kosovë do të jetë i dhunshëm mbasi është në shpërputhje me vullnetin e popullit dhe pa e pyetur popullin. Hyrja e Kosovës në BE nuk do të ishte e dhunshme dhe as kufizim sovraniteti për Kosovën. Siç ka shkruar Hurst Hannum :”Aderimi në një marrëveshje nuk është kufizim i sovranitetit; më parë është pikërisht një ndër aktet sovrane”. Vetëvendosja e popullit e konfirmon popullin, vullnetin dhe interesat e tij.
Pas vetëvendosjes së popullit të Kosovës duhet të mbahen zgjedhje të reja e të lira për pushtetin e vërtetë në Kosovën sovrane. Vetëm atëherë do të mund të kemi zgjedhje njëmend të lira e demokratike dhe pluralizëm politik, me parti serioze ideologjike, e jo me këso parti të amështa që argalisen. Këto parti që i kemi tash, e mbase edhe parti të reja, realisht do të jenë e do t’i kemi edhe atëherë, por jo me këto udhëheqje aktuale dhe politikat e tyre. Udhëheqjet aktuale janë të status quo-së, të kësaj situate që atyre iu konvenon. Lëvizja e Kosovës, qoftë kjo në drejtim të kompromisit të ri me Serbinë ose në drejtim të pavarësisë së Kosovës, do të shkaktojë tërmete brenda partive. Do të imponojë kurse e udhëheqësi të tjera aty që do të lindin gjatë grahmave të fundit të politikës së kulisave dhe improvizimeve. Partitë që nuk do të ndryshojnë, do të zhduken.
Në Kosovë do të ngjajnë luftëra e gjakderdhje të reja, në dy raste:
E para, nëse populli hesht dhe pret tepër gjatë, me ç’rast realizimi i decentralizimit në terren do t’i sjellë njerëzit para aktit të kryer kur mbase atyre do t’iu duhet të reagojnë ekstremisht në formën e një saltomortale (kur me gjasë do të jetë tepër vonë).
Dhe, e dyta, mospritja e popullit të rezultojë me ndonjë shpërthim të dhunshëm apo konflikt të armatosur që mbetet i kufizuar, i kontrolluar nga jashtë dhe i shkurtër në kohë. Duke pasur parasysh rrethanat dhe momentin e tanishëm në Kosovë, Lëvizja VETËVENDOSJE! beson që nuk duhet të durojmë e të presim, por edhe që veprimi duhet të jetë i organizuar, i padhunshëm dhe kundër regjimit, e jo etnive të tjera.
Pavarësia që vjen nga vetëvendosja e popullit është destinimi i rrugës së lirisë dhe pavarësia që e bashkon Kosovën e ndarë. Pavarësia që vjen nga shpallja formale që mund ta bëjë Kuvendi i Kosovës, vetëm sa do të provokojë shpalljen e pavarësisë që do ta bënin enklavat, e cila pavarësi do të ishte shumë më e njëmendtë sesa ajo e Kuvendit të Kosovës. Në manifestimin e vullnetit të tij në demonstrata populli do ta dëshmonte këtë vullnet, por edhe do të shndërrohej në fuqi që e ndryshon gjendjen drejt përputhjes me atë vullnet.
Populli i Kosovës mashtrohet pikërisht sepse është i mirë…
Populli i Kosovës nuk vuan nga narkolepsia, dhe as nuk është grigjë. Populli i Kosovës edhe më tutje pret dhe duron, por jo pse është i sëmurë, i lodhur ose i pafuqishëm, por kryesisht pse është i mashtruar. E, populli i Kosovës mashtrohet pikërisht sepse është i mirë, sepse lehtë u beson të tjerëve. Më pastaj, pikërisht besimi i popullit e mundëson gënjeshtrën e të tjerëve. Prandaj edhe mungon veprimi i popullit sot, tamam për shkak të inflacionit të besimit të tij në gënjeshtarët e tij.
Mjaft me mbiçmimin e misioneve e diplomatëve ndërkombëtarë
Është bërë më shumë se mjaft me mbiçmimin e misioneve e diplomatëve ndërkombëtarë. Është bërë më shumë se mjaft me nënçmimin e vetes tonë. Kur ta respektojmë veten tonë do të mund të fitojmë edhe respektin e të tjerëve. Njohja e Tjetrit nuk mund të jetë më e rëndësishme sesa Vetja. Njohja e Tjetrit e pason Veten tonë dhe nuk i paraprin asaj. Aq më pak ne mund të jetojmë për njohjen e Tjetrit ose në pritje të saj. Në fillim të viteve ’90 LDK-ja shpërfillte faktin e realitetit brutal nën robëri dhe kërkonte njohje ndërkombëtare. Në fund të viteve ’90 politika e UÇK-së iu bashkua LDK-së. E flaku tutje faktin për njohje. Për t’u pranuar ndërkombëtarisht nënshkroi dorëzimin e armëve në Rambuje. U njoh nga faktorët ndërkombëtar me kusht që realisht të mos jetë më!
Koha është tash, jo më vonë. Më vonë mund të bëhet tepër vonë, madje pakthyeshëm vonë. Gjërat e dëshiruara nuk ndodhin (vetvetiu). Gjërat e nevojshme ndodhin kur konsiderohen të domosdoshme dhe atëherë kur bëhesh i vendosur për t’i arritur. Të tjerët pastaj do të thonë se ato kanë qenë të pashmangshme.
Kontrolloni gjithashtu
Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave
Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …