Cili është pozicioni diplomatik i Kosovës, sot, pas pranimit të shumë shteteve, ndër to të shteteve më reprezentative të botës, të cilat kanë statusin e anëtarëve të përhershëm në KS, dhe a po ndryshon gjë pranimi i Kosovës së pavarur në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sigurisht që po. Pretendimet e deritanishme të shumë shteteve, sidomos i Rusisë dhe Serbisë për dominim mbi territore, me shumë premisa ideologjike të përziera me ikonografi religjioze, duke “përligjur” dhunën e paskajshme shtetërore, për qëllime politike, në një rajon të populluar me shumë kombe dhe i gërshetuar me kultura të ndryshme, në Evropë, rrezikonte theksueshëm të ardhmen e BE-së dhe NATO-së, meqë shumë nga shtetet e kufizuara me Kosovën, ishin anëtare vonë të pranuara në BE, dhe tri nga to kandidate për pranim në NATO. Zvarritja e mëtejme pengonte zhvillimet ekonomike, por edhe stabilitetin rajonal dhe atë evropianë. Evropa me pranimin e Kosovës si të pavarur, përfundimisht u lirua nga logjika koloniale, duke grushtuar pretendimet fatkëqija të Serbisë, në qeverinë e së cilës kishte influencë të madhe udhëheqja ruse dhe vet presidenti Putin, i cili ka rritur “dëshirat” ruse, për të zgjëruar ndikimin në shtetet të cilat ishin më heret nën tutelën e Paktit të Varshavës, si duket ai po josh me simpati në Rumani dhe Sllovaki, por edhe në Qipro.
Pamjet e ditëve të fundit të shkurtit në Beograd, mënjëherë pas pamjeve impresive në Prishtinë, të dasmës së madhe festive, ishin pamje të përsëritura të një kohe që mendohej se do të harrohet. Por demonstratat “Anti Indenpendence day” (Kundër ditës së pavarësisë), ose “Protest in Serbia-opposed to Kosovo Indenpendence” (Protestat në Serbi-kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës) (tituj të huazuar nga CNN), të cilat ishin të dirigjuara nga nacionalistët, por edhe nga aparati qeveritar i Serbisë, janë argumente shtesë i shteteve që të njohin sa më shpejt pavarësinë e Kosovës. Vetëm një ditë më heret, para se të ndodhin ngjarjet e llahtarshme të “valles së shtrigave” në ambasadën amerikane, zyrtari serb Samarxhiq dhunën e demonstruese në Kosovë e quante të ligjshme dhe demokratike. Dhuna e shfrenuar dhe djegia e flamurit amerikan, ishin pamje rikthyese të dominimit serb. Hollbruku ua spjegonte auditoriumit televiziv të CNN-it se problemi i Kosovës është problem që është mbajtur zvarrë që nga viti 1912, ai shikuesve ua rikujtonte ngjarjet e frikshme dhe shkuarjen e tij në Beograd për t’ia tërhequr vërejtjen e fundit Millosheviqit, para bombardimit të caqeve ushtarake. Ai e fuqizonte mendimin se Kosova është dashur të pavarësohet çysh para 5 vitesh, atëherë kur u bë atentati në Gjingjiqin. Kosova e populluar me 95 për qind shqiptarë, në të cilën jetojnë edhe 100-150 mijë serb ishte problem kolonial.
Problemi qëndron se Rusia kishte dhe ka influencë politike në Serbi, dhe për mos me u përsëritë një kasaphane e re Kosova ka fituar pavarësinë, të cilën e ka pranuar SHBA dhe shtetet tjera aleate të BE-së, ngase sa më tëpër të zvarritej problemi ndikimi rus kishte me qenë më i madh. Përafërsisht kështu u prononcua Hollbruku, por edhe analistët tjerë, përfshirë William Cohen, ish sekretari amerikan i mbrojtjes, i cili dëgjuesve ua rikujtoi spastrimin etnik të mbi 1 milion shqiptarëve, duke përkujtuar qeverinë serbe se ka për detyrë të mbrojë ambasadat dhe pronën përreth. Edhepse ky është një moment emocional, qeveria serbe do të duhej të involvohet shumë më tepër në këto ngjarje. Prezenca e NATO-s është e domosdoshme për një kohë më të gjatë, vet fakti që po shohim pamje të tilla është më se e nevojshme prezenca e tyre. Serbia kështu demonstroi se asnjëherë nuk i përmbahet repertoarit të fjalorit diplomatik, frika dhe dhuna janë instrumentet e vetme me të cilat mbahej në fuqi Millosheviqi më heret, por edhe Koshtunica, Nikoliqi e militantët tjerë politik pro-rus, në Serbi, tash.
Prandaj, dhe gëzimi i kosovarëvë se dolën fitues është i natyrshëm, meqë durimi politik u shpagua, ishte ky rezultat i projektit të përbashkët të popullatës vendore, institucioneve relevante demokratike dhe i ndërkombëtarëve, duke rritur kështu besimin e vazhdueshëm për pavarësinë si zgjidhje të vetme dhe të domosdoshme. Populli dhe dëshira e shprehur demokratike paqesisht fitoi si koncept i vetëm, gjë që do të ndryshojë shumëçka në t’ardhmen e globit, për të akceptuar teorinë e demokracisë si mjetin e vetëm për realizimin e qëllimeve politike, jo atë të dhunës dhe të terrorizmit, që përveq shkatrrimit të mirave natyrale si dhuratë e natyrës dhe e Zotit, shkakton edhe humbjen e njerëzve të pafajshëm, prandaj demokracia globale është mënyra e vetme e koekzistencës së popujve. Do të ishte shumë utopike nëse konsiderohet se zgjidhjet në botë janë të gatshme, meqë shumë liderë nacional, do të humbnin privilegjet e tyre, prandaj edhe në t’ardhmen do të ketë vatra të ndryshme të krizave, por shumë më pak në Evropë, meqë me pranimin e Kosovës, po sigurohet balansi ushtarak, etnik, dhe pak a shumë demografik, pra gjithçka do të jetë më ndryshe. Kosova ka zgjedhur rrugën e integrimeve evro-atlantike, sigurisht që pavarësia e Kosovës do të jetë një ndihmesë që edhe qytetarët serbë të këndellen nga opiumi nacionalist dhe hegjemonist. Se cilën rrugë do ta zgjedhë Serbia, atë të humbjes së dinjitetit nacional, të futjes nën sqetull të ariut siberian, apo atë të zhvillimit ekonomik dhe demokratik, u takon qytetarëve të saj, sigurisht që rruga e izolimit ndërkombëtarë nuk do të jetë e pëlqyeshme as për fqinjtë e tyre, qytetarët e Kosovës, të cilët janë të interesuar që i tërë rajoni të jetoj në koekzistencë të përbashkët.
Krijimi i një situate të re në terren “real politic” model i Kisingjerit për zgjidhjen e konflikteve, krijoi të gjitha parakushtet për opcionin e pavarësisë, meqë ndërkombëtarët BE-ja dhe amerikanët nuk janë të gatshëm të zvarrisin zgjidhjet e problemeve deri në pakufi, kjo u pa me rastin e Kosovës, ngase zvarritja do tu kushtonte shumë shtrenjtë dhe kohësisht do të zgjaste shumë, meqë edhe ashtu nuk ka pasur ndonjë zgjidhje tjetër adekuate përveç pavarësisë,që plotësonte kërkesat e popullatës shumicë në Kosovë. Prandaj ata duke pretenduar që çështja e Kosovës të trajtohet si zgjidhje e veçantë, jo universale, qëllimisht nuk donin t’u ekspozohen debateve të stërzgjatura argumentuese: sovranitetit dhe vetëvendosjes, që patjetër do të kushtëzonte organizimin e konferencës ndërkombëtare për Kosovën, që do të kushtonte shumë shtrenjtë, por edhe për faktin se Kosova dhe amerikanët-NATO-ja, fitoi luftën, sigurisht jo për të degraduar statusin politik dhe diplomatik të Kosovës, përkundrazi për ta avansuar, prandaj detyrimisht duhet të imponohej zgjidhja përfundimtare-projekti ndërkombëtar i udhëhequr nga presidenti Ahtisaari, që është shprehje e vullnetit ndërkombëtarë, e cila nuk potëson plotësisht qëllimet e shumicës shqiptare, por merr parasysh edhe të gjitha kërkesat e serbëve. Serbët përfituan shumë nga kjo marrëveshje, ata në t’ardhmen do të jenë qytetarët më të privilegjuar në Kosovë, statusi i qytetarëve të diskriminuar pozitivisht sigurisht që do t’ua bëjë jetën më të lehtë në Kosovën e pavarur, sesa në Serbinë e izoluar, ishte ky çmimi i vullnetshëm i shqiptarëve që paguajtën për një jetë të dinjitetshme për të gjithë qytetarët në shtetin më të ri në botë, zgjidhje si e vetmja, që ishte është shumë më e lehtë, më e lirë, dhe shumë e arsyeshme.
Kontrolloni gjithashtu
Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave
Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …