Adnan Abrashi: Është koha e fundit t’i kthehemi zërave të vërtetë të kombit tonë

Me zbehjen dhe rrënimin definitiv të politikës iluziore rugoviane dhe pasojave të saja që ende po i vuajmë, dita më ditë po bindemi në saktësinë e mësimeve parimore të përfaqësuesve të vërtetë të kombit tonë: Demaçit, Qosjes, Kurtit dhe shumë e shumë të tjerëve, të cilët, vetë ne, të helmuar nga një konformizëm i gabuar politik, i margjinalizuam dhe i defaktorizuam mu në kohën kurë këta na duheshin më së tepërmi. Nën pretekstin gjoja të një modernizmi politik dhe evropianizimit kosovarë, ne i shpallëm “demode” zërat e vërteta të inteligjencës tonë kombëtare, të cilët, të shkrirë tërësisht në shpirtin kolektiv të popullit të vetë, flisnin ashtu si është, e jo ashtu sikur duhet apo kërkohet prej tyre. 
Vërtet ata me bindjet e veta nuk e përfillën trendin e ri të politikës nihiliste moderne, dhe as që i dhënë rëndësi asaj, duke tentuar që me çdo kusht t’ na paralajmërojnë për ajrin e helmuar që ne e thithnim dhe për pasojat e saja që do ti kemi më vonë.Ne, jo vetëm se nuk i përfillëm, por edhe i anatemuam ata. Nuk lamë gjë pa thënë për “plakun senil të burgjeve të Jugosllavisë të cilit ja kishte marrë era mend”, për “akademikun e dështuar majtist të revolucionit të vonuar”, për “rebelin e politikës së sotme kosovare i cili po e pengon pavarësinë”…etj, etj.
Atyre ua mbyllëm gojën, nuk ju dhamë hapësirë mediale, i larguam heshtur dhe në mënyrë më perfide nga Kosova, e më këmbëngulësin edhe e burgosëm. Nga goja e politikanëve tanë “modernë” pranuam të dëgjojmë se gjoja këta na qenkan tradhtarë, shpijuna të UDB-së… se na janë, e çka mos na janë tjetër, veçse jo shqiptar. Sa qesharake dhe çmenduri ka qenë dikur ta mohosh nënshkrimin e dokumentit të Rambujesë, pas firmosje së cilës u bombardua armikja e jonë shekullore Serbia? Kush e bëri këtë? Baci Adem! Ai, të cilit “nëpër burgjet e Serbisë ja kishte marrë era mend”., “dashnori i Radës… etj. Çka do që të flasësh dhe të shkruash keq për Bacin Adem lejohej dhe e hante pazari. 
E përmenda vetëm të madhin, Baca Adem, por asgjë nuk ishte ndryshe edhe me shumë të tjerë bashkëmendimtarë të njëjtë. Por, çka ndodhi me këta modernistë tanë nihilist? Asgjë e keqe! Ata nënshkruan Rambujenë, e çarmatosën UÇK-në, krijuan partitë e veta të moderuara, i fituan zgjedhjet, erdhën në pushtet dhe u pasuruan. Fillimisht e vajtuan Albinin pse nuk ishte me ta, e më pas tentuan ta degradojnë politikisht idealin e tij, dhe në fund edhe e burgosën. 
Në Kosovë, nuk ishin më në modë as zhargonet e tyre “revolucionare”, “ekstremiste” dhe “radikale” të demoduar të komunikimit politik. I zëvendësuan me terme më bashkëkohore, sikur bie fjala: Standarde, bashkëjetesë, multietnicitetë; luftën e emërtuan si konflikt, përleshjet e armatosura si incidente, mjerimin dhe kolapsin ekonomik si fazë e domosdoshme e tranzicionit etj. Të “anatemuarit” tanë, apo sikur i quajtën disa medie “moderniste”, “kalorësit e apokalipsës”, edhe pse të plagosur në shpirt, gjenin ndonjëherë forcë t’na thonë mos, e ne, hiq. Ata sërish mos, e ne prapë hiq! Dhe …ja se ku na erdhi puna. Pas dokumentit të Rambujes ku u deshtë patjetër nënshkrimi i jonë kapitullues, si vazhdimësi e saj, pasoi marrëveshja e Kumanovës, kuptohet e nënshkruar pa ne, Korniza Kushtetuese, kuptohet pa na pyetur ne, bisedimet me armikun tonë shekullor, Serbinë, pa e pasur vullnetin tonë…dhe kështu me radhë deri tek ndarja e mundshme e Kosovës, federata , konfederata e sa e sa budallaqe tjera, kuptohet, sërish pa na pyetur ne si popull. Edhe përpos stilit të bukur të “modernizmit” të përqafuar evropian, rrezatimet e dëmshme të ajrit të kontaminuar që e kishim thithur me vite (edhe pse të paralajmëruar me kohë), tani po na shpalosen me simptome kancerogjene. Kur ky tumor malinj ka filluar të metastazoj dhe rrezikon t’na kaploj tërë qenien tonë, çka po na vyen pa atdhe dhe dinjitete të vërtetë kombëtar kjo “bukuri” e premtuar iluzore?Nuk na vyen asgjë ajo, pa lirinë dhe drejtën të jemi të barabartë si gjithë popujt tjerë të botës? JO! Nuk shkon ma kështu!A kemi ende shpresa? Po! Meqë, me këto veprime të gabuara të “modernistëve” tanë nihilist, nuk jemi tjetërsuar por vetëm jemi të manipuluar, mund të thuhet se ende nuk është vonë, sepse, kur i manipuluari ta heq besimin e gabuar atëherë ai fillon të bindet. Mosbesimi dhe bindja përmes mësimit është terapia më efektive e shërimit të kësaj sëmundje që na ka kapluar tërë qenien tonë kombëtare dhe rrezikon të na copëtoj edhe fizikisht. Kthimi ynë gjithëkombëtar kah zërat e artikuluesve real dhe të dëshmuar të synimeve tona të vërteta kombëtare dhe përqafimi i rrugës më të natyrshme të realizimit të tyre, është alternativa më e mundshme që ne duhet ta zgjedhim si shpëtim në këtë kohë. 
Fatlumësisht, viteve të fundit në Kosovë po lind një agim i ri. Një gjeneratë e re dhe me shpjegim të ri, një komunitet me kurriz të fortë që refuzon të nënshtrohet duke synuar i vendosur drejt vetëvendosjes dhe deri në vetëvendosje. Ata janë gjenet tona dhe flasin me gjuhën e zemrës sonë, me atë gjuhë, të cilën ne, shumë herë, të kapluar nga injoranca dhe kompleksi i imponuar i vlerës së ultë, nuk e kemi dituar, ose edhe nuk kemi pasur guxim ta themi haptas.Pse mos ta ndjekim të gjithë këtë rrugë, sepse mu ajo është përndritja e jonë e paevitueshme që po na buzëqeshet në horizont si shpëtim?

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …